Bukuresht: U promovua me sukses, Fjalori Shqip-Rumanisht, me rreth dyzetmijë fjalë
20 nëntor 2003 / TN
Baki YMERI (Bukuresht)
“Ja pra, ky është libri më i pritur, vepra kolosale që e ëndërronin universitarët tanë, katedrat tona, bibliotekat, dashamirët e gjuhës dhe letërsisë! Botimi i këtij monumenti leksikografik, përbën një sinjal për autoritetet politike, të Rumanisë dhe Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një rast i përforcimit të admirimit dhe përforcimit të marrëveshjes bilaterale, të nevojës për hapjen e disa lektorateve të përbashkëta, rumune në Shqipëri, dhe shqiptare në Rumani”.
Organizuar nga Ambasada Shqiptare, Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë dhe Editura Polirom, pardje në Bukuresht, u lansua Fjalori më i madh Shqip-Rumanisht (1300 faqe). Këtë ceromoni solemne, e zyrtarizoi përmes fjalës së hapjes, ambasadori i Shqipërisë në këtë vend, zoti Leonidha Mërtiri, një diplomat i përsosur që jep kontribut konkret, edhe për bashkimin e diaporës së përçarë.
Përveç anëtarëve të shumtë të komunitetit të këtushëm shqiptar, këtë ngjarje primordiale e nderuan miq të mëdhenj të Shqipërisë, personalitetete shkencore, kulturore dhe diplomatike.
Ishin prezentë ambasadori i Rumanisë në Shqipëri, zoti Konstantin Erimia, themeluesi i BKSHR-së, prof. dr. Xhelku Maksuti, kryetari i Shoqatlës së Miqësisë Rumuno=Shqiptare, zt. Gheorghe Miku, përkthyesi i veprave të Kadaresë në gjuhën rumune, Marius Dobrescu, aktori i famshëm me prejardhje arumuno-shqiptare, Niku Konstantin, botuesi i revistës Shqipëria XXI, Erion Piciri, bij dhe bija rilindasish, shqiptarë, rumunë dhe arumunë. Qysh në fillim, zoti Leonidha Mërtiri, paralajmëroi faktin se këto ditë, “në Bukuresht do të zhvillohen një serë aktivitetesh tejet të rëndësishme, të cilat ndërlidhen me traditat dhe miqësinë rumuno-shqiptare, një miqësi që njeh vetëm ngjitje, dhe jo zbehje. Në kuadrin e këtyre ngjarjeve të rëndësishme, vepra e cila promovohet sot, ka për autor zonjën Renata Topçiu, mëmën e saj, zonjën Ana Mellonashi, dhe zotin Luan Topçiu”.
Nga kumtesa e shkurtë e ambasadorit shqiptar kuptuam se studentesha e dikurshme rumune Ana Mellonashi, tani e dyzet vjet më parë, duke studjuar filologjinë në Universitetin e Bukureshtit, u njoh me një shqiptar me prejardhje nga Fieri, Thimi Mellonashi, që studjonte medicinën në këtë metropolë. Kështu, ajo e lidhi jetën e saj me të, dhe gjatë tërë këtyre viteve, ka shërbyer në arsim, ndërsa i shoqi i saj, ish-student i Universitetit të Bukureshtit, u bë njëri nga kardiologët më të njohur të Shqipërisë. E bija e saj, zonja Renata Topçiu, është sot lektore universitare, pranë Universitetit Ovidius në Konstancë, përkthyese nga letërsia shqipe në gjuhën rumune, dhe anasjelltas, kurse zoti Luan Topçiu, pasi kreu studimet e larta të letërsisë në Shqipëri, i kreu studimet pasuniversitare në Universitetin e Bukureshtit, ku u doktorua në fushë të letërisës së krahasuar, me kualifikativin Magna cum laudae (2001). Aktualisht është profesor-bashkëpunëtor në Universitetin e Bukureshtit, autor i një numri të konsideruar librash të përkthyer dhe origjinalë, eseist i shquar, kryeredaktor i revistës Shqiptari dhe Shqipëria XXI.
Prof.dr. Grigore Brënkushi, albanolog dhe mik i madh i Shqipërisë, e mbajti fjalën qëndrore, lidhur me vlerën dhe rëndësinë e kësaj vepre brilante. Pasi dha një pasqyrë të shkurtë të leksikografisë shqiptare, që nga fjalori i parë i një shtegtari gjerman (Arnold von Harf (1497), e deri te fjalori më i madh shqip-rumanisht, që doli këto ditë në Bukuresht, me rreth dyzet mijë fjalë, zoti Brënkush theksoi. “Nevoja për një vepër të këtillë, ishte e kahershme, e madhe dhe e domosdoshme, por me gjithë përpjekjet e disave, kjo nuk u realizua deri më sot. Ja pra, ky është libri më i pritur, vepra kolosale që e ëndërronin universitarët tanë, katedrat tona, bibliotekat, dashamirët e gjuhës dhe letërsisë! Botimi i këtij monumenti leksikografik, përbën një sinjal për autoritetet politike, të Rumanisë dhe Shqipërisë, duke e konsideruar këtë si një rast i përforcimit të admirimit dhe përforcimit të marrëveshjes bilaterale, të nevojës për hapjen e disa lektorateve të përbashkëta, rumune në Shqipëri, dhe shqiptare në Rumani. Nuk mund të kuptohen ndryshe raportet kulturore rumuno-shqiptare, pa lektorate në këto dy vende, ngase fisërimi linguistik është aq i madh dhe aq i thellë, saqë do të ishte mëkatë sikur mos realizohet një inisiativë të këtillë, qoftë kjo përmes një marrëveshjeje të përbashkët, për këmbime të ndërsjella, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër”.
Mihai Eminesku e njihte gjuhën shqipe
Propozimin për hapje lektoratesh të ndërsjella, zoti Brënkush e motivon me faktin se ekziston interesimi i studentëve shqiptarë dhe rumunë, për një nevojë të këtillë. Ajo që mbetet për t’u bërë, është realizimi i një kuadri të organizuar. Albanologu Brënkush, që ligjëron dyzet vjet me rradhë para mijëra studentëve të Universitetit të Bukureshtit lidhur me lidhjet e lashta linguistike rumuno-shqiptare, përkujtoi dashurinë ndaj popullit shqiptar, studimet e specializimit në Tiranë, miqësinë e madhe që kishte me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqrem Çabejn, me albanologë të tjerë, rëndësinë e lidhjeve të lashta linguistike, që ka shqipja me rumanishten. Hartimin dhe botimin e fjalorit në fjalë, e konsideruan si një ngjarje historike dhe një akt të madh të kulturës, edhe personalitetet e tjera që e morën fjalën, ndër të cilat edhe shoku Kopi Kyçyku dhe dr. Florin Kollonashi, ky i fundit, një nga bijtë e rilindasve tanë, mjek, shkrimtar dhe pronar i Galerisë artistike Contrapunct. “Autorët e këtij fjalori, sipas tij, i karakterizon këmbëngulja në punë dhe fuqia e jashtëzakonshme e penetrimit në fushë të leksikografisë. Është ky një sukses i lartë, edhe shkencor, edhe editorial, që meriton përgëzimet tona, për performacën që e kanë realizuar”.
Sipas zt. Kollonash, “Kanë qenë edhe shqiptarë të tjerë shumtë në Rumani, që kanë bërë politikë kulturore, multikulturore, multinacionale, pothuajse në të gjitha fushat e aktivitetit, njerëz që i kanë sjellë kontribute të mëdha kulturës, që nga Asdreni, Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, kompozitori Konstantin Trako, aktori Vangjel Antoniu, piktori Vasile Popesku, që zë vend qëndror në pikturën rumune, Despina Gjinokastra, Viktor Eftimiu, profesori universitar Nikolla Xhamo, personalitete të veçanta që meritojnë të inkorporohen në kuadrin e një vëllimi mikrobiografik me titullin “Revista e personaliteteve rumune, me prejardhje shqiptare”. Vlen të potencojmë për herë të parë faktin, se poeti ynë kombëtar, ylli i poezisë rumune, Mihai Eminesku, në kuadrin e dorëshkrimeve të tij, pohonte se e njeh edhe gjuhën shqipe. Kam patur kënaqësinë ta shoh në origjinal, fjalët e tij, ku thot në një vend: “cunosc limba albaneza” (e njoh gjuhën shqipe). Ishte një rend i tij, në kuadrin e dhjetra fletoreve, që gjenden në Bibliotekën e Akademisë”.
Në vazhdim, para se t’ia japë fjalën, zoti Leonidha Mërtiri e prezentoi kryetaren e Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, zonjën Xhemile Alia Susliu, një nga organizatorët e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Deputetja e imagjinuar e komunitetit të këtushëm shqiptar, zonja dr. Xhemile Susliu, e mbesa e patriotit tetovar Daut Memishi, ndër të tjera tha: “Ne njerëzit, përnga natyra jemi qenje vdektarë, por ekzistojnë disa ndër ne, që na e sigurojnë pavdekshmërinë përmes pavdekshmërisë së tyre. Shqiptarët e Rumanisë, kanë konsiderata të larta ndaj tyre. Ju falënderojmë juve që keni ardhur për të na nderuar, falënderojmë shtëpinë botuese që e ka bërë të mundur botimin e kësaj vepre, falënderojmë autorët Topçiu dhe Mellonashi, për këtë monument të kulturës”. Përfaqsuesi i Editurës, pasi theksoi faktin se vetëm përgjatë këtij viti, “Poliromi” boton rumanisht tri vepra të Kadaresë dhe fjalorin në fjalë, falënderoi për kontributin e jashtëzakonshëm të Luan dhe Renata Topçiut, që japin për ndërlidhjen e Rumanisë me Shqipërinë. “Janë dy nga ambasadorët e ardhshëm e të mundshëm, të Shqipërisë mike, në këtë vend mikpritës”.
Ishte ky, mendimi paralajmërues, i një veterani të komuniteti të këtushëm shqiptar, konkretizimin e të cilit e presim me përzemërsi. Pse? Ngase një konstatim të këtillë, në kuadrin e artikullit “Shqiptari” i Bukureshtit në 115 vjetorin e botimit”, e ka shprehur para dhjetë muajsh, edhe e përditshmja kombëtare shqiptare “Fakti” (4 shkurt 2003). Ceremonia lidhur me promovimin e kësaj vepre monumentale, të cilën “harroi” ta nderojë deputetja “shqiptare” që ia ka kthyer shpinën komunitetit të këtushëm shqiptar (Oana Manolesku), vazhdoi me dhënie dedikimesh, cakrime gotash, shijime ëmbëlsirash, dhe me përforcime miqësishë. Me arritjen e sotshme një delegacioni shqiptar, i kryesuar nga kryeministri shqiptar, miqësia tradicionale rumuno-shqiptare vazhdon këto ditë, edhe përmes përforcimeve të tjera të reja, në përmasa politike, ekonomike, dhe kulturore.
Krijoni Kontakt