Berisha merr pjesë në ceremonitë e varrimit, qeveria mungon
Nevila Perndoj
TIRANE- Zyrtarët më të lartë të Partisë Demokratike kanë qenë dje të vetmit politikanë të pranishëm në ngushëllimin e familjeve të 21 viktimave që humbën jetën në ujërat e Jonit. Në ceremonitë e varrimit të shumë prej tyre në fshatrat e Shkodrës si rrallëherë, lideri i opozitës Sali Berisha është shfaqur para kamerave i përlotur, me një qëndrim më shumë njerëzor sesa politik. Kryetari i demokratëve është nisur dje që pa gdhirë për të ngushëlluar nga afër të gjitha familjet e viktimave në rrethin e Shkodrës dhe për të marrë me vete edhe një apel se shteti shqiptar dhe politika në përgjithësi duhet të marrë masa për përmirësimin e jetës ekonomike të popullit. Pas vizitave në familjet e viktimave, Berisha ka deklaruar për përfaqësuesit e medias se demokratët do të jenë avokatët e së vërtetës në Kuvend për këtë ngjarje të rëndë. “Ne do të jemi avokatët tuaj për ta nxjerrë në ditën e diellit të vërtetën e hidhur”, -tha dje Berisha në Shkodër. Bashkë me kryetarin e demokratëve kanë qenë edhe zyrtarët e tjerë të lartë të selisë blu. Që nga dita e tragjedisë, demokratët kanë qenë shumë më afër viktimave sesa përfaqësuesit e shtetit. E para që është bashkuar me dhimbjen e tragjedisë ka qenë nënkryetarja e demokratëve, Jozefina Topalli. E shoqëruar edhe nga deputeti tjetër demokrat Pal Dajçi, ajo ka asistuar në identifikimin e viktimave nga të afërmit e tyre. Më pas të shtunën në darkë kanë asistuar edhe përfaqësues të PS-së si kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe nënkryetarja e Kuvendit, Makbule Çeço. Ndërsa ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko si dhe presidenti Alfred Moisiu kanë qëndruar gjatë me të mbijetuarit pas transportimit të tyre në spitalin e Vlorës. Por kujdesi i tyre nuk ka zgjatur shumë. Dje, asnjë prej tyre nuk ka qenë i pranishëm në dhimbjen e familjarëve që përcillnin viktimat për në banesën e fundit.
Shekulli
13/01/2004
Krijoni Kontakt