Gazeta “Panormama” boton sot një letër të Gjergj Fishtës, dërguar nga Parisi Vinçens Prenushit, në të cilën paraqiste qëndrimin e tij dhe të kishës katolike rreth problemeve politike të viteve të fundit. Botimi i kësaj letre është bërë i mundur me ndihmën e studiuesit Stefan Çapaliku. Në këtë letër, Ati françeskan bënë të qartë qëndrimin e tij kundrejt politikave që ndjek vendi. Po kështu, në këtë letër paraqitet një Fishtë i ashpër me myslimanët e Shqipërisë. Ai është gjithashtu i pakënaqur me qeverinë që drejton vendin në atë kohë, duke përjashtuar nga grupi i ministrave vetëm Luigj Gurakuqin. Në letrën e gjatë, ai pyet dhe jo rrallë i përgjigjet edhe vetë pyetjeve. Është i çuditur me nderimet që shkodranët i bëjnë një qeveritari të huaj, ndërkohë që ndihet mirë kur mëson se pritja e shkodranëve për dy ministra shqiptarë ka qenë në nivelin e duhur. Fishta i shpjegon Prenushit gjithashtu se në gazetat e huaja gjendeshin komente nga më të ndryshmet për Shqipërinë, pretendime për qeveritarët dhe për qytetin e Shkodrës, e cila, sipas Jugosllavisë, ishte pjesë mjaft e rëndësishme e kësaj të fundit, prej të cilës Jugosllavia nuk hiqte dot dorë. ”Kush i lexon këto gjëra, këto realitete të rënda, nuk mund të mos i vijë keq për naivitetin e disa atdhetarëve shqiptarë, qofshin edhe të mirë edhe të sinqertë, të cilët verbërisht u besojnë premtimeve boshe të agjentëve serbë, kështu edhe nuk mund të mos çuditet për disa festa të Shkodrës…”, shprehet Fishta, në brendësi të letrës së tij. Ai shpjegon edhe arsyet pse shikon mbështetje tek Italia, duke thënë se një gjë e tillë bëhet vetëm me një qëllim, që Shqipërisë të mos i shtohej një armik tjetër. Po sa i saktë është Gjergj Fishta në gjykimet e tij, për këtë secili lexues mund të nxjerr përfundimet e tij.


Paris, 15 prill 1920

Po të shkruaj italisht për t’ia lehtësuar detyrën censurës, nëse ajo do ta gjente të udhës të merrej me brendinë e kësaj letre. Lajmi i gëzuar për rindërtimin e provincës sonë, si dhe zgjedhja e definitorit, ma ka mbushur zemrën me gëzim të patregueshëm. Uroj me gjithë zemër që t’u përgjigjeni detyrave që Kisha, Urdhri dhe Atdheu presin prej jush dhe prej veprës suaj të disiplinuar.

Jam i sigurtë që, qoftë provinciali i ri, qoftë etërit definitorë do ta ndërmarrin me besim dhe energji zbatimin e detyrës së rëndë që, në kohë kaq kritike, Urdhri ka pasur zgjuarsinë, t’ua vërë barrë atyre: dhe ky besim dhe kjo energji prej anës suaj janë për mua pengu i një të ardhmeje më të gëzuar të provincës sonë. Të lutem t’u paraqitësh edhe kolegëve të tjerë urimet dhe përgëzimet që po bëj për rritjen e gradës sate dhe të tyre. At Palë Dodës do t’i shkruaj nesër. Po më shkruan se të gjithë qytetarët e Shkodrës ia paskëshin vënë detyrë vetes të shkonin për të përcjellë gjeneralin Dë Furtu atë ditë që ai linte atë qytet (ka lidhje me dokumentin e botuar në nr.119), do të isha kurioz të dija përse shkodranët e kanë parë të nevojshme t’i bëjnë një të tillë brohoritje një të huaji, cilësitë e mira të të cilit ishin përherë të nënshtruara urdhërave eprorë? Supozoj se e kanë bërë këtë vetëm për njerëzi të thjeshtë.

Por, më ka pëlqyer që qyteti i Shkodrës u ka bërë një pritje entuziaste dy ministrave të rinj të qeverisë shqiptare. Ishte mirë, bile e nevojshme, që Shkodra të deklaronte solemnisht përpara botës vullnetin e saj të ngulur për të qenë pjesë përbërëse e shtetit shqiptar. Sot nuk duhet t’u vihet mendja aq shumë personave sesa realitetit të gjërave. Siç është e nevojshme që në Shqipëri të ketë një qeveri: që të gjithë duhet ta njohim këtë qeveri dhe t’i durojmë njerëzit që e përbëjnë, qofshin të aftë ose të paaftë. Në lidhje me formimin e qeverisë shqiptare (është fjala për qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës), gazeta e madhe pariziane “Le Temps”, në një shënim të vetin botonte në këto ditë se lëvizja e re politike në Shqipëri ishte e lidhur me lëvizjen kombëtare turke të Mustafa Qemalit. Natyrisht, ky lajm do të jetë një pallavër, ndoshta e qitur në qarkullim prej grekëve, të cilët shkojnë duke thënë se kryetari i qeverisë së re shqiptare, Sulejman Delvina, është një nëpunës turk dhe se tani gjendet me leje në Shqipëri; se një anëtar i po asaj qeverie është kryetar i grupit panislamik shqiptar, se kryetari i ri i xhandarmarisë apo milicisë shqiptare nuk di të flasë shqip dhe se qeveria e re ka qenë themeluar sidomos me veprën e ish-oficerëve turq e kështu me radhë…

Po ajo gazetë, “Le Temps”, botonte dje mbrëma, 15 prill, nr.21444, lajmin interesant që vijon: “Zoti Radoviç i ka deklaruar shtypit të Belgradit se zoti Pashiç, para se të linte Parisin, u kishte dorëzuar aleatëve një memorandum, me anën e të cilit qeveria e tij bënte të ditur që qyteti i Shkodrës dhe hinterlandi i tij ishin po aq të domosdoshëm për Jugosllavinë sa edhe Fiumja (Rijeka), meqenëse që të dy qytetet janë shfrim i natyrshëm i këtyre vendeve në Adriatik, njëri për Veriun dhe tjetri për Jugun. Qeveria e Belgradit deklaronte pastaj se Jugosllavia nuk mund të hiqte dorë nga asnjëri prej këtyre vendeve. Nga ana e saj “Idea Nazionale”, 14 prill, nr.90, botonte këtë lajm tjetër, që e nxirrte nga “Havas”: “Studentëve universitarë të Zagrebit rregjenti i Serbisë u ka dërguar përgjigje me adjutantin e vet që të mos u zënë besë zërave që përpiqen ta vënë qeverinë e Belgradit në dritë të rreme, sikur ajo dashka të heqë dorë nga Fiumja (Rijeka) dhe territori istrian midis Monte Maxhoros dhe Voloskas, në shkëmbim të Shkodrës. Ne të gjithë kemi për zemër qoftë Fiumen, qoftë Shkodrën. Askush nuk ka menduar ndonjëherë të flijojë njërin apo tjetrin qytet.

Trashëgimtari i fronit dhe qeveria bëjnë çdo gjë që ka mundësi njeriu për të shpëtuar si njërin, ashtu edhe tjetrin, sepse që të dy paraqesin interesa jetësore për Jugosllavinë”.

Kush i lexon këto gjëra, këto realitete të rënda, nuk mund të mos i vijë keq për naivitetin e disa atdhetarëve shqiptarë, qofshin edhe të mirë, edhe të sinqertë, të cilët verbërisht u besojnë premtimeve boshe të agjentëve serbë, kështu edhe nuk mund të mos çuditet për disa festa të Shkodrës…

Më 5 mars kemi shkuar, imzoti, dr.Turtulli dhe unë, në Londër për të tërhequr vëmendjen e qeverisë dhe të popullit britanik në favor të çështjes sonë (lidhet me dok. nr.134). Kemi biseduar me lordin Robert Sesil, me ministrin e Arsimit, me sekretarin e Llojd Xhorxhit dhe me deputetë të ndryshëm, që janë në favor të Shqipërisë. Këta deputetë kanë mbajtur dy mitingje në parlament, ku kemi marrë pjesë edhe ne. Duket se në Angli ka një rrymë në favor tonë edhe ndër qarqet e larta, Lordi Kurzon, sikur ne të kishim qëndruar edhe ndonjë ditë në Londër, do të kishte qenë i gatshëm të na jepte një audiencë. Megjithatë, unë jam shumë pesimist për zgjidhjen përfundimtare të çështjes sonë. Kemi shumë armiq dhe ne nuk kemi kompetencën e duhur për t’ua ndryshuar fytyrën gjërave. Bile, unë jam i mendimit se prania jonë në Paris i ka shkaktuar më shumë keq se mirë çështjes shqiptare, dhe kjo, jo vetëm për mungesë disipline nga ana jonë, por edhe për inferioritetin tonë intelektual përballë armiqve tanë. A mund ta përballojmë ne ballafaqimin me profesorët, doktorët dhe diplomatët sllavë dhe grekë? Është e kotë të gënjehemi. Nëse përjashtohet Gurakuqi, që vetëm ai ka një kulturë të përshtatshme, ka një atdhetari të shëndoshë dhe një njohuri të gjerë për njerëzit dhe për sendet e Shqipërisë, asnjë nga anëtarët e qeverisë, qoftë të asaj të mëparshmes, qoftë të së tanishmes, nuk mund të thotë se e paraqet denjësisht Shqipërinë dhe të mbrojë siç duhet interesat e saj. Nga shkaku se nuk e flisja rrjedhshëm frëngjishten, unë rrallë herë kam qenë i pranishëm ndër bisedimet e shqiptarëve me përfaqësues e delegatë të huaj; por çdo herë që më është paraqitur rasti të jem i pranishëm, po të them të vërtetën se më është dashur të skuqesha për inferioritetin tonë. Si mund të pretendohet që njerëz, të cilët nuk zotërojnë veçse një kulturë shumë të ngushtë dhe mentaliteti i të cilëve ka qenë përherë refraktar ndaj çdo ideje për Atdhe, të mundohen sot të përbëjnë një Atdhe të qytetëruar? Kanë idenë e qeverisë, por jo të Atdheut. Ideja që të formohet Shqipëria nuk ka rrjedhur tek ata nga një tërësi psikologjike, por nga detyrimi i rrethanave të jashtme, të cilat s’kanë të bëjnë aspak me Atdheun, as me qytetërimin, as me përparimin. Dhe, që të të siguroj për këtë që të shkruaj, mjafton të shikohet ideja që kanë për të administruar Shqipërinë, duke e ndarë në kantone e kantone të privilegjuara, të shikohet fakti se zyrat dhe nëpunësit nuk shpërndahen sipas zotësisë dhe përgatitjes së individëve, por sipas bindjeve të tyre besimtare dhe sipas cilësisë dhe gradës së nëpunësve që kanë pasur nën qeveri të huaja për Shqipërinë etj.

Po kështu nuk formohet Atdheu. Dhe të huajt, që i njohin mirë këto gjëra, e kanë formuar idenë se shqiptarët nuk janë të aftë për t’u mbajtur e për t’u qeverisur nga vetja e tyre, dhe prandaj propozojnë copëtimin e Shqipërisë. Qoftë lord Sesili, qoftë sekretari i Llojd Xhorxhit na kanë pyetur duke nënqeshur: „A do të jeni ju të zotë të qeveriseni nga vetja juaj?“.

Në Londër, imzoti ka qenë ftuar në drekë nga vëllai i dukës së Norfolkut, lordi Talbot, njeri me shumë influencë pranë qeverisë britanike dhe kryetar i partisë katolike të Anglisë, i cili i ka premtuar mbështetjen e vet për çështjen shqiptare. Përkrahësit më të zellshëm të çështjes sonë në Londër janë Mis Durham dhe koloneli Obri Erbert. Mis Durham përshëndet të gjithë fretërit që ka njohur në Shqipëri. Si u kthye nga Londra në mars, na u desh sërish të niseshim për në Londër më 5 prill, mbasi qemë ftuar në një banket të shtruar nga kryetari i një shoqërie të madhe filantropike, e cila ka mbledhur plot 40 milionë lira stërlina për t’u shkuar në ndihmë popujve që kanë vuajtur nga luftërat. Qemë pritur me njerëzinë më të madhe dhe aty kryetari i propozoi komitetit të Londrës të dhuronte një milion stërlina për të shkretën Shqipëri. Nuk e di të të them me saktësi nëse kjo shumë do t’i jepet ose jo Shqipërisë, sepse drejtimi i shoqërisë gjendet në Amerikë, por unë jam kthyer nga Londra me bindjen se këto të holla do të na jepen. Nëse i nënqesh ky fat Shqipërisë, duhet t’ia dimë për nder zotit Preka, vëlla i Ton Prekës dhe baba i Pjetër Prekës, kushërinj të A.Dedës, të cilët, më 1915, kanë kaluar nëpër Shkodër me oficerët anglezë, ai është përpjekur shumë për çështjen shqiptare.

Në muajin shkurt, imzoti dhe unë kemi qenë në Bruksel dhe pastaj në Malines, për t’i bërë vizitë kardinalit Mersie. Ai është një prelat që i bën nder jo vetëm Belgjikës, por mbarë kishës. U interesua shumë për çështjen tonë, por nuk e di sa do të mund të ndikojë për përfundimin e mirë të saj. Nëse nuk zotërohen topa dhe miliona, me njerëzit e sotshëm nuk i dilet mbanë asgjëje. Më duket se i kam shkruar dikujt në Shqipëri për këtë udhëtim tonin në Bruksel. Sikundër, ndoshta do ta kesh dëgjuar, imzot ka dhënë dorëheqjen si delegat pranë Konferencës së Paqes dhe pikërisht dje ka marrë njoftim se dorëheqja e tij është pranuar. Dhe kështu do të nisemi sa më parë nga Parisi. Ku ra fjala! E pata harruar. Urimet e mia më të gjalla e më të sinqerta për emërimin tënd si senator i shtetit shqiptar. Jam mëse i sigurtë se ti do t’ia dalësh me nder këtij dinjiteti të ri. Por, kam bindjen e plotë se, duke ditur natyrën e mjedisit ku ty do të të duhet të zhvillosh veprimtarinë tënde, rezultatet kanë për të qenë mjaft të pakta, për të mos thënë asgjë. Në palestrën e qytetërimit e të përparimit po na dëgjojnë sa kohë që nuk na kuptojnë; sepse, pasi të na kenë kuptuar, nuk gjejmë pastaj kush të na e vërë veshin. Sidoqoftë, ke bërë mirë që për tani, e ke pranuar këtë barrë. Në letrën tënde të fundit, ti flet për një farë pakënaqësie që unë ushqyekam ndaj teje. Kjo është e pasaktë, sepse kurrë nuk kam pasur rastin të ankohem për ty ndër marrëdhëniet tona personale. Por, është e vërtetë se unë jam i pakënaqur për besimin e paktë që ju keni pasur për veprimin tim në Paris. Sigurisht, që nuk ka qenë një kënaqësi për mua të shihja se si ndonjë frat yni, shqiptar, e kishte parë të nevojshme të dërgohej në Paris - ndërsa unë, frat, gjendesha akoma në përfaqësinë shqiptare - një delegat i veçantë, i pajisur me kredenciale të veçanta, të nënshkruara nga fretërit, për të mbrojtur interesat e Shqipërisë. Për këtë punë më ka ardhur shumë keq. Nëse ata kishin për të bërë propozime apo vërejtje, duhej të m’i kishin njoftuar mua, dhe jo të dërgohej në Paris një shekullar, duke e shpallur me shkrim përfaqësues të tyre. A mos kanë dashur, ndoshta, të vënë në dyshim atdhetarinë time për faktin se s’po shkruaj më satira kundër Italisë? Por kjo është e padrejtë. Sipas pikëpamjes sime, sot që ka rrezik të zhduket jo vetëm pavarësia shqiptare, por vetë kombi, detyra jonë kryesore është të shpëtohet më parë kombi dhe pastaj të mendohet për formimin politik të shtetit. Kam pasur bindje se Shqipëria nuk mund të formohej veçse me ndihmën e një fuqie të madhe të qytetëruar dhe se, pas zhdukjes së Austro-Hungarisë, vetëm Italia ishte ajo që do të kishte pasur të gjithë interesin të formonte një Shqipëri mundësisht sa më të madhe; nga ana ime kam kujtur se ishte një krim të vihesha kundër qeverisë italiane dhe t’i krijoja kështu një armik të ri atdheut tim. Për dashuri ndaj Shqipërisë unë kam mohuar çdo politikë sentimentalizmi, dhe vetë ky fakt duhej shikuar si një vepër atdhetarie të kulluar. Ju e dini mirë se çfarë ka ngjarë ndërmjet meje dhe italianëve para armëpushimit. Si është e mundur prandaj që françeskanë, të frymëzuar nga ndjenja atdhetarie, të mund të vënë në dyshim atdhetarinë time? Ti dhe unë, para armëpushimit, kishim kundërshtuar politikën e qeverisë italiane, jo sakt për urrejtje ndaj kombit italian apo për servilizëm ndaj Austro-Hungarisë, por sepse ishim thellësisht të bindur se Shqipëria nuk i kishte elementet e nevojshme për t’u themeluar si shtet i pavarur dhe se monarkia austro-hungareze ishte më e pershtatshme për të drejtuar popullin shqiptar drejt qytetërimit dhe pavarësisë. Për të kritikuar prandaj qëndrimin tim të sotëm ndaj Italisë, do të duhej të provohej nëse gjatë një viti Shqipëria ka bërë një evolucion të tillë të madh sa të mos ketë më nevojë për ndihmën e një fuqie të madhe, ose Jugosllavia do me të vërtetë dhe, duke dashur me të vërtetë, mund ta themelojë shtetin shqiptar, në mos tjetër, brenda kufijve të Konferencës së Londrës. Tani, sipas meje, as njëra dhe as tjetra hipotezë nuk janë të pranueshme. Deklarata që kanë bërë jugosllavët në konferencë, në lidhje me Shqipërinë, ka qenë bërë nga kroatët që kanë interes të shpëtojnë Fiumen, por jo nga serbët, të cilët kanë interesa më të mëdha për Shkodrën se për Fiumen, sikundër shumë mirë mund të nxirret nga dy telegramet që unë i citova më lart. Dhe „Journal des Debats“ dje mbrëma pranonte që ndërmjet Trumbiçit dhe Pashiçit kshte ndryshim pikëpamjesh. Unë nuk them që italianët do ta shpëtojnë, por them e pohoj se askush nuk do ta humbasë Shqipërinë, pa pëlqimin e qeverisë italiane. kjo është teza ime dhe, mjerisht, faktet do të më japin të drejtë. Të ashtuquajturit nacionalistë shqiptarë e kanë hedhur poshtë formulën Shqipëria me ndihmën e Italisë, por ata nuk kanë mundur akoma të përcaktojnë një formulë tjetër politike që t’i zërë vendin e së parës. Të thuash se ne do ta formojmë Shqipërinë vetëm me forcat tona, është në mos tjetër, një marrëzi. Ja, prandaj, një nga arsyet e pakënaqësisë sime. Arsyeja tjetër është lehtësia me të cilën letrat e mia lihen t’u bien në dorë turqve (flet për shqiptarët e besimit mysliman). Ato letra kanë qenë lexuar deri në mbledhjet e Lushnjës, dhe prej atyre të sotmit Patres Patriae (Etër të Atdheut) - Hoxhë Kadri e shokë - kanë nxjerrë si rrjedhim atentatin tim kundër Atdheut, duke më paditur si të shitur ndaj çështjes italiane. Është e vërtetë se unë mund të jap arsye për të gjitha ato që kam shkruar në ato dy letra; por, megjithatë, nuk do të kisha dashur që ato të dy letra të binin në dorë të muhaxherimëve dhe të hoxhallarëve të Shqipërisë. Nëse nuk është dashur t’u jepej peshë arsyeve të parashtruara në ato dy letra, së paku, për nderin ndaj personit tim, duhej të ruheshin më me kujdes ose, në mos tjetër, të asgjësoheshin. Nuk ishin letra për t’iu besuar kuzhinierëve dhe sakristanëve. Brenda javës do të nisemi për në Romë. Në rast se nuk do të kthehesha në Shqipëri, natyrisht do t’ju dërgoj lajmet e mia nga Roma. Duket se gjenerali është kthyer në Romë. Nuk e di a do të jetë gjë e mirë, tani që provinca është rindërtuar, të ngul këmbë për vizitën e tij në Shqipëri, Procul a Jove, tutas a fulmine (Larg prej Jupiterit, ruaju prej rrufesë).

Përshëndet për mua të gjithë si vëllezërit dhe njerëzit e shtëpisë sate.

Të përshëndet e të përqafon me gjithë zemër.