LONDER/ DOREZOHET VRASESI SHQIPTAR
"Më mirë në burg në Angli se i lirë në Shqipëri"
--------------------------------------------------------------------------------
Nga Londra, Muhamed Veliu
ANGLI
"Nuk mund të duroj më në Shqipëri. Dua të dorëzohem edhe pse e di që do të dënohem. Por më mirë aty, në Londër se këtu në vendin tim". Këto fjalë, të përcjella nëpërmjet linjës telefonike kanë habitur së tepërmi detektivin Peter Devlin, hetuesin e vrasjes së një menaxheri hoteli në Londër. Pas më shumë se një viti, emigranti shqiptar Afrim Krasniqi, i cili ishte shpallur në kërkim për këtë vrasje, ishte bërë sërish i gjallë. Por më tepër se fakti që një i kërkuar i telefonte vetë policisë, serxhenti anglez nuk po e besonte se një njeri mund të ishte më i lumtur të qëndronte në burg sesa i lirë në vendin e tij.
Krasniqi nuk i kishte duruar më muajt e gjatë të kaluar në fshatin e tij dhe kërkonte të vetëdorëzohej. "A mund të vini të më merrni këtu në Shqipëri?", ishte fjalia e dytë e lëshuar prej tij në telefon, që e ka shtuar më tepër dozën e habisë tek dedektivi. Duke besuar se bëhej fjalë për një shaka të të kërkuarit shqiptar, polici anglez kishte vendosur të mos i vinte shumë veshin kësaj kërkese të rrallë. Pasi kishte mbyllur telefonin, serxhent Devlin humbi për njëmbëdhjetë muaj kontaktet më Krasniqin.
Por shqiptari nuk u tërhoq nga ideja e tij për t'u larguar nga vendlindja edhe pse i duhej të përballej me një dënim të rëndë. Ai mori përsëri ilegalisht rrugën që kishte bërë në vitin 1999, kur shkeli për herë të parë në shtetin ishull. Ilegalisht ka mbërritur në Londër dhe sërisht nuk ka nguruar t'i telefonojë policisë dhe të dorëzohej.
Gjykatësi: Dorëzimi cinik
Dje Krasniqi ka dalë para gjykatësve të "Old Bailey" dhe ka marrë dënimin maksimal, burgim të përjetshëm. "Çdo vlerësim për ardhjen e tij për t'u përballur me drejtësinë është negative, sepse qëllimi kësaj radhje është cinike dhe arsyeja pas kësaj është vetëm qëndrimi në Angli", kanë thënë gjykatësit.
Trupit gjykues nuk i ka bërë shumë përshtypje vendimi i Krasniqit për t'u dorëzuar. Dhe kjo për arësyen e thjeshtë sepse emigranti shqiptar nuk ndjehej i penduar për atë që kishte bërë, por thjesht dëshironte të jetonte në kushte më të mira jashtë vendit të tij.
Vrasja në hotel
Ngjarja za fill në datën 13 shtator 2001, në rrugën Fellowes Road, Hampstead NW3, kur 19-vjeçari shqiptar Afrim Krasniqi ka ekzekutuar Quadeer Abbas. Krasniqi, sipas akuzës, e ka vrarë menaxherin e hotelit të emigrantëve në Veri të Londër, ku banonte edhe vetë, duke i ngulur një thikë 3 herë në gjoks. Sherri mes menaxherit dhe Krasniqit nisi pasi ky i fundit shkeli rregullat e hotelit në fjalë. Në atë kohë, shqiptari ka mundur t'i shpëtojë policisë e të vijë në Shqipëri, ndërsa pas 2 vjetësh ka shkuar ilegalisht në Britani.
Krijoni Kontakt