Arben Skënderi, një 28-vjeçar me origjinë nga Skrapari, është ekzekutuar të hënën në mbrëmje në një lagje periferike të Madridit në Spanjë. Sipas burimeve të policisë, ai ishte qëlluar për vdekje nga një shtetas kolumbian.

LAJMI

Në Berat e Skrapar ende lajmet vazhdojnë të mbërrijnë të freskëta dhe pothuaj të sakta nëse bëhet fjalë për vrasje jo të zakonta emigrantësh shqiptarë të ndodhura qoftë edhe në shtetin më të largët të botës. Kështu, të hënën në mbrëmje nga Spanja në Berat kanë mbërritur telefonata të ndryshme, sipas të cilave, aty sapo ishte vrarë një emigrant nga Skrapari, Arben Skënderi. Natyrisht që një lajm i tillë kishte mbërritur me kohë në Skrapar dhe në Tiranë ku jeton familja e tij. Sipas lajmit të mbërritur, Skënderi ishte qëlluar nga një person i panjohur në një zonë periferike të Madridit ku ishte vendosur prej më pak se dy vjetësh si emigrant ekonomik. Ndërsa sipas një lajmi të djeshëm, thuhej se Arben Skënderi ishte qëlluar nga një kolumbian i cili ishte identifikaur nga policia. Ndërkohqë që të dhënat për arsyet e këtij atentati ishin të pakta. Sipas një varianti, Skënderi ishte akuzuar se ndërsa ishte emigrant ekonomik në Angli kishte vrarë një të ri nga Fieri. Kështu që një nga pistat e mundshme të vrasjes së tij ishte konsideruar edhe hakmarrja. Ndërsa pas një interesimi të Gazetës në Ministrinë e Rendit për vërtetësinë e një lajmi të tillë përgjigjja ishte: "Ende nuk kemi ndonjë të dhënë".

Komuniteti shqiptar në Spanjë
Sipas të dhënave nga emigrantë shqiptarë në Spanjë, këtu kohët e fundit është vendosur një komunitet i vogël shqiptarësh të sistemuar kryesisht në rrethinat ë Madridit. Shumicën e këtij komuniteti e përbëjnë djem nga Berati dhe Skrapari, por edhe nga vise të tjera të Shqipërisë. Ndërsa një pjesë e tyre kanë arritur të bëjnë bashkim familjar. Burimet pohojnë se zakonisht ata merren me punë të ndershme, por një pjesë mendohet se janë përfshirë në trafikun apo shpërndarjen e drogës.


Si u kap në Spanjë pas gjobës Kastriot Jaupi

Kastriot Jaupi, i dënuari me burg përjetë për vrasjen e majorit të policisë Ilir Ngresi, ishte arrestuar nga policia spanjolle pikërisht në rrethinat e Madridit. Pasi ishte shndërruar në gjahun numër një të policisë shqiptare në zonën e Beratit, Jaupi duket kishte zgjedhur si vend të përshtatshëm për t'u strehuar Spanjën. Me anë të një pasaporte fals ai kishte arritur të kapërcente kufijtë e Shqipërisë dhe nga Bullgaria të nisej në Spanjë. Por këtu ai do të arrestohej nga policia i akuzuar për gjobëvënie dy vëllezërve nga Skrapari. Menjëherë pas arrestimit të tij nga Shqipëria u nisën me urgjencë dokumentet për ekstradim. Porse pritet që fillimisht Jaupi të vuajë dënimin spanjoll.