Close
Faqja 5 prej 18 FillimFillim ... 3456715 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 50 prej 173
  1. #41
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Dritëro Agolli

    Mëzi i vogël

    Hëna si e verdha e vezës
    Çau guaskën e malit dhe doli,
    I shkanë këmbët e lodhura pelës
    Dhe ra në hendek dhe gjaku i rrodhi.

    Karroca e përmbysur s’bënte më zhurmë
    Dhe dridhej pela ende e mbrerë,
    Mëzi i vogël shikonte gjakun me shkumë,
    Gjakun që dilte nga goja e nënës së mjerë.

    I zoti ia hoqi pelës palldëmë e litarë
    Dhe mëzin e mori për jele me vete,
    Mëzi kthente kokën nga nëna e vrarë,
    Mëzi thundrat përplaste dhe dridhej në ethe.

    Pastaj në shtëpi ai heshti me kokë nga hëna,
    Vetëm kur porta u hap e rënduar,
    U nis përsëri me trok nëpër natë nga nëna
    Dhe ishte vrapimi i parë në jetë krejt i vetmuar.

    U fut në hendek dhe pelën në ballë lëpiu
    Dhe ndjeu ftohtësinë e tmerrshme në gjuhë,
    Ngriti kokën lart e në qiell hingëlliu,
    Hingëlliu fillikat nën hënë i përhumbur.

    Kjo ndodhi një natë kur të verdhët e hënës pikonte,
    Mëzi këtë e mbajti në mendej aq gjatë
    Dhe kur hënë në cepin e qiellit vështronte
    Hingëllinte përnatë...

  2. #42
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Dritëro Agolli

    Kali

    -Baladë-

    1.
    Limo Labinoti hipi kalin
    Dhe u nis të blinte një qemane,
    Në pazar takoi evgjit nallbanin,
    Ia la kalin, hyri në mejhane.

    Pa ia nisi gotave t’i zbrazte,
    Pa ia nisi lodrat me çingjitë,
    Pa çingjive ç’iu pëlqente nazet,
    Ç’iu pëlqente këmbët, gjinjtë.

    Mburrur mes çingjive tha një fjalë:
    -Kush e ka qemanen më të mirë,
    Për qemanen unë i jap një kalë,
    Që s’e ka arab në shkretëtirë.

    -Unë e kam! Tha një nga muzikantët
    Dhe qemanen vithe – femër ngriti.
    Sytë e tij të turbullt e të vakët
    Feksën në lëkurën prej evgjiti.

    Limo Labinoti i ra ballit:
    Si t’ia jepte kalin një zuzari?!
    Ky evgjit nuk vlen sa bisht i kalit.
    Kali im këtij i ve samarin!

    Kalë, o kalë, plumbin s’e përfillje,
    Me revan ia pritje rrugën plumbit;
    Kalë, o kalë, hënën e përpije,
    Kur e ngrije kokën anës lumit.

    Kalë, o kalë, ç’m’u fanit qemania,
    Ç’më plagosi këngë e saj pa emër,
    Do ta nxjerr qemanen nga mejhania,
    Do ta ngjit në mal t’i fut një zemër!

    Harkun e qemanes ta bëj kalë
    Dhe qemanen kodër mbi një fushë,
    Të trokasin thundrat valë-valë,
    Kur ta vë nën sup, ta mbaj në gushë.

    2.
    Ky evgjit nallbani qimedrizë
    Solli kalin drejt e në mejhane,
    Ia dha sazexhiut mustaqespicë,
    E la Limon vetëm me qemane.

    Limo Labinoti sazexhinë
    E vështroi me dy thingjijtë e vëngër:
    - Merre kalin, hidhu në lëndinë,
    Të krekosesh ti, çomagë e shtrëmbër.

    Po më prit, evgjit, nga hija e ftonjve
    Të dëgjosh me smirë e ngashërimë
    Nga qemania trokun e potkonjve,
    Vërshëllimë jelesh, hingëllimë...

    Dhe i tha: - Evgjit, unë ta jap kalim,
    Veç ma ler çingjinë ta nxjerr jashtë,
    T’i tregoj si hëna rri mbi malin,
    Si përgjon mullarin tim me kashtë;

    Ta mësoj si barku i mullarit
    Bëhet shtrat nga shtretrit më të lumtur,
    Ku pikon nga hëna pika e arit
    Dhe vjen erë e lumit të përhumbur.

    3.
    Limo Labinoti hop! në kalë,
    Hop! mbi kalin bashkë me çingjinë
    Dhe vrapuan ngjitur në një shalë
    Një kurriz, një bark plot përcëllimë...

    Vrap e vrap dhe zbritën pas mullarit,
    Ku këndonin bulkthet këngë shumë,
    Ku përgjonte breshkëz e ugarit
    Zgjatur qafën samari i murrmë.

    Heshtni, bulkthe, mos kërkërini,
    Dhe ti, breshkëz mbaje brenda qafën!
    Limo Labinotin do ta shihni,
    Kur mullarit plak t’i futë flakën!

    Odo-bo mullar, ç’të panë sytë,
    Obo-bo ti kashta e florinjtë!
    Hënë e kallajisur tok me yjtë
    Panë si kërcejnë valle gjinjtë!

    Panë si kafshon cingjia kashtën,
    Kur përdridhet si purteka e thanës,
    Panë si shalon një pelë natën
    Limo Labionti i qemanes.

    Panë si ky Limo Labinoti
    U bë hark qemane mbi çingjinë,
    Harku nxirrte tinguj, pika loti,
    Në fërkim me barkun dhe me gjinë.

    Lumë, o lumë, mos i trego fushës
    Britmat e çingjisë dhe ofshamat,
    Kur ia vinin buzët zjarrin gushës
    Tek kumbonin cicat si kamabanat!

    Kalë, o kalë, mos rrëfe ç’ke parë,
    Mos rrëfe për pelën që kam hipur,
    Kjo çingjia-pelë krejt mullarë
    Ma rrëzoi përdhe me këmbët ngritur...

    4.
    Kur u thyen gjithë evgjitët panë
    Qafën e kafshuar të çingjisë
    Dhe qemaneve në aheng u ranë
    Shtrembëruar sytë prej rakisë.

    Lëre, lëre limo Labinotin,
    Nga qemania mëndtë seç iu prishën!
    Jashtë kali qante për të zotin.
    Brenda kurva në akull ftohte sisën.

    Mjegull e mejhanes ra mbi brengat,
    Gjokset e çingjive u mbuluan.
    Heshtën harqet, u nemitën këngët.
    Gotat flakën blu në buzë e shuan.

    Limo Labinoti ngriti telat
    Pa i ra qemanes më të qarë.
    Qau për kalin gjersa thirrën gjelat
    Dhe kur shkoi në fshat i thanë: “I marrë!”...

  3. #43
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    14-11-2003
    Vendndodhja
    mendt e mija fluturojne mbi dajT
    Postime
    46
    Lasgush Poradeci

    KUR NUK NDIHESH FARE MIRE

    Kur nuk ndjehesh fare mire,
    (Sepse shpirtin e ke plot),
    Ze kendon ne vetesire
    Pa te derdhen pika lot.

    Pika lot, si pika dylli,
    Oe te derdhen aqe shpesh,
    Kush qepallat nuk i mbylli...
    Nuku mund t'i marre vesh :

    Kujt s'ju dha t'i rrahe mente,
    Ne shtepi kush nuk u mbyll,
    Me nje hov kur shpirt'j shenjte
    Ndrin e digjet posi yll -

    Nuku mund t'a dije fare,
    As qe do te ndjeje dot
    C'pruri kenga mendimtare
    Me cdo varg prej pikash lot.

    Kush te tall me verb te kote,
    Nuku mund t'i ndjeje gjiri
    C'Drit' e bardhe djeg ne bote
    Me cdo pike prej qiriri.

  4. #44
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    14-11-2003
    Vendndodhja
    mendt e mija fluturojne mbi dajT
    Postime
    46
    Lasgush Poradeci

    PIKË E LOTËVE TË MIA

    Në kuvëndin e përzjerë
    Pate pyetur mik i ngratë
    Ç'punë bëj e ku kam lerë
    Në kam Nënë e në kam At.

    Varg e varg me përgjërata
    Para sysh më venë e vinë
    Seç m'u ndrit ky lot që pata
    Miq-o kimani zilinë.

    Unë që atëhere dot nuk munda
    T'i përgjigjem me një çast
    Pasi vonë ta mata shtatin
    Kam vendosur të të flas.

    Më pat lindur vendi i Zotit
    Dhe bëj punën e njeriut
    E për prind kjo pikë e lotit
    Nga më zbriti vetvetiu.

    E në dhembjet venë e vinë
    Jam gati të vuaj më
    Kush s'ma njohu dhemshurinë
    S'më pat njohur kurëgjë.

    Bukuria-bukuria
    Më pat puthur mu në ballë
    Pikë e lotëve të mia
    Vetëtin si gur i rrallë.

  5. #45
    Si s'të desha pak më shumë - Fatos Arapi

    Unë e desha përtej vdekjes,
    Ashtu dashurova unë
    Edhe prap s'ia fal dot vetes:
    S'i s'e desha pak më shumë...

    Pak më shumë ku shpirti thyhet,
    T'i them ndarjes: - Prit, ca pak...
    Të gënjejmë mallin që s'shuhet,
    Kujtimin të gënjejmë pak.

    Përtej vdekjes, përtej botëve,
    Atje ku nis "ca pak" tjetër,-
    Asaj që më rri mes Zotave:
    "Si s'të desha pak më tepër...".
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  6. #46
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Ali Asllani

    Vajza shqiptare


    I
    Kush të ka dërguar, hëna apo djelli?
    Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli?
    Nëpër ato pate, madhëri e artë,
    Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

    Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
    Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
    Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
    Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

    Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
    Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
    Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
    Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

    Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
    Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
    Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
    Trupi i yt i bukur si flori i situr!

    Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
    Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
    Ku është ai pyll, ku është ai mur
    ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

    II
    Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
    Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
    Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
    Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

    Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
    Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
    Desha që ta dija ku është ylli yt,
    Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

    Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
    Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
    Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
    Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

    Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
    Nga se po të digjet trupi ylyver?
    Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
    Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

    Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
    Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
    Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
    Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

    Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
    fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
    Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
    Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?


    - Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
    Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
    Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
    Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

    Çdo të mira kemi, djelli si ar
    Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
    Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
    Edhe erë e bukur na deh e na vel!

    A e more vesh kush më ka qëndisur?
    Është dritë e djellit që më ka stolisur,
    Është drtië e djellit, është dritë e hënës,
    Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!

  7. #47
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    o dd ..te kam shkruar dicka atje me lart..

    pergjigju se nuk te ul vleren te komunikuarit me njerez..

    qashtu..

    e bukur kjo poezi e ali asllanit..

    po ate balad came dhe trishtimi te bilal xhaferit a mund ti sjelli kush ktu..?

  8. #48
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    BILAL XHAFERRI


    Baladë Çame

    Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
    u zhduk matanë largësive,
    mbi kreshtat e flakëve,
    nëpër shi...

    Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
    dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
    Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
    mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.

    Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
    Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
    Dhe kudo toka çame,
    mbuluar nga retë,
    rënkon e mbytur në gjak e lot,
    e mbetur shkretë,
    pa zot.

    Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
    Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
    Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
    dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.

    Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi...
    Lamtumirë, Çamëri!







    Eja, trishtim

    Eja, trishtim,
    eja me hapa fletësh që bien nga degët,
    eja me hapa shiu që këputet nga fletët...
    Eja, trishtim,
    Eja me hapa tingujsh që dridhen në mbrëmje,
    eja me hapa zemrash që rrahin me dhimbje...
    Eja, trishtim,
    o prehër i ëmbël që nuk më braktise kurrë,
    o strehë e qetësisë sime,
    o ëndërrime të mia,
    o gji i shpresës sime!
    Eja, trishtim,
    trishtim,
    eja.

  9. #49
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Për Lame Kodrën që prej ditës që kërkove hapa një temë më vete tek Krijime nga shkrimtarët shqiptare, postova ato që kërkoje z. Brari e do postoj dhe të tjerat me kohë.

  10. #50
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Gavril Dara i Riu

    nga Kënga e sprasme e Balës

    Kënga e Beratit

    “O Berat, o Berat!
    (Këndoi Mara që menatë)
    sa bonjakë na ke lënë!
    Sa të veja shkulën flokët!
    Ditë vrasje, ditë e zezë
    Mos ardhsh kurrë më në jetë!
    Nata e vdekja të mbuloftë!
    Dielli kurr’mos të gëzoftë!
    Nga të katër an’t e dheut
    Tufa-tufa vinin qiftet
    E nga gjith’shpellat e malevet,
    Zbrisnin bisha këtu-atje;
    Gjak në erë, gjak në re,
    Gjak në ujë, gjak në dhe;
    Gur më gur një copë mish
    Kreje a llëre trimash kish!
    Zonj’Mamica atë natë
    Pa një ëndërr keq të gjatë,
    Se iu duk i shoqi i verdhë
    Me gjith’kurmin copëtuar
    E kurorëzat mbi shtrat
    I mbuloi me shqep të zi;
    Hoq unazën e martesës
    E ia ndau më dy pjesë,
    Një e mbajti, një ja dha,
    Pra u zhduk e gjë s’i tha.
    Natë e ditë ajo vajtoi,
    Por nga varri dot s’e çoi”.
    Ashtu Mara më këndoi,
    Nuk këndoi, por rënkoi;
    Që nga oda e dëgjoi
    Zonja Lenë e ma qortoi:
    -“E përzishme, zonja nuse,
    T’u çel kënga që menatë;
    Mos ndonjë ëndërr të keqe
    A të vdekur ti ke parë?”
    - As ndonjë ëndërr të keqe
    As të vdekurit kam parë,
    Por e kam zemrën të thyer
    E pahir më dalin lot.
    Çfardo shoh, e shoh në zi.
    Ububu! Ky Niku ynë,
    Kur u nis, seç u helmua
    Dhe unazën më kërkoi!...
    Vemi, nën’, vemi mbi kodër,
    Tek zbulohen gjithë fushat,
    Mbase Nkiu na rikthehet!”
    Van’ të nxirat përmbi kodër,
    Tek zbulohen gjithë fushat,
    Mbase niku na rikthehet!”
    Van’ të nxirat përmbi kodër
    E vërejtën djathtas-majtas,
    Kur përderësin me shkop
    E me trastë pan’tek qante
    - “O përderës, derëzi,
    Paç uratën, përse qan?
    A mos kafshët t’i kan’ vjedhur,
    A koliben ta kan’ djegur,
    Apo birëthin e humbe
    Në këto luftra të shkreta?”
    - As kafshët e as koliben,
    As dhe birëthin es’po qaj...
    Sytë e mi u bënë lumë,
    Që për Arbërin kullon...-
    - “Fol’ti, zë i fatit t’keq!
    (thirri vasha si e zalisur)
    Ç’mizori pe në ushtri,
    Si ra Arbëri në zi
    Fol’! Ndër flamurët e luftës
    Qift’n e Petës a e pe?”
    U përgjigj ai derëziu:
    - “Them, un’them se dje menatë
    atje lart në Myzeqe
    ndiheshin gjëmë e llumabardhat
    gjithë bota seç gjëmonte,
    tymi i dyfeqevet
    gjith malet mjegullonte;
    zbardgëllimet të shpatavet
    gjithë fushat seç shkëlqenin,
    gjakut të ushtarëvet
    lumenjt’seç mbuloheshin;
    nga copat eushtavet
    bëheshin ura e ngriheshin male;
    si tallazi i detit bie,
    pastaj kthehet në thellësi
    e si arat e bleruara
    tunden erës, që i përthyen,
    vej e vinin duke u shtytur
    gji më gjin ushtar më ushtar.
    Por në orën që lëshon qetë
    Punëtori e sanë u jep
    E para kolibes s’vet
    Kafshon pakëz buke e kripë,
    U ndryshua pamja e luftës,
    Pse nga e djathta si shkrepëtimë
    U sul mbreti e shpoi gardhin,
    Gardhin e shkretë të heshtavet.
    Tek e rënda kordhë binte,
    Binin krerët breshërimë.
    E kaloi plot me zhurmë
    Duke shkelur me murgjarin
    Të vdekur e të plagosur,
    Ndërsa më të mëngjërën
    Dukagjini, që e pa,
    Mbi armiqt si një shkëmb ra,
    por ndër grykat me Baderin
    Juniçerët u shtrënguan,
    Trup më trup duke bashkuar
    Dhe mburojën me mburojën
    Porsi ndonjë ledh i hekurt,
    I patundur dhe i tmerrëshëm.
    Më kot trimat guximtarë
    Kryet përpoqën n’të ledh,
    se goditur përdhe ranë.
    Atëhere dhjet’kalorës,
    Dhjet’dragonj u ranë shporevet,
    Dhjet rrufera në stuhi,
    U vërvitën mu në mes;
    Zgjatën ushtat si purteka,
    shtinë, vranë, copëtuan,
    ngritën pirgje k’tu e përtej
    me të vdekur e t’plagosur
    edhe hapën dyer të gjëra,
    shtruan një udhë keq të gjatë
    si një brazdë ndër të mbjella.
    Ashtu Drini i Zi në dimër,
    mbushur nga përrenjtë e malevet,
    vjen i fryrë e i tërbuar,
    përpjek uj’rat e liqenit,
    i merr zvarrrë e i ndan dysh;
    Ngrihet lart tallazi i bardhë
    E rreth brigjeve gjëmon;
    Por si uj’rat e liqenit,
    Që, si ndahen, prapë kthehen,
    kthehen vrap e bëjnë shesh,
    sa dhe lumin e mbulojnë,
    ashtu bë’kopeja e egër;
    (Si pa që pak po sulmonin),
    duke u mbledhur dhe shtrënguar,
    prapa t’dhjetëvet u mbyll.
    Mbreti aherë e Dukagjini,
    Si shpërndan’tjerët, u kthyen
    Dhe ran’ bashkë mbi Baderin.
    Para, prapa; k’tej’andej,
    I coptuar e i thyer,
    qeni i shkret’zu e u zbyth;
    Po i pazgjidhur e i tërë
    Brenda vaut ai u mblodh;
    Si ariu i Tomorit,
    I përzënë nga barinjtl,
    Njërin vret, tjetrin e shqyen;
    Sado i çjerrë e përgjakur,
    Po pa frik’ në t’madhen zemër,
    Kthehet shpatit prej nga doli,
    nginjur gjaku e ngopur mishi.
    Si u ngrys, mbreti u tërhoq
    Me të gjith’ushtrin’në fushë,
    Ndezi dhe zjarret e natës,
    Për t’plagosur u kujdes...”
    - “Mos, të zëntë nëma e zezë”
    (Thirri Mara si e çmendur)
    Qifti i Petës a u mblodh,
    A ma pe ndër të plagosur?” –
    Ai heshti, s’u përgjigj,
    U zverdh e me sy në truall
    Lotët i binin pikë-pikë.
    Kuptoi vajza e drejt udhës
    Zbriti duke ulëritur;
    Jo, nuk zbriti, u rrokullis
    E nga malet perëndoi.
    ............
    (edhe këtu mungon një pjesë)

    ***

    Gjithë natën, gjithë ditën
    Me kalorëtit e mi
    Unë brodha pa pushuar;
    E përshkova nëntë fusha,
    nëntë fusha e nëntë male
    Duke prerë, duke vrarë
    Qentë e shprishur dhe të ikur.
    Si u zhdukën dhe të sprasmit
    Përtej brinjls së Mokreut
    Edhe dita si u ngrys,
    hoqa shokët e u ktheva.
    Sa më shumë i qaseshim fushës,
    Vrehej, errej zemra ime,
    Prekur vrasjes së trazuar,
    Pasi zjarri u shua në hi.
    Se gjith’drizat e barishtet
    Ishin lyer në të kuq
    Edhe brazdat e hendeqet
    Ishin plot me gjak të piksur.
    Afër vaut në Vajkal,
    Ku u ndez e ashpër lufta,
    Ishin t’vdekurit mal-mal,
    E ndër stivat e të vdekurvet
    Qen e ujq buzëngjyer
    Grisnin, shqyenin bark e zorrë,
    Ndërsa, duke krakëllitur,
    Si re diellin mbulonin
    Korba, sorra e skifterë.
    Sa e bukur djalëri,që gjer dje i hante retë
    Sot ka heshtur përgjithmonë
    Porsi pleh shtënë në dhe!
    Në sa trajta vdekja e shkretë
    M’u dëftua në atë pamje!
    Këtu një ushtar i ri
    Mbylli sytë duke qarë
    Mëmëzën duke kujtuar,
    Që e priste, oh, më kot!
    Atje armiku krah armikut
    Si dy qen kafshoheshin,
    Se dhe t’vdekur donin t’vriteshin.
    I trazuar e i helmuar,
    Hoqa syt’nga pamja e keqe,
    Ktheva syt e afër urës
    Pash’papritur një murgjar
    Me kryet ulur mbi truall
    E me frerat nëpër këmbë,
    Me mbulesën copë-copë
    E me shalën-o nën bark.
    Un’iu qasa jo pa droje,
    Se mbulesa në ar qëndisur
    Një dyshim të lig më ngjalli,
    Se m’u duk një luaneshë
    N’fush’të gjelbër e qëndisur.
    Pranë murgjarit një ushtar
    Me dhjet’shigjeta në gji
    Shtrirë ish si ka i therur.
    Me dhëmb’ flamurin shtrëngonte,
    kordhën e mbante në grusht
    E me ballin kthyer qiellit
    Edhe vdekjen e përbuzte.
    As nga pendët e shqiponjës
    As nga parzmor’ e argjëndtë,
    Por nga vetullat e trasha
    E nga sytë e zgurdulluar
    Pal Golemin unë e njoha;
    E kërceva mos ish gjallë;
    E tërhoqa me kujdes,
    Ku ish bari më i shkriftë.
    Rripta ia preva parzmores,
    Vura dorën përmbi zemër
    E ajo m’u tund nën të.
    Shpejt vrapova gjer te lumi,
    Mora e solla një pikë ujë
    E ia derdha përmbi faqet;
    Ai u shtriq me psherëtimë
    si njeri në gjum’të rëndë,
    Tundi kryet e m’u kthye;
    Si më njohu, pa lënguar,
    me një t’humbët zë më tha:
    “Lëri të vdekurit në vend,
    lem’ të fle përgjithmonë
    te ky shtrat i nderit tim,
    mu tek eshtrat e të vrarëvet,
    e të vrarëvet nga kjo dorë
    që gjithmon’do m’jen’ kurorë.
    Na këtë flamur e mbretit
    Të m’i thuash këto fjalë:
    “Pal Golemi edhe i vdekur
    i tmerroi armiqt’me sy
    e, si ikën, pra ai ra.
    E t’u thuash shokëvet t’mi:
    Pal Golemi nuk ka vdekur,
    Zëri i luftës do ta ngrerë
    E do jen’gjithmon’me ju
    Krahu, kordha e zemra e tij.
    Tashti, Balë, në atë lis
    Var mburojën e parzmoren,
    Shtoji karkallin e zi
    E mbi to dhe kordhën time.
    Pra, kur dielli të shkëlqejë
    E me rreze t’i qëllojë,
    Prej shkreptimavet të tyre,
    T’kapur tmerrit, do të bien
    Gjithsa m’u trembën në jetë;
    E në qetësinë e natës
    Ata hekura e çeliku,
    tundur erës së Mokreut,
    një ushtri e gjall’do t’i duken
    Qenit t’qasur n’errësirë.”
    Foli e kryet i ra në gji.
    Shtrembëroi sytë përdhe
    Me të gjtih’kurmin u shtri.
    Unë u ngrita, se m’u sos
    E nga shokët-o u ktheva
    Që t’i hapnim bashk’një Varr.
    Atje poshtë i pashë ata
    Duke prur’ një të plagosur;
    Tezgën bër’ kishin me llërë.
    Si u afruan, u zalisa,
    Kur e pash’të artin qift
    Sqepin ngritur, krahët shtjellë
    Mbi atë karkall prej bronzi.
    Ish i bardhë si qiri,
    Kryet rënë kish mbi supq,
    flokët i ngisnin përdhe,
    gjaku i rridhte pika-pika
    qafës s’hapur si një shegë,
    jeta mbledhur i ish në sy.
    Si më pa, me dhemshuri
    Më vërejti e buzëqeshi:
    “Mos më qaj, vëllauthi im,
    Mos më qaj në zulmën time,
    Në kët’ditë flamurtare,
    Në kët’ditë t’Arbrit tonë!
    Po në ushtri kthehu e thuaju
    E t’i thuash edhe darës:
    - Malli i mir’në djalëri
    Eshtë si vajtë e kandilit;
    Niku dhëndërith i ri
    Dasmën me luftën ndërroi
    Edhe vallet me Vajkalin,.
    Njëqind qenër m’u vërsulën
    E të njëqind dhe po hanë;
    Pastaj Bader tradhëtari
    Që nga prapa më qëlloi.
    E t’i thuash edhe mëmës:
    -Niku u nis e do mënojë,
    po ti, nënë, mos e prit.
    Pse për birëthin, që humbe,
    Ai një bijëz të ka lënë,
    ty ta ka truar përjetë!
    Pra lart ngjitu në çardhak,
    nuses sime të m’i falesh,
    S’bukurës së Lalës-o,
    Ndërsa ajo më kujton,
    Më kujton me zemër-o:
    -Këtë unazë ta dërgoi
    Niku yt, se t’u martua,
    T’u martua me një plakë,
    Me një plakë kaq të zezë
    E ti, e bukur t’i martohesh “ –
    Sosi fjalën e m’u shgua
    Si kandili, kur s’ka vaj,
    Si një lulëz e këputur,
    Që dhe e fishkur erë mban.
    E, ndërsa ne po mendonim
    që në varre t’i mbulonim,
    përkëtej urës një vajzë
    na u dëftua si një hije.
    Flok’t i kishte të ndërliksur,
    Syt’ të futur thell’në ballë,
    Me fustanin copë-copë
    E me këmbët të përgjakura:
    “o ushtarë, o vëllezër,
    ju përher’ të lumë qofshi!
    Mbase pat’në këtë fushë
    Një kalorës trim të ri
    Me një karkall-o të artë,
    Ku një qift i fluturon?
    Ar’i karkallit përzihet
    Me një tuf’flokësh të verdhë,
    E ka ballin porsi dielli
    Ka dy sy si sy shkëndija,
    Dy shkëndija të shkreptimës;
    E ka gojën si uanzë
    Edhe fjalëzën të ëmbël
    Porsi hojet e pranverës...
    Deh, ju lutem, më kallzoni!”
    Sy ndër sy ne u vërejtëm,
    në lot sytë na u mbytën,
    Helmi buzën na e qepi.
    Ajo u zverdh e na vështroi
    E u kthye dhe, sa e pa
    Shtrirë t’vdekurin mbi dhe,
    Dha një britmë e në krahë
    E ftohtë si borë i ra.
    Vam’t’i flisnim, s’u përgjegj,
    Vam’ta preknim, nuk lëvizi,
    Vam’ta ngrinim e na vdiq.
    Zemra e mbushur m’Nik’n e saj,
    Rritur me mall e hare,
    Si u rëndua helmit t’keq,
    Më s’i nxuri dhe i plasi.
    Jan’ dy varre në Vajkal;
    Fle te njëri Pal Golemi
    E mbi të mbiu një lis
    Me gjith’ gjethet në blerim.
    Fle te tjetri Niku i Petës,
    Vasha e lalës i fle pranë,
    Se, si u deshën përmbi dhe,
    Ashtu duhen dhe nën dhe;
    Atje mbiu një qiparis,
    Mbiu dhe molla e bardhë!
    Mori bijë, bija e Lalës,
    Moj e bukur, e trishtuar,
    Pse m’kujtove mot’n e shkuar?

Faqja 5 prej 18 FillimFillim ... 3456715 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Emra shqip
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 225
    Postimi i Fundit: 11-05-2018, 16:54
  2. Me ndihmoni me nje emer shqip
    Nga prishtinase në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 14:52
  3. Info per Eqerem Cabej?
    Nga rrogozhinsi në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 18-04-2009, 18:36
  4. A Mund Te Zgjerohet Baza Dialektore E Shqipes Standard?
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2006, 17:04
  5. Emrat Ilire
    Nga Leila në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 12-05-2006, 20:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •