Kërkojmë riatdhesimin e çamëve. Kompensimi është tradhti ndaj çështjes
TIRANË – Kryetari i shoqërisë politike-atdhetare “Çamëria”, Selman Sheme deklaroi dje, se çamët kërkojnë kthim fizik të pronave dhe jo kompensim të tyre. I pyetur nga “Shekulli”, lidhur me deklaratën e një dite me parë të kryeministrit grek Kosta Simitis, Sheme e cilësoi si një deklaratë që tregon një lloj evoluzioni të politikës greke drejt njohjes së disa të vërtetave historike. Por, tha ai kryesia e shoqërisë në emër të të gjithë çamëve do të besojë se ka nisur t’i jepet rrugëzgjidhje çështjes çame, vetëm atëherë “kur amendamentet t’i kalojnë Parlamentit dhe ai të abrogojë ligjin e luftës”. “Ne mendojmë që edhe me heqjen e ligjit të luftës nuk realizohet zgjidhja tërësore e problemit çam. Ne kemi deklaruar si kryesi e shoqatës se kërkojmë së pari riatdhesimin dhe riatdhesimi kërkohet për faktin se komuniteti çam, prej 250 mijë vetësh jetojnë si refugjatë dhe është i vetmi rast unik pas Luftës së Dytë Botërore që një komunitet dëbohet me forcë dhe nuk i jepet e drejta të kthehet në pronat e veta”, -sqaroi Sheme. Ai theksoi se “Greqia duhet të kërkojë falje publike”. Megjithatë ata janë të përgatitur t’i drejtohen Gjykatës së Hagës, sepse spastrimi etnik, sipas Shemes, përbën krim kundër njerëzimit. “Greqia është e detyruar të dëmshpërblejë komunitetin çam për humbjet njerëzore dhe materiale që ka shkaktuar në vitet 1944-1945 nëpërmjet këtij spastrimi etnik, këtij genocidi të ushtruar në këto vite”.
Pasuria
Ndërkaq pronat e çamëve llogariten në një shifër mbi 2.5 milionë dollarë, ku futen vreshta, agrume, ullishte, troje, shtëpi, dyqane, kullota, pyje, të cilat kapin një sipërfaqe prej 5000 km2. Sekuestrimi më i madh i pronave të çamëve është bërë gjatë viteve 1944-1945. Kryetari i shoqërisë “Çamëria” tha se në fakt deklarata e Simitis ishte pak evazive. “Nëse është fjala për kompensim, ai është për shfrytëzimin që i është bërë kësaj prone prej 60 vjetësh”, -sqaroi Sheme.
Rrugët
Ndërkohë rrugët që do të ndiqen për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes çame janë dy, sipas kryetarit të kësaj shoqëria. “Do t’i drejtohemi Gjykatës së Hagës dhe kemi filluar procedurat, e cila të bëjë një zgjidhje përfundimtare ku e paditur është pala greke, që genocidi kundër popullsisë çame përbën krim kundër njerëzimit”, -tha ai. Ndërsa rruga e dytë është gjyqi i Strasburgut. Po kështu çështja do të ndiqet edhe në gjykatat greke. Sipas tij, lajme nga Athina bëjnë të ditur se po përgatiten amendamente nga qeveria greke e cila mendon të zgjidhë çështjen nëpërmjet kompensimit. “Nëse është fjala për kompensim të të gjithë pronave, kjo është e papranueshme. Nëse është fjala për kthim fizik të pronave dhe për kompensim në ato raste kur në pikpamje teknike kthimi është i pamundur , këto zgjidhen me marrëveshje dhe janë të pranueshme”, -nënvizoi Sheme. Ai tha se “nuk pranojmë kompensim, sepse kompensimi do të thotë tradhti ndaj çështjes kombëtare çame”.
Darina Tanushi
Pronat e çamëve
Në shifra: 2.5 milionë dollarë
Sipërfaqe prej 5000 km2vreshta
agrume
ullishte
troje
shtëpi
dyqane
kullota
pyje
Krijoni Kontakt