C'mendoni per kete artikull me poshte?
Intelektualët kundërshtojnë atlasin mbi popullsinë e Shqipërisë
TIRANË - Atlasi i ri mbi popullsinë e Shqipërisë, i financuar nga Shërbimet e Shkëmbimit Akademik Gjerman, është një prodhim antikombëtar, prandaj, publikimi i tij duhet të ndalohet, ka deklaruar dekani i fakultetit të Histori Filologjisë në Tiranë, Gjovalin Gruda, i cituar të mërkurën nga e përditshmja "Shekulli".
"Unë do t'i shkruaj një letër rektoratit të Universitetit të Tiranës për ta informuar në emër të fakultetit, se duhet t'i kërkojmë Ambasadës Gjermane të mos lejojë publikimin e tij, duke patur parasysh se atlasi përmban informacion të rremë mbi minoritetet etnike në Shqipëri", tha Gruda.
Më tej, Gruda, kundërshtuesi kryesor i hartave demografike të përfshira në atlas, theksoi se, sipas tij, minoritetet etnike në Shqipëri arrijnë 10.8 për qind.
"Kjo nuk është e vërtetë, pasi ndër minoritetet etnike shqiptare që jetojnë në Shqipëri, hartuesi i hartave demografike, Arqile Berxholli ka përfshirë popullsinë arumune dhe rome, në një kohë kur Ministria e Punëve të Jashtme i njeh ato si minoritete kulturore", shpjegoi dekani.
Në fakt, shefi i departamentit të çështjeve minoritare në këtë ministri, Agron Tare, është cituar të hënën nga e përditshmja "Shekulli" të ketë thënë se duke iu referuar regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2001, minoritetet etnike në Shqipëri arrijnë shifrën 2 për qind.
Rektorati i Universitetit të Tiranës pritet të mbështesë qëndrimin e dekanit Gruda.
Zv/Rektori i këtij universiteti, Zyhdi Bajrami, tha të mërkurën se rektorati nuk njeh atlasin dhe të dhënat e përfshira në të.
"Në hartimin e këtij atlasi duhet të përfshihen të gjithë profesorët shqiptarë. Duhet të ishte konsultuar gjithashtu edhe departamenti i gjeografisë së Kosovës, i cili është lënë mënjanë", tha ai.
Ndërkohë, hartuesi i hartave demografike dhe drejtori i studimeve gjeografike, Berxholli, është cituar nga e njëjta e përditshme të ketë thënë se shifra prej 2 për qind e minoriteteve etnike është vetëm një mbetje e regjimit komunist.
"Arumunët dhe romët i përmbushin të gjitha kriteret për t'u konsideruar minoritete etnike dhe jo kulturore. Të dhënat e përfshira në atlas janë rezultatet e një pune trevjeçare gjatë së cilës ne kemi vizituar çdo fshat të Shqipërisë", tha ai.
Atlasi i popullsisë është prezantuar pak ditë më parë në një konferencë dyditore të zhvilluar në Tiranë nga Ambasada Gjermane.
Sipas këtij atlasi, minoritetet etnike në Shqipëri arrijnë 10.8 për qind, ndërsa shifra zyrtare mbi këtë çështje është 2-3 për qind".
Krijoni Kontakt