Close
Faqja 2 prej 18 FillimFillim 123412 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 173
  1. #11
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Martin Camaj

    Me falni diçka

    Më falni diçka që më kënaq
    si puthja e nanës në ballë;
    më gëzoni një herë
    si gëzohet gjethi i njomë në puhi
    më shikoni si hana nëpër rremba
    e kam me u falë gjithçka:
    mordjen do të puthi ndër buzët e ngrime
    dhe në zgarrat e synit të saj
    do të derdhi lot.
    Avitu njeri!
    Nga palci i urrejtjes dëshiroj me dalë
    si bima prej fare në pranverë.

  2. #12
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Ali Podrimja

    Unë do të kisha atdhe

    Të kanë rrejtur
    se je më i bukuri
    ndër trimat me trimi
    më i vjetri ndër të moçmit

    Tjetër kush do të ishe

    Të kanë rrejtur
    se nënë ke ulkonjën
    krahët e orakullit
    se pi ujë në gurra të Drinit

    Tjetër kush do të ishe

    Të kanë rrejtur
    se je Zoti i Dheut
    se je Zjarr i Fshehur
    se mbi Pashtrik hapet qielli
    e pikë terri në pjatë të Djallit

    Tjetër kush do të ishe

    Dhe unë do të kisha Atdhe.

  3. #13
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fan Noli

    Rent, or Marathonomak!

    Rent, or rent, rent e u thuaj
    Se u-çthur ordi e huaj,
    Se betejën e fituam
    Dhe qytetin e shpëtuam!
    Rent, or rent,
    Rent, or Marothonomak!

    Kap një degë prej dafine
    Dhe vërtitesh ndaj Athine,
    Nëpër fush’ e brek mbi brek
    Këmba tokën as t’a prek,
    Hip’ e zbrit,
    Petrit, Marathonomak!

    Ke një plagë, po s’e the,
    Djers’ e gjak pikon për-dhe;
    Do që ti të jesh i pari,
    Për triumfin lajmëtari
    Flamur-gjak,
    Kuqo, Marathonomak!

    T’u-tha gryka po s’të pihet,
    T’u-mpi këmba, po s’të rrihet,
    Se mileti po të pret,
    Ankthi zemrat ua vret,
    Vrer e tmerrr,
    Shpejt, or Marathonomak!

    Kurrë kaqë s’dogji djelli
    Dhe si plumbi s’rëndovi qjelli,
    Kurr’ aq ëmbël’ e bukur s’ftoj
    Hij’ e lisit edhe kroj;
    Tur-u tej,
    Tutje, or Marathonomak!

    Vapa mbyt e pluhri nxin
    Ferra çjerr e guri grin
    Afsha gjoksin përvëlon
    Syrin avulli verbon;
    Ur’ e prush,
    Furr’o, or Marathonomak!

    Gryka si gjyryk të çfryn
    Prej Vullkanit flag e tym
    Se ç’vëngon e se ç’gulçon,
    Zëmra brinjët t’i çkallmon
    Me tokmak,
    Mbahu, or Marathonomak!

    Nëna, motra, nusja dalin,
    Ngrehin krahët të të ndalin,
    Mos, se s’janë veç Najada
    Magjistrica dhe Driada;
    Lark, or lark,
    Lark, or Marathonomak!

    Hajde, ja Akropolia,
    Ja qyteti e njerëzia
    Që të pan’ e që të çpuan
    Dhe fuqinë ta rishtuan
    Ha dhe pak,
    Hajde, or Marathonomak!

    Ja, arrive, ua the:
    Ç’gas e ç’helm qe kjo myzhde!
    “E fituam!”, brohorite
    Dhe për tok’ u-përpëlite;
    Vdiq, or vdiq!
    Vdiqe, or Marathonomak!

    Rent kudo, dyke bërtitur,
    Nëpër shekuj faqe-ndritur,
    Se i vogli shtrin viganin
    Dhe i shtypuri tiranin,
    Veç e tok,
    Tok, or Marathonomak!

  4. #14
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Azem Shkreli

    Katrë këshilla vetes

    Mos u bëj poet nëse s’mund të lindësh
    Me secilin varg, të lindësh me secilën fjalë.

    Ngrehu mbi veten në do t’rrokësh frerët e erërave,
    Të shkelësh shpërgajt e mërisë dhe shtërgatat e gjakut tënd.

    N’se dashurohesh, dashurohu n’flakë e n’valë,
    Jo në sy të kaltër se bëhesh det i çmendur pendimi.

    Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh
    Për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.

  5. #15
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Tek Maja e Çelur, një antologji e poezisë (1940-1990) botuar në 1994 Mitrush Kuteli nuk përfaqsohet. Për vete nuk e di si mund të shkohet tek Maja e Çelur (apo Maja e Çelitur) e Lasgush Poradecit pa Baltën Shqipëtare të Mitrush Kutelit.

    Mitrush Kuteli

    Balta shqipëtare

    Të dua, baltë shqipëtare!
    Të dua:
    egërsisht!
    dëshpërimisht! –
    Si ujku pyllin,
    si vala valën,
    si balta baltën!

    Se gjer mbi gju
    jam brenda teje;
    se lerë kam
    këtu:
    Si Baba
    E Gjyshi.

    Të dua, Baltë Shqipëtare!
    e gjer mbi bel
    e përmbi bel
    jam brenda teje –
    e s’dal dot,
    Se s’dua!

    Se ti më lidh
    e më mban:
    Me mjaltë
    e me pelin!

    Se vdekur ka,
    këtu,
    dhe Nëna,
    Dhe Baba,
    e Gjysh-strëgjyshi!

    Të dua, Baltë shqipëtare,
    magjistare,
    e embël
    si vetë vdekja!

    Se thellë jam këtu,
    brenda teje:
    gjer mbi gju
    gjer mbi bel
    e gjer mbi krye.

    Dhe dua fort të dehem
    të prehem
    (ah, që tani!)
    Brenda teje.

    Të të pushtoj
    i dëshpëruar;
    të të shtrëngoj,
    të më shtrëngosh:
    egërsisht!
    dëshpërimisht!
    e të më tretësh
    si gjysh-strëgjyshnë
    e si po tret
    ah! Zemër-madhë
    e flokë-bardhë
    e trup-zhuriturin
    Babanë!

    Të dua Baltë shqipëtare,
    magjistare:
    ti mjalt e ëmbël, -
    pelin e hidhur.
    Të dua:
    egërsisht,
    dëshpërimisht,
    si ujku pyllin,
    si vala valën
    si balta baltën!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Diabolis : 11-01-2004 më 21:37

  6. #16
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Sefulla Maleshova (Lame Kodra)

    Lypsi plak (Gjyshi plak)

    Po del nga shpella ku e ka hedhur fati,
    I mjeri plak i krusur nga mundimet,
    I dridhen mjekra, këmbët, gjithë shtati,
    Skalitur ka në ballë hidhërimet.
    Ja, fill i vetëm udhën merr nga fshati
    I urtë, i shëmtuar nga mjerimet.
    Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
    Shiu me breshër bie e ka dëborë.
    Udhës mendon kur ishte si të tjerët:
    Me bukë, me kasoll’ e dashuri
    Dhe psherëtiu: Oh! S’paska për të mjerët
    Në këtë botë vallë Perëndi?
    Po ndjen në lukth një posi të prerët
    Edhe hedh këmbët plaku me fuqi.
    Torbën në krahë, shkopin mban në dorë.
    Në një kasolle afër sheh një zjarr,
    I ngrohet plakut shpirti si një varr,
    Dhe drejt kasolles niset me të katra
    Gëzohet edhe qesh edhe makar
    Udhës kërcen e hidhet shatra-patra.
    Trastën në krahë, shkopin mban në dorë,
    Shiu me breshër bie e ka dëborë.
    I valon gjaku plakut edhe shikon
    Përpara gjithnjë duke çaluar.
    Po te dera një djepe ç’e shikon.
    I dridhen buzët; buzët duke ngashëryer,
    Një gur atëhere këmbët i pengon
    Edhe përmbys atje mbetet harruar.
    Torbën me krahë, shkopin mban me dorë,
    Shiu me breshër bie, e ka dëborë.

  7. #17
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fatos Arapi

    Atdheu

    Atdheu është dhembje, është dhembje,
    Një prill i pikëlluar në shpirt.
    Atdheu është kryqi, është kryqi.
    E mban – edhe të mban ty – në shpirt.

    Atdheu është toka e premtuar.
    Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
    Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
    Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

    Atdheu është buka e uritur:
    Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
    Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
    Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

    Atdheu është varr i hapur, është varr.
    Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
    Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
    Në një pikë loti lirinë e lind.

    Atdheu yt i vogli, i vogli,
    ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.

  8. #18
    Diabolis
    Anëtarësuar
    21-01-2003
    Postime
    1,625
    Fatos Arapi

    Deti

    I vogël, me pantallona të shkurtra,
    Me këmbë të zbathura e një këmishë humaie,
    që e qepte vetë gjyshja...
    Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
    Ndër gishtërinj të këmbës së ftohtë me rridhte rëra,
    Unë prisja me orë të tëra,
    Gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës,
    Ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.
    Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë.
    Turfullonin.
    Binin me këmbë të thyera,
    Rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.
    Mbi ta fluturonin të tjerë.
    Jelet e hakërruara dallgë-dallgë fushën e qiellit fshihnin.
    Hingëllimat e frikshme para tyre bridhnin.
    Ata vinin afroheshin drejt meje.
    Gjokset e mëdha e të bardha
    Lëshonin përpjetë; këmbët e para rrihnin në erë...
    Sytë u flakëronin.
    Një çast, dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.
    Kur ja, me poterë,
    si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin
    te këmbët e mia. Nga flegrat gjigante
    miliarda grimcëza të kristalta shfrynin
    për të fundit herë.
    Të tjerë
    hingëllinin nëpër fushën e gjërë të natës.
    Me gëzim e frikë, orë të tëra
    unë shihja kuajt e bardhë
    të suleshin nëpër furtunë.
    Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
    që të vinin sa më parë tek unë
    shkelnin
    fluturonin njeri mbi tjetrin.

    Dhe tani, kudo që jam,
    Ashtu fantastik e i madhërishëm,
    më ndjek pas deti...

  9. #19
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    LASGUSH PORADECI


    Zog’ i qiejve


    Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak...
    Do t’ja marr që sot e tutje si bilbili parëverak.
    Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

    Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli;
    Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,
    Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit-Vetë.
    E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpíje kryet
    Dh’i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.
    Asohere-e ndjej si dridhet me një zë pa shëmbëllim
    Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, - o Zoti im!
    E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,
    I venitet me-nga-dale syri-i-qarë-e bukurosh.
    Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur
    Ndaj çkëlqen nër mijë gjyra Vënd’i ti ku pati sbritur.
    E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:
    Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku çel junapi!

    Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,
    Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;
    Po dëgjoj prej largësire, si nër male.e si nër fusha,
    Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;
    E çdo lis të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitê,
    E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë...
    Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,
    Pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingëllit të mjerë;
    Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:
    Dheut! Ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!
    E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-e nat-për-natë,
    Gjir i dherit ku rreh jeta të fal brengë e përgjëratë:
    Se prej mallit që të thyen permes pamjeve të tija,
    Mun në fund të zembërës s’ate ritet fshehur dashurija.
    E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë
    Kënga jote-e papandehur q’është fjal’e dashurisë.
    Ajo ngrihet…ngrihet…ngrihet…dhemshurisht e dyke qarë,
    Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.
    E kështu ti qan pareshtur bukuritë-e dashuritë,
    Prej qepallës së përlotur të pikon një pik’e ngritë.

    Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;
    Ti fillon ta rrahish mendjen, e buçet me shpirt të mitur:
    Se ç’gëzim përjetësije! E se ç’mall! E ç’dëshirime
    Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!
    Prej dëshirës së zhuritur q’i dhe këngëvet, o zog,
    Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog...
    Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,
    Zjarri fërfëllon e ngrihet me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,
    Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:
    Ha! Ç’të zotëroi Drita! Ç’të përshkoj një Gas i ri!
    Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!...
    Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur larg-e-më-larg...
    …………………………………………………….............................. ...
    -Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,
    Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qíejvet, o Zot!
    Fal-i Këngëtar-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:
    Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi!


    1921

  10. #20
    Konservatore Maska e Dita
    Anëtarësuar
    17-04-2002
    Postime
    2,925
    Lasgush Poradeci


    Poradeci


    Perëndim i vagëlluar mbi Liqerin pa kufir.
    Po përhapet dal-nga-dalë një pluhurë si një hije.
    Nëpër Mal e në Lëndina shkrumb i natës që po bije,
    Dyke zbritur që nga qjelli përmi Fshat po bëhet fir…

    E kudo krahin’e e gjërë më s’po qit as pipiëlim:
    Në Katund kërcet një portë...në liqer hesht një lopatë…
    Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal të Thatë…
    Futet zemr’e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

    Tërë fisi, tërë jeta, ra...u dergj...e zuri gjumi...
    Zotëroj më atër anët errësira...
    Po tashi:
    Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri;
    Drini plak e i përmallshëm po buron prej Shëndaumi.




    Lasgushi piktor derdh naten pika pika mbi Fshatin. E shohim tablone impresioniste e mahnitemi me ate cka fshihet pas pikave e dridhjeve te shkronjave te pazeshme te qendisura ne pelhure. E sheh Liqerin nga te gjitha anet e tij Lasgushi, nga Poradeci e nga Shendaumi e sheh me syte e cdo centimetri toke shqiptare qe e rrethon ne naten qe ka rene e i ka ngujuar zemren ne fund te shpirtit. Femijet e gjumit aviten te puthin Drinin aty ku nis te pershkoje token qe e kane ndare te tjere.

Faqja 2 prej 18 FillimFillim 123412 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Emra shqip
    Nga AsgjëSikurDielli në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 225
    Postimi i Fundit: 11-05-2018, 16:54
  2. Me ndihmoni me nje emer shqip
    Nga prishtinase në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 32
    Postimi i Fundit: 22-03-2010, 14:52
  3. Info per Eqerem Cabej?
    Nga rrogozhinsi në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 18-04-2009, 18:36
  4. A Mund Te Zgjerohet Baza Dialektore E Shqipes Standard?
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 14-11-2006, 17:04
  5. Emrat Ilire
    Nga Leila në forumin Ndihmoni njëri-tjetrin
    Përgjigje: 18
    Postimi i Fundit: 12-05-2006, 20:33

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •