Shqipëria do të eksportojë energji gjatë muajve të pikut me çmime "ekstra"
Bojaxhi: Energji jo vetëm për brenda vendit, por dhe jashtë
Shqipëria do të mund të furnizohet pa ndërprerje me energji elektrike gjatë gjithë vitit. Ky është konkluzioni në të cilin arrin Korporata Elektroenergjetike, duke iu referuar treguesve të saj më të fundit. Për drejtorin e kësaj korporate, Gjergj Bojaxhi, treguesit e bërë nga KESH që nga viti 2008 janë mjaf optimistë. Sipas tij, vendi jo vetëm do të furnizohet pa ndërprerje me energji elektrike, por gjatë muajve të pikut KESH ka në plan të eksportojë sërish energji elektrike me çmime "ekstra". Në një intervistë për gazetën numri një i KESH-it, Bojaxhi, shprehet se eksporte të mirëfillta që mund të kenë dhe një vlerë më të madhe ekonomike do të bëhen nga fillimi i korrikut dhe gushtit, e cila është një periudhë, ku sidomos tregu në Greqi ka dhe çmime më të larta. "Në fund të muajit maj dhe në qershor ne synojmë të arrijmë nivelin që është 296 metra, që është niveli maksimal në rregulloren ekzistuese që aktualisht ka KESH-i. Unë do të thoja që gjendja është shumë e mirë dhe jemi optimistë që ky vit do të jetë një vit pa asnjë lloj problemi për sa i takon furnizimit që duhet të bëjë KESH-i", shprehet më tej Bojaxhi.
-Zoti Bojaxhi, gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar situata hidrike ka qenë ajo aktualja që mbretëron edhe sot, pra ndër më të mirat. Në zërin e shifrave, cila është aktualisht situata dhe cilët janë treguesit e eksportit të energjisë elektrike?
Unë do të thosha që treguesit janë shumë pozitivë. Ne kemi prodhuar energji, e cila plotëson të gjitha nevojat e vendit sipas rregullores që ka ERE dhe gjithashtu jemi duke eksportuar energji jashtë Shqipërisë. Kemi energji që po shitet edhe në jug të Shqipërisë, në Greqi, por është duke u shitur dhe në veri në vendet e ish-Jugosllavisë. Sigurisht, për momentin prioriteti ynë është që të furnizojmë vendin me energji elektrike. Ndërkohë jemi duke e shitur apo eksportuar vetëm atë energji që ne për momentin e konsiderojmë vetëm të tepërt dhe që nuk e mbajmë dot në kaskadë. Ndërsa eksporte të mirëfillta, që mund të kenë dhe një vlerë më të madhe ekonomike, do të bëjmë nga fillimi i gushtit ose korrikut që është një periudhë ku sidomos tregu në Greqi ka dhe çmime më të larta. Duke marrë parasysh faktin se është akoma pranverë, ka akoma shkrirje të akujve dhe të dëborës, kjo ka bërë që prurjet të jenë në nivele relativisht të qëndrueshme. Pra, është bërë një vlerë balancimi midis prodhimit të vendit dhe sasisë së prurjeve dhe nivelit në kaskadë. Siç e thashë, në fund të muajit maj dhe në qershor ne synojmë të arrijmë nivelin që është 296 metra, që është niveli maksimal në rregulloren ekzistuese që aktualisht ka KESH-i. Unë do të thoja që gjendja është shumë e mirë dhe jemi optimistë që ky vit do të jetë një vit pa asnjë lloj problemi për sa i takon furnizimit që duhet të bëjë KESH-i.
-Ndërkohë, sa është sasia së energjisë që prodhohet dhe sa futet në tregun e brendshëm, si dhe cili është çmimi i energjisë elektrike me të cilin shitet?
Sot, ne prodhojmë rreth 14.5 milion kilovatorë për vendin tonë dhe eksportojmë rreth 2-3 milion kilovat orë në ditë jashtë vendit. Kjo energji që eksportohet dhe është e vetmja energji që eksportohet në kohën e pikut, kur vlera e energjisë ka çmimin maksimal në treg. Ndërsa çmimet me të cilat ne e shesim, është me çmimin e bursës dhe është një çmim që do të nxirret nga institucionet publike. Kështu që mesatarja me të cilën e ne e bëjmë shitjen të muajit maj do ta marrim gjatë dy javëve të para të muajit qershor. Ndërsa në Greqi çmimin nuk e kemi në bazë të bursës, por është bazë ankandi dhe çmimet arrijnë diku nga 30-33 euro për megavat.
-Cili është vlerësimi juaj sa i takon ndërtimit të HEC-it të Ashtës dhe cilat pritet të jenë efektet e tij jo vetëm në prodhimin e energjisë, por edhe marrëdhëniet që pritet të krijohen në të gjithë kasakadën e lumit Drin dhe të mjedisit?
Unë nuk jam ekspert mjedisi dhe nuk mund të them ndonjë gjë të detajuar sa i takon kësaj pjese. Por nga informacionet që unë kam pasur dhe që vazhdoj të kem, ky është një projekt që, si të thuash, nuk ka asnjë ndikim negativ në mjedis. Është një HEC që është bërë për të pasur një ndikim minimal dhe këtu vlen më shumë të përmenden palët se kush janë ata që preken më shumë dhe përfitojnë më shumë dhe në këtë rast për asnjërën nga palët nuk mendoj se bilanci do të jetë negativ. Për sa i takon rëndësisë, unë gjykoj që Ashta ka një veçanti nga të gjitha koncesionet e tjera që janë dhënë në dy tre vitet e fundit, për faktin që këtu u aplikua me kërkesën e KESH-it dhe u kërkua që energjia që do të prodhohej nga ky hidrocentral për një periudhë të caktuar kohe t'i shitej KESH-it dhe jo t'i shitej ndonjë kompanie private, apo kujtdo që do të kishte interesa ekonomike. Edhe procedurat e tenderit të koncesionit janë bërë në mënyrë të tillë që kush ofronte energjinë më të mirë për KESH-in. Kështu që në thelb, gjatë 15 viteve të para hidrocentrali i Ashtës do të funksionojë pothuajse si një operator i KESH-it, pra energjinë do të na e shesi të gjithën ne. Pra, synojmë të operojmë në një mënyrë sa më eficiente për këtë hidrocentral. Një arsye tjetër, edhe KESH-i ka qenë mjaft i interersuar për Ashtën, ka qenë për faktin se është pjesë e kaskadës së Drinit dhe ndryshe nga kaskadat e tjera, në këtë kaskadë në pjesën dërrmuese të saj ka si interes që të punojë në mënyrë sa më të harmonizuar dhe sa më eficiente. Kjo do të thotë që ata nuk mund të kenë siguri në furnizimin me energji elektrike nëse Ashta nuk do të ishte e harmonizuar me ne, duke qenë se ne kemi pothuajse gjysmën e kaskadës së lumit Drin. Kështu që në këtë këndvështrim, unë mendoj se jemi në një partneritet, pavarësisht se jemi në një koncesion. Është një partneritet i formës më të lartë. Nëse do të arrihet që të operohet në këtë mënyrë, është një koncesion edhe më shumë në interesin e KESH-it. Pikërisht kjo do të jetë zgjidhja që do të mund të japë HEC-i i Ashtës për 15 vitet e para.
-A keni zgjedhur ndonjë mekanizëm që do të shërbejë si bosht për përcaktimin e çmimeve?
Çmimi është i përcaktuar me ofertën që ata kanë dhënë për koncesionin. Pra, kur ata kanë fituar koncesionin, e kanë fituar sepse ata kanë dhënë një ofertë më të lartë se kompanitë e tjera. Ai do të jetë një çmim konkret që do të vazhdojë gjatë harkut kohor të 15 viteve. Kam përshtypjen që është diku mbi 6 lekë.
-Ndërkohë, cili është vlerësimi juaj sa i takon kompanisë Verbund, e cila do të drejtojë punimet e këtij hidrocentrali?
KESH nuk ka qenë pjesë e përzgjedhjes së tenderit, KESH ka qenë vetëm pjesë e negociimit të parametrave të kontratës, ndërsa pjesa e tenderit është bërë nga Ministria e Ekobomisë. Unë do të thoja që Verbund është një kompani serioze, mjaft e respektueshme. Është një kompani që shteti shqiptar ka pasur marrëdhënie të tregtisë së energjisë gjatë viteve '80, nga ku është vënë Komani në punë. Nga informacionet që unë kam, Verbund ka qenë një nga kompanitë që e ka blerë energjinë e eksportuar nga shteti shqiptar dhe nga ky këndvështrim është një kompani serioze. Sigurisht që përderisa ata janë palë dhe ne jemi palë, unë gjykoj se ajo do të jetë një faktor mjaft pozitiv, që i shtrohet tregut të energjisë në Shqipëri.
-Sa i takon koncesionit që do të bëhet në Bushat, në fakt, cila rezulton të jetë me e mira për shqiptarët?
Unë mendoj që përveç faktit që ky koncesion nuk do të bëhet tërësisht nga KESH-i, por nga qeveria shqiptare, por nga ana tjetër, duhet marrë parasysh fakti që ne jemi një vend i vogël ku po bëjmë shumë investime të mëdha në të gjithë sektorët dhe kësaj zgjidhjeje më së miri i është dhënë përgjigje me koncesionet. Unë e konsideroj këtë koncesion të arritur ndër më të mirët që janë dhënë deri më sot, pasi ka një vlerë ekstra nga koncesionet e tjera. Sigurisht që pas 15 vjetësh kompania e ka të drejtën që t'ia shesë energjinë kujt dëshiron, por duke marrë parasysh faktin që ata nuk mund të operojnë pa harmonizim në orë dhe në minuta të energjisë në kaskadën në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Pra, edhe pas 15 vjetësh ata do të vazhdojnë akoma të punojnë shumë ngushtë me KESH-in, duke pasur interesa të vazhdueshme që t'ia shesin energjinë kësaj të fundit.
-Përveç çmimeve, janë përfolur shumë edhe kushtet e kontratës. Në fakt, ka kushte të tjera që investitori ka ndaj korporatës?
Kontrata ka tre komponentë, tre pjesë. Kështu, njëra pjesë negociohet me Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa kryesisht dy pjesët e tjera negociohen me KESH-in. Në fakt, edhe KESH-i ka qenë në pjesën më të madhe të negocionit sa i takon parametrave të kontratës. Ka parametra të tjerë që investitorët duhet të kenë dhe gjendjen e gatishmërisë. Pra, gjendja e gatishmërisë së hidrocentralit ta kenë me një numër të caktuar orësh në ditë, që do të thotë se ata nuk mund ta neglizhojnë që të ketë defekte. Por ata duhet të sigurojnë dhe të mbajnë parametrat e lartë. Por sigurisht ka edhe klauzola që në raste të jashtëzakonshme, në rastet e prurjeve, atëherë ne do të kemi të drejtën tonë që ta derdhim këtë kaskadë, sepse nuk nuk mund të rrezikojmë sigurinë e kaskadës. Ka parametra të tillë dhe unë gjykoj se është pra një kontratë e balancuar, nga ku merren të gjitha sugjerimet e palës shqiptare pra të KESH-it, por edhe të palës tjetër.
-A mund të jepni parashikime sa i takon kohës se kur mund të vihet në punë HEC-i i shumëpritur i Ashtës?
Kjo gjë ka të bëjë më shumë me kontratën që ka bërë Ministria e Ekonomisë. Por nga informacioni që unë kam, deri në fund të vitit, normalisht duhet të fillojnë punimet dhe më saktë ka nisur që të bëhet dhe projekti teknik i detajuar. Them që brenda 2-3 vjetësh Ashta është e mundur që të vihet në punë.
Përgatiti: Drita ÇOKAJ
rd
Krijoni Kontakt