Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869

    Depozitat në Portin e Durrësit rrezikojnë 120 mijë banorë.

    Durrësi, banorët dhe investimet përreth tij rrezikohen nga depozita e naftës që janë në Portin e detar të qytetit. Paralajmërimi serioz vjen prej dy specialistëve të punësuar nga Banka Botërore në Tiranë për të studiuar fizibilitetin e portit. Sipas studimit që ndodhet në Ministrinë e Transporteve, depozitat e naftës rrezikojnë jo vetëm zonën, por edhe njerëzit dhe investimet e tyre.

    Sipas raportit të dy specialistëve një re avulli që mund të ngrihet nga depozitat rrezikohen të shpërthejë dhe të shfarosi gjithçka 29 Km. Nga kjo mund të vihet në rrezik jeta e 120 mijë banorëve dhe të ketë 800 milionë dollarë dëme. Një version tjetër i rrezikut që vjen nga depozitat mund të jetë ai i rrjedhjes së tyre dhe ndotja së Plazhit të "Apllonisë", ndërkohë që ekzistojë edhe disa mundësi të tjera që depozitat të jenë të rrezikshme si për jetën e banorëve ashtu edhe për investimet e tyre.

    Kompanitë greke të naftës i ka thënë Ministrisë e Transporteve se nuk kanë ndërmend të largohen nga ky Port, derisa nuk do të ketë zhvillime në punimet e Korridorit 8. Deklarata që pronarët e 13 depozitave të naftës i drejtuan dje Ministrisë së Transportit, tregonte dhe njëherë se kompanitë e naftës janë shumë më të fuqishme se vetë shteti shqiptar. Afati për largimin e tyre në drejtim të Bishtit të Pallës ka skaduar në kohë.

    Moslargimi i këtyre depozitave është bërë prej vitesh një pengesë serioze për zhvillimin e masterplanit të Korridorit 8.

    Ultimatumi i Bankës Botërore për t'i larguar ato, që jo vetëm bëhen pengesë e zhvillimit të Korridorit 8, por ato janë një minë me sahat për jetën e banorëve, ende qëndron si një ultimatum i pavlerë për qeverinë shqiptare dhe disa firma greke, që po tallen haptazi me vendimet e shtetit shqiptar dhe investimet tona.

    Drejtues të Bankës Botërore në Shqipëri janë shprehur kohë më parë se, "mosheqja e këtyre depozitave rrezikon rreth 200 milionë dollarë investime të huaja për këtë port".

    Por kompania greke "Hellas Petrolium", e cila ka një kontratë 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për të qëndruar në portin e Durrësit, ka deklaruar se prishja e kësaj kontrate do t'i kushtonte shumë, ndaj ajo kërkon rimbursim nga qeveria shqiptare.

    Sipas një vendimi të para një viti të qeverisë, këto depozita duhet të zhvendoseshin në "Bishtin e Pallës", por vendimi nuk është zbatuar ende.

    13 depozitat gjigande tashmë kanë zënë rrënjë në portin më të madh të vendit. Përveç jetës së banorëve të Durrësit, depozitat kërcë-nojnë edhe investimet.



    Specialistët e Mjedisit

    Parku Kombëtar i Dajtit, më i mirëmbajturi

    Parku Kombëtar i Dajtit në Tiranë është një nga zonat më të mirëmbajtura në territorin e Shqipërisë. Ky është opinioni që shprehin specialistë të mjedisit, për zonën turistike me vlera të mëdha për florën kombëtare shqiptare. Me një sipërfaqe prej 10 269 hektarësh, Parku Kombëtar i Dajtit është pjesë e 384 zonave të mbrojtura, territore që ruhen me shumë kujdes nga shteti. Ai shtrihet në zonën lindore të kryeqytetit shqiptar, në shpatin e malit të Dajtit, nga i cili ka marrë edhe emrin. Në vitin 1966 u krijua zyrtarisht Parku Kombëtar i malit të Dajtit, flora dhe fauna e tij prej këtij viti nisi të mbrohet me ligj nga shteti, dhe i tillë vazhdon deri në ditët tona. Sipas specialisëve të mjedisit, një zonë pyjore quhet park kombëtar kur ajo dallohet për vlera të rralla të florës dhe faunës. Eshtë e nevojshme që në një zonë të tillë të ruhet i paprekur ekosistemi natyror ekzistues, si dhe të ndalohet gjuetia, kullotja, shfrytëzimi industrial apo ndryshime të çdo lloji.



    Fabrika e Oksigjenit, ende mbyllur

    Fabrika e vetme e Oksigjenit në Shqipëri vazhdon të qëndrojë e paralizuar, duke sjellë herë pas here vështirësi në furnizimin e konsumatorëve e sidomos të spitaleve me oksigjen. Burime nga Elbasani bëjnë të ditur se edhe mbas nënshkrimit të marrjes me konçension të fabrikës nga një kompani turke, ende nuk duken shenja për fillimin e investimeve. Konçensioni erdhi mbas një cikli bisedimesh midis zv/ministrit të Energjitikës, Arben Ahmataj dhe drejtuesve të kompanisë turke. Në Kombinatin Energjitik të pohojnë se mungesa e njohjes së realitetit çoi sipas tyre në një konçension jo efektiv dhe abuziv.

    Ata rendisin strategjinë e qëllimtë të falimentimit të fabrikës dhe argumentojnë se ajo u mbështet nga njerëz që nuk e njihnin sektorin. Duket se premtimet dhe promovimi për investimet e kompanisë ishin vetëm për të argumentuar bllokimin përfundimtar të prodhimit të oksigjenit nga kompania shtetërore.

    Ndërkohë, burime pohojnë se nuk u realizua asnjë konsulencë tekniko-ekonomike për të mbërritur një konkluzion të drejtë për të ardhmen e këtij sektori.

    "Ndërkohë që bisedohej për konçensionin, njëkohësisht punohej për të bindur qeverinë për ngritjen e çmimit të oksigjenit, kërkesë kjo e refuzuar për vite me radhë" pohojnë burimet. I pyetur për të ardhmen e prodhimit të oksigjenit, një drejtues i Kombinatit Energjitik Elbasan që nuk dëshiron të identifikohet thotë, se ka ardhur momenti që prodhimi të liberalizohet dhe sjell si shembull sistemin e prodhimit të lëvizshëm (minifabrika të lëvizshme që furnizojnë me oksigjen të lëngshëm). Fabrika e Oksigjenit pranë kompleksit industrial të Metalurgjikut në Elbasan, ishte e vetmja e këtij lloji në vendin tonë. Prej disa muajsh ajo është mbyllur dhe që në fillim, krijoi çrregullime dhe solli alarmin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Këto e kanë të domosdoshëm përdorimin e bombulave të oksigjenit dhe furnizohej ekskluzivisht nga kompania shtetërore. Disa muaj më parë, përmes një lejeje të ligjshme, një kompani industriale turke, e cila ka marrë në konçension shumëvjeçar ish-fabrikën e shkrirjes së çelikut, nisi ndërtimin e një minifabrike oksigjeni, fare pranë asaj ekzistuese, shtetërore. Pikërisht këtu filloi procesi i falimentimit të fabrikës. "Firma turke Kurum, që ka marrë me konçension uzinën e çelikut ndërpreu konsumin e oksigjenit nga ndërmarrja shtetërore, duke prodhuar vetë me një impjant paralel", deklaron ish-drejtori i fabrikës, Fatmir Qosja.

    Pas vendimit të qeverisë shqiptare për lejimin e firimës turke që të hapë një minifabrikë paralele, e cila sipas Qoses nxorri jashtë loje krejtësisht fabrikën e vetme shtetërore në vend dhe nxorri të papunë të paktën 100 punonjës. Nga ana e tyre, përfaqësues të firmës turke Kurum, argumentuan se, e ndërprenë blerjen e oksigjenit nga fabrika shtetërore, për shkak të rritjes së tarifave. Ndërsa drejtuesit e fabrikës shtetërore të oksigjenit theksojnë, se rritja e tarifës së blerjes së oksigjenit erdhi pasi u rrit tarifa e energjisë elektrike.

  2. #2
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869
    Janë djegur 4 transformatorë të 4 kabinave elektrike tejet të përmbytura, ato që kanë lënë pa energji elektrike, pothuaj gjysmën e qytetit të Fierit, e sidomos lagjet "1 Maj", "Kryengritja e Fierit", "11 Janari", "Liri Gero", "Sheq i Madh", "Sheq i Vogël", e "Qenas". Kjo përmbytje nga shiu dhe llumi nxorën jashtë kontrollit kabinat elektrike, të rreth 600 familjeve. Gjithashtu sipas drejtores të filialit elektrik në Fier, Adelina Shatipati, përmbytje në Ballsh në nënstacionin e Poçemit, i cili doli jashtë pune jo më pak se 4 ditë. Dhe këtë fat për rrjedhojë patën dhe 400 familje të zonës së Komunës Fratar në Mallakstër. Po kështu dhe në Patos është një filtër i fshatrave të Patosit, që është dhe ai aktualisht jashtë pune, për shkak të përmbytjeve.

    Pas një pune të këtij stafi, inxhinierë dhe punëtorë me atë mundësi që patën, u arrit që për pak orë, 4 transformatorët e Fierit të vihen në punë. Por shirat e përsëritur kanë bërë sërish që këta transformatorë të amortizuar të përmbyten sërish dhe gjysma e qytetit të Fierit, të përjetojë sërish ferrin e errësirës. Gjithashtu dhe në nënstacionet e tjera të qytetit ka probleme sporadike të mbingarkesës, rrjetit të amortizuar, shiut dhe erërave, ndaj dhe gjysma tjetër e qytetit jeton në ankthin e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike. Por edhe më e rëndë është situata energjitike në zonat rurale të Fierit, ku banorët e shumë fshatrave më shumë nuk kanë drita sesa kanë. Kështu në zonën e Varibopit, Cakranit, Portëz, etj., fshatarët mallkojnë çdo çast veten që fati i ka sjellë të banojnë aty. Energjia elektrike në këto fshatra mungon më shumë se 18 orë dhe elektriçistë pohojnë se edhe pse ata punojnë vazhdimisht me riparimin e shumë defekteve, fshatrat vazhdojnë të mbesin në errësirë, pasi duhet një fond tepër i madh për riparimin e përhershëm të tyre. Sipas drejtores Shati, ky filial i ka kërkuar KESH-it dhe nevojat më emergjente të bazës materiale, si kabllo, tela, izolatorë, etj., por që deri tani këto ndihma të emergjencës, "nuk po bëhen të gjalla" nga KESH-i.

    L.DEMIRAJ



    Të gjitha apartamentet me euro, taksat e larta dhe mungesa e tokave në kryeqytet rrisin çmimin e shtëpive

    Ndërtimi, tani shtëpi blejnë vetëm milionerët

    Eshtë bërë tashmë normale që për të blerë një apartament në qendër të Tiranës të flasësh për vlera 100 mijë euro e sipër. Qendra e Tiranës mund të jetë privilegj vetëm i një kaste të ngushtë milionerësh që mund të paguajnë kesh në dorë vlera të paimagjinueshme për një apartament deri para një viti. Ndërtuesit tashmë janë vënë në një konkurrencë të ashpër me njëri-tjetrin jo vetëm për të siguruar sheshe ndërtimi, por dhe leje dhe duket se i gjithë ky proces ka rritur ndjeshëm koston e një apartamenti. Specialistët e ndërtimit tregojnë se tashmë vëmendja e ndërtuesve është kthyer tek ndërtimet e vjetra, të cilët mund të shemben, duke krijuar sheshe ndërtimi vlera e të cilave është e lartë. Nga ana tjetër, taksat e ngritura për ndërtimin kanë bërë që vlera e një metri katror të rritet ndjeshëm pa llogaritur vlerën e tokës dhe më pas " gjobat" që paguhen nën dorë për të përfituar një leje ndërtimi. Të gjitha këto kanë bërë që kur flitet për një apartament duhet të matesh mirë ose të harrosh një herë e mirë atë që quhet zona 1 në Tiranë dhe të përfitosh nga hyrjet e vjetra që shiten në zona më periferike se qendra.

    Kështu që nga momenti që apartamentet në kryeqytet kanë kapur vlera të paimgjinueshme, ka filluar dhe problemi i apartamenteve të mbetura stok në shpresën e dhënies me qera. Sondazhet e INSTAT-it kanë treguar se ka përfunduar koha e blerjes që në themel të apartamenteve në çdo pallat që ngrihet dhe se tashmë tregu është i tejmbushur me oferta apartamentesh madje dhe në zonat më të mira. Raporti kërkesë-ofertë në këtë treg ka ndryshuar dhe kërkesat për shtëpëi edhe pse problemi i strehimit nuk është zgjidhur, kanë rënë ndjeshëm. Specialistët e ndërtimit e shpjegojnë këtë fakt me çmimet e kripura të ndërtimeve të reja, ndërkohë që kanë filluar të rritet interesi dhe për apartamentet në ndërtimet e vjetra që mbi të gjitha kanë hipoteka të sigurta. Kështu sipas të dhënave të ofruara nga INSTAT janë 12500 banesa të pazëna që presin të gjejnë një pronar në shkëmbim të një shume të majme në lagjet 5 dhe 10 në kryeqytet, që janë dhe lagjet më të preferuara.

    "Kushtet shëndetësore dhe të strehimit të përshtatshme janë themelore për mirëqenien e individëve e familjet e tyre, sepse ndikojnë mbi vdekshmërinë e gjëndjen shëndetësore si dhe mbi lëvizshmërinë në hapësirë", thuhet në Raportin e fundit të INSTAT. Por për fatin e keq për Shqipërinë mund të thuhet se ka një popullisë që jeton keq nisur dhe nga hapësira e ngushtë për metrat katror që i takon çdo personi që disponon një shtëpi, ndërkohë numri i të pastrehëve pavarësisht boom - it të ndërtimeve në 10-vjeçarin e fundit është rritur ndjeshëm.

    Ndërkaq dhjetë vjeçari i fundit është konsideruar si nga më prodhimtarët për sa i takon sektorit të ndërtimeve. Por jo vetëm thjesht nga nevojat e mëdha për strehim, por më tepër nga norma e lartë e fitimit që ka sektori i ndërtimit mund të thuhet se numri i pallateve shumëkatëshe që janë ndërtuar që nga '96, ka ndihmuar ndjeshëm në strehimin e popullatës gjithnjë e në rritje në kryeqytet. Pronarët e ndërtimeve të reja sipas statistikave janë përgjithësisht të ardhurit që kanë shitur shtëpitë apo pronat për të blerë një banesë në kryeqytet, por dhe vetë banorët e vjetër të Tiranës, të cilët kanë grumbulluar paratë e emigracionit për të patur të sigurtë një shtëpi.



    Një apartament

    në kryeqytet, ja sa

    paguhet në zonën 1



    Vlera më e ulët e një apartamenti brenda Unazës është 600 euro për metër katror, ndërkohë që vlera më e larta e regjistruar po brenda kësaj zone, është 1200 euro për metër katror. Ligji i ri i tatimit të apartamenteve ku dyshemeja fillon me 350 dollarë e sipër, ka bërë që të gjithë ndërtuesit de fakto të rrisin ndjeshëm çmimet për një metër katror. Ndërsa deri dje pazaret bëheshin me dollarë, sot të gjitha shtëpitë shiten vetëm me euro dhe kjo ju ka mundësuar ndërtuesve të mos humbasin asnjë lek nga ndryshimet e ndjeshme të kursit të valutave. Kështu brenda ish-bllokut të gjitha apartamentet shiten me 1 mijë euro metri katror dhe të njëjta çmime kanë dhe zoant përreth Kryeministrisë, Stadiumit "Qemel Stafa", Rrugës së "Elbasanit", Presidencës, etj.

    Ndërkaq sipas të dhënave të INSTAT të mbledhurea në studimin mbi tregun e banesave në Tiranë, ndodh që banesa të vogla me 1-2 dhoma janë më të shumta se në pjesën tjetër të vendit, duke zënë 57-55 përqind të banesave. Sipas shifrave të fundit 40 përqind e banesave kanë sipërfaqe banimi nga 40-69 metra katrorë, ndërkohë që 30 përqind e tyre kanë kubaturë nga 70-100 metra katrorë dhe vetëm 10 përqind kanë kubaturë mbi 100 metra katrorë. Ndërkohë numri i personave që banojnë në to del se, është në mënyrë jo përpjestimore. Kjo vjen dhe si pasojë e karakterit të shtrënguar dhe jo fleksibël të tregut të ndërtesave, ku pjesa më e madhe e familjeve janë pronarë të banesës ku jetojnë.

    Ndërkohë, për sa i takon kubaturës në nivel vendi, pjesa më e madhe e banesave 76 përqind kanë dy ose tre dhoma, 12 përqind dalin me një dhomë dhe 12 përqind paraqiten me përmasa më të mëdha katër dhoma e lart. Sipas INSTAT shpërndarja e banesave sipas madhësisë ndryshon nga pikëpamja territoriale. Në fshat shfaqen më tepër banesat e mëdha, ndërkohë që qyteti për shkak të dendësisë më të mëdhe ka banesa dy dhomëshe që përbëjnë dhe 40 përqind të ndërtimeve.

    Ndërkaq sipas INSTAT fondi i banesave në Shqipëri është karakaterizuar nga ndërtesa me një numër të pakët banesash në to dhe veçanërisht në fshatrat apo qytetet me më pak se 10 mijë banorë. Në qytetet e mëdha si Tirana, banesat e pazëna paraqiten të shpërndara mesatarisht në 7-8 përqind, raport ky që del se është më i lartë se gjithë pjesa tjetër e vendit.

    Ndërkohë pjesa më e madhe e ndërtesave në Shqipëri është e tipit konvencinal, që janë banesat me një apo shumë hyrje, ndërkohë që banesat jo konvencinale që konsiderohen ato kolektive dhe të përkohëshme për qëllime emergjente zënë vetëm 1.4 përqind të numrit total të banesave. Pikërisht në lidhje me këto banesa, INSTAT konstaton se në qytetet e mëdha si Tirana është rritur përqindja e tyre, duke shkuar deri në 1.8 përqind si pasojë e dyndjes së popullsisë dhe e mundësive të vogla për të siguruar një banesë konvencionale.

Tema të Ngjashme

  1. Identiteti evropian i shqiptarëve
    Nga Iliriani në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 572
    Postimi i Fundit: 02-05-2012, 15:45
  2. Terminal i ri pasagjeresh ne portin e Durresit.
    Nga DYDRINAS në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 10-05-2008, 09:05
  3. Nga Iliret deri tek Shqiptaret!
    Nga tani_26 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 06-03-2007, 21:53
  4. Mesjeta e hershme shqiptare
    Nga DYDRINAS në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 15-11-2006, 15:10
  5. Historia ndryshe e kufijve të Shqipërisë së vogël
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 25-03-2006, 16:25

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •