Shteti nuk rimburson TVSH-në, 150 punëtorëve nuk u paguhen sigurimet

Kompania “Darfo” prej muajsh nuk ka paguar sigurimet e 150 punëtorëve për shkak se nuk i është rimbursuar TVSH-ja, por drejtuesit e saj premtojnë se pagesat do të nisin sërish






Kujtim Boriçi / Data (19-12-2003)


Rreth 150 punëtorë të firmës "Darfo", pronare me koncesion 30-vjeçar të uzinës së ferrokromit në Elbasan, që nga muaji prill i vitit në vazhdim punojnë në të zezë pasi punëdhënësi nuk ka derdhur vlerat përkatëse të kontributeve shoqërore e shëndetësore në degën përkatëse në Elbasan. Vlera e detyrimeve për fuqinë punëtore të aktivizuar në "Darfo" gjatë kësaj periudhe, pohon për "Biznesin" L.Arapi, drejtoreshë e zyrës rajonale të sigurimeve në Elbasan, është 17 milionë lekë të reja, shumë e cila është e palikuiduar nga muaji prill i vitit 2003 e në vazhdim. Me gjithë kërkesat zyrtare të vazhdueshme pranë pronarit italian të "Darfos" nga titullarët e zyrës së sigurimeve, kërkesave e protestave të herëpashershme të punëtorëve (nëpërmjet sindikatës së tyre), derdhja e kontributeve financiare ligjore vazhdon të neglizhohet nga punëdhënësi. Nisur nga ky fakt, sipas burimeve zyrtare për "Biznesi", titullarët e sigurimeve Shoqërore të Elbasanit hapën dhe një proces gjyqësor ndaj "Darfo" duke kërkuar derdhjen e 17 milion lekëve, gjyq i cili para pak ditësh dha edhe vendimin përkatës. Në bazë të tij(pavarësisht nga pretendimet e "Darfo" ndaj shtetit shqiptar për mosrimbursim të TVSH-së), punëdhënësi detyrohet të derdhë në masën 100% vlerën financiare të kontributit të 150 punëtorëve të uzinës. Ndërsa drejtues të uzinës shtojnë për "Biznesin" se mosderdhja në kohë e detyrimeve financiare për sigurime shoqërore e shëndetësore të punëtorëve për 6 muaj vjen nga një detyrim që strukturat e shtetit shqiptar kanë ndaj "Darfos", pikërisht mosdhënia e vlerës së rimbursimit të TVSH-së. Sipas tyre, kjo vlerë është e barabartë me vlerën e shumës së sigurimeve të 150 punëtorëve për 6 muaj të mbartura (që "Darfo" nuk i paguan), ndërsa muajt në vazhdim, sipas drejtuesve të uzinës së ferrokromit, do të vazhdojnë të paguhen rregullisht. “Kontrata jonë është me punëdhënësin "Darfo" dhe nuk ka të bëjë me detyrimet kontratuale që ka kjo kompani me shtetin shqiptar”, shtojnë punëtorët për "Biznesin", ndaj ne kërkojmë të drejtën tonë të ligjshme, të mos punojmë në të zezë, por kontributet e 6 muajve të derdhen”. Edhe pse ka një vendim gjyqësor, edhe pse palët këmbëngulin në të tyren, pasojat aktualisht po i vuajnë 150 punëtorët, të cilëve kjo periudhë 6-mujore u quhet punë e zezë, ata që prekin moshën e pensionit duhet të punojnë dhe 6 muaj të tjera, ndërsa në rast aksidenti apo nevojë shëndetësore nuk përfitojnë atë ndihmë financiare e sociale që u jep ligji shqiptar.


..............
..............

Mendoj se kompania nuk ka pse denon punetoret per nje faj te shtetit. Ajo le te hedhi ne gjyq shtetin dhe nqs ka te drejte atehere automatikisht duhet te rimbursohet ne baze te ligjit.

Nga ana tjeter shteti shqipetar te mos merret me matrapaslleqe ne dem te buxhetit tone duke penguar zhvillimin e regullt te blerjes se "bankes se kursimeve" , por te shikoje te zbatoje vete ligjet qe ka vene.

Dreqi ta haje!
Lame nam me fizikantin minister finance......