Rruga na kushton 1 miliard
Qeveria ende nuk është përcaktuar për formën e financimit të autostradës Morinë-Merdar. Në Ministrinë e Transportit thonë se janë duke punuar shumë për sigurimin e ndonjë kredie të butë. Mundësia tjetër është dhënia me koncesion. Për të dy këto forma, qoftë të kreditimit apo të koncesionimit, ka disa oferta dhe gjasat janë reale që të gjenden investitorët apo të sigurohen kreditë
13 Janar, 2009
Projekti më gjigant i infrastrukturës së Kosovës, autostrada Vërmicë-Merdar nuk ka filluar as më 2008, me gjithë premtimet e qeveritarëve se do të fillojë në gusht të këtij viti. Ndonëse pjesa tjetër e autostradës nga Durrësi po i afrohet çdo ditë e më shumë Vërmicës, pala kosovare është duke punuar ende në projektin e autostradës.
Zëvendësministri i MTPT-së, Adem Grabovci, thotë se është dashur që të rishikohet projekti i hartuar më parë, i cili, sipas tij, ka qenë me shumë gabime dhe duke pasur parasysh rëndësinë e këtij projekti të interesit nacional, ashtu siç ka qenë i hartuar më parë, ka qenë i pazbatueshëm. "Jemi detyruar që ta marrim në rishikim projektin. Kemi konsultuar ekspertët vendorë e ndërkombëtarë dhe kompaninë hartuese të këtij projekti. Kemi arritur në përfundim se i mungojnë disa elemente, të cilat janë shumë të rëndësishme për fillimin e kësaj autostrade, si elementi i urave, studimi gjeomekanik...", thotë zv.ministri i MTPT-së, Adem Grabovci.
"Ne kemi qenë plotësisht optimistë se do ta fillojmë autostradën më 2008, por arsyeja e mosfillimit është një, e vetme dhe ka të bëjë me përpjekjet që kjo autostradë të jetë me parametrat dhe me standardet më të avancuara evropiane. Tani ne e dimë të gjithë se njëri nga elementet për aderimin tonë në Bashkimin Evropian, është po ashtu edhe niveli edhe cilësia e infrastrukturës rrugore. Prandaj, ne kemi bërë përpjekje që t'i përmbushim këto kritere me kohë, në mënyrë që të mos kemi nevojë që të ndërhyjmë prapë në të ardhmen e afërt dhe të bëjmë korrigjime. Mirëpo, jemi më se të sigurt se në pranverë të 2009-ës do të startojmë me segmentin e parë të kësaj autostrade nga Vërmica e deri në Prizren", thotë zv.ministri Adem Grabovci.
Ai thotë se për rihartimin e këtij projekti MTPT-ja ka angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, ka konsultuar edhe kompaninë, e cila e ka hartuar projektin e parë, në mënyrë që të mos përsëriten gabime që më vonë në fazën e zbatimit të projektit do të shkaktonin probleme.
"Kemi nevojë për mbikëqyrje të ekspertëve dhe ne mendojmë se është e domosdoshme që punimet t`i përcjellë ndonjë kompani konsulente ndërkombëtare, e cila do ta përcjellë zbatimin e këtij projekti në terren", tha Grabovci.
Qeveria duhet të marrë qëndrim për formën e financimit
Para se të hyhet në fazën e përgatitjes së tenderimit, Qeveria duhet të marrë një qëndrim paraprak të domosdoshëm, edhe për formën e financimit, nëse do të shkohet me mjete vetjake apo me formën koncesionale. Sipas Grabovcit, kostoja e këtij projekti është shumë e lartë dhe arrin shifrën rreth 1 miliard euro. Ai thotë se mbeten të hapura të gjitha opsionet dhe pas konsultimeve me ekspertë dhe kompaninë konsulente do të përcaktohet edhe mënyra se si do të sigurohen mjetet. "Ne ende jemi duke i diskutuar të gjitha variantet. Ne jemi të vendosur që të fillojmë. Jemi të gatshëm që ta fillojmë edhe me buxhetin e Kosovës. Por, do të mundohemi të gjejmë mënyra të financimit edhe jashtë buxhetit dhe këto gjasa janë shumë reale. Ende nuk jemi përcaktuar për këtë ose për atë formë. Buxheti i Kosovës është mundësia e fundit. Jemi duke punuar shumë për sigurimin e ndonjë kredie të butë. Mundësia tjetër është dhënia me koncesion. Për të dy këto forma, qoftë të kreditimit apo të koncesionimit, kemi disa oferta dhe gjasat janë reale që të gjenden investitorët apo të sigurohen kreditë". Mirëpo, sipas Grabovcit, mundësia tjetër më e lehtë për ne është forma e kombinuar, që është buxheti i Qeverisë dhe ndonjë formë tjetër e financimit.
Përveç autostradës Vërmicë-Merdar, sipas zëvendësministrit Grabovci, prioritetet dhe planet e Qeverisë shkojnë më tutje. ''Do të shpallet shprehja e interesit për ta punuar projektin e autostradës Prishtinë-Shkup. Kemi filluar projekte të rëndësishme dhe me rëndësi vitale për Kosovën, magjistralen Prishtinë-Pejë, segmenti i parë i së cilës veç është duke u punuar, pastaj Prishtinë-Mitrovicë, ku një pjesë e punimeve është duke u realizuar edhe në atë segment". Për vitin 2009 ai thotë se magjistralja e Pejës do të arrijë deri në Arllat, ndërsa ajo për Mitrovicë do t'i afrohet Vushtrrisë.
I. GASHI
Krijoni Kontakt