INTERVISTA/ FLET PROKURORI I ANTIMAFIES ITALIANE
Mandoi: Përse nuk mposhten baronët shqiptarë të krimit
Gazeta Shqiptare
Angazhimi i Prokurorisë së Përgjithshme të Tiranës është vërtet i madh dhe bashkëpunimi i Drejtorisë së Antimafias Italiane me prokurorinë shqiptare është pa diskutim më i miri mes gjithë vendeve joanëtare të BE-së. Do të thoja ndër më të lartët mes vendeve të tjera, madje edhe më i mirë se bashkëpunimi me Greqinë. Megjithatë arsyet se pse baronët e krimit në Shqipëri nuk arrestohen janë të tjera, dhe shumë më të ndërlikuara". Zëvendësprokurori i antimafias italiane, Françesko Mandoi tregon në këtë intervistë ekskluzive për "Gazetën Shqiptare" se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë duhet bërë për të luftuar mafian shqiptare, e cila sipas ambasadori amerikan në Tiranë, Xhejms Xhefri, kërcënon madje stabilitetin e vendit dhe atë të rajonit.
Zoti prokuror, a është e vërtetë ajo që thotë ambasadori amerikan se në Shqipëri ekzistojnë baronët e krimit ?
"Për mendimin tonë, ka grupe kriminale që kanë forcë jashtëzakonisht të madh, në aspekte të ndryshme. i pari është aspekti ekonomik, pasi këto grupe zotërojnë pasuri të madhe të siguruar në mënyrë të paligjshme. i dyti është aspekti i imazhit; duke patur shuma marramendëse mund të hapin aktivitete të ndryshme industriale dhe sipërmarrëse dhe kjo u mundëson atyre paraqitjen në publik me një imazh krejtësisht të pastër dhe të pranueshëm. Pikërisht falë kësaj aparence ata arrijnë të sigurojnë kontakte me politikanët dhe bëhen të paprekshëm. Nuk mund të harroj një episod që ka ndodhur pak vjet më parë në Tiranë ndërsa diskutonim lidhur me mundësinë për t'i dhënë fund hetimit ndaj një prej këtyre familjeve kriminale shumë të fuqishme. "Kjo është shumë e vështirë", më këshilluan kolegët shqiptarë, ata kanë një grup të armatosur që është shumë më i fortë se policia dhe nëse i prekim rrezikojmë të shpërthejmë një luftë civile".
Cili është aktiviteti kriminal me anë të të cilit pasurohen këto familje ?
Para së gjithash, droga. Tashmë është zhdukur fenomeni i emigrancionit klandestin nga Shqipëria. Në Itali mbërrin tani droga në vend të klandestinëve. Në tre muajt e fundit, sasia e drogës së konfiskuar që vjen nga Shqipëria është rritur dhjetëfish. Nga droga e konfiskuar, 20 për qind është heroinë dhe pjesa tjetër marijuanë.
#
Sa hetime janë ndërmarrë deri tani ndaj baronëve shqiptarë të krimit ?
Praktikisht të 22 qendrat e antimafias italiane në vend kanë nisur hetimet kundër trafikantëve shqiptarë apo trafiqeve të drogës që kalojnë nga Shqipëria. Kriminaliteti shqiptar funksionon në tre drejtime. Një segment jeton në Itali dhe janë furnizuesit që u shesin drogën italianëve. Segmenti tjetër merret me transportin dhe kalimin e drogës nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas. Segmenti i tretë, që është i vendosur në Shqipëri, është më i rëndësishmi. Ata janë grosistët që sigurojnë drogën nga furnizuesit ndërkombëtarë. Mafia shqiptare furnizon jo vetëm Italinë, por edhe Belgjikën, Hollandën, Francën dhe Gjermaninë. Pra, mafia shqiptare, e cila në fillimet e saj sfidonte organizatat e tjera kriminale, tashmë ka monopolin në tregun e drogës.
Nga hetimet në Itali a kanë dalë lidhje mes këtyre grupeve kriminale dhe pushtetit politik apo institucional shqiptar ?
Sa herë që kanë dalë lidhje të tilla në skenë, kemi folur me prokurorin e përgjithshëm shqiptar, Theodhori Sollaku, një profesionist shumë i mirë që tregon përkushtim dhe vendosmëri të madhe.
Po atëherë pse baronët e krimit nuk mund të mposhten ?
Në të gjitha takimet tona ne paraqesim sugjerime, pasi edhe pse është e vërtetë se prokuroria është e angazhuar plotësisht në këtë pikë, për të shkatërruar krimin e organizuar duhen edhe mjete legjislative.
A mund të na jepni ndonjë shembull të mjeteve që mungojnë ?
Ka disa norma që duhen përmirësuar, siç është për shembull përgjimi i telefonatave që mbetet mjet themelor në çdo hetim. Mangësitë në ligje dolën në pah pikërisht në rastin e hetimeve lidhur me vrasjen e shoferit të prokurorit të përgjithshëm. Kolegët tanë shqiptarë patën vështirësi në sigurimin e ndihmës nga kompanitë e telefonisë celulare. Drejtuesit e këtyre kompanive duhet të jenë të detyruar të lejojnë përgjimin e telefonatave. Në kontratën me kompaninë "Vodafone" në vendin tuaj, nuk është parashikuar fare një klauzolë e tillë. Njëkohësisht ligji i policisë gjyqësore mbetet i pazbatuar, ndërsa është shumë e rëndësishme të krijohen reparte të specializuara të policisë për hetimet e krimeve më të rënda. Është shumë e rëndësishme që pranë gjykatës për krime të rënda të krijohet një institucion për krimet më të rënda. Prokuroria na ka kërkuar ndihmë për krijimin e një baze të dhënash për krimet gjë që ende nuk ekziston. Më duhet të shtoj edhe diçka…
Po, mund të flisni…
Duhet garantuar siguria e gjykatësve dhe prokurorëve, duke nisur që nga prokurori i përgjithshëm. Është absurde që makina e tij të kalojë mes për mes Tiranës dhe një njeri çfarëdo që ndodhet pranë semaforit të mund të vrasë shoferin. Makina as nuk ishte e blinduar…
Çfarë po bëhet konkretisht në luftën kundër riciklimit të parave të pista ?
Situata e Shqipërisë është shumë e veçantë. Këtu ka një ekonomi që po tenton të ecë përpara me ritme të shpejta po nëse nuk ka fare kontroll mbi kapitalet, atëherë as nuk mund të flitet për riciklim, por për investim të parave të pista. Grupet e mëdha kriminale i përdorin kapitalet e tyre të paligjshme, nuk i fshehin ato. Ne të antimafias italiane do të shkojmë në Nigeri për të bërë një marrëveshje në luftën kundër krimit. Autoritetet nigeriane kanë kërkuar ndihmë nga zyra italiane e këmbimit valutor pikërisht për të patur një sistem kontrolli mbi këto kapitale dhe për të luftuar fenomenin. Të njëjtën gjë ia kemi ofruar disa herë edhe autoriteteve shqiptare, por deri tani nuk është bërë asgjë.
Në ç'mënyrë investohen këto kapitale të paligjshme në Shqipëri, sipas informacioneve tuaja ?
Kemi paralajmëruar për realitetin shqetësues dhe rrezikun që këto grupe kriminale mund të marrin nën kontroll disa sektorë të ekonomisë, të blejnë apo të kushtëzojnë median. Ne kemi sugjeruar shumë shpesh krijimin e një mekanizmi që mund të jetë i ngjashëm me atë të "masave parandaluese" që përdorim në Itali.
A mund ta shpjegoni më mirë ?
Për shembull, nëse shohim se ka të dhëna për lidhjet e një sipërmarrësi me aktivitete kriminale, edhe pse mungojnë provat e duhura për ta arrestuar ne verifikojmë të gjithë pasurinë e tij. Nëse ka një disproporcion mes asaj që përfiton nga biznesi dhe pasurisë së vërtetë në total, ne sekuestrojmë pasurinë. Pastaj i kërkojmë të tregojë se si i ka siguruar të ardhurat. Më një mjet të këtij tipi ka dy mundësi; ose zbulohet një evazor fiskal (që ka siguruar të ardhurat pa paguar taksat), ose zbulohet një mafioz.
Krijoni Kontakt