Dy letra bombë që u janë dërguar anëtarëve të lartë të Parlamentit Evropian u dogjën në flakë dhe një tjerë u zbulua në zyrat e parlamentit sot, në vargun e sulmeve me letra mbi objektivat e BE-së.

Në dy javët e fundit, të paktën gjashtë letra-bombë janë dërguar në adresën e zyrtarëve të ndryshëm evropianë.

Një korrespondent i BBC-së në Bruksel thotë se një nga letrat bombë shpërtheu sot në mëngjes në Parlamentin Evropian dhe i ishte adresuar presidentit të Partisë Popullore Evropiane, Hans Gert Poettering.

Një tjetër shpërtheu në zyrën e anëtarit britanik të Parlamentit Evropian, Gary Titley.

Asnjë nuk u lëndua në këto sulme.

Një tjetër mjet shpërthyes, dërguar anëtarit spanjol të Parlamentit Evropian, nuk shpërtheu dhe u çmontua nga ekspertët policorë.

Të tri bombat ishin të dërguara nga qyteti i Italisë veriore, Bolonja.

Këto janë letrat e fundit në vargun e paketave shpërthyese dërguar udhëheqësve të ndryshëm evropianë, përfshirë edhe presidentin e Komisionit Romano Prodi, gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

Të gjitha vijnë nga Bolonja dhe besohet se janë vepër e një grupi më parë të panjohur anarkistësh evropianë.

Forcat evropiane të sigurisë tashti kanë ashpërsuar masat e sigurisë për zyrtarët udhëheqës të BE-së dhe të gjitha letrat e dërguara në BE nga Bolonja janë bllokuar