Xhaferri: Himara, jo reagime nervoze por projekte
Intervistoi: Ylber LILI
KUVAGA HIMARIOTE
Fushata parazgjedhore, zgjedhjet lokale në Shqipëri, fenomeni irritues i Himarës, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, shqiptarët në raport me standardet dhe vlerat demokratike evropiane janë disa nga pikat kryesore që kryetari i PDSH-së në Maqedoni dhe një nga politikanët më me autoritet në hapësirën shqiptare, Arbën Xhaferi, prek në këtë intervistë ekskluzive për “Shekullin”.
Z. Xhaferi, si i vlerësoni zgjedhjet lokale në Shqipëri në krahasim me zgjedhjet e viteve të kaluara? Cilat, sipas jush, ishin karakteristikat që dolën në pah gjatë këtyre zgjedhjeve nga partitë politike? Si e vlerësoni qasjen e mediave?
Marrë në tërësi, zgjedhjet në Shqipëri shënuan një përmirësim jo vetëm të organizimin administrativ, por edhe të paraqitjes së ofertave politike. Shikuar ashtu nga distanca, veçohen disa karakteristika që ndoshta nuk mund të vërehen po qe se nuk ndodhesh brenda vlugut, atmosferës së animit. Karakteristika e parë ishte estetizimi. Partitë politike angazhuan regjisorë dhe dizenjues të ndryshëm për të prezantuar ofertën e tyre në një paketim sa më të pëlqyeshëm. Në fillim të fushatës, përmes sugjestivitetit tipik të regjisorëve u krijua përshtypja se elektorati duhet të zgjedhë pakot e estetizuara dhe jo përmbajtjen. Bëhej një zëvendësim i pahetueshëm i përmbajtjes politike me ofertën estetike, kështu, pak nga pak, skenat politike u shndërruan në një teatër, që ndikoi që këto zgjedhje të duken më atraktive. Edhe me këtë rast u vërtetua se politika ka fuqi magjepsëse dhe vë në veprim të gjithë faktorët shoqërorë. Karakteristika e dytë e këtyre zgjedhjeve ishte oferta politike. Nuk duhen analiza të thelluara për të konstatuar se kjo ofertë zhvillohej në relacionin "mik-armik". Natyrisht se ka pasur edhe përjashtime që meritojnë çdo respekt. Ky relacion mik-armik është fondamental në politikë, ngase në mënyrë më efikase e mobilizon popullatën duke polarizuar shoqërinë. Njërëzit kanë nevojë të thellë të jenë mik më dikë dhe armik me dikë tjetër. Tifozeria është thellë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Ai që është me ty, pra që i takon grupit tënd, trajtohet si mik dhe atij i tolerohen të gjitha gjynahet, ndërsa ai që i takon grupit tjetër trajtohet si armik dhe nuk i tolerohet asgjë. Neutralët trajtohen si njerëz impotentë, dinakë apo të dyshimtë. Ky polarizim në shoqëritë në fazën fillestare të demokracisë është absolut, ndërkaq në shoqëritë demokratike është i sofistikuar. Polarizimi absolut në politikë, ashtu si dhe ai në marrëdhëniet ndëretnike, prodhon në fakt destruksionin e parimeve universale morale. Virtytet u atribohen vetëm pjesëtarëve të grupit miqësor, ndërkaq të metat pa përjashtim grupit të shpallur si armiqësor. Politika e mbështetur në këtë dimension "mik-armik" rrënon ofertën racionale dhe ofron vetëm etiketime të paskrupullta, negative apo pozitive varësisht se cilit grup i takon. Kjo formë e politikës që prodhon miqësi dhe armiqësi të rrejshme krijon aleanca të çuditshme: armiqtë e deridjeshëm bëhen miq nëse janë në koalicion të përbashkët dhe anasjelltas. Shikuar nga ky aspekt, marrë në tërësi krijohet përshtypja se oferta politike e zgjedhjeve lokale në Shqipëri u shpalos në këtë dimension që në vazhdimësi e rrënon imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërësi.
Pjesëmarrja e ulët e elektoratit shqiptar, 52 për qind nëse nuk gaboj, jep një mesazh të fuqishëm se elektorati shqiptar është i ngopur nga kjo ofertë dhe se në zgjedhjet e ardhshme partitë politike duhet të dalin me oferta më të konkretizuara. Karakteristikë e tretë e këtyre zgjedhjeve ishte humbja e orientimit. Krijohej përshtypja sikurse bëhej fjale për zgjedhje parlamentare dhe jo vendore. Hidheshin argumente në favor të kërkesës për ndërrim të qeverisë qendrore dhe jo të asaj lokale. Karakteristikë e katërt ishte informimi shumë më cilësor mediatik, që sillte në mënyrë kredibile dhe direkte informacionet nga fushë "beteja" zgjedhore anekënd Shqipërisë. Mendoj se, jo për faj të mediave, por të vetë partive politike, munguan debatet në sasinë e duhur. Vetëm debatet janë forma dhe mënyrë që ndikojnë efektivisht në ngritjen ose në uljen e popullaritetit të një kandidati.
Në Himarë kanë ndodhur disa ngjarje shumë brengosëse, flamuj grekë, ulerima dhe thirrje antishqiptare, ndërkohë, edhe pse jo e saktësuar zyrtarisht, atje ka fituar kandidati i PBDNJ-së falë një aleance me Partinë Demokratike në opozitë. Cila do të ishte pikëpamja juaj analitike?
Kur isha student, në leksionet e sociologjisë u njoha me një nocion, me një fenomen që më dukej absurd. Bëhej fjalë për KUVAGËN. Ky nocion shpjegon paraqitjen e shtërzimeve, të dhimbjeve të burrit në kohën kur i lind gruaja.
Sociologët shpjegojnë këtë dukuri si karakteristike për periudhën e zëvendësimit të sistemit të matriarkatit me atë të patriarkatit. Pra, burri në këtë periudhë të tranzicionit të lashtë duhej t'i kishte edhe karakteristikat dalluese të gruas, plleshmërinë.
Shtërzimet etnike ndodhën gjithandej në shtetet federative të lindjes. Implozioni, kolapsi i këtyre sistemeve me automatizëm hapi çështjet etnike. Këto lindje të kauzave etnike ishin objektive, meqë kontratat paraprake mbi të cilat ishin mëkëmbur ato, u anuluan arbitrarisht.
Shterzimet dhe lindjet e tilla ishin të natyrshme kryesisht për shkak të dy faktorëve:
1- Shtetet federative nuk e përballuan dot sfidën demokratike dhe pluraliste. Në këto hapësira pluralizmi u shfaq në trajtën etnike. Në kohën kur anulohej kontrata e federatave, u formuan partitë etnike për të artikuluar këto interesa, njëlloj si në shoqëritë aksionare.
Shqipëria nuk është shtet federativ, por është shtet unitar që nga fillimi. Përmbajtja e popullatës në përmasa absolute është monoetnike me një përqindje të vogël të minoritetit. Së këndejmi shterzimet etnike këtu dhe ne vende të ngjashme janë artificiale dhe pa asnjë perspektivë. Kauza etnike shqiptare në hapësira të ndryshme ka ekzistuar që në fillim të themelimit të federatës, prandaj ajo është reale dhe e natyrshme. Atë nuk e kanë krijuar segmente të ndryshme të qeverisë shqiptare, por vetë realiteti dhe procesi historik.
2- Shqiptarët në ish-Jugosllavi gjatë gjithë procesit historik kanë qenë të cilësuar si shqiptarë. Identiteti i tyre etnik asnjëherë nuk është kontestuar, ngaqë ata realisht ishin dhe mbeten shqiptarë. Nëse i shohim nga ky kënd manifestimet nacionaliste gjatë zgjedhjeve në Himarë, do të konstatojmë se aty ndodhi një fenomen tipik i kuvagës, ngaqë ishte një simulim i rrejshëm. Nga këto shterzime të rrejshme kauza greke nuk do të lindë në Shqipëri, jo vetëm se Shqipëria nuk është shtet federativ në shthurje e sipër, por sidomos për të vërtetën historike, që pa dyshim dëshmon se himariotët nuk janë grekë, por shqiptarë, ndoshta dhe më të mirë se të tjerët. Fenomeni bilingual himariot është absolutisht i ngjashëm me fenomenin bilingual në Kosovë dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë. Periudha e gjatë e sundimit osman, mes të tjerash, prodhoi të folurën greqisht tek disa zona të pastra shqiptare, por të izoluara nga sundimi osman dhe të folurën e turqishtes në zonat urbane të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare. Po të kishin sunduar osmanët Himarën, edhe aty do të kishte turqishtfolës, ashtu si në zona të tjera. Për hir të së vërtetës duhet thënë se turqishtfolësit e Kosovës kanë qenë patriotë të mëdhenj, në mos më tepër se vetë shqipfolësit, ashtu si edhe himariotët, që kanë dhënë kontribut të madh luftës së shqiptarëve për pavarësi. Me këtë rast lë anash familje shqiptare serbishtfolëse rreth Plavës, Gucisë, Sanxhakut etj. Këto fenomene kanë ndodhur për shkak të sundimeve të huaja, imponimit të gjuhës përmes administratës sunduese, projekteve konkrete përçarëse. Askush nuk ka të drejtë as politike, as shkencore t'i veçojë himariotët nga prizrenasit, nga tetovarët, nga prishtinasit, pejanët e kështu me radhë.
Sërish duke u fokusuar te Himara, çfarë duhet bërë, sipas jush, që atje të mos ndodhin më ngjarje të tilla?
Eksesi në Himarë, i kurdisur nga disa agjentë, nuk guxon të na turbullojë gjakun dhe mendjen, të na imponojë një këndvështrim thellësisht dhe strategjikisht të gabueshëm: të fillojmë t'i perceptojmë të gjithë himariotët si armiq. Por, përkundrazi, asnjëherë të mos heqim dorë nga trajtimi si vëllezër, si pjesëtarë të një komuniteti identik. Ata kanë qenë të tillë dhe do të mbeten të tillë. Çdo dyshim paranoik, çdo ndjenjë armiqësore, çdo ndërhyrje rigjide e qeverisë, çdo armiqësi e shfaqur kundër himariotëve mund të rezultojnë me kundërefekte: me krijim artificial të kauzës himariote. Reagimet nervoze, militante duhet të zëvendësohen me projekte dhe hapje të përgjegjësisë brenda subjektit politik shqiptar dhe shtetit dhe jo brenda Himarës. Dikush duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi përse në këtë zonë nuk shihen programet e televizoneve shqiptare, por ato greke, përse telefonia celulare shqiptare nuk funksionin si ajo greke, ose përse në zyrat e ministrave të shtetit të shtetit shqiptar gjenden flamuj të shteteve te huaja, qofshin ata edhe miqtë tanë.
Politika shqiptare, shkencëtarët shqiptarë, mediat shqiptare duhet të heqin nga mendja idenë e ndëshkimit, por të japin kontributin e tyre në shpjegimin e shtërzimeve artificiale, në zbërthimin e fenomeneve të kuvagës në këto manifestime irrituese politike.
Është fakt i pamohueshëm historik se grekët shfaqin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Këto pretendime shfaqen si episode të shëmtuara herë pas here. Në Greqi ekziston një frymë primitive nacionaliste që mëton t'i greqizojë ortodoksët shqiptarë, ashtu si politika e dikurshme aziatike turke, e cila synonte t'i turqizonte shqiptarët myslimanë. Sfida e këtyre qarqeve primitive greke duket më e rrezikshme për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta gjeografike. Politika e deritanishme postkomuniste shqiptare ka toleruar këto ekspandime primitive të nacionalizmit grek për shkak të dobësisë ekonomike. E gjithë kjo zallahi e shëmtuar nacionaliste greke do të përfundojë me ngjallje të nacionalizmit shqiptar dhe me dështimin e helenizimit të shqiptarëve. Shumë më lehtë ngjallet nacionalizmi shqiptar te vetë shqiptarët, sesa helenizmi te shqiptarët. Ata që nuk e shohin këtë, mund të jenë shkaktarë të shfaqjes reale të çështjes shqiptare në Greqi, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për arvanitasit, çamët apo migrantët aktuale shqiptarë. Është i pashpjegueshëm antishqiptarzmi tradicional i grekëve që kanë lidhje shumë më të afërta me shqiptarët, sesa me miqtë e tyre sllavë. Prosllavizmi i tyre më në fund do të hapë udhën drejt Senanikut, pretendimin e kahmotshëm dhe të vazhdueshëm të sllavomaqedonasve, bullgarëve dhe serbëve. Disa qarqe politike në Greqi, nga miopia e tyre, nuk shohin se merren me beteja të vogla me shqiptarët, ndërkaq harrojnë kështu luftën e madhe dhe pretendimet reale që u kanosen.
Z. Xhaferi, të kalojmë te një tematike e cila pa dyshim që është e ndjeshme, pse nuk shkoi i plotë delegacioni kosovar në Vjenë dhe si do ta trajtonit dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?
Shkuarja ose mosshkruarja nuk është vetëm një gjest i mirë, i dobishëm apo i gabuar. Ky problem duhet vendosur dhe analizuar në kontekstin real, pra në kontekstin e shthurjes së Jugosllavisë. Deri më tani ky proces, përmes luftërave të përgjakshme, arbitrimeve të çuditshme ndërkombëtare ka përfunduar me afirmimin e kauzave kombëtare dhe shtetërore të sllavëve të Jugut dhe minimizim të kauzave të tjera. Të gjithë sllavët e Jugut fituan të drejtën për shtet dhe të drejtat minoritare maksimale në shtetet e sapoformuara. Shqiptarët ishin populli i tretë në ish-Jugosllavi dhe gjuha e dytë pas asaj serbokroate. Ata ende nuk kanë fituar të drejtën për shtet dhe atë cilësi të të drejtave, ashtu si popujt e tjerë të mbetur jashtë shtetit amë. Pra, Kosova si njësi konstituive e federatës nuk e fitoi të drejtën automatike për pavarësi, ashtu si shqiptarët jashtë Kosovës në Maqedoni, Mal të Zi apo në Luginë të Preshevës nuk i fituan ato të drejta, siç bie fjala, kroatët në Bosnje, serbët në Sllavoninë Lindore apo në Kosovë. Në konferenca të ndryshme ndërkombëtare sllavët e Jugut fituan menjëhërë, aty për aty, të drejtat për formimim të shteteve të tyre nacionale dhe të drejta maksimale për minoritet e tyre në shtete të tjera. Nga ana tjetër, këto të drejta shqiptarëve nuk u jepen menjëherë, por me kushtëzime të ndryshme, ose në kuadër të një procesi krejtësisht të paqartë. Në këtë fazë shqiptarët e Kosovës kanë lirinë kombëtare, por jo dhe të qeverisjes së pavarur. Meqë nuk kanë garanca nga asnjëra anë, ata nuk dinë se si do të përfundojë ky proces. Kanë huti reale, mossiguri dhe drojë se mos edhe njëherë do të hyjnë në kthetrat serbe. Këtë drojë apo hamendje askush nuk ua heq, por më tepër ia shtojnë. Faktori ndërkombëtar shpeshherë përdor argumente shqetësuese. Tashmë është bërë lajtmotiv kërcënimi se ngjarjet devijante, vrasjet, plaçkitjet, rrëmbimet, kontrabanda mund të ndikojnë negativisht në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Të gjithë e dinë se këto fenomene në përqindje shumë më të madhe shfaqen në shtete të tjera, por që nuk shoqërohen me kërcënime për statusin e shteteve të tyre. Në Serbi, bie fjala, krininaliteti dhe proceset e tjera devijante janë shumëfish më të rrezikshme sesa në Kosovë, por faktori ndërkombëtar nuk u kërcënohet me çështje statusesh. Politika e dikurshme serbe që planifikoi dhe realizoi një politikë gjenocidale kundër shqiptarëve, si dhe ndërthurja e kësaj të sotmes në rrjetin e krimit të organizuar që prodhon atentate mbi kryeministrin, kriza të shumta që shfaqen në qeverisje dhe në raport me Malin e Zi etj. megjithatë nuk ndikojnë te faktori ndërkombëtar që të vë në dyshim statuset shtetërore të serbëve. Përkundrazi, ata stimuluan që të inkuadrohen në strukturat evropiane, në NATO si dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Nuk mungojnë as tentativat që hapin shtegun për rikthim të Kosovës në ombrellën e Serbisë, që në të kaluarën dëshmoi se nuk është në gjendje të gjejë formulën e bashkëjetesës.
Faktori shqiptar që duhej të shkonte të merrte pjesë në Vjenë gjatë tërë periudhës së pasluftës është bombarduar me kërkesat serbe për rikthimin e Kosovës në tutelën e tyre. Ata prodhojnë broshura, libra dhe projekte të tjera për të dëshmuar se Kosova është e tyre, se shqiptarët janë po aq kriminelë sa ata etj. Delegacioni serb që duhet të merrte pjesë në Vjenë për t'i zgjidhur disa "çështje teknike", bekimin e morën prej vetë patriarkut të kishës ortodokse serbe. Këto dukuri ndiqen me kujdes nga faktori shqiptar dhe ndikojnë dukshëm në pasigurinë e tyre.
E gjitha kjo që thashë më lart krijon bindjen te faktori shqiptar se përmes këtij dialogu do të fillojë në mënyrë të pahetueshme rikthimi i politikës serbe në Kosovë. Z. Holker thotë se do të bisedohet për çështje teknike, por vetvetiu imponohet pyetja: për se të bisedohet për interesat e serbëve të Kosovës me serbët e Beogradit? Kjo pyetje fiton në peshë duke zbuluar kështu absurdin kur analizohet fakti se të drejtat maksimale u jepen serbëve në Kosovë nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët as që konsultohen për këto çështje, ashtu si bie fjala maqedonasit nuk duhej të përcaktoheshin të drejtat e shqiptarëve. Involvimi i Serbisë në çështjet e Kosovës sërish shkakton frika dhe dyshime te shqiptarët. Mendoj se ata nuk janë kundër dialogut dhe nuk e refuzojnë atë, por thjesht shfaqin rezervë për implikimin e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe fakti se gjuha e diplomacisë ndërkombëtare është me ekuivoke dhe nuk përpiqet t'i eliminojë dyshimet e kosovarëve. Pra, hezitimi për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje vetvetiu nuk është një gjest i mirë apo i keq, por është pasojë e përvojës së hidhur.
Së fundi, ku është pozita e shqiptarëve në tërësi në raport me strandardet dhe vlerat evropiane?
Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri hynë me shpresa të mëdha dhe me realitete të hidhura. Çështja e Kosovës nuk është zgjidhur ende, implementimi i marrëveshjeve politike në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës ngecin në forma të ndryshme brengosëse, transformimi ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri nuk po zhvillohet me një temp inkurajues, imazhi ynë në botë është i rrënuar, aty-këtu shfaqen kafshime të ndryshme të identitetit tonë kombëtar, armiqësitë e disa shteteve fqinje gjithnjë e më shumë po sistemohen në shumë drejtime, kështu që para nesh dalin detyra të mëdha. Disa nga këto detyra varen nga ne, siç bie fjala krijimi i imazhit pozitiv, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, avancimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe i standardeve të tjera demokratike etj. Ndërkaq disa detyra të tjera varen nga faktori ndërkombëtar, si bie fjala, çështja e Kosovës. Por duhet kuptuar që kjo e dyta varet drejtpërdrejt nga ajo e para. Sa më shumë ta reduktojmë krimin, korrupsionin dhe devijimet e tjera që ngjallin frikë te faktori ndërkombëtar, aq më shumë do të shtohet përkrahja për pavarësi të Kosovës. Shqiptarët në përgjithësi, të ballafaquar me probleme të prekshme, të dhembshme elementare as që shohin rëndësinë e ndërtimit të imazhit pozitiv. Nëse ka arsyetime për ngecje teknologjike, nuk mund të gjendet asnjë arsye për tolerim të vandalëve që e rrënojnë imazhin tonë pozitiv.
Faktori ndërkombëtar aktualisht i jep rëndësi të madhe luftës kundër terrorizmit, korrupsionit, krimit të organizuar, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të standardeve të tjera evropiane. Mbajtja pezull e çështjes së Kosovës është pasojë e dyshimit ndaj seriozitetit dhe kapacitetit të politikës shqiptare që të përballet me këto sfida. Politika shqiptare në përgjithësi nuk vepron sa dhe si duhet për përmirësim të imazhit të saj në atë masë sa faktori antishqiptar përhap propagandën e saj të egër, duke ia mveshur politikës dhe popullit shqiptar këto atribute që e brengosin botën e qyteteruar.
20/10/2003
Krijoni Kontakt