Programi i pasur kulturo-artistik në Prishtinë me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit
Prishtinë, 26 nëntor - Me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka organizuar një program të pasur kulturo-artistik në kryeqytetin e Kosovës.
Kështu, në orën 10:00, në sallën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë organizohet një akademi solemne, hapjen e së cilës do ta bëjë kryetari i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Ismet Beqiri, ndërsa pritet që akademinë solemne ta përshëndesë edhe Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Në akademinë solemne me një program të pasur kulturo-artistik do ta prezentojë edhe Ansambli i këngëve dhe valleve "Shota".
Në orën 10:30, do të vendosen kurora lulesh në monumentin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeu, në monumentin e dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti, si dhe në varrezat e dëshmorëve.
Në orën 10:40, do të prezentohen me një program të pasur kulturo-artistik ansambli i Universitetit, SHKA "Bajram Curri" nga Prishtina, SHKA "Malësia e Gallapit", SHKA "Gerçek", SHKA "Qamili i Vogël", etj.
Në orën 13:30, grupet e muzikës argëtuese do të prezentohen po ashtu me një program të pasur kulturo-artistik, me ç'rast pritet të marrin pjesë edhe grupe të ndryshme të muzikës argëtuese dhe ato hip-hop nga Prishtina.
Në orën 14:00, në stadiumin e qytetit në Prishtinë do të zhvillohet një ndeshje futbolli.
Në orën 17:00, në skenën para Teatrit Kombëtar do të shfaqet drama televizive "Nëntori i dytë". Projeksioni bëhet në skenë të hapur para Teatrit Kombëtar.
Në orën 19:00, në Galerinë e Muzeut Kombëtar do të hapet ekspozita e Shoqatës së Artistëve Figurativ dhe Aplikativ të Kosovës me emrin "Salloni i Nëntorit 2003".
Në orën 20:00 në sallën e Teatrit Kombëtar do të shfaqet opera "Dasma arbëreshe".
Në orën 21:00 në skenën para Teatrit Kombëtar në Prishtinë, do të shfaqet një koncert i madh me emra të njohur të muzikës argëtuese të Kosovës, ndërkaq në orën 00:01 pas mesnate, do të shpallet i mbyllur programi kulturo-artistik me rastin e 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit.
Krijoni Kontakt