Luan Plakiçi tregon emrat e bashkëpunëtorëve
Ka pritur plot dhjetë javë, deri të hënën në orën 11.00, për të dëshmuar në Gjykatën londineze, pikërisht në superprocesin gjyqësor të vitit për trafik prostitucioni në Britaninë e Madhe. Luan Plakiçi (emri i vërtetë Turi) një emigrant shqiptar nga Laçi, me nënshtetësi angleze që nga 1 Dhjetori 2001, i arrestuar më 29 tetor 2002 në banesën e tij në rrugën nr. 3, Middelton Road, shumë qetësisht është ngjitur në vendin e dhënies së dëshmive, në sallën numër 5 të gjykatës "Wood Green Crown Court", nga ku ka treguar me detaje të gjithë mënyrën e trafimimit të emigrantëve ilegalë, ndërmjet tyre 30 prostituta. Po ashtu, ai u është përgjigjur pyetjeve të prokurorit David Scott në lidhje me shtatë vajzat rumune dhe moldave, që kontrolloheshin nga ai në Londër gjatë periudhës 2000-2002, rreth mënyrës së detyrimit të tyre me dhunë për të prostituar, gjë të cilën Plakiçi e mohon kategorisht. Njëkohësisht ai është pyetur edhe për shumën e 204 mijë paundëve (408 000 000 milionë lekë të vjetra) të gjetura në tri llogari bankare.
Rrëfimi
Dëshmia kryesore e Plakiçit, i cili pranon vetëm akuzat për "ndihmë dhënë emigrantëve ilegalë për të hyrë në Angli", nga 25 që rëndojnë mbi të, ka qenë tregimi në gjykatë i emrave të bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, italianë dhe rumunë të përfshirë në trafikimin, shitblerjen e shfrytëzimin e vajzave Lindore. "Maksi është njeriu për të cilin punoja, ai është personi që më niste në Ankona për të marrë njerëzit e tij, që t'i sillja më pas në Angli. Duke qenë se kisha dokumente për të udhëtuar jashtë, m'u duk si një mundësi për të fituar para. Detyra ime ishte t'i sillja ata në Angli. Unë s'kam qenë i përfshirë në prostitucion dhe nuk kam detyruar asnjë nga shtatë vajzat, që më akuzojnë, që të punojë për mua", ka thënë Plakiç. I pyetur nga prokurori për identitetin e vërtetë të Maksit, Plakiç ka përmendur emrin e Bekim Kasumajt, i cili e dërgonte atë me "misione", sjellje prostitutash në Angli. Por, i akuzuari s'ka kursyer të bëj publikë as emrat e pjesëtarëve të tjerë të rrjetit për të cilin akuzohet, si Mondi (kushëri i tij), Pëllumbi, Shpëtimi, Spartaku, për të cilët Plakiçi ka pranuar se janë shfrytëzues prostitutash. "Jonçi (aktualisht i dënuar në Rumani) është rumuni, të cilit Bekim Kasumaj (Maksi), i blinte vajzat. Krenari është një tjetër person, i cili kishte një vajzë dhe që e ndihmova të shkonte në Amerikë", ka përfunduar rrëfimin e grupit Plakiçi.
Pasuria
E gjithë mbrojtja e trafikantit shqiptar është fokusuar në justifikimin e shumës prej 204 mijë paundësh, prova më e fortë dhe bindëse e prokurorisë, e cila thotë se ato para kanë ardhur nga shfrytëzimi i shtatë vajzave si prostituta në shtëpi publike dhe sauna. "Paratë janë fituar nga ndihma që u kam dhënë gjashtëdhjetë emigrantëve ilegalë në hyrjen e tyre në Angli, ndër tridhjetë prostituta, nga ku për çdo emigrant kam marrë 1 000 stërlina dhe për çdo njërën prostitutë 3 000 stërlina", është justifikuar Plakiçi. Sipas prokurorit, kjo ka qenë një gënjeshtër e radhës, në vazhdën e gënjeshtrave gjatë rrëfimit të tij mbrojtës, i cili ka treguar anët e errëta të këtij klani trafikantësh, maja e ajsbergut të prostitucionit shqiptar në Angli. "Një jete luksi e trafikantit shqiptar, që nga një makinë "Ferrari Spider" dhe planet për të blerë tre shtëpi në Spanjë, Francë e Itali, ka thënë prokurori, tregon që paratë kanë ardhur nga shfrytëzimi i shtatë vajzave.
"Shoku i tij, Krenari, na përdhunoi në Vlorë"
Dëshmia e 2 rumuneve: Si na trafikoi Plakiçi
Megjithëse pretendon se "rrëfimi i së vërtetës" do ta ndihmojë lidhur me dënimin, për Luan Plakiçin ka dëshmi që e rëndojnë pozitën e tij. Dëshmitë e vajzave, së bashku me versionin e prokurorisë, siç është pasaporta e tij me vula hyrje-dalje nga Anglia për në Rumani, Serbi, Itali, Shqipëri, Belgjikë, Francë e Spanjë dëshmojnë se misioni i tij nuk ishte thjesht i një agjenti që ndihmonte në kalimin e pikave aeroportuale. Sipas shtatë vajzave, ai ka qenë prezent në Rumani, ato qëndronin në një shtëpi të madhe me vajza të tjera, kur Plakiçi ka vajtur dhe i ka blerë ato nga rumuni Jonçi. Gjithashtu, vajzat kanë treguar se si në një lokal nate në veri të Londrës, në Palmers Green, ai i ka blerë dy vajza dhe poshtë tavolinës e kanë parë atë të japi dy topa me para. "Gjatë kalimit nga Mali i Zi me varkë për në Shkodër, na ka shoqëruar një burrë rreth të 50-ave, i quajtur Zef, që më pas e kemi parë në Londër dhe na është prezantuar si babai i Luanit (Turit). Pasi kemi qëndruar për dy javë në Shqipëri, jemi dërguar në Vlorë, ku gjatë rrugës na ka përdhunuar një djalë i quajtur Krenar, mik i Plakiçit. Ky i fundit na ka pritur sapo kemi mbërritur në Ankona. Kemi qëndruar në një hotel duke pritur ardhjen e pasaportave greke dhe më pas jemi nisur për në Angli", kanë thënë dy vajzat, duke denoncuar Plakiçin.
Krijoni Kontakt