Ka përfunduar dje në prangat e policisë sllovene kreu i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, Agim Çeku. Ish-komandanti i UÇK-së po udhëtonte nga Kroacia drejt Kosovës, kur është ndaluar nga policia në aeroportin e Lubljanës rreth orës 13:30. Sipas Radiotelevizionit të Kosovës, gjenerali kosovar është arrestuar me anë të një fletarresti të lëshuar një vit më parë nga Beogradi. Vetë Çeku ka deklaruar pas arrestimit se "pret të lirohet sa më shpejt nëse do të ketë drejtësi dhe nuk do të ketë ndërhyrje politike". Pavarësisht kësaj, ai është mbajtur për disa orë në aeroportin "Bërnik" të Lubljanës, ndërsa më pas është transferuar në burgun Radovljica në Kranje të Serbisë. Sot paradite komandanti i trupave kosovare pritet të dalë para gjykatës së Lubljanës për t'u përballur me akuzat. Fillimisht u njoftua se Çeku është ndaluar me anë të një fletarresti të hershëm të Beogradit. Por, më pas burime pranë policisë sllovene kanë konfirmuar se gjeneral Çeku është arrestuar me një urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar këtë vit nga Interpoli në Beograd. Zëdhënësi i policisë sllovene, Zdenko Guzzi, tha për BBC-në se fletarresti ka lidhje me akuzat e ngritura ndaj Çekut për genocid.
Kërkesa e Beogradit
Pas arrestimit të Çekut Beogradi zyrtar ka kërëkuar ekstradimin e tij. Ministri i Drejtësisë, Vladan Batiç i ka kërkuar ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet, Rasim Ljajiç ekstradimin në Serbi të kreut të TMK-së. Batiç ka deklaruar se Çeku akuzohet për genocid ndaj popullatës srbe të Kosovës. Kundër ish-liderit të UÇK-së dhe eksponentit të lartë kosovar, një gjykatë e Nishit në jug të Serbisë ka lëshuar vitin e kaluar një fletarresti ndërkombëtar. "Çështja Çeku është shumë e qartë nga pikëpamja juridike", tha Batiç për agjencinë e lajmeve Tanjug. Sipas tij, nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga politikanët e Prishtinës, Çeku duhet të ekstradohet.
Reagimi i Prishtinës
Autoritetet kosovare dhe ato të UNMIK-ut kanë reaguar menjeherë pas arrestimit të eksponentit të lartë kosovar. Burime nga Prishtina bëjnë të ditur se po bëhen përpjekjet maksimale për të siguruar lirimin e Agim Çekut. UNMIK ka nisur përpjekjet diplomatike për të realizuar këtë, pasi TMK është një organizëm i konstituuar nga vetë misioni ndërkombëtar, tha një zëdhënës i misionit. Edhe presidenca kosovare ka bërë thirrje për lirimin e shpejtë të Çekut. Për këtë ka ndërhyrë edhe shefi për politikën e jashtme dhe të sigurisë në BE, Havier Solana, i cili u ka kërkuar autoriteteve sllovene të lirojnë kreun e TMK-së.
Krijoni Kontakt