Diplomacia, tre krerët martesa me të huaj
B. Sinani
Gruaja e Bashës nënshtetase holandeze, Edit Harxhi edhe nënshtetësi turke, Sekretari i Përgjithshëm grua franceze
TIRANË- Për herë të parë në historinë e diplomacisë shqiptare, ndodh që tre krerët më të lartë të saj (në rast se miratohet edhe Lulëzim Basha ministër i Jashtëm) kanë në krahun e tyre bashkëshortë që nuk mbajnë shtetësinë shqiptare. I pari që ka "thyer" historinë është ministri i emëruar nga kryeministri Berisha, Lulëzim Basha, i cili është në pritje të dekretimit nga Moisiu dhe të votimit nga Kuvendi. Po ashtu, edhe zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, e cila mban dy nënshtetësi, atë shqiptare dhe turke (pasi Turqia e lejon) dhe është e martuar me një qytetar turk. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se, edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ferid Hoxha, është i martuar me një grua franceze. Hoxha ka qenë ambasador në Francë dhe gjatë qëndrimit të tij atje, është martuar me një grua me shtetësi franceze. E ndërsa zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi e kishte deklaruar publikisht shtetësinë e bashkëshortit të saj, ajo që nuk dihej deri më tani ishte pikërisht shtetësia e bashkëshortes së ministrit të emëruar për postin e Jashtëm, Lulëzim Basha. Në sitin e Presidencës, pikërisht tek dekretet për dhënie shtetësie, vihet re se në vitin 2004, me propozim të ministrit të atëhershëm të Rendit Publik, Aurela Xhaferr Isufit (që është bashkëshortja e Bashës) i është pranuar kërkesa për lejim lënie shtetësie, ç'ka shënon rastin e parë dhe ndoshta unik në historinë e diplomacisë shqiptare, që një ministër i Jashtëm i një vendi ka për bashkëshorte një shtetase joshqiptare. Në fakt, ajo që mbetet e paqartë deri me tani dhe vlen për t'u interpretuar, është fakti nëse lejohet që një ministër i Jashtëm të ketë një bashkëshorte me shtetësi të huaj. Në ligjin "Për shërbimin e jashtëm" të vitit 2003, thuhet vetëm se, "kërkesat për pranimin në shërbimin e jashtëm pranohen nga personat, të cilët kanë shtetësi shqiptare dhe banim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë". Burimet cilësuan gjithashtu se, ekziston edhe një Vendim i Këshillit të Ministrave, që në fakt prek vetëm diplomatët, të cilëve preferencialisht u kërkohet që të mos kenë bashkëshortë më shtetësi të huaj. Ndërkohë, propozimi për emërimin e Lulëzim Bashës si ministër i Jashtëm, është protokolluar dje në Presidencë dhe që nga dje, kreu i shtetit ka vetëm 7 ditë kohë për të vendosur nëse do të dekretojë ose jo miratimin e propozimeve të reja, që kryeministri Berisha zhvilloi pas dorëheqjes se ministrit të Jashtëm, Besnik Mustafaj. Presidenca nuk ka komentuar asgjë deri më tani lidhur me dy emrat e emëruar, (Sokol Olldashi tek Transportet dhe Lulëzim Basha tek Diplomacia) duke respektuar vendimin që do të japë presidenti Alfred Moisiu, i cili do të zhvillojë një sërë negociatash deri në përfundim të afatit, për dekretimin e dy ministrave të emëruar.
Shekulli
Krijoni Kontakt