BBC në shqip dhe TopChannel fillojnë emisionin e ri televiziv “Forum”
Nga: Muhamed VELIU
AlbanianMail, London
Seksioni shqip i radios legjendare BBC në bashkëpunim me televizionin
TopChannel do të sjellin për publikun shqiptar emisonin e ri “Forum”. Duke filluar nga muaji nëntor, Forumi i BBC-së do të zhvillohet në studiot e gjashtë qytete universitare: Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Ky program i pari i këtij lloji në Shqipëri i cili pritet të ndiqet me interes nga një audiencë e madhe jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga mijëra shikues nëpërmjet valëve satelitore, do të jetë i njëjtë me programin e sukseshëm britanik të BBC1 “Question Time” (koha e pyetjeve) i cili drejtohet nga gazetari legjendar David Dimbleby. Në çdo emision do të marrin pjesë figura të shquara të politikës, medias, shoqërisë civile, biznesit. Por në qendër të forumit do të jetë audienca në studio si dhe shikuesit në shtëpitë e tyre, përmes radios dhe televizionit. Pas më shumë se dhjetë vjet nga rifillimi i trasmetimeve të BBC në Shqip tashmë me një audiencë të konsoliduar , për seksionin shqiptar të Londrës fillimi i këtij programi shënon hapin e parë drejt programeve të kësaj natyre. Suksesi i “Ritëm dhe Pop” një emision muzikor i prodhuar nga ky seksion nen drejtimin e gazetares Blerina Goga, ku audienca e dëgjuesve ka hapësirën më të madhe gjatë programit, duket që ka shtyrë ata drejt një emisoni të bazuar sërisht në audiencën e kësaj radioje.
Grupi realizues i tij në Londër dhe Tiranë të cilët kanë disa muaj që po punojnë me programin janë në përgatitjet e fundit për të startuar debatin. Megjithëse të rezervuar në dhënjen e detajeve në prag të fillimit të këtij emisioni “Albanian Mail” ka arritur të mësojë se në drejtimin e tij do të jetë korrespondenti i BBC në Tiranë Aleksandër Furxhi i cili sëbashku me drejtorin e informacionit të Top Channel Andi Bejtja, kanë qëndruar për disa ditë në Londër ku kanë ndjekur direkt në studio emisonin e fundit të “Question Time”.
Diskutimet
Në emisonet e para të këtij programi dy producentët, drejtoresha e seksionit Julia Goga-Cooke dhe gazetari Arben Manaj kanë menduar të vënë në qendër të programit çështjen shumë të diskutueshme, atë të Evropës. Përmes pyetje, Pse Evropa? Çfarë do të sjellë për mua si individ? Si do të shkojmë atje? Kur? ata mendojnë ta sjellin këtë çështje në mënyrë sa më të gjerë, jo vetëm me mendime nga politikanët dhe të ftuarit në program por nga vetë njerëzit e thjesht të cilët do të jenë protagonistët kryesor në debat. Për të sjellë sa më shumë mendime dhe ide për këtë çështje grupi realizues i “Forum” do të transmetojë drejt përsëdrejti debatin në valët e BBC-së në Shqipëri si dhe nga radiostacionet e saj partnere në rajon – më shumë se 30 në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, përfshi dhe trasmetimet në TopChannel TV dhe në disa TV lokale. Forumi i parë organizohet më 3 nëntor në Tiranë
Krijoni Kontakt