Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Beqari002
    Anëtarësuar
    25-04-2002
    Postime
    500

    Sot promovohet libri i Bedri Islamit "Vrasja e Lulit të vocër

    I biri i "Lulit të vocër": Ja si ma vranë babanë në 1961-in




    Rezarta Delisula


    E Luli i vocër çka mund t'i falë mësuesit tjetër? Veç në ja faltë tollumbat e veta, që e kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin… Ky paragraf i shkëputur nga novelëza e famshme e Migjenit na kujton historinë e Lulit të vocërr, apo Zenel Islamit. Dhimbja e përshkruar në fjalët e të madhit, si për çudi ndoqi hap pas hapi Lulin e vocër, e në fakt tullumbat e tij të shkyeme nuk hangrën mësuesin, por djalin e ri që i mbante veshur. Të gjithë e njohin Lulin e vocër, por mbase shumë pak njohin historinë e vërtetë të Zenelit të Migjenit, atij personazhi që është i njohur si nga të vegjëlit ashtu edhe nga të rriturit. Pas 42 vjetësh, mes një interviste të dhënë për Gazetën Shqiptare, i biri i Lulit të vocër, Bedri Islami, tregon historinë e vrasjes së babait të tij. Ngjarja ka ndodhur në vitin 1961, në Labinot-Mal, më 10 Korrik, në ditën e festës së Ushtrisë. Si kryetar i Komitetit Ekzekutiv, Zenel Islami, apo siç njihet më mirë Luli i vocër, shkoi të përgatiste festën një ditë më parë, por në mëngjes u gjend i vrarë pranë përroit që përshkonte zonën. Zenel Islami në atë kohë ishte i martuar me një nga vajzat e familjes së njohur shkodrane Gjylbegu, dhe kishte tri fëmijë: dy djem e një vajzë. Familja u shkatërrua nga lajmi i kobshëm; Zeneli ka vrarë veten. Disa e besuan, disa të tjerë thanë apo përshpërisnin se Zeneli nuk kishte mundësi të vriste veten, ndërsa për familjen, e sidomos për gruan e tij, nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh e presionesh. Të ndahej nga Zenel Islami, pas vdekjes, dhe fëmijët të mbanin mbiemrin e saj. Kjo ishte gjëja që kërkonte partia nga gruaja e tij, Drita, por ndarja nuk ndodhi kurrë. Vrasje apo vetëvrasje e Lulit të vocër? Djali i tij i madh Bedri Islami mes hulumtimeve e arkivave tregon historinë e dhimbshme të Zenelit, që në vogëli i dukeshin pesë gishtat e këmbës në tollumbat e shkyeme dhe që në moshën 36 vjeçare pati vdekjen tragjike.

    Sa vjeç keni qenë kur morët vesh lajmin për babain tuaj?
    Unë kam qenë vetëm 10 vjeç dhe për mua ka qenë dita më e veçantë e qëndrimit në Elbasan. Ne prisnim të shkonim në festën e ushtrisë e babai na kishte thënë se në orën 6.00 të mëngjesit do vinte të na merrte makina. Në atë kohë babai ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Elbasan.

    Çfarë ndodhi më pas?
    Rreth orës 12.00 nëna na tha të hiqnim rrobat e festës, pasi nuk do të shkonim. Ajo nuk u mërzit me tim atë që makina nuk erdhi me na marrë, pasi ajo e adhuronte dhe e donte shumë.

    Çfarë ju bëri përshtypje, edhe pse keni qenë i vogël?
    Atë ditë edhe fëmijët e lagjes ishin ndryshe. Një komshiu ynë, Avni Skrapari, na mori për drekë në shtëpinë e tij.

    Kur ju lajmëruan për vdekjen e babait tuaj?
    Ka qenë rreth orës 16.00. Nana më thirri. Në shtëpi ishin tre njerëz. Asnjërin prej tyre nuk e njihja, madje as nëna nuk i njihte. A e dëgjon, m'u drejtua ime më, këta thonë se Zeneli ka vdek. Unë si fëmijë i vogël mendova se nuk do e shihja më babain tim dhe ai më iku duke më lënë një peng.

    Çfarë pengu?
    Një ditë më parë ne ishim të ftuar në një familje kosovare që jetonin në Belsh. Në fund, kur ne po iknim, ata na falën një shportë me fiq dhe unë si i vogël e mora. Por babai më futi një shputë fytyrës e më tha: as nuk i ke mjell ti ato fiq e as i ke këput ti. U ndamë keq natën e fundit që pashë babain tim e këtë e kam peng me të vërtetë.

    Po pastaj si rodhën ngjarjet?
    Mbaj mend kur nana i pyeti me se e ka vra veten Zeneli dhe ata iu përgjigjën që vrasja ishte bërë me pistoletën e tij. Nana doli nga dhoma shkoi nga dhoma tjetër e nxori prej andej pistoletën e babait. Po atë mbrëmje në darkë ne u nisëm për në Shkodër. Daja na kishte ardhë me na marrë.

    Me çfarë shkuat në Shkodër?
    U nisëm me një Gaz Rus 51. Nga ora 1 e mbrëmjes, teksa rrugëtonim, na ndaloi policia, e cila mori arkivolin e babait dhe na tha se do e sillnin në shtëpi para varrimit. Të nesërmen arkivolin e sollën pak para orës së varrimit dhe nuk lanë asnjë ta hapte me e pa. Në derë rrinin ca njerëz të panjohur që ndalonin të gjithë ata që i afroheshin arkivolit, madje u ndaluan edhe njerëzit tanë të vinin nga Puka për varrimin.

    Cilat kanë qenë dëshirat e Lulit të vocër për fëmijët e tij?
    Që të tre padyshim donte t'i arsimonte mirë, e ne me gjithë peripecitë që patëm mundëm t'ia plotësonim dëshirat babait. Ai donte që unë të bëhesha gazetar, motra mjeke apo farmaciste dhe vëllai inxhinier, e në realisht jemi bërë të tillë.

    Si shkoi më pas gjendja e familjes suaj?
    Pak kohë ndenjëm te daja e më pas shkuam të banojmë në shtëpinë e madhe të Gjylbegve në Shkodër, aty ku nëna ime jeton edhe sot. Pas përjashtimit të saj nga partia, na ndoqi një periudhë e vështirë.

    Po më pas ju si mundët të arsimoheshit?
    Në vitin 1970 im atë pati një rehabilitim të jashtëm. Pas një vizite të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë në Pukë u vendos që fotoja e babait tim të vendosej në muze dhe ishte pikërisht ajo foto që baba kishte dalë në ceremoninë e rivarosjes së Migjenit.

    A patët vështirësi në marrjen e të drejtave të studimit?
    Mbaj mend që zëvendësdekani i fakultetit, Anastas Dode, më thirri e më tha që unë e fitoja të drejtën e studimit jo se jam djali i Zenelit, por se jam nip i Gjylbegëve.

    Po nëna ka punuar gjatë kësaj periudhe?
    Që pas vitit 1961 e deri në pension ka punuar si ekonomate në Shtëpinë e Fëmijës. Aty ka pasur shumë presione për ta larguar nga puna, por kjo nuk ka ndodhur, pasi miku i babës tim, Bilal Parruca, nuk na ka lënë asnjë moment në baltë dhe na ka ndihmuar shumë.

    Si ju lindi ideja të kërkonit më shumë rreth vetëvrasjes së babait tuaj?
    Në shtëpi ne kemi dyshuar gjithnjë. Kur isha më i ri e shkoja në Pukë atje asnjë nuk e besonte se babai im kishte vrarë veten. Po kështu në Elbasan jetonte Qamil Çela, i cili kishte diferencë të madhe moshe me babain tim, por sërish ata merreshin vesh. Kur flisnim ai thonte gjithnjë: pas vrasjes së Zenelit. Një shoku im gazetar, Shpëtim Gina, ngrente gjithnjë variantin e vrasjes së babait. Më 1972 ai nisi të gërmonte mbi këtë situatë dhe nisi të bëjë takimet e para me njerëzit që ishin në fshatin ku babai u gjend i vrarë. Por vetëm pas pak muajsh edhe Shpëtimi u gjend i mbytur në ujë, diku pranë Mamurrasit.

    Po më pas ju nisët të kontrollonit vetë?
    Ka qenë fillimi i viteve 1990. Një nga faktet më interesante që më shtyu të kërkoja lidhjet me shumë vite më parë: Në vitet 1948-1956 im atë mbante shënime në një bllok. Kur u larguam nga Elbasani e gjithë biblioteka jonë mbeti në bodrumin e shtëpisë së dajës dhe shumë vite më vonë kur ne e morëm bibliotekën unë gjeta fletoret e babait.

    E çfarë thuhet në shënimet e babait tuaj?
    Ka shumë gjëra që më bëjnë të dyshoj. Në vitin 1937 Migjeni ka parashikuar se, nëse Zeneli do të ngrihej, do të rrëzohej dhe këtë e kujtoj edhe tani.

    Keni kërkuar mes arkivave?
    Në vitin 1991 i kërkova një njeriu që punonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme dosjen e babait dhe ai ma dha. Aty u njoha me gjëra që s'i kam ditur me raportin e mjekut ligjor. Ai ishte drejtori i spitalit të Elbasanit dhe quhej Ali D (për arsye etike nuk po ia përmend emrin). Në raportin që ishte një faqe e gjysmë shënohej mbulimi me kujdes i plagës së dytë të Zenelit, plagë e cila ishte në trup. Pra, babai im, sipas raportit mjekoligjor kishte dy plumba një në bark e një në kokë çka s'mund të ishte një vetëvrasje. Po kështu u interesova të marr dosjet në Komitetin Qendror, por në raportin e tyre nuk thuhej as vrasje e as vetëvrasje, është çdo gjë evazive.

    Ju jeni gazetar dhe autor i tre librave, ky është i katërti. A keni shkruar ndonjë gjë për babain tuaj?
    Kam qenë student i vitit të parë dhe kam shkruar një poezi për tim atë. "Kjo poemë baba shpesh herë u ndërpre, sa herë nana e lodhur shkallëve ngjitej, i tremun nga pyetja ç'po shkrun ktë herë, yt bir baba më kot kollitej". Ky është një fragment i saj.

    E cilat mendoni se kanë qenë arsyet e vrasjes së babait tuaj?
    Nuk e di po në atë periudhë babai i çon një letër Enver Hoxhës mbi atë që ndodhi në Iballë të Pukës, e cila ishte quajtur si zonë bajraktare dhe persekutohej. Në këtë letër ka qenë edhe një kërkesë e tij për t'u kthyer në Veri. Mbase krushqia me Teme Sejkon, apo thjesht dhënia e një shëmbulli të tillë për Pukën. Mendoj se konflikti i babait tim nuk ka qenë direkt me Enver Hoxhën, por ai e dinte mirë atë që do të ndodhte, prandaj në njoftimin përkatës mbi ngjarjen ai ka shkruar: Pse është shkuar kaq larg.

    Ku është varrosur babai juaj?
    Në fillim u varros në varrezat muslimane në Dobraç, ndërsa më pas u vendos në varrezat publike të qytetit.

    Ju keni botuar librin tuaj të katërt, "Vrasja e Lulit të vocër", pse pikërisht tani?
    E kam shkruar dhe po e botoj pikërisht tani, pasi më 28 nëntor nana ime, ajo grua e vuajtur dhe e fortë, mbush 75 vjeç dhe kjo është një dhuratë e imja për të.


    Zenel Islami ka lindur në Pukë më 8 qershor 1925. Për dy vite ka qenë nxënës i Migjenit, ndërsa dy vite të tjera i ka kryer në gjimnazin e Shkodrës. Pas lufte emërohet sekretar i rinisë në Pukë dhe në vitin 1947 emërohet sekretar i parë i Komitetit të Partisë po në Pukë. Në vitin 1956 shkon në Lezhë si sekretar i parë i Komitetit të Partisë dhe po atë vit deri më 1958 qëndron në Moskë për shkenca politike. Me kthimin në Shqipëri emërohet sekretar partie në Elbasan dhe më pas kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Vritet më 9 korrik 1961 në moshën 36 vjeçare në Labinot-Mal.

    Novelëza "Luli i vocër"

    Askush s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mirë me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap të vet. Sot gjithkush ka punët dhe telashet e veta, ashtu edhe fëmijët, ashtu edhe Luli. - More Lul! Shum herët ke fillue me shikue punën tande.
    Kur hyn Luli n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj asnjë fjalë s'i thotë. Ecën ngadalë, tue shikue djathtas e majtas, por gjithnjë tue ecë, deri sa të mrrijë në cak të vet. Aty te dera e rruginës shkollore shum i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caki i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vegjël i shtje ndër xhepa. Hundën picrrake të kuqun nga të ftohtit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër ja tërhjek vrejtën janë çizmet, që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa të bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashje i shkojnë syt ndër tollumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambve të zbathuna. Nga kureshta i afrohet një shoku që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmës kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrofi kambët. - Po kur nuk ka diell, si ja bën i shkreti Lul? Ndoshta ja bajnë disi hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis'...
    Ndoshta, ndoshta...
    Nga një herë i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur e ka fytyrën e dlirtë dhe pa puça, mësuesi ja ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pllumbi dhe kishte dashtë t'i fali diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. E Luli i vocër çka mund t'i falë mësuesit tjetër? Veç në ja faltë tollumbat e veta që e kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin. Migjeni


    Sot promovohet libri i Bedri Islamit "Vrasja e Lulit të vocër"

    Sot promovohet libri i Bedri Islamit "Vrasja e Lulit të vocër". Romani është shkruar nga i biri i Zenelit të Migjenit, ndërsa ai ka zgjedhur pikërisht 28 nëntorin si ditë e promovimit, pasi libri është dhuratë për nënën e autorit Dritën, e cila sot feston 75 vjetorin. Ceremonia do të bëhet në Shkodër, ndërsa të ftuar do të jenë 75 njerëz, mes të cilëve edhe djali i Adem Jasharit, që ka po sot datëlindjen e babait të tij hero. Por ç'thonë të tjerët për librin e Bedri Islamit? "Ajo që më ka bërë përshtypje te ky libër është fakti se përkundër gjith asaj që ka përjetuar famijla e Zenelit pas vrasjes së tij, ti si autor ke treguar një përmbajtje të jashtëzakonshme që, duke e ditur se nuk ke mundur të jesh indiferent ndaj kësaj ngjarjeje, qoftë edhe vetëm për shkak të karakterit, e lëre më edhe si bashkëvuajtës i gjith asaj, nuk ke bërë akuza ndaj atij e këtij, nuk ke hyrë në industrinë e prodhimit të baltës për figura të mëdha, por ke shkruar realisht, duke bërë një punë të mrekullueshme në dhënien e leksionit për shumë autorë të tjerë që kanë hedhur baltë sa kanë mundur edhe pa qenë nevoja" - ka shkruar kritiku kosovar Adnan Asllani ndërsa botuesi Spiro Dede shënon: "E lexova dhe më preku pa masë. Të gjitha sa shkruaje e si i shkruaje, ngjanin me fragmente nga një dramë e madhe, e veçantë, personale. Drama e tragjedi këtej dëgjojmë për ditë. Kurse Vrasja e "Lulit të vocërr", e Zenelit...është padyshim vrasje "brenda shtëpisë". Ajo është dramë e ndjeshme dhe e thellë për këdo që ka mbaruar të paktën filloren në Shqipëri."E kush nuk e njeh Lulin?!". Luli e Zeneli u takojnë shpirtërisht të gjithëve. Filli i jetës e i tragjedisë së tyre nuk është vetëm i një gruaje a i nje tufe fëmijesh. Është i të gjithëve. Dhe unë tani, pasi kapërcej emocionet e natyrshme për heroin e pazëvendësueshëm të Librit të Këndimit të Fillores, si botues, ndiej se tema, heroi dhe drama e veprës suaj nuk janë vetëm një dhuratë e balsam për nënën e autorit, por një dhuratë e balsam për të gjithë. Te falënderoj për emocionet që më dërgove."

    __________________________________
    Oj sharki e lehte si era , a ka ardhur ne Shqiperi pranvera?
    Jam martuar002

  2. #2

Tema të Ngjashme

  1. Islami Sot Dhe Nesër
    Nga llokumi në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 22-09-2012, 10:50
  2. Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 04-04-2009, 15:02
  3. Feja e vertete
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-04-2007, 16:39
  4. Muhamedi, Nje Perpjekje Perendimore Per Te Kuptuar Islamin
    Nga forum126 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 06-02-2006, 10:44
  5. Përgjigje: 139
    Postimi i Fundit: 14-06-2005, 06:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •