Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,379
    Postimet në Bllog
    22

    Vangjel Zhapa, shqiptari që ndërtoi perlat e Athinës

    Ilir Kontini

    Një filantrop me famë në Ballkan e më gjerë, është edhe laboviti Vangjel Zhapa. Kontributi i tij në ndërtimin e disa prej veprave më të bukura të Athinës, të cilat tashmë kanë hyrë në fondin kulturor të këtij vendi, është i pallogaritshëm. Statuja e shqiptarit është vendosur përpara pallatit Olimpik në Athinë, që mban emrin e tij. Pasuria e Zhapës administrohet tashmë nga komisioni i testamenteve në Greqi dhe shpërndahet edhe sipas parashikimeve të tij, lënë të shkruara pak para se të vdiste.

    Vangjel Zhapa, i cili u detyrua të emigrojë që në moshën 13- vjeçare, në Janinë, ka luftuar përkrahë luftëtarëve grekë në luftën kundër Turqisë për pavarësi. Ai aderoi në ushtrinë greke edhe pas fitores së pavarësisë në vitin 1821, por i zhgënjyer nga disa qëndrime të personaliteteve ushtarakë, ai u detyrua të largohet përgjithmonë nga atje. Nga ky moment e deri në fund të jetës së tij, jetoi në Rumani, që e konsideronte atdhe të dytë. Rastësia e bëri të pasur, pasi Mbreti i Rumanisë, Maruz, i fali tokën sepse Vangjeli i shëroi vajzën e sëmurë për vite me radhë. Bamirësi i shekullit të nëntëmbëdhjetë qëndron krah personaliteteve më të mëdha të Greqisë. Fondacioni me emrin e Vangjel Zhapës, që e ka zanafillën në shekullin e 19-të dhe ka emër në të gjithë kontinentin evropian dhe më gjerë duhet të veprojë edhe në vendin tonë për arsyen e thjeshtë se Vangjeli ishte shqiptar. Ai lindi në fshatin Labovë e Madhe, të Gjirokastrës. Me emrin e tij janë krenuar gjithmonë figura të shquara si Sami Frashëri, Mit’hat Frashëri e të tjerë sa herë që diskutohej rreth bamirësisë dhe këta e kishin për krenari të thoshin se ishin bashkëkombas të tij.

    Vangjel Zhapa, ja biografia e bamirësit

    Rreth figurës së Vangjel Zhapës ekziston material dokumentar i shumtë, që shtrihet në rrjedhën midis dy shekujve dhe në hapësirën që e kalon zonën e Ballkanit. Vangjel Zhapa lindi në vitin 23 gusht të vitit 1800, në fshatin Labovë e Madhe, të Gjirokastrës. Vasil dhe Sotira Zhapa, do t’i gëzoheshin fëmijës së tyre pa masë, pa e ditur se ai më vonë do të bënte epokë. Prindërit u kujdesën shumë gjatë fëmijërisë që Vangjeli të ushqehej me dashurinë për vendlindjen. Nga e ëma, Vangjeli mori përkushtimin për bujqësinë, marrja me të cilën më pas do ta pasuronte. Në moshën 13-vjeçare, Vangjeli u largua nga vendlindja, të cilën nuk do ta harronte kurrë. Ai u vendos fillimisht në Janinë. Ambienti kulturor për disa vjet në këtë qytet influencoi edhe në formimin e personalitetit të tij. Për disa vjet, Vangjel Zhapa ishte ushtar në garnizonin e Ali Pashë Tepelenës, nga ku më vonë u shkëput dhe u bashkua me kryengritësit suljotë. Zhapa vazhdoi luftën antiturke edhe pas vdekjes së Marko Boçarit nën komandën e Zervës, dhe udhëheqësve të tjerë të kryengritjes antiturke. Ai është nderuar me medaljen e argjendtë, “për kontribut në luftën për pavarësi të Greqisë”, gjë që konfirmohet edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, L. Deligeorges, në një shkresë që mban për datë 31 dhjetorin e vitit 1890. Pjesëmarrja e Vangjel Zhapës në kryengritjen antiturke të Greqisë ra në sy të turqve, të cilët i arrestuan nënën, Sotirën, tashmë në moshë të thyer dhe i plaçkitën pasurinë atërore. Kompleksi i kësaj figure, vështirësitë gjuhësore, vendet e shumtë ku mund të ketë informacione bibliografike, kanë bërë që shumë studiues të braktisin, të mos e çojnë deri në fund, apo të studiojnë aspekte të veçanta të personalitetit të tij. Rumania, ku Vangjel Zhapa, kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij, është vendi që e ka vendosur më mirë në fokusin e studimit këtë figurë interesante. Ky personalitet u përkujtua me nderim të veçantë në maj të vitit 1971, kur u bë inaugurimi i Muzeut të Sportit të Rumanisë. Në Labovë të Madhe, që është vendlindja e Vangjel Zhapës, ende janë shtëpitë trekatëshe që u ngjajnë kështjellave historike. Megjithëse kanë kaluan 150 vjet nga koha e ndërtimit të tyre dhe dhjetëra vjet nga Lufta e Dytë Botërore, kur u dogjën, këto shtëpi janë ende të parrëzuara, dëshmi kjo e artit madhështor të ndërtimit të tyre. Këto shtëpi ishin pronë e Vasil dhe Kristo Zhapës, dy vëllezërve labovitë, përkatësisht babai dhe xhaxhai i Vangjelit, i cili emigroi në fillim në Janinë të Greqisë dhe më vonë në Rumani.

    Vendosja në Rumani

    Pas përfundimit të luftës antiturke dhe rimëkëmbjes së Greqisë, Vangjel Zhapa u tërhoq në jetën private, duke hequr dorë nga nderet dhe titujt ushtarakë si dhe pretacionet e tjera që ndau shteti grek. Në vitin 1831, pas 18 vjetësh, vizitoi për disa ditë vendlindjen, Labovën, dhe të afërmit e tij. Në fund të vizitës, mbasi mori bekimin e nënës, me karvanet e kohës u largua për në Verias (afër Selanikut) të Maqedonisë greke, e cila ishte akoma nën sundimin turk, me mendimin që atje të merrej me tregti e bujqësi. Koha vërtetoi se ishte e padurueshme bashkëjetesa me turqit e egërsuar, që i shikonin me dyshim e urrejtje. Shkaku i vërtetë i largimit të tij nga Greqia ishte konflikti që krijoi me disa personalitete të larta të atij vendi. Vangjel Zhapa, para se të largohej nga Greqia, mendoi për dy vende, ku mund të emigronte: Egjipt ose Rumani. Pas një lufte motivesh, zgjodhi Rumaninë, për favoret që siguronte ky shtet për arsye të sistemit të butë bujqësor. Zhapa me njohuritë e tij mjekësore, që kishte fituar në kampet ushtarake nga bashkëfshatari i tij, Petro Panajoti, bëhet i njohur në atdheun e “adoptuar”, siç e quante ai Rumaninë.

    Si e shpëtoi shqiptari vajzën e mbretit

    Në Bukuresht, mbreti Maruzi e kishte vajzën shumë të sëmurë, aq sa mjekët vendosën që për ta shpëtuar t’i prisnin këmbën. Ky vendim i mjekëve u kundërshtua nga Maruzi. Kështu, mbreti rumun kërkoi që t’i jepte kurajo të bijës, duke e vizituar edhe një herë te mjekët popullorë. Kështu, si të parë zgjodhi Vangjel Zhapën, i cili, pasi e vizitoi, e mori përsipër shërimin e saj. Brenda gjashtë muajsh, pas një mjekimi intensiv, vajza e mbretit u ngrit në këmbë e shëruar plotësisht. Si shpërblim, shqiptari mori në pronësi një mulli me ujë, të cilin e kishte marrë me qira së bashku me sipërfaqen e tokës rreth tij.

    Fati e bëri të pasur

    Historia e pasurimit të një njeriu shpesh herë shndërrohet në legjendë. Vangjel Zhapa as që nuk e kishte menduar që në tokën e marrë si shpërblim nga puna për shërimin e vajzës së mbretit rumun, Maruz, do të bëhej i pasur. Një shoqëri që kërkonte naftë në rajonin rumun kishte konstatuar se në tokën që kishte në pronësi Vangjeli kishte rezerva të mëdha nafte dhe hyri në bisedime me të për ta blerë. Oferta e shitjes së tokës u kundërshtua nga Vangjel Zhapa, që vendos të ishte aksioner në atë sipërmarrje të fuqishme. Të ardhurat që siguroheshin nga nafta filluan ta pasuronin me shpejtësi shqiptarin, që po kërkohej gjithandej si një nga pajtimtarët më të kërkuar ndër gjithë pronarët e tokave. Vangjeli bleu sipërfaqe të mëdha tokash në Fundem dhe Budest. Më pas, bleu edhe pronat e katër pronarëve të mëdhenj si Lluika, Kasiora dhe çiflikun Broshten. Në vitin 1934, Vangjeli kishte kërkuar që edhe kushëriri i tij, Kostandini, të shkonte në Rumani. Me ndihmën e këtij të fundit, Vangjeli bleu sipërfaqe të tërë tokash bujqësore. Në vitin 1860, Zhapa kishte rreth 66 çifliqe me të ardhura vjetore 1500 napolona flori secili. Më vonë, pasurisë së tij i shtohen edhe fabrika e alkoolit, dhe një mulli me 12 gurë, që, për nga kapaciteti i bluarjes, ishte i vetmi në Rumani. Rezidenca e shqiptarit ishte çifliku Broshten. Ndërtesa ishte disa katëshe dhe rrethohej nga një mur rreth 2 metër i lartë, pajisur me kulla vrojtimi. Brenda mureve gjendej edhe një livadh i bukur me pemë frutore, lule të zgjedhura që e bënin ambientin rreth e rrotull më të këndshëm. Rezidenca ruhej nga gardë shqiptarësh me rreth 100 vetë, veshur me kostume kombëtare, fustanella dhe këmisha të bardha mëngëgjera, që i vishnin në ditë festash bashkëpatriotët e vet të Rrëzës, Tepelenë. Rezidenca kishte formën e një “fortese dake”, e vendosur në një fushë të hapur dhe shihej nga larg. Vendqëndrimi i Vangjel Zhapës, ndodhej 60 kilometër në veri të Bukureshtit, kryeqytetit të Rumanisë. Në ndërtesën e vet, shqiptari kishte një bibliotekë shumë të pasur me libra, që ishin në përputhje me formimin e tij iluminist. Vend të rëndësishëm në bibliotekë zinin autorët e mëdhenj të letërsisë greko-latine, që mendohet që t’i ketë blërë në Paris, në kohën që shkoi për të studiuar.

    Vangjeli ringjalli Lojërat Olimpike

    Lojërat Olimpike janë veprimtaria më e vjetër në sportin botëror. Zanafilla e tyre është që te grekët e lashtë dhe janë zhvilluar deri në vitin 392 të erës së re, vit kur këto lojëra u shkatërruan nga një perandor romak. Pas shuarjes së këtyre lojërave u deshën të kalonin edhe 15 shkekuj që të rilindte përballja sportive. Në bibliotekën e Akademisë Olimpike Ndërkombëtare ekzistojnë dokumente dhe fakte që vërtetojnë se një nga figurat e shquara që kontribuan për ringjalljen e Lojërave Olimpike ishte Vangjel Zhapa, filantropi nga Labova e Madhe. Megjithëse ky jetonte atëherë në Rumani, zgjodhi Greqinë për të ndërmarrë një nismë të tillë, pasi kjo ishte dikur qendra e Lojërave të Lashta Olimpike dhe se ajo kishte fituar më herët pavarësinë. Në vitin 1856, krerët e qeverisë greke morën një letër nga njeriu që mbështeste moralisht dhe materialisht Lojërat Olimpike. Letra u kishte shkuar autoriteteve të Athinës nga konsullata greke e Bukureshtit. Vangjel Zhapa, merr përsipër përpara mbretit ringjalljen e Lojërave Olimpike, zhvillimin e tyre ashtu siç ishin zhvilluar në të vërtetë. Më fund të letrës, Zhapa kërkonte që edicioni i parë i këtyre lojërave të zhvillohej në Athinë, në vitin 1859. Në vitin 1856, u botua në shtypin e Greqisë artikulli i madh: Vangjel Zhapa, njeriu që merr përsipër të paguajë të gjitha shpenzimet për rilindjen e olimpizmit…. Në vitin 1858, Vangjel Zhapa, në një peticion që i dërgoi mbretit Othon i tregonte atij se i falte qeverisë greke 400 aksionet që kishte në shoqërinë e Lundrimit të Rumanisë, për themelimin në Athinë të Institutit Olimpik, që do të organizonte periodikisht konkurrime sportive, duke nisur nga viti 1859. Më vonë, veç këtyre, Zhapa i shtoi ofertës së tij edhe 3000 napolona flori. Dhurata e Vangjel Zhapës u bë shkak që të dalë në vitin 1856 një dekret i veçantë mbretëror, me anë të të cilit pranohej kjo dhuratë dhe ngarkoi një komision për organizimin e olimpikëve dhe inkurajimin e industrisë kombëtare. Vangjel Zhapa për të krijuar kushte që manifestimet që shoqëronin konkurrimet sportive të zhvilloheshin normalisht, ideoi ndërtimin e një ndërtese komplekse në qendër të Athinës. Katër vjet pas vdekjes së Zhapës (1865), grekët dhanë leje për ndërtimin në qendër të kryeqytetit të tyre stabilimentin që e pagëzuan me emrin “ZAPPION”, për nder të Vangjelit që dha kontribut mjaft të çmuar në rilindjen e Lojërave Olimpike.

    Dhurata për Ballkanin e Shqipërinë

    Shqiptari emigrant, Vangjel Zhapa, kishte synime për edukimin e vajzave me virtytet e moralit të shoqërisë moderne, pasi mesjeta i kishte lënë të ndrydhura. Zhapa bënë projektet për çeljen e shkollave femërore në Kostandinopojë, Adrianopojë e Labovë të Madhe, sipas modelit të shkollave më të mira të shtetit helen.

    Nuk mungon edhe ndihma për Shqipërnë e varfër. Zhapa do të përkujdesej nëpërmjet testamentit të tij për shkollat e Leklit, Kakozit, Karjanit, Nivanit, Përmetit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit e Qeparoit. Në testament parashikohej që për çdo vit fondi në ndihmë të këtyre shkollave të kapte shifrën e 1200 frangave ari në vit. Shqiptari i larguar vetëm 13 vjeç nga vendlindja e tij, Shqipëria, ka sponsorizuar botimin e dy abetareve të gjuhës shqipe të hartuar nga pararendësi i Rilindjes sonë Kombëtare, Naum Veqilharxhi, në Bukuresht. Po kështu, ky bamirës, financonte botimin e gazetës shqip “Pellazgu”, që dilte në Lamia, të Greqisë, në vitin 1859-1861. Në vitin 1860, Zhapa ndërtoi në Labovë të Madhe shkollën, në të cilën në vitin 1921 u zhvillua kursi normal pedagogjik, nga i cili u përgatitën 94 mësues për shkollat fillore të Shqipërisë së jugut. Ky bamirës vuri në dispozicion të shtetit rumun shuma të konsiderueshme parash për botimin e fjalorit të gjuhës letrare rumune. Ushtria rumune përfitoi prej tij 50 mijë napolona flori për ta pajisur atë me një bateri topash me vijaska, prodhimi më i fundit i asaj kohe. Pallati “Zappion”, i ndërtuar me fondet e Vangjel Zhapës, është një tjetër dhuratë e tij për Ballkanin. Projekti i tij iu besua arkitektit francez, Bulanzhe, ndërsa zbatimi inxhinierit danez, Theofil Van Hasen. Punimet për ndërtimin e tij zgjatën 14 vjet dhe shiritin e përurimit e preu kushëriri i tij, Kostandin Zhapa, i ardhur nga Rumania, më 20 tetor të vitit 1888. Me të drejtë, athiniotët e quajnë këtë ndërtesë “stoli floriri” të qytetit të tyre. Ky pallat ka 15 salla ekspozitash, që zënë një sipërfaqe rreth 2500 metër katrorë. Këtë ndërtesë e rrethon një mjedis i shkëlqyer i mbushur me statuja mermeri të skalitura nga skalitësit më të mirë të kohës. Kjo është një vepër mahnitëse që impresionon miliona vizitorë nga e gjithë bota. Për ndërtimin e kësaj vepre u shpenzuan plot 28 milionë franga ari. Ndërsa për të mbuluar shpenzimet e organizimit të ekspozitave olimpike për çdo 4 vjet, për dhënie çmimesh dhe për kurorën e artë që do t’i jepet fituesit dhe shpërblimin e menjëhershëm për gëzimin e tij dhe të krenarisë kombëtare, është përdorur gjithë renta vjetore e trashëgimisë së patundshme të Vangjel Zhapës, e përbërë kryesisht nga pronat në Rumani, me një shumë prej 12000 napolona flori në vit. Shteti grek, në shenjë nderimi e respekti, përjetësoi figurat e kushërinjve Zhapa me ndërtimin e monumenteve të tyre prej mermeri, të vendosur në të dy anët e hyrjes qendrore të këtij pallati. Përveç këtij pallati, Vangjel Zhapa dhe bamirës të tjerë shqiptarë si Apostol Arsaqi, Georges dhe Simon Sina, nga Përmeti, Jani Banga, nga Korça dhe Jani Dhima, nga Himara, krahas dhjetëra bamirësve të tjerë epiriotë, midis të cilëve i madhi mecovit Georges Averof, derdhën nga thesari i tyre shuma të konsiderueshme për ndërtimin e veprave publike si Universiteti i Athinës, Biblioteka Kombëtare, Akademia Politeknike, Teatri, Konservatori, shkolla “Arsaqi”, muzeume etj. Francezin Gaston De Shaps e kanë tërhequr shumë këto vepra, dhe nuk është i vetmi i huaj me të cilin ndodh kështu. Natyrshëm lind pyetja: Kush i ka ndërtuar këto vepra? Kush i ka paguar arkitektët, sipërmarrësit, punëtorët për ndërtimin e tyre? Studiuesi grek Aleksandër Farmaqi, duke përmendur numrin e madh të bamirësve të Epirit, midis të tjerash, shkruan: “Asnjë copë e tokës grekë nuk lindi kaq bamirës sa Epiri”.

    Nga ana tjetër, emri i Vangjel Zhapës, sipas deputetit grek, Sotiropullos, u shkrua bashkë me emrat e burrave më të mëdhenj bamirës të Greqisë, në sallën e parlamentit grek.

    Kur një përmbytje në Rumani shkatërroi mullinj me ujë, por pa prekur ato të Vangjel e Konstandin Zhapës, këta nuk menduan për asnjë çast për fitime, por ndihmuan më gjithë shpirt fatkeqët, të përmbyturit, shumica e të cilëve ishin vendas rumunë. Vangjel Zhapa, në çifligjet e Vllahisë, hartoi edhe një program për rilindjen e Labovës, të vendlindjes së vet. Sipas këtij programi, u ndërtua shkolla me dy nivele sipas modelit bashkëkohor së bashku me konviktin, që do të strehonte nxënësit e largët. Vangjel Zhapa me shpirtin e tij dhurues, rrezatoi ndihmë edhe për të varfërit në vendlindje e më gjerë. 50 familje të varfëra labovite u trajtuan me 250 napolonë flori ndihmë vjetore, shumë vajza të varfëra të vendlindjes janë martuar me fondet e Zhapës.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Ismaili
    Anëtarësuar
    20-03-2007
    Vendndodhja
    Prizren
    Postime
    24
    Bukur shumë po këtë biografi e lexova sot, mas shumë kohe... sikur të bënte më shumë për Shqipërinë.

Tema të Ngjashme

  1. Roli i UNMIK në Kosovë
    Nga Hyllien në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 38
    Postimi i Fundit: 26-11-2009, 01:04
  2. Nacionalizmi si nocion dhe zbatimi i tij ne praktike!
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 24
    Postimi i Fundit: 14-09-2009, 17:27
  3. Vangjel Meksi, rilindasi i parë shqiptar
    Nga Albo në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 21-04-2009, 02:38
  4. Shqiptari i ri
    Nga ZANOR në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 20
    Postimi i Fundit: 12-11-2008, 03:08

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •