"I themi djalit tonë të dorëzohet"
Letra nga burgu që paralajmëroi arratisjen e djeshme
--------------------------------------------------------------------------------
Në rast se do të më telefonojë, do t'i them që të dorëzohet dhe të shpjegojë arsyet që detyruan të bëjë këtë veprim". Këto kanë qenë fjalët e babait dhe nënës të Dritan Dajtit, të cilët të vetmuar prisnin nga momenti në moment ndonjë lajm nga djali i tyre. Të bindur në pafajësinë e Dritanit, dy prindërit e kanë argumentuar vprimin e arratisjes, si pasojë e mungesës së drejtësisë dhe manipulimeve të të gjitha llojeve për ta shpallur fajtor për një krim që se ka kryer. "Nëse kanë prova për djalin tim le ta kishin dënuar, por jo të ma mbajnë tre vjet peng", thotë Hasani babai i Dritanit. Alibitë dhe e vërteta e kësaj ngjarje, tregohen nga prindërit e Dritanit në një intervistë për Gazetën.
Pse jeni të bindur në pafajësinë e djalit tuaj?
E para nuk kishte asnjë arsye për të vrarë biznesmenin Agim Beqaj, për të cilin gjykohet, pasi ne nuk kemi patur asnjë konflikt me të. Ndërsa fakti tjetër është mungesa e provave, të cilat janë zëvendësuar me dëshmi të manipuluara të vëllait të viktimës, Besnikut, i cili sa herë që pyetet, nxjerr variante të ndryshme mbi vrasjen. Plus kësaj dëshmitarët thonë se Agimi është vrarë nga tre persona me maska dhe me armë automatike, ndërsa ekspertiza thotë se është vrarë me pistoletë. Në kurrë në shtëpi nuk kemi patur armë të tilla.
Përse viktima ka qenë pranë banesës suaj ditën e vrasjes?
Agim Beqaj kishte filluar të bënte një ndërtim pranë nesh dhe paraprakisht kishte folur me Dritanin, i cili i kishte thënë që ndërtimi nuk i prishte punë familjes sonë. Ndërkohë dimë që Agimi ka patur konflikte me persona të tjerë për këtë ndërtim dhe jo me ne.
Keni biseduar me Dritanin pas eksplozivit në banesën ku tashmë jeton gruaja e Agimit?
Po kemi folur dhe e kam pyetur se si është kjo punë. Ai mu përgjigj se e kanë bërë enkas që të më rëndojnë pozitën dhe të bëhet e besueshme që e kam vrarë unë Agimin.
Kur keni folur për herë të fundit?
Javën që kaloi. Por nuk na tha gjë se do të bënte një veprim të tillë. Ndoshta tani po e kuptoj -vazhdon i ati, Hasani - edhe kuptimin e asaj letre të shkruar nga burgu ku thoshte se prokurori nuk pranon që të vijë ekspertiza për vrasjen e biznesmënit Beqaj në sallë të gjyqit dhe në këto kushte ai do ta mbronte vetë veten e tij.
A kishit dijeni për arratisjen e sotme të tij?
Apsolutisht jo. Shkuam edhe në gjyq. Po ta dija më parë, të jeni të sigurt që do ta ndaloja të bënte një veprim të tillë. Flitet që e ka ndihmuar një shok i tij i ardhur nga Greqia. Por më tej nuk dimë gjë.
Nëse kontaktoni me djalin tuaj, çfarë do t'i këshillonit?
Deri tani nuk dimë gjë se ku ndodhet, por po të më marrë në telefon do t'i them të dorëzohet dhe të shpjegojë arsyet që pse e bëri një veprim të tillë, pasi jam i bindur që drejtësia një ditë do të fitojë.
Policia merr në mbrojtje gruan e viktimës së Dajtit
TIRANE - Ndërsa forca të shumta të policisë së Tiranës ishin instaluar në postblloqe në pikat kryesore të hyrjeve dhe daljeve në kryeqytet, agjentë të veshur civilë morën detyrën për të siguruar familjen e Agim Beqajt. Sipas burimeve policore, arratisja e Dritan Dajtit e ka bërë shqetësues problemin e mbrojtjes së familjes të personit që ai vrau më 17 shkurt 1999. Dhe është pikërisht vrasja e pronarit të "Besa Konstruktion", pranë "Zogut të Zi", ajo që e dënoi dhe e mbajti në burg të fortin e Rrugës së Kavajës. Në formë hakmarrje, sipas policisë, Dajti kishte porositur pakon bombë, e cila u gjet nga djali i Beqajt më 20 mars të këtij viti. Disa muaj më pas policia vuri në pranga Skënder Kullën, mik i Dajtit, i cili kishte vendosur bombën e maskuar si pako dhe kishte kërcënuar në telefon familjen Beqaj.
Krijoni Kontakt