trepca.net



---------

ANNA LINDH - NË MBROJTJE TË KOSOVËS DHE VIKTIMË E KRIMIT SERB




-----------------

13 janar 2004 / TN

Nexhat KITA

Më 10 shtator 2003, dora e një krimineli serb shuajti jetën e ministres së jashtme të Suedisë, Ana Lind (Anna Lindh). Spekulimet rreth motivit të vrasjes ishin disa. Një javë pas, Expressen, gazeta më gjurmuese e këtij krimi, doli me supozimin e bazuar të SEPO - s (Policia Sekrete e Suedisë) për motivin politik të vrasjes së ministres .

Në gazetë citohej deklarate e të ndjerës në fillim të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s kundër Serbisë, ose kundër Millosheviçit, që ka një përmbajtje pak si paradoksale: - "Nuk jemi kundër ndërhyrjes ushtarake, mirëpo kjo ndërhyrje nuk gëzon mbështetjen tonë. E kam të kuptueshme që për arsye politike mund të ndërmerret një bombardim, kur mjetet e tjera nuk ndihmojnë. Millosheviçi i ka pritur prore me përbuzje të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike. Bombardimet ishin të pashmangshme".


Në filim kur u mësua për kombësinë e dorasit, në ndërlidhje me këtë krim, u rishfaqën mendime të ndara rreth angazhimit politik të Suedisë në Luftën për Kosovën. Mund të dëgjoje pohime nga qarqe suedeze se "Suedia mbajti një profil të ulët" që do të thotë se nuk u angazhua shumë. Ata që e kanë ndjekur më me vëmendje zotimin e diplomacisë suedeze sjellin shembuj për një angazhim edhe emocional të Ana Lindit, atëherë kur sulmet e recetuara ajrore ishin më tepër të natyrës kërcënuese.

Zonja Lind do të ketë thënë përpara kamerave televizive se ndërhyrja e këmbësorisë është më se e nevojshme, sepse ne nuk mund ta marrim me mend se çfarë tmerresh po përjeton popullata shqiptare e Kosovës nga forcat serbe.

Po kjo gazetë pohon se kryeministri suedez, Jeran Person dhe ministreja e jashtme i mbështetnin sulmet dhe kishin mirëkuptim të madh për ndërhyrjen e NATO-s. Angazhimi suedez ishte jashtëzakonisht i qartë dhe i fuqishëm në mbledhjen e shefave dhe të ministrave të jashtëm të shteteve të BE, më 24 mars 1999 në Berlin. Më18 shtator të vitit që shkoi, atëherë kur spekulohej për vrasësin dhe aq më shumë për motivet e vrasjes, pohonte kjo gazetë se jo rrallëherë Ana Lind i konsideronte bombardimet si një ndërhyrje krejtësisht të domosdoshme "për të ndalur gjenocidin që po ushtrohej mbi popullatën (shqiptare, N.K.) dhe për t´i mbrojtur ata nga krimet serbe".

Akoma pa u ditur gjë më konkretisht për autorin e krimit, motivi kundër ndërhyrjes së NATO-s, ose në ndërlidhje me këtë - motivi antishqiptar, për policinë suedeze ishte boshti kryesor rreth të cilit po rotulloheshin dyshimet dhe gjurmimet për këtë vrasje.

Që më 20 shtator 2003, dita kur u ndalua nga policia serbi 25 vjeçar Mijailo Mijailoviç, po në këtë gazetë filluan të shfaqen dy teza për motivin e vrasjes. Teza më pak e besueshme ishte ajo se vrasja ka mundur të jetë vepër casti, pa ndonjë paramendim, ngase i ndaluari nga policia, identiteti i të cilit mbahej sekret, na paskësh qenë një person i sëmurë psikik, që paska një identitet të ngatërruar sepse veten e njeh dhe e di se është personazhi - protagonist i filmit me të cilin dorasi po "identifikohet" është Tom Cruise = (...). Teza më serioze ishte ajo e policisë suedeze për motivin politik dhe në vijë të këtij mendimi gazeta Expressen nisi të gjurmonte pas shokëve të dorasit (serb), duke siguruar pohimet e tyre.

Sipas kësaj gazete, disa nga shokët e afërt të tij kishin qenë në dijeni për urrejtjen që kishte pasur dorasi ndaj Ana Lindit për shkak të deklarimit të saj pro ndërhyrjes së forcave NATO-s, rrjedhimisht pro shqiptar dhe se ai, M. Mijailoviç, iu kishte hapur zemrën shokëve të vet dhe iu kishte thënë se "ajo do ta paguante shtrenjt poshtërimin e Serbisë".

Shokë të tjerë patën pohuar se dorasi serb kishte qenë i gatshëm të bëhej anëtar i një eskadroni, të përbërë nga vrastarë serbë në Suedi që do të ndërhynin për të vrarë shqiptarë në Stokholm e gjetkë, ngase siç po pritej, në fund të pranverës së 99-it, do të niste një qërim hesapesh ndërmjet serbëve e shqiptarëve në këtë vend. Disa të tjerëve iu ishte rrëfyer ky kriminel, tashti i paraburgosur, se ai do të shpallej nga ana e serbëve hero dhe mbrojtës i madh i çështjes serbe dhe do ta madhëronin e kujtonin ndër shekuj. Po sipas kësaj gazete, ky person paskësh pasur shumë qejf që, nëse do të duhej, të përdorte thikën si mjet për vrasje, duke sjellë edhe fotografitë e vizatimeve të thikave që i ka bërë ky.

Thamë që në fillim se gazeta më gjurmuese e këtij krimi është Expressen dhe thuajse gjithë shtypi i Suedisë i referohet për vrasjen kësaj të përditshmeje. Nga këto rrethana edhe serbët e Suedisë, përmes të një përfaqësuesi serb, anëtar i Parlamentit të Suedisë, në çastin kur identiteti i kriminelit mbahej sekret dhe mbetej i panjohur, duke qenë se ishin në dijeni që më parë se dorasi ishte njeri i tyre, të irrituar, si zakonisht, nga teza e policisë suedeze për motivin politik ose kundër ndërhyrjes së NATO-s, rrjedhimisht antishqiptar, në një artikull gati gjysmë faqe, në mënyrë nëntekstuale u munduan të shpjegonin motivin (sipas tyre të arsyeshëm) e vrasjes së Ana Lindit.

Pa i sulmuar kush serbet fare, autori në fjalë kritikoi mediat suedeze se "ua paskëshin përbaltur fytyrën serbëve e na i paraqitkan si kriminelë, kurse vrasjen mundohej ta shpjegonte me shpërthimin e zemërimit tek i riu serb ngase na paskësh qenë i mllefosur nga heshtja e Suedisë ndaj "vuajtjeve të serbëve nga dhuna shqiptare në Kosovë".

Tashti kjo e përditshme u shtrëngua që të vendoste një lloj drejtpeshimi informativ dhe në faqet e gazetës Expressen gjetën vend edhe pikëpamjet serbe për dorasin dhe motivet e çuditshme që na e paskan shtyrë këtë që "pa dashje" ta godasë me thikë të ndjerën Ana Lind.

Sipas pohimeve serbe, ky kriminel na paskësh qenë një i sëmurë psikik. Dorasin ata e paraqitën një injorant të klasit të parë. Ai kurrë nuk ua paskësh vënë veshin ngjarjeve politike. Nuk na paska ditur asgjë se çka po ndodhëka rreth tij, politika - na qenka një fjalë e panjohur për të, për fjalët ministër e kryeministër nuk paskësh as më të voglën ide se çdomethënie kanë e ku më të ditëka ai, Mijailoja, se kush na qenka Ana Lind, kur ai nuk paskësh dëgjuar as për emrin e kryeministrit suedez, Jeran Person.

Për të forcuar këtë tezë serbe, një si lexuese a gazetare serbe, me emrin Mira Miciç, ndërmori një aksion dhe "zbuloi" përmes gojës së një serbeje me pseudonim Maria, kjo e afërt me nënën e dorasit serb, se çka na e paskësh shtyrë serbin e ri që t´ ia shuante jetën ministres, Ana Lind. Pohimin e versionit serb, që do ta përpijnë me qejf shumë gazeta në Suedi, Skandinavi, në Serbi po se po dhe gjetkë e sjellim tekstualisht, sipas gazetës Expressen, datë 30 shtator 2003. Nëntitulli:

Kanë të drejtë që ta dinë të gjithë!

"Një shoqe e afërt me nënën së 24 - vjeçarit ka dëshirë të tregojë me qëllim që askush të mos besojë se vrasja e ministres së jashtme ka të bëjë me politikë". Kjo paskësh mësuar nga një i afërt i dorasit, të cilit ky (vrasësi) i qenkësh rrëfyer, pak ditë më parë se të binte në duart e policisë, se si paskësh ndodhur kjo vrasje".

"Më 10 shtator pas dite po sorollatej ashtu kot 24- vjeçari nëpër Magazinën NK në qendër të Stokholmit. Një zë i erdhi nga brendësia e kokës së tij: Ja, godite!

Ai vjodhi në atë çast në seksionin e sportit e të peshkimit një thikë gjuetie. U ngjit shkallëve lëvizëse në katin e dytë prej nga i ra në sy Ana Lind dhe nga ai vend po e sodiste atë.- Ja, godite tashti! i tha zëri sërish. Njëzet e katërvjeçari e ngriti lart thikën. Ai e goditi atë disa herë".

Pas disa ditësh burri i Ana Lind do të deklaronte se "nuk ndiej ndonjë urrejtje ndaj dorasit". Po ato ditë, mbreti i Suedisë e shpërbleu me një dekoratë mirënjohjeje një gazetar serb, korrespondent nga Stokholmi, për afirmimin e Suedisë në shtypin serb.

Përralla e "lashtë" e zërit mistik në kokën e dorasit serb do të rijehojë më 6 janar 2004, dita kur dorasi pranon vrasjen e të ndjerës ministre Ana Lind, viktima ndërkombëtare më e njohur e krimit serb për shkak të ngritjes së zërit për ndërprerjen e gjenocidit mbi shqiptarët dhe mbrojtjen e tyre.

Më këtë ditë, avokati i dorasit serb ia bën të ditur botës se - klienti i tij pranon që e ka vrarë Ana Lindin dhe vrasja nuk ka të bëjë me motive politike. Gazeta më e njohur suedeze Dagens Nyheter do të raportojë për reagimet në botë. Nga këto reagime mësojmë për qejfet e disa gazetave serioze në Skandinavi dhe në botë.

Derisa mediat botërore do të raportojnë me tekste të përmbajtura duke theksuar në radhë të parë se nga shkaku që i pandehuri pranon krimin, me këtë do të pushojnë edhe spekulimet për autorin e krimit, disa të tjera plot entusiazëm do të theksojnë se vrasja nuk paskësh motive politike.

Ndër të tjera, media norvegjeze NRK, jo vetëm që nuk do që të dijë aspak për këtë vrasje se ka të bëjë me motive politike, por ajo do të konstatojë para nisjes së gjykimit se - "E vrau Ana Lindin i shtyrë nga impulsi" që do të thotë se për këtë rast bëhet fjalë për një kategori mjaft të lehtë penaliteti, e ngjashme si vrasje çasti.

Pak a shumë po të këtij mendimi ishin edhe gazetat kryesore daneze "Politiken" dhe "Berlingske Tidning", të cilat gojën plot theksuan se "vrasja nuk ka motiv politik" Gazeta "Politka" e Beogradit merrej me hipotezën e lartësisë së dënimit, që sipas tyre varet nga rrethana nëse vrasja do të cilësohet e paramenduar dhe me motiv politik, ose jo, që flet për një drojë të fshehur të motivit të vërtetë të krimit.

Mendim "origjinal" i kësaj gazete serbe është konstatimi se "ky farë Mijailo" (kështu prezantohet) e ditëka Ana Lindin si person, por fare nuk paskësh pasur ide se ajo na paskësh qenë ministre e jashtme e Suedisë, pra një vrasje injoranti me një personalitet të ngatërruar dhe i një të sëmuri, të ndjekur për të bërë krim nga një "zë i brendshëm". Nga të gjitha këto pohime e ritheksime të rolit të zërit për të kryer një krim historik, nuk merret vesh se kush po mundohet që ta luajë më me shkathtësi rolin e budallait, ky Mijaillo, ose këto bashkëmijaillot nëpër gazeta.

Dje, më datë 12 janar, do të mësojmë nga shtypi suedez se Mijaillo na paska punë jo me djallin, por me Jezu Krishtin. Na qenka ky kriminel një qenie që iu përkiska qarqeve të profetëve ngase Jezu si, sic po pohon dorasi, na e paska zgjedhur këtë (dorasin serb) që të kryejë këtë mision, nënkupto të madhërishëm sipas Mijaillos.

Gazetarët e më të shiturës së përditshme në Suedi, Expressen (700 - 800 mijë kopje) tashti së shpejti shkuan në Serbi për të biseduar me moshatarët e dorasit nga bangat shkollore dhe atje mësuan se ai që me kohë i paskësh pasur qejf thikat, ndërsa mësuesja e dikurshme e tij na e paraqet si një engjull dhe, duke i fshehur motivet e vërteta, tregon se ajo ka ndër mend dhe do të ndërmarrë një aksion për të mbështetur dhe shpëtuar Mijailon, trimin e tyre të pashpallur për çastin, por kur t´i vijë koha, sipas tyre.

Reportazhi përfundon me pyetjen e habinë e gazetarëve suedezë: Çka, aksion!!

Po kjo gazetë sjell përveç fakteve të shumta teknike, të suguruara nga burime policore edhe këto prova për motivin e krimit dhe për veprimin paramenduar:

- Dorasi e ka soditur viktimën nga kati i dytë dhe derisa vërsulej për të arritur tek ajo, ai i ka dhënë një të shtyrë një personi që ndodhej para saj,pra e ka dalluar dhe zgjedhur viktimën.

Derisa krimineli i jepte goditje vdekjeprurëse Ana Lindit, i paska thënë asaj edhe këto fjalë:

- Ja ku e fitove atë që meritove! (Dy dëshmitarë pamorë)
- Dëshmitë gojorë rreth kërcënimeve dhe për vrasjen e dëshiruar që më parë të Ana Lindit.

Pas ngazëllimit të disa mediave për mungesën e paramendimit, dmth të motivit politik, gazeta Svenska Dagbladet më 8 janar, nga prokuroria siguroi dhe e bëri botërisht të njohur edhe një provë për vrasjen me paramendim dhe kjo është:

- Dorasi e ka ndjekur Ana Lindin plot 14 minuta në ambientet e Magazinës NK, prova të siguruara nga kamera e survejimit në këto ambiente.

Një rrethanë shumë të rëndësishme që vjen duke e betonuar edhe më shumë tezën e motivit kundër ndërhyrjes së NATO-s është ajo që një ditë para gjykimit e sjellin mediat suedeze. Në fakt, dorasi serb një ditë se të shuante jetën e Ana Lindit, paska gjurmuar që ta gjente rastin e volitshëm për "ta takuar" kryetarin e Partisë Popullore të Suedisë (FP), i cili paskësh qenë pjesëmarrës në një miting në njërin nga sheshet e Stokholmit.

Kryetari i kësaj partie, zoti Lars Leijonborg është i njohur në opinionin e gjerë suedez për angazhimin e tij të madh pro ndërhyrjes ushtarake të trupave të NATO - s, ndërsa në çështje të ndryshme të jetës së shqiptarëve në këtë vend ka treguar një mirëkuptim jashtëzakonisht të madh dhe të shquar.

Çfarë cilësimi do t´i jepet këtij krimi dhe çfarë dënimi do të merrë dorasi, do të mësojmë nga gjykimi që do të nisë të mërkurën, më 14 janar. Për shkak të provave të siguruara, siç thuhet 120 %, gjykimi pritet të zgjasë vetëm 3 - 4 ditë. Dënimi që pritet t´i jepet dorasit quhet në terminologjinë penale të Suedisë - burg i përjetshëm, që është përafërsisht barazi me një kohëzgjatje - 12 vjetë, ndërsa efektivisht, në praktikën e vuajtjes së dënimit, nëse personi që po vuan dënimin është i sjellshëm, kjo do të thotë qëndrim në ambiente të bezdisshme hoteliere shumë - shumë 8 vjetë.


----------------