GJIROKASTER

Përgjaken festat e fundvitit. Tre të vdekur dhe 16 të plagosur është bilanci i përplasjes së dy furgonëve pasagjerësh mëngjesin e djeshëm në fshatin Gropsh, 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Mjetet që shkaktuan tragjedinë udhëtonin, njëri nga Vlora në drejtim të Kakavijës, ndërsa tjetri nga Kakavija në drejtim të Fierit. Për secilin nga viktimat është thyer në mes në mënyrë tragjike një ëndërr, që prisnin prej shumë vitesh për ta realizuar. Disa shkonin drejt Greqisë për të takuar fëmijët dhe të afërmit e tyre, ndërsa të tjerë vinin pranë familjeve të tyre në Shqipëri për të festuar festat e fundvitit. Takimi i shumëpritur për disa është kthyer në një tragjedi, ndërsa për të tjerët në një makth, i cili i shoqëron gjatë pritjes për rikthimin në jetë të të afërmve të tyre të plagosur. Gazeta ka arritur të shkëpusë ëndrrën e ndrëprerë të Violeta Idrizit dhe tre fëmijëvë të saj, të cilët pas disa viteve po shkonin për të takuar bashkëshortin dhe babanë e tyre në Greqi. Mes dhimbjeve dhe rënkimeve në shtratin e spitalit, sytë e Violetës përloten për tri vajzat e saj të plagosura, por edhe për takimin e shumëpritur që nuk mundi të realizohej, por përkundrazi për pak sa nuk u kthye në një tragjedi fatale.

Nga cili qytet jeni nisur?
Jam nisur herët në mëngjes nga Vlora së bashku me tri vajzat e mia, Xhenin, (7 vjeçe), Valbonën (10 vjeçe) dhe Inën (12 vjeçe) për të shkuar në Greqi, por rreth orës 07:15, papritur furgoni me të cilin po udhëtonim u përplas. Jam në merak për vajzat..., do zoti shpëtojnë.

A mund ta përshkruani momentin e aksidentit?

Nuk di si ta shpjegoj... Isha pak e përgjumur dhe kam ndierë vetëm një goditje të fortë. Më pas kam parë vajzat e mia të përgjakura..., u mundova t'i merrja por nuk mundja, pasi ndieja dhimbje gjithandej. Fillova të qaja dhe të bërtisja..., duke kërkuar ndihmë. Kam qëndruar në rrugë derisa personat që na ndihmuan i morën vajzat dhe i nisën drejt spitalit.

Cili ishte qëllimi i udhëtimit tuaj së bashku me vajzat?
Do të shkonim të takonim burrin, babanë e vajzave dhe kishim menduar të kalonim së bashku festat e fundvitit. Kishin vite që nuk e takonin babanë e tyre pasi ai punon në Itali dhe nuk mund të vinte në Shqipëri. Kjo është edhe arsyeja përse po shkonim në Greqi, për t'u takuar aty. Vajzat mezi po e prisnin këtë takim, por nuk kishte qenë e thënë...! Tani mendoj vetëm të më shpëtojnë vajzat... Nuk e di si të lajmëroj edhe burrin, kam hall se do të merakoset shumë edhe ai, por kryesorja është të më shpëtojnë vajzat.


I mbijetuari 3-vjeçar, i mbetur anonim deri në mbrëmje

Deri në orët e vona të mbrëmjes mjekët e Spitalit Ushtarak, nuk dinin gjeneralitet e një fëmije 3 vjeç që kishte arritur t'i mbijetonte tragjedisë së Gjirokastrës. "Dimë vetëm që prindërit i kanë vdekur në aksident, por askush nuk ka ardhur për të pyetur për të", shpreheshin mjekët që kujdeseshin në çdo moment për jetën e vogëlushit. Ky i fundit ka pësuar trauma në kokë dhe vazhdonte të ishte në gjendje koma në sallën e reanimacionit të Spitalit Ushtarak. Ndërkohë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme u mësua që fëmija 3-vjeçar quhet Sokrat Meçi. Prindërit e tij, Arjan dhe Bediana Meçi (përkatësisht 34 dhe 20 vjeçë) kanë mbetur të vdekur në vend menjëherë pas aksidentit. Familja e re Meçi po kthehej nga Greqia dhe po udhëtonin drejt qytetit të Fierit, te të afërmit e tyre për të kaluar së bashku festat e fundvitit.


Helikopterë ushtarak në ndihmë të të plagosurve

Dy helikopterë ushtarakë si dhe ai i ndihmës së parë janë vënë dje në dispozicion të të plagosurve të aksidentit tragjik të Gjirokastrës. Gjashtë nga të plagosurit në gjendje më të rëndë janë transportuar në rrugë ajrore në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku një grup i specializuar mjekësh janë vënë në shërbim të pandërprerë për t'u shpëtuar jetën. Sipas mjekëve, të plagosurit ndodhen në gjendje të rëndë dhe me trauma serioze kryesisht në pjesën e kokës. Të gjithë janë shtruar në sallën e reanimacionit, ku po bëhen të gjitha përpjekjet maksimale për t'u shpëtuar jetën. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme mjekët nuk mund të përcaktonin ecurinë e gjendjes shëndetësorë të të plagosurve. Ndërkohë në ndihmë të këtyre të fundit kanë dhënë gjak në mënyrë vullnetare edhe 30 policë.


VIKTIMAT

TE VDEKUR
- Selim Asiku, 40 vjeç, Mat
- Arjan Meçi, 34 vjeç, Fier
- Bediona Meçi, 20 vjeç, Fier



TE PLAGOSUR
- Sherif Asiku, Mat
- Llazar Bregova, Vlorë
- Irakli Bregova, Vlorë
- Eral Bregova, Vlorë
- Vitori Bregova, Vlorë
- Azem Kurti, Burrel
- Violeta Idrizi, Vlorë
- Xheni Idrizi, Vlorë
- Valbona Idrizi, Vlorë
- Ina Idrizi, Vlorë
- Fatmir Bajrami, Përmet
- Anesti Kici, Fier
- Marieta Kici, Fier
- Engjëllush Kici, Fier
- Sokrat Meçi, Fier
- Ervin Kalemi, Fier