Janë zbuluar dje në Tiranë, në afërsi të mozaikut, tre objekte të tjera të periudhës romake. Bëhet fjalë për disa gurë varri, mbi të cilat janë gdhendur imazhe dhe gërma
Pjesë-pjesë, Tirana antike, po krijon imazhin e saj. Pas zbulimit të rastësishëm të një stereje uji dhe disa shkallëve, gjatë gërmimit për shtrirjen e kanalizimeve të ujërave të bardha, nga Bashkia e Tiranës, gjatë ditës së djeshme, punëtorët kanë gjetur disa objekte të tjera. Bëhet fjalë për disa stela, apo gurë funerarë (varri), të përmasave të mëdha, të cilat mendohet t’i përkasin shek. III të erës sonë. Mbi tre objektet ka vizatime të gdhendura, si edhe disa shkronja, të cilat duhet të studiohen dhe të identifikohen. Mbi njërin prej tyre dallohet fare qartë një trajtë njeriu me veshje karakteristike, por pa kokë. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale Monumenteve të Tiranës, Genc Samimi, vendi ku këto objekte u gjetën, nuk ka qenë vendndodhja e tyre fillestare. Sipas tij, ato mund të jenë gjetur gjatë hapjes së një tuneli aty pranë, apo të ndonjë objekti tjetër dhe janë groposur më pas, pse jo edhe mund të jenë fshehur. Kjo vërtetohet prej faktit që poshtë këtyre gurëve të varrit janë gjetur tulla të zakonshme, apo materiale të tjera që i përkasin kohës së tanishme. Punëtorët e firmës së ndërtimit i kishin zhvendosur gurët prej vendit, për në oborrin e ateliesë rajonale, ku specialistët janë duke punuar për pastrimin e tyre prej dherave, me qëllim daljen në dritë të elementëve të tjerë. Pavarësisht zhvendosjes, objektet nuk kanë pësuar dëmtime falë kujdesit punëtorëve të firmës që po hap kanalizimet. “Nga sa kemi dalluar deri më tani, në bashkëpunim me specialistë të tjerë, si nëndrejtorin e Institutit të Arkeologjisë, Ilir Gjipalin dhe prof. Skënder Muçën, njëri prej objekteve të gjetur, para se të shërbente si stelë varri, mund të ketë qenë pjesë e një qemeri me hark, ndërsa tjetri, i cili ka edhe përmasa më të mëdha, ka karakteristikat tipike të një guri varri”, - thotë Samimi. Sipas tij, kjo është një tjetër dëshmi, që në zonën ku është bërë zbulimi, mund të ketë ekzistuar një komunitet i tërë. “Nuk është e mundur që Tirana ta ketë fillesën e vetë në vitet 1600. Objektet që ne po gjejmë nga dita në ditë, na bëjnë të besojmë që në këtë zonë, duhet të ketë edhe shumë objekte të tjera. Për këtë arsye, jemi në përpjekje për të blerë truallin përreth muzeut, për të bërë gërmime të tjera arkeologjike. Gjithashtu do të kemi nën vëmendje dhe hapjen e themeleve për ndërtimin e një pallati këtu pranë. Këtu gjenden rrënojat e një ndërtese romake të shek.III, e cila më vonë është përshtatur në një shtëpi të krishterë dhe ku ka kishë, ka gjithmonë edhe komunitet”, - thotë Genc Samimi, duke shprehur edhe nevojën e caktimit të një arkeologu, për të ndjekur punimet që po kryhen nga firma e ndërtimit. Sipas Samimit e gjithë Tirana është e rrethuar nga kala të rëndësishme, siç është ajo e Persiopit, e Petrelës, Ndroqit, që i përkasin periudhave të hershme dhe si rrjedhim, Tirana ka një parahistori.
“Nuk është e mundur që Tirana ta ketë fillesën e vet në vitet 1600. Objektet që ne po gjejmë nga dita në ditë, na bëjnë të besojmë që në këtë zonë, duhet të ketë edhe shumë objekte të tjera. Për këtë arsye, jemi në përpjekje për të blerë truallin përreth muzeut, për të bërë gërmime të tjera arkeologjike.
Krijoni Kontakt