Irena Shabani

Është një nen i vjetër që daton në fillim të shekullit të 20-të, i përket vitit 1916. Është një libërth për gjyqet paqësore dhe për gjithë sjelljet e gjyqtarëve me njerëzit që detyrohen të trokasin në derën e tyre. Njëri prej këtyre neneve të këtij dokumenti flet për pronat.

Aty thuhet se kur dy njerëz grinden për të njëjtën pronë, ata duhet të paraqesin dokumentet, njeriu që ka dokumentin më të vjetër e merr pronën, për të cilën mund të jetë në sherr. Gjithsesi, këto ligje janë adoptuar në atë kohë për shtetin shqiptar, në krye të librit jepet një sqarim se si janë përkthyer ligjet dhe jo rrallë edhe përshtatur me qëllim që të mos iu humbas kuptimi. Është pakëz e çuditshme të gërmosh në kohë dhe të mësosh se një pjesë e mirë e ligjeve në gjyqet civile, të cilat në atë kohë janë quajtur “gjyqe paqi”, janë të njëjta me këto aktuale, vetëm se këtyre të fundit iu ka ndryshuar ca terminologjia për t’i bërë më të koklavitur nga sa janë.

Dokumentet
Në gjyqet për pronat ekziston edhe një nen tjetër, që renditet i 40-ti: “Në qoftë se të dy personat që janë në gjyq për të njëjtën pronë nuk kanë dokumente, atëherë do të njihet si pronar ai që ka paguar “vergie” me kusht që të provojë se ka qenë pronar para se sa personi i dytë të bëhet pronar i së njëjtës pronë. Po kështu, një vend të posaçëm zë edhe fakti që një pronë, saktësisht toka, jepet nga një person për tjetrin. Në rastin kur ajo nuk kthehet në kohën e duhur, njeriu që e ka dhënë ka të drejtë ta hedhi në gjyq, me kusht që mos të ketë kaluar një kohë shumë e gjatë që nga momenti i skadencës së kësaj kohe. Nëse koha ka kaluar, ky gjyq mbetet në fuqi vetëm nëse ka pasur arsye të fortë për ta bërë gjyqin me vonesë, ose kur tregon se pronari i vjetër i tokës ka bërë “dava”, duke lypur rikthimin e saj. Gjatë kësaj kohe që gjyqi mund të vazhdoj, ndalohet i padituri që të mbjellë pemë apo të bëj ndërtime në tokën e dhënë përkohësisht. Kur i paditur ka bërë ndërtime të tilla apo ka mbjellë pemë, toka vazhdon t’i mbetet atij me kusht që të zhdëmtoj pronarin e vërtetë. Ndërsa kur asnjëri prej të dyve nuk është në gjendje të vërtetoj plotësisht pronësinë me dokumente, toka ngelet në dorën e një personi të tretë të besueshëm nga shteti. Kur ka ndodhur që pronari më i ri ka bërë ndërtime në një pjesë të tokës apo ka mbjellë pemë, toka tjetër i kthehet pronarit të vjetër, ndërsa pjesa që mund të ishte e zënë kompensohej në korona. Po kështu, në nenet në vazhdim mësohet se kur pronari më i ri e ka mbjellë tokën, ai mund të marrë dhe vjeljen e fundit dhe pastaj të largohet prej saj. Ndërkohë që, nëse pronari më i vjetër ankohet për dëmin e kryer, ai ka të drejtë të zhdëmtoj pronarin që ka harxhuar drithë për ta mbjellë me të njëjtën sasi, ose mund të marrë qiranë e tokës në kohën që mblidhet prodhimi e pas kësaj të marrë një herë e përgjithmonë tokën e tij. Për të gjitha rastet kur njëri prej pretenduesve mund të ketë pakënaqësi nga vendimi i gjyqtarit, ai mund të apeloj brenda 8 ditësh.

Gjykimet në mungesë
Në qoftë se njeriu që kishte hedhur në gjyq një tjetër nuk shkonte në gjyq ditën e caktuar, jepej një vendim që të rrëzohej “davaja” e tij përkohësisht. Një nen tjetër i këtij libërthi mjaft interesant është edhe ai ku shpjegohet se gjatë gjyqeve në mungesë edhe në qoftë se e fiton gjyqin personi që mungon, ai është i detyruar të paguaj gjithë shpenzimet e gjyqit, sepse nuk ka qenë aty gjatë kohës së gjykimit. Neni 62 thotë: “Në qoftë se kundërshtuesi edhe për së dyti nuk vjen në gjyq, vendoset të rrëzohet kundërshtimi edhe të ligjërohet gjykimi i parë. Mbi këtë vendim s’poltiset ma kundërshtim edhe gjykimi në mungesë i ligjruem mbas kësaj mënyre merr fuqinë e gjykimit të dhanun faqësisht. Veç kësaj dënohet me pague edhe gjithë shpenzimet e gjyqit të kundërshtimit”. Në këto lloj gjyqesh mund të lejohej edhe ndërhyrja e një personi të tretë, i cili pretendonte se kishte lidhje direkte me gjyqin. “Lypja për me hye në gjyq bahet me gojë mbas zakonit, para gjyqtarit që është tuj shikue gjyqin. Kjo lypje mundet m’u ba në çdo kohë deri sa të mbarohet gjyqi”. Po kështu edhe në rastet kur në çështjet civile çdo njeri që nuk ka hyrë në gjyq, kur sheh se gjykimi që jepet nga gjyqtari paqtues është kundër të drejtave të tij, mund të bëjë kundërshtim tjetër. Një pjesë e mirë e kundërshtimeve për çështje të caktuara bëheshin vetëm me gojë, pa pasur nevojë e zgjatjeve të tjera.

Procedura të tjera
Një gjyqtar civil në çështje të thjeshta që i përkasin qarkut dhe funksionit të tij kryen edhe gjithë detyrat ligjore të prokurorit dhe të pyetësit. Po kështu, në të gjitha rastet kur një person ka kryer një veprim të dëmshëm dhe ndiqet nga xhandarmëria apo nga një turmë e irrituar e popullit, gjyqtari ka të drejtë ta gjykoj çështjen që në atë çast. Për këtë mjaftohej që të ndodhej në gjyqin e shpejtë pasuesi dhe gjithë dëshmitarët. Në rastet kur ka nevojë për prova gjyqtari kërkon ndihmën e policisë për këtë. Gjyqtari heq dorë nga një çështje gjyqësore në rastet kur sheh se çështja nuk vlen për gjyq, kur shikohet që i pandehuri nuk ka lidhje me çështjen, kur puna nuk formon çështje gjyqësore, po kështu edhe në rastet kur është vonuar shumë, domethënë i ka kaluar koha për t’u gjykuar dhe po kështu edhe në rastin kur nuk mundet të ndiqet një dava e tillë. Një gjyq anulohej gjithashtu kur nuk kishte prova të mjaftueshme për çështjen. Një nen tjetër mjaft i rëndësishëm është ai në të cilin gjykohet sa i saktë mendërisht është personi që akuzohet. Pavarësisht nga ajo që mund të kishte bërë nëse vërtetohej se i pandehuri ishte i marrë ai vendosej në një shtëpi të marrësh (çmëndinë), ndërsa kur i gjykuari ishte në moshë shumë të vjetër, ai kalonte në një shtëpi qortimi (azil). Kur i gjykuari nuk ka asnjërin prej këtyre, çështja e tij vazhdon deri ditën që merr gjykimin e duhur për këtë çështje.

Në nenin 74 thuhet se i pandehuri mbi të cilin është dhënë vendim se nuk ka shkak për t’u bërë gjyq, nuk mund të ndiqet prapë përveç faktit nëse mund të dalin prova të reja kundra tij. Si prova të reja njihen ato që mund të thonë dëshmitarë të rinj, prova të sjella nga ekspertët, pasi kanë parë shkresat dhe procesverbalet, të cilat gjyqtari nuk ka mundur t’i shohë më parë, kjo bëhej për të dalë e vërteta e pastër në shesh. Po kështu, para se të rifilloj gjyqi, gjyqtari e njihte personin me argumentet e reja, në rast se ai i pranonte merrej një vendim pa pasur nevojën e rishikimit të çështjes, askush nuk kishte të drejtë të kundërshtonte për t’u riparë ose jo vendimi. T gjithë personat që mund të ishin arrestuar dhe ishin mbajtur në xhandarmëri gjatë kohës që bëhej gjyqi dhe që më në fund dilnin të larë nga një histori liroheshin menjëherë.

Rregulli
Gjyqtari civil është i detyruar të pyes në atë çast të pandehurin, vetëm në rastet me të vërtetë madhore gjyqtari mund ta shtynte seancën e pyetjeve deri në 24 orë. Gjyqtari shkonte vetë te vendi ku ndodhej i pandehuri, në qoftë se mësonte se ai ishte i sëmurë dhe nuk paraqitej dot para tij. Kur i pandehuri s’mundej të lihej i lirë, ai mund të rrinte aty për disa kohë sa të shërohej, ose, po të ishte keq, çohej në spitalin më të afërt, i shoqëruar nga një roje e xhandarmërisë. Në të gjitha çështjet që kishin si përfundim burgosjen e të pandehurit, ai duhet të ishte prezent në sallë, kjo bëhej edhe me dhunë, nëse ai nuk pranonte të vinte apo edhe duke e mbajtur të burgosur paraprakisht. Vetëm në rastet kur i pandehuri kishte shkaqe të besueshme për të mos u paraqitur, gjyqi shtyhej për një ditë tjetër. Një i pandehur gjykohej në mungesë, kur ai ishte “firar”. Në të gjitha rastet kur një i pandehur nuk gjykohej për t’u burgosur, por vetëm për të paguar para për një dëm apo tjetër, ai mund të mos paraqitej në gjyq dhe të dërgonte një përfaqësues tjetër të tij. Në rast se edhe përfaqësuesi mungonte, gjyqi bëhej në mungesë, pa shkaktuar më vonë kurrfarë problemi, vendimi që do të merrej.

Analfabetizmi
Duke iu referuar tekstit të vjetër shohim se një pjesë e mirë e fjalëve janë në turqisht. Pikërisht ky është një shkak më shumë për të justifikuar edhe veprimin e gjyqtarëve të asaj kohe. Në një nga këto nene thuhet se i pandehuri pyetej për çështjen. Të gjitha ato që donte të dëshmonte shkruheshin nga një sekretar i gjykatës dhe i pandehuri firmoste me gisht. Sipas këtij neni, këto lloj gjyqesh zakonisht mbaronin brenda ditës, vetëm në raste të veçanta ato mund të shtyheshin për një ditë tjetër. Në rast se i pandehuri akuzohet si hajdut, xhandarmëria kishte të drejtë të bënte kërkime në shtëpinë e tij, derisa t’i gjente sendet e vjedhura. Për një veprim të tillë mbahej procesverbal nga ana e xhandarmërisë. Në raste të tjera kur i pandehuri apo të afërmit e tij kërkonin lirim me kusht në këmbim të një shume, atëherë shuma që duhet të paguhej caktohej nga gjyqtari. Po a mundej i pandehuri ta paguante shumën? Kjo vërtetohej nga pleqësia e lagjes apo e katundit, e cila e dinte se sa e kishte fuqinë ekonomike i pandehuri. «Davxhiu për të drejta vehtore dhe i pandehuni kanë të drejtë kundërshtimi para gjyqit të parë mbi vendime për reshtim e lirim në krye të tre ditëve, prokurori i gjyqit të parë ka 30 ditë kohë për kundërshtim», ky është neni 86 i këtij ligji. Këto gjyqe ishin me dyer të hapura dhe mund të ndiqeshin prej të gjithëve. Po kështu, në të gjitha rastet kur i pandehuri dënohet dhe gjatë kohës së gjykimit ka qenë në burg, ai vazhdon të bëj dhe pjesën tjetër të burgimit. Një i fajshëm mund të mos burgosej vetëm në ato raste kur ai vërtetonte se nga burgosja i vinte një dëm shumë i madh, që askush nuk mund t’ia zhdëmtonte, gjyqtari kishte të drejtë të merrte një vendim të tillë.

Burg në vend të gjobës
Në ato raste, kur vendimi i gjyqit ishte që i pandehuri të paguaj një shumë dhe historia të mbyllej, mund të ndodhte që i pandehuri nuk kishte mundësi të jepte shumën e kërkuar. Gjyqtari merrte një vendim të dytë, duke e kthyer në burgim shumën e papaguar. Për 5 korona i pandehuri mund të merrte një ditë burg.

Ekzekutimi i gjykimit
Në të gjitha rastet kur i pandehuri nuk ka bërë kundërshti për ta çuar këtë çështje në appel, atëherë mydiri dërgon një përfaqësues në shtëpinë e të pandehurit dhe i thotë me gojë se brenda 48 orësh, ai duhet të paguaj shumën që i është vënë si gjobë. Në rastin kur ai nuk paguan, mëson se pas kësaj ore do t’i sekuestrohen të gjitha gjërat e tij të luajtshme dhe do t’i shiten. Ky vendim iu komunikohet edhe të afërmëve të tij, me të cilët banon në të njëjtën shtëpi, në rastin kur mungon ai vetë. Në këtë raste kur funksionari i policisë komunikon vendimin para të dënuarit, ai merr një dëftesë me nënshkrimin ose me vulën e tij, ku bën të ditur se është njohur me vendimin. Në rastin kur i pandehuri nuk pranon të paguaj borxhin brenda 48 orësh, atëherë një përfaqësues i xhandarmërisë i shoqëruar me priftin ose hoxhën dhe kryeplakun shkon në shtëpinë e të pandehurit. Ata kishin të drejtë të kontrollonin në gjithë sendet e shtëpisë, por nuk fusnin duart në dollapin ku ndodheshin rrobat e grave. Po kështu, ata nuk kishin të drejtë të kontrollonin mbi trupin e të dënuarit apo të pjesëtarëve të tjerë të shtëpisë, kur ishin të sigurtë se ai nuk ka mshehur gjë aty. Për plaçkat e sekuestruara ekzistonin procesverbale, në të cilat shënohej edhe vlera e tyre. Përfaqësuesit e shtetin sekuestronin aq plaçmjaftonin për të shlyer gjobën e vënë nga shteti për këtë çështje. Në këtë libër bëhet e ditur gjithashtu se në të njëjtën mënyrë gjykohej edhe një person, i cili mund të kishte marrë me qira një godinë të paluajtshme. Në këto lloj rastesh sekuestrohej godina dhe i pandehurui merrej në gjykim. Kjo vonesë bënte që të sekuestroheshin edhe sendet që ndodheshin brenda saj. Në të gjitha gjyqet, kur vlera e tij nuk i kalonte të 500 groshët nuk merreshin shpenzime të tjera veç atyre të ekzekutimit. Për të gjitha çështjet që i kalon të 500 groshët merrej 2 për qind nga shuma e gjykuar. Ky shpenzim merrej prej të dënuarit kur ekzekutohej vendimi. Po kështu, merrej përqindje edhe për të gjitha vendimet që kishin të bënin me sekuestrime. I dënuari paguante edhe shpenzimet e udhëtimit të gjyqtarit kur ai ishte i detyruar të bënte vajtje-ardhje në shtëpinë e tij, vetëm në rast se i dënuari i siguronte mjete të pëlqyeshme transporti ai nuk paguante lekë.


Ridënim, për veprimet e paligjshme

Ndodhte që qeveria apo zyra e sekuestrimit kishte marrë një tokë nga një përdorues e ia kishte kthyer të zotit. Toka mund të ishte pyll apo kullotë. Në të gjitha rastet, kur personi, nga i cili toka ishte sekuestruar shkonte dhe hynte sërish në ish-pronën e tij pa lejen e të zotit të vërtetë, nuk kishte nevojë për vendime apo gjyqe të tjera. Ajo që ndërhynte ishte xhandarmëria. Për të gjithë këtë xhandarmëria ishte e detyruar të bënte një proçes-verbal të hollësishëm dhe së bashku me të pandehurin t’i dorëzonte këto në organet kompetente.


Ja nenet për sekuestrimin e mallit kur i dënuari s’paguante gjobën

Neni 106 S’munden m’u sekvestrue:

a) shtersat që i shërbejnë vetë të dënuemit, ose njerëzve të familjes së tij, që rrinë së bashku me atë;, nga një palë petka të natës e të ditës së tij, plaçkat e nevojshme për tju fal Zotit edhe plaçkat e guzhinës, të tryezës e të banjës qi janë të nevojshme për të dënuarin ose për familjen e tij. Për punën e sekvestrës duhet m’u marrë parasush paragrafi i mbramë i nenit 999 i Mexhelës edhe neni 274 i procedurës civile që nga paragrafi i katërt deri në mbarim ku bëhet fjalë për plaçkat që s’munden me u sekvestrue
b) librat e profesionit a të mjeshtërisë që ka i dënuemi
c) veglat për të cilat i dënuemi ka nevojë që të punojë mjeshtërinë e vetë
d) petkat dhe plaçkat e tjera zyrtare të borxhliut
e) vegla dhe fara e bujqëvet
f) zahiren që i vë i dënuemi për ushqim të vetë dhe të familjes së tij, sa lypet për një muej nëpër vende ku këto shtihen me muej dhe ushqim sa për një dinëm si edhe landa që përdoret për tu djegë në dimër
g) gjanat e gjalla që i përdor i dënuemi në bujqësi për me fitu bukën e vetë si kau, lopa, kali, bualli, mushka edhe gomari. Veç këtyne një lopë dhe një buallicë 6 dhënë e dhi, bari edhe tagjia e tyne
h) nga rroga e rrogtarëvet ma e tera e sumës që kanë caktue ligjet e posaçme
i) rroga e komandantëve e oficerëve, e ushtarëve dhe funcionarëve të tjerë që janë ose që çohen në luftë në qoftë e sekvestrueme rroga e këtyne funksionarëve, pjesa e sekvestrueme nuk u mbahet për sa kohë që ti mbajë lufta. Këtë nyje tanë si është duhet me e shkrue funksionari i gjindarmarisë pa ndonjë ndryshim mbi procesverbalin e sekvestrimit edhe para se të bëhet sekvestra, tja këndojë atij kundra të cilit bëhet ose njerëzvet të familjes së tij që ndodhen në kohën e sekvestrës.
Neni 107. sendet qi sekvestrohen mblidhen në nji a ma shumë oda edhe vuloset dera e tyne prej funksionarit të gjindarmarisë prej myftarit edhe prej atyne qi u ndodhën n’t vend. Këto sende të vulosuna si edhe ato qi s’munden m’u vulos bashkë me gjanë e gjallë mundet funkcionari i gjindarmarisë me i lanë në dorë të atij, kundrë të cilit u bë sekvestra, mbasi të marrë një dorzanës, në qoftë se s’ka dorzanës, atëherë vendohet një ruejtës, pagesa e të cilit i ngarkohet të dënumit. Por në qoftë se midis gjanavet të sekvestrume gjinden asish që nuk durojnë e prishen shpejt, këto gjana shiten me një herë në ankand edhe vlera e tyre ruhet.