Eqrem Bej Vlora: Kujtime (3)
Dhe më 1923/1924 i tillë mund të ishte në Shqipëri vetëm një bej - Ahmet bej Zogu. Ndaj edhe përreth tij u mblodhën të gjithë ata që kërkonin udhëheqje dhe përfitim. Në krahasim me bejlerët e tjerë, Zogu nuk kishte mjete, madje mund të themi, ishte I varfër. Por kishte gjëra të tjera që nuk I kishin ata - ishte më i zgjuar, më trim, më energjik, më serioz, më bindës dhe më popullor se ata. Atij i duhej të luftonte që, së pari, të afirmohej mes sërës së vet, pra për diçka që të tjerëve u kishte rënë nga qielli. Ndaj edhe meritat e tij ishin më të mëdha, kurse sukseset më të përligjura dhe më të çmueshme. Në fund të vitit 1923, kur ne deputetët e Asamblesë Kombëtare Legjislative u mblodhëm në Tiranë, ai ishte kryeministër dhe pa dyshim, personaliteti më i rëndësishëm në Shqipëri. Se ç’përfaqësonte ai në të vërtetë, asnjëri nga ne nuk e dinte mirë, por paraqitja e tij ishte aq bindëse, rrezatonte aq epërsi dhe ai vetë besonte aq fort në misionin dhe në të ardhmen e vet, saqë ishte e vështirë t’I shmangeshe fuqisë tërheqëse të personalitetit të tij. Por, po këto veti e kishin çuar deri në pikën e vlimit edhe urrejtjen e zilinë e ish-bashkëpunëtorëve të tij demokratë....
Atentati ne parlament ndaj Ahmet Zogut, derguar nga Avni Rustemi
Më ra në sy se atë ditë grupi i Partisë Demokratike prapa meje po rrinte çuditërisht i heshtur dhe i merakosur. Ka të ngjarë që kështu të mendoj tani, por sidoqoftë atë ditë pata ndijimin sikur ata po prisnin, të tendosur, diçka. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndërtesës, që u pasuan nga një qetësi e ngrirë...
Eqrem Bej Vlora: Kujtime (5)
Më 23 shkurt 1924, gati të gjithë ne, deputetët, thuajse kishim zënë vendet tona për seancën e pasditës të Asamblesë. Mungonte vetëm Qeveria, pra edhe kryministri Ahmet Zogu. Unë rrija, si gjithmonë, pranë mitropolitit Fan Noli, në bankën e radhës së parë, majtas hyrjes. Më ra në sy se atë ditë grupi i Partisë Demokratike prapa meje po rrinte çuditërisht i heshtur dhe i merakosur. Ka të ngjarë që kështu të mendoj tani, por sidoqoftë atë ditë pata ndijimin sikur ata po prisnin, të tendosur, diçka. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndërtesës, që u pasuan nga një qetësi e ngrirë. Pastaj u hapën me vrull dyert e sallës dhe brenda hyri Ahmet Zogu, me revolver në dorë. Ai ishte prerë në fytyrë, por ecte me shtatin drejt dhe pas disa çastesh e mori veten, madje buzëqeshi dhe vajti me çap të sigurt tek bangoja e Qeverisë, ku u ul në një vend të caktuar për sekretarët. Ne të gjithë u bëmë në çast të vetëdijshëm për gjendjen dhe e kuptuam menjëherë se ç’kishte ndodhur. Se në raste të tilla populli ynë e mbledh veten shpejt dhe është shumë i disiplinuar. Disa deputetë që kishin miqësi me Ahmet Zogun iu mblodhën përqark, pjesa tjetër e deputetëve ngriu kërcënueshëm, nëpërvendet e saj, prapa nesh. Unë e vlerësova sakaq rrezikshmërinë e gjendjes sime, por edhe në përgjithësi. Kjo qetësi e kjo heshtje mund të shndërrohej nga çasti në çast në katrahurën më të madhe. Unë rrija pothuaj në mes të garibëve demokratë; nga e djathta e sallës, pra, para meje dhe anash pultit të presidiumit, ishin vendet e konservatorëve. Të gjithë ishin të armatosur! Të vinte puna tek armët, unë isha në mes të plumbave të miqve dhe të armiqve. Ndaj brofa në këmbë, i pëshpërita në vesh peshkopit shakaxhi “bëfshi qejf” dhe nxitova drejt lozhës së dëgjuesve, ku po rrinte një miku im i partisë, doktor Simonidhi 5 nga Vunoi i Himarës. E ndihmova atë të kaptonte parmakët e lozhës dhe e çova tek Ahmet Zogu për t’i parë plagët. Zogu në fillim nuk i besoi dhe nuk deshi ta linte këtë të panjohur ta vizitonte, por pastaj, kur unë e sigurova se mjeku është i besueshëm, nuk kundërshtoi më. Plagët ishin të rënda por pa rrezik për jetën: dy plumba e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht. Unë shkova te miku dhe kushëriri im, Iljaz bej Vrioni. Ai kishte qenë dy herë kryeministër dhe shumë herë të tjera ministër dhe njihej nga të dyja anët si njeri i paqes. Pra, në ato çaste ai ishte personi më i përshtatshëm për të bërë thirrje për qetësi dhe gjakftohtësi! Kryetari i seancës, Eshref Frashëri dhe gjithë ekipi i tij ishin zhdukur nga presidiumi dhe kishin zënë vrimat në të katër anët e sallës. Unë e këshillova Iljaz bej Vrionin të shkonte në presidium dhe të mbante një fjalim të shkurtër, qetësues. Ai e bëri këtë, gjeti tonin e duhur dhe pati suksesin e dëshiruar. Pastaj u bë i gjallë edhe vetë Ahmet Zogu. Nga karrigja ku rrinte ai foli me zë të fortë e të qetë: “Zotërinj! Nuk është hera e parë në botë që në një parlament ndodh diçka si kjo që më ndodhi mua. Unë u lutem miqve të mi, ta peshojnë rastin me gjakftohtësi dhe pastaj të veprojnë”. Zogu ishte përsëri zot i plotë i ndjenjave dhe veprimeve të veta - duke zgjuar admirimin tim të vërtetë! Ndërkaq në hollin e parlamentit dëgjoheshin krisma të njëpasnjëshme, ne të gjithë ishim të shqetësuar, ngaqë nuk po merrnim vesh se ç’po bëhej. Kush qëllonte dhe kundër kujt? Më vonë mësuam se atentatori Beqir Valteri ishte ngujuar në nevojtore, ndërsa rojat e parlamentit, për ta detyruar të dorëzohej e bënë shoshë strehimin e tij. Ndërkaq vetë Beqir Valteri këndonte në nevojtore këngë heroike, mbase për t’i dhënë zemër vetes, dhe nga prapa derës qëllonte edhe ai trimërisht mbi rrethuesit. Atentati kundër Zogut shkaktoi prerjen e menjëhershme të çdo kontakti me Partinë Demokratike, jo se ne ushqenim ndonjë simpati të tepruar apo besim të verbër ndaj Ahmet Zogut, por sepse ky akt na fyente të gjithëve dhe ishte si të na shpallej luftë hapur. Dhe më tepër nga të gjithë, peshën e fyerjes e ndjeu vetë Zogu. Siç e donte zakoni shqiptar, pas kësaj ai nuk doli nga shtëpia deri ditën që sfida mori përgjigjen e duhur. Dhe për të dhënë ndëshkimin e merituar ai përdori me mjeshtëri një mjet që i dha mundësi të vriste dy miza me një të qëlluar. Ai nuk lejoi t’i preken as qimet e flokëve atentatorit, të kapur, ndërkaq, nga rojet e parlamentit të komanduara nga Osman Gazepi, por e thirri dhe e pyeti se përse kishte dashur ta vriste. Beqir Valteri i tregoi të gjitha pa fshehur asgjë, për çka jo vetëm iu fal jeta, por edhe u trajtua mire gjatë kohës që qëndroi i burgosur në kazermën e rojave të parlamentit. Atentatori, që të tëra këto m’i ka rrëfyer vetë më 1943, largohet pastaj nga vendi më 1925, kur Partia Demokratike u dëbua nga Zogu, dhe shkoi në Francë, prej nga kthehet përsëri në Shqipëri më 1939 dhe pushkatohet nga komunistët më 1945.
Krijoni Kontakt