Shembujt që lidhen me mënyrën se si janë privatizuar disa objekte shtetërore, tregon se në një pjesë të tyre ato i kanë fituar "të fortët" me burime financimi të dyshimta, në të ashtuquajturat ankande publike ku ka marrë pjesë në shumicën e rasteve vetëm një person (sepse çuditërisht ligji e lejon diçka të tillë) duke bërë pagesa marramendëse, apo shembujt e ndërtimeve që kushtojnë disa milion dollarë...

Sollaku: "Të fortët" privatizuan objektet shtetërore

Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ka lëshuar alarmin se shumë prej objekteve shtetërore të privatizuar janë në duar të personave me biznes të paligjshëm e me financime të dyshimta. Sollaku thotë se janë bërë pagesa marramendëse për këto privatizime. Kryeprokurori Sollaku është shprehur se shumica e këtyre ankandeve publike janë zhvilluar jo në përputhje me ligjin dhe shpesh herë ka pasur vetëm një pjesëmarrës. "Shembujt që lidhen me mënyrën se si janë privatizuar disa objekte shtetërore, tregon se në një pjesë të tyre ato i kanë fituar "të fortët" me burime financimi të dyshimta, në të ashtuquajturat ankande publike ku ka marrë pjesë në shumicën e rasteve vetëm një person (sepse çuditërisht ligji e lejon diçka të tillë) duke bërë pagesa marramendëse, apo shembujt e ndërtimeve që kushtojnë disa milion dollarë, ku asgjë nuk kalon nëpërmjet bankës, por veçse në cash," është shprehur kryeprokurori Theodhori Sollaku. Për të parandaluar këtë fenomen Sollaku thotë se duhet të implementohet sa më shpejt ligji për pastrimin e parave, si një formë e mundshme për ndalimin e investimeve të paligjshme. Kryeprokurori Sollaku ka dhënë alarmin për fuqinë ekonomike në rritje të grupeve kriminale, të cilat po vazhdojnë të sfidojnë shtetin. "Nëse nuk ndërhyhet për të normalizuar e kontrolluar situatën, fuqia ekonomike e organizatave kriminale, jo vetëm që nuk do të dobësohet, por përkundrazi. Për pasojë njerëzit e kriminalizuar do të vazhdojnë të sfidojnë shtetin," ka thënë kryeprokurori Theodhori Sollaku për gazetën e Prokurorisë. Prokurori Sollaku ka kërkuar një vullnet më të madh politik ndaj krimit të organizuar. Ai sheh si metodën më të efektshme në këtë luftë, atë të varfërimit të grupeve të krimit të organizuar. Kjo duke ndaluar investimin e parave të paligjshme në një biznes të ligjshëm. Sipas tij fuqia e madhe ekonomike e këtij krimi të organizuar, ka bërë që ata të jenë në gjendje për të sfiduar shtetin. "Pavarësisht nga arritjet e deritanishme të policisë dhe prokurorisë, trafikantët në përgjithësi kanë arritur të sfidojnë shtetin," shprehet kryeprokurori. Sipas kryeprokurorit Theodhori Sollaku, Prokuroria nuk i ka dhënë goditje të fortë këtij fenomeni, pasi ligji për pastrimin e parave nuk është implementuar ende dhe se ai ka nevojë për një sërë përmirësimesh. "Të fortët" që kanë privatizuar objekte shtetërore në mënyra korruptive duke dhënë shuma marramendëse parasysh, janë denoncuar shpesh herë nga parti politike në vend gjithashtu edhe nga media. Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme dhe institucioni i akuzës në përgjithësi nuk ka nisur ndjekje penale për këto. Sollaku thotë se në Shqipëri në fushën e ndërtimit janë bërë investime miliona dollarëshe, para këto që nuk kalojnë nëpër banka, por në dorë (cash). Prokuroria ende nuk ka njoftuar bllokimin apo sekuestrimin, qoftë edhe një prej këtyre pallateve, për burime të dyshimta të ardhurash. Kryeprokurori Sollaku thotë gjithashtu se trafikantët janë një problem i madh për shtetin shqiptar. "Përvoja tregon se shtetasit shqiptarë të përfshirë në rrjetet e trafiqeve, veprimtarinë e tyre e ushtrojnë jashtë Shqipërisë, atje ku janë tregjet e narkotikëve dhe të prostitucionit, ndërsa në Shqipëri qëndrojnë kryesisht pjesëtarët e këtyre rrjeteve që merren me tranzitimin e drogës dhe me investimet e të ardhurave që nxjerr veprimtaria kriminale jashtë Shqipërisë," thotë Sollaku. Një problem tjetër që sheh Sollaku në luftën e dobët ndaj krimit të organizuar është edhe motivimi i dobët i policisë për të luftuar këtë krim. Fajin kryesor ai e sheh tek rroga e ulët e policisë. Sollaku kërkon që policëve shqiptarë t'u ngrihet rroga dhe të trajtohen si kolegët e tyre jashtë vendit, kjo sipas tij qoftë edhe duke ulur "rrogat tona".



Marre nga Tema