Ostros - Lidhja Demokratike në Mal të Zi - Dega Krajë ka reaguar ashpër ndaj vizitës së Kishës së Shën Mërisë në Krajë nga "besimtarët" e Kishës Ortodokse Serbe, të enjten, më 4 qershor.
"Ceremonitë" e tilla fetare po i shqetësojnë njerëzit në këto troje. Ardhjet e tyre këtu iritojnë popullatën e Krajës. Kranjanët i konsiderojnë rrënojat e Kishës në Krajë trashëgimi kulturore, historike dhe shpirtërore e tyre, andaj edhe kërkojnë nga organet kompetente të Republikës së Malit të Zi që më me seriozitet t`i qasen ruajtjes të monumenteve kulturore e shpirtërore nga përvetësimi i Kishës Ortodokse Serbe, siç po ndodh tash sa vjet me Kishën e Shën Mërisë në Krajë", thuhet në një kumtesë për opinion të kësaj dege.
Dega e LD në MZ në Krajë tërheq vërejtjen se përvetësimi i njëanshëm dhe uzurpimi i dhunshëm i Kishës së Krajës nga Kisha Ortodokse Serbe nuk ka asnjë të drejtë historike, fetare, juridike e as kanonore.
"Ardhjet e tyre si dhe provokimet gjatë këtyre viteve fyejnë dinjitetin e banorëve të Krajës. Në këtë mënyrë Kisha Ortodokse Serbe po bën përpjekje që të promovohet në këtë truall serbizmi. Mendojmë se ardhja e të ashtuquajturve "besimtarë" të Kishës Ortodokse Serbe është një marrëzi dhe shpien në intolerancë fetare. Për qytetarët e Krajës paqja, toleranca, mirëkuptimi dhe dinjiteti njerëzor janë të shenjta", thuhet ndër të tjera në këtë kumtesë për opinion.
Krijoni Kontakt