Tema
--------


POLITIKA

Reagimi i eurodeputetes, mbi deklaratat e radikalit Oliver Dupuis

Pack: Shqipëria po izolohet për shkak të qeverisë

Erisa Zykaj
korrespondente nga Brukseli

Unë ia kam dërguar përgjigjen pyetjes së Olivier Dupuis-it, pyetje që e konsideroj idiote. Unë e dua shumë Olivier Dupuis-in, por mendoj se për disa gjëra, ai është naiv. Ne nuk kemi si të liberalizojmë politikën e vizave me një qeveri që nuk punon për popullin e saj. Nuk na takon neve që t'u hapim dyert emigrantëve shqiptarë. I takon qeverisë shqiptare që të punojë për të rritur mirëqenien, stabilitetin dhe sigurinë e popullit të vet. Është logjike: Nëse qeveria shqiptare do të kishte krijuar kushtet e duhura në vend për një jetesë normale, qytetarët shqiptarë nuk do të detyroheshin të largoheshin nga vendi, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Pastaj ne kemi dhënë kaq shumë financim për Shqipërinë gjatë këtyre viteve dhe aq më tepër për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe emigracionin klandestin, saqë na takon që t'i kërkojmë llogari qeverisë shqiptare për kryerjen e angazhimeve që merr. Gjithsesi, në komisionin e punëve të jashtme për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian as nuk bëhet fjalë për të vënë në rend të ditës diskutimin e pyetjes së Oliver Dupuis. Pak kohë pas tragjedisë ky eurodeputet depozitoi disa pyetje për komisionin. "A i ka shkuar ndërmend komisionit se në rrënjët që shkaktuan këtë tragjedi, ashtu si dhe tragjeditë e tjera si pjesë e fenomenit të emigracionit ilegal nga Shqipëria gjatë këtyre viteve të fundit, është dhe politika shtrënguese e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për viza ndaj qytetarëve shqiptarë? A i ka shkuar ndërmend Komisionit se e ka për detyrë të ngutshme t'i propozojë rregulla të reja Këshillit dhe Parlamentit, rregulla që do t'u lejonin të gjithë shqiptarëve të merrnin automatikisht viza turistike me kohëqendrim tre mujor në të gjithë territorin e BE-së, apo sëpaku në zonën e ashtuquajtur Shengen? A i ka shkuar ndërmend Komisionit se një ndryshim i tillë i rregullave, ashtu sikundër tregoi dhe precedenti i Bullgarisë dhe Rumanisë, nuk do të ketë ndonjë efekt të madh në numrin e emigrantëve, por do të ketë një përparësi të jashtëzakonshme në shkatërrimin e mafias shqiptare dhe asaj të BE-së që kontrollojnë emigracionin ilegal? A i ka shkuar ndërmend komisioninit se një politikë e tillë do të krijojë mundësinë për zëvendësimin e kontrollimit të kushtueshëm dhe mjaft të vështirë të vijës bregdetare me një politikë bashkëpunimi më të lehtë të bashkëpunimit dhe të mbështetjes së policisë shqiptare dhe të doganave?" deklarohej në pyetjet e tij.


----------------------------------------------

Eurodeputeti radikal kërkoi urgjentisht dhënien e këtyre vizave

Dupuis: Viza 3 mujore turistike për shqiptarët

Çfarë shpresoni nga Komisioni Evropian pas pyetjes që i keni drejtuar?

Për ne është një fatkeqësi e jashtëzakonshme që qytetarët e Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit nuk mund të qarkullojnë lirisht në territorin e Bashkimit Evropian. Është për këtë arsye që ndodhin dhe tragjedi të tilla si ajo e Karaburunit. Unë i kam dërguar një pyetje Komisionit Evropian sipas procedurës së pyetjeve parlamentare ndaj këtij institucioni dhe Komisioni ka tre javë kohë për t'u përgjigjur. Meqë është një çështje që prek qarkullimin e personave, është komisari Antonio Vitorino, i cili është përgjegjës për drejtësinë dhe punët e brendshme në këtë institucion, i cili duhet të përgjigjet. Komisari Vitorino jep zakonisht përgjigje interesante dhe mendoj që ka shpresë për një reagim pozitiv ndaj kërkesës për ndryshimin e proçedurave në lidhje me liberalizimin e vizave turistike 3 mujorshe ndaj shqiptarëve dhe të tjerët. Megjithatë, më duhet të pres përgjigjen para se të prononcohem, se ç'mund të bëhet më tej.



Por ky liberalizim kërkon së pari plotësimin e disa kushteve nga ana e palës shqiptare. Të paktën ky është qëndrimi i deritanishëm i Komisionit Evropian, që komisari Vitorino ka shprehur edhe në dhjetor të vitit të kaluar?

Ky ka qenë qëndrimi i Komisionit Evropian edhe përsa i përket liberalizimit të sistemit të vizave për Rumaninë dhe Bullgarinë, por në fund të fundit Komisioni Evropian, edhe pse iu desh pak kohë, arriti në përfundimin se duhej zbatuar një gjë e tillë. Unë e kam shpjeguar edhe në pyetjen time. Dhënia e vizave turistike 3 mujorshe nuk shton numrin e emigrantëve shqiptarë në Evropë, por dërrmon mafian shqiptare dhe evropiane që shfytëzojnë dhe kontrollojnë emigracionin klandestin. Pastaj kjo është edhe alternativa e duhur për t'i bërë ballë edhe kontrollit të kufijve dhe politikës së doganave në Shqipëri, që është shumë e vështirë për t'u realizuar me sukses dhe nga ana tjetër është shumë e kushtueshme.



A do të fusni këtë çështje në diskutimet e komisionit të jashtëm parlamentar evropian?

Ajo që mund të bëj unë, është që të kërkoj që çështja e trajtimit të vizave për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit të vihet në rendin e ditës në njërin prej takimeve të komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian, por më parë duhet të kem aprovimin e Doris Pack, e cila është kryetarja e komisionit të jashtëm për Evropën Juglindore, raportuesit për proçesin e asocimit dhe stabilizimit, Joost Landedijk, të kryetarit të komisionit të jashtëm, Elmar Brook. Gjithsesi, unë e kam shprehur shumë qartë mendimin tim. Ju takon të tjerëve që të reagojnë.


---------------------------------------






...sa mire Vize per Altin arapin jep brukseli..

Rrofsh o Bruksel se ja ke zevendesuar Mosken e dikurshme popullit Shqiptar..