
Postuar më parë nga
Mjellma
Librat janë si njerëzit, apo njerëzit janë si librat? S’ka dhe aq rëndësi cili krahasim është më i qëlluar. Ndërmjet njerëzve dhe librave mund të tërheqësh paralele që çuditërisht tregojnë një ndërlidhshmëri paksa dhe befasuese.
Ja ta zëmë, para ca ditësh e lexova një libër të Daniell Steel. “Operë sapuni” është termi ku kategorizohen këto libra, apo unë do t’i quaja “Limonadë vere”. Nuk e lodh fort mendjen derisa ta lexon, thjesht si një argëtim shoqëruar me një grusht kikiriki dhe një pije freskuese. Kur ky argëtim përfundon, nuk të kujtohet as kapitulli i parafundit, lëre më ai i pari. Thjesht, janë “ngrënës” të kohës, të largojnë ca çaste nga realiteti dhe të fusin në dimensionin e idilave dashurore që më pas të mos lënë kurrfarë gjurme në kujtesë. Se ç’më vie në mend një kategori e tillë njerëzish, që sa shpejtë e lehtë hyjnë në jetën tonë, edhe më shpejtë zhduken sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.
Është edhe një lloj tjetër i librave që ta tërheqin vëmendjen dhe jo rrallë të mahnisin me dizajnin e kopertinës së tyre. Por, kur e kalon kapitullin e parë që zakonisht është më i bukuri, leximi i mëtejmë kalon në mërzi e ndonjëherë edhe në torturë të vërtetë. Thjesht, nuk kanë asgjë interesante, përmbajnë ide sipërfaqësore apo fare boshe sa të bëjnë t’i flakësh sa më larg. Sa më parë, aq më mirë. Më sillen nëpër mend ca njerëz që veç bukurisë nuk mund të ofrojnë asgjë tjetër.
Ca libra të tjerë janë të atillë që të detyrojnë t’u rikthehesh sa e sa herë sepse në çdo lexim të ri ofrojnë diç të re, që mbase ka mundur të t’i ikë vëmendjes gjatë leximit të parë. Në to gjithmonë gjen ushqim shpirtëror dhe vullnet për jetë. Autorë të veprave të tilla janë zakonisht njerëz që i kanë përballuar sfidave të shumta të jetës dhe jo vetëm me veprat e veta, por edhe me personalitetin e tyre të bëjnë për vete. S’ka si mos të më shkojë mendja tek Frida Kahlo, e cila dhimbjen e vet e shndërroi në ngjyra të bukura dhe atë mozaik ngjyrash i vendosi në pelhura, të cilat ia la botës si një suraliste e vërtetë. Nuk mund të mos e përmend edhe gjeniun e kohës sonë, Stephen Hawking, i cili fascinoi botën me teoritë e tij të fizikës kuantike, duke e sfiduar sëmundjen e tij dhe dhimbjen e tij duke e shndërruar në shtytje për suksese të mëtejme. Të këtillë ka dhe njerëz të tjerë që thjesht rrezatojnë energji pozitive rreth vetes. Sa herë ndihemi të plogështuar nga vështirësitë jetësore, shembulli i tyre na jep kurajo dhe vullnet për të ecur përpara.
Lloj i veçantë i librave janë ca që kanë kopertina të vjetra dhe të mbuluara me pluhur, kështu që nuk bien në sy në shikim të parë. Shpesh mashtrohemi nga pamja e kopertinës dhe nuk e marrin mundim t’i shfletojmë. Nëse me kujdes ua heq pluhurin dhe fillon t’i shfletosh, brenda tyre do të gjesh margaritarë të vërtetë, shkëlqimi i të cilave nuk të hiqet nga mendja gjithë jetën. Mjaft njerëz të tillë ka, mjafton t’i largojmë paragjykimet dhe të mundohemi të depërtojmë në brendësinë e tyre, atje ku fshehet shkëlqimi shpirtëror.
Si njerëzit që gjërat e çmuara i fshehin në skutat më të fshehta të shtëpive të tyre, ashtu edhe natyra i fsheh shpirtërat e mrekullueshëm brenda njerëzve që vështirë mund të bien në sy...
Jo rastësisht më kujtohet thënia e Oscar Wilde: “E bukura është në sytë që e shikojnë"...
Krijoni Kontakt