Nga Alban Dede
Ka tre mënyra për marrjen e pasaportës në Ambasadën tonë në Athinë, Greqi.
Mënyra e parë: Duhet të pyesësh ose të kesh dijeni, në qoftëse ka ndonjë punonjës mik a farefis brenda në Ambasadë. Në qoftëse ke, je me fat. Mënyra e dytë: Duhet të marrësh vazhdimisht në telefon 2107259010, i venë sa për sy e faqe në shërbim të atyre që e duan këtë pasaportë. Këtë telefon zor se e gre kush. Në rast se fati është me ty dhe në telefon përgjigjet dikush, nuk duhet të gëzohesh gjatë mbasi, në anën tjetër, një zë femre do të përgjigjet, se duhet të prosni javën tjetër, sepse këtë javë u mbyllën të gjitha takimet. Askush nuk mund të aplikojë për pasaportë në mënyrën e dytë sepse pasaporta nxirret vetëm me mënyrën e tretë. Me këtë mënyrë mund të nxirret me të vërtetë pasaporta shqiptare, vetëm se ajo është ca e kripur. Po si mund të realizohet kjo mënyrë? Po e tregojmë. Duan apo nuk duan nevojtarët, aty do të venë, mbasi nuk ka dy ambasada, që ata të konkurojnë me njera-tjetrën, kështu që mafia e ambasadës i ka fitimet e sigurta. Aplikimi (kurrsesi brenda saj, pasi nuk do të kishim mënyrë të tretë). Të rrijë aty tek grumbulli i madh i bashkëvuajtësve të tjerë. Aty me siguri dikush do t’i afrohet dhe do t’a pyesë se si e ka hallin. Hallexhiu, do t’i thotë se kërkon të aplikojë për pasaportë dhe ka ardhur prej Krete (p.sh.), mbasi këta të ambasadës nuk e ngrejnë telefonin. Ai dikush që e pyeti i bën ofertën: nqs do pasaportë duhet të mbyllësh takim e për ketë duhet paraprakisht të më japësh mua 300 euro. M’i lini mua kaq para, më thoni si ju quajnë. Urdhëroni numërin tim të telefonit. Më jepni numërin tuaj dhe do të vini në ditën që do t’u lajmëroj unë në telefon për të bërë takimin në ambasadë e të aplikoni për pasaportë. Deri tani nuk ka ndodhur që menaxherët, të cilët punojnë përpara ambasadës t’i gënjejnë klientët e tyre. Me këtë punë ata mbajnë familjet e tyre dhe shtojnë fitimet për vete dhe për bashkëpunëtorët e tyre. Kjo punë për ta ka vazhdimësi përderisa bashkëpunëtorët e tyre të jenë në vendet e tyre të punës aty, brenda në ambasadë. Ndryshimet e personelit të ambasadës, herë pas here, i shkaktojnë probleme të vogla, por lehtësisht të kalueshme personelit që punon jashtë saj si strukturë paralele e ambasadës. Këtu nuk duam të errësojmë aspak edhe rëndësinë e ambasadës brenda godinës, pasi, pa një bashkëpunimk të ngushtë dhe produktiv midis tyre, nuk do të kishim arritur në këto maja të shërbimit të “shkëlqyer” ndaj emigrantëve. Që ambasada është një vend që qelbet prej korrupsionit, kjo s’ka dyshim.
Kështu shpjegohet edhe grumbullimi i menaxherëve që punojnë jashtë ambasadës.
Ç’ndodh brenda në ambasadë?
Pra le ta shohim problemin brenda ambasadës. Kush është tek telefoni që mbyll takimet me emigrantët, çelësi i artë i Mafies. Tek ky telefon rri e punësuar gruaja e Konsullit të Ambasadës, zotit Gaqo Simaku. Ky zotëri, ka punësuar në ambasadë edhe motrën e gruas së tij. Ambasada jonë në Athinë është pronë e një grupi a rrjeti miqësor se zor se mund të mendohet, që ndodhen aty për t’i shërbyer shtetit shqiptar dhe shtetasve të tij, por është e qartë, vetëm interesave të veta dhe sojit nga i cili rrjedhin. Familjarizimi dhe nepotizmi i vendeve të punës në një përfaqësi diplomatike tregon vetëm për këtë gjë.
...Më ka rastisur të diskutoj me një shtetas amerikan, që ka një aktivitet privat në Greqi. Ai më tregoi, se kur i mbaroi afati i pasaportës, shkoi pranë Ambasadës Amerikane në Athinë dhe u pajis për 20 minuta me pasaportë të re amerikane, që nga momenti që u paraqit atje për këtë problem. Ndërsa shteti shqiptar, që aq shumë u ka nevojën emigrantëve shqiptarë të tij, në të vetmin detyrim të drejtpërdrejtë që ka ndaj tyre për pajisjen me pasaportë, mund t’u nxjerrë shpirtin. Ky shtet e ka shumë të vështirë të sjellë aparatura për plotësimin e pasaportave. U kujtojmë pushtetarëve të sotëm komunistë, se ish - BS ( japim këtyre një shembull që e dinë dhe e kanë për qejf) në Luftën e Dytë Botërore brenda një muaji i ktheu kombinatet e prodhimit të traktorëve në kombinate të prodhimit të tankeve. Ndërsa shteti i drejtuar nga Qeveria aktuale komuniste, e korruptuar në zenith, nuk mund të mbushë për tre muaj një pasaportë të qytetarëve të tij!!! Ajo mund të mbushë, por kërkon që të mjelë me dy duar bashkëatdhetarët e vet. Të kesh pasaportë do të thotë të kesh liri. Shfaqja kryesore e lirisë është e drejta për të lëvizur lirisht. Shumë shqiptarë nuk kanë liri, pasi nuk kanë të drejtë për të lëvizur. Pa pasaportë një emigrant e ka të pamundur të lëvizë, të punojë, të jetojë, të përkujdeset për familjen dhe familjarët e tij. Mosaftësia e shtetit shqiptar për të pajisur emigrantët në më pak se 3 muaj me pasaportë përkthehet saktësisht, heqje lirie për 3 muaj dhe në rastin kur qytetari është emigrant dhe më shumë pasoja të mëpastajme. Kjo mosaftësi përkthet edhe si papërgjegjshmëri shtetërore e qeveritarëve komunistë.
Fantazoni për një moment (që mos të nodhtë kështu), se ç’mund të bëjë një qeveri që nuk pajis dot me një copë letër qytetarët e saj në rast se ndodh një fatkeqësi natyrore p.sh. një tërmet?! Kjo qeveri antishqiptare ekziston vetëm de jure se de facto ajo është një kufomë, që s’po e dërgon dikush në varreza, por po e lë të qelbë tërë Shqipërinë. Nëpër faqet e shtypit shqiptar dendur po lexojmë, se si po “përpiqen” politikanët tanë për të hequr sistemin e vizave me vendet e Ballkanit dhe me ato të BE - së. Do Zoti e nuk i pranon Europa, qëllimet e tyre të mira, se mirë do të bredhim pa viza nëpër Europë, por si do të na lejojnë Europa pa pasaporta?! Ambasada në Athinë është pasqyrë e shtetit shqiptar dhe përfaqësuese e denjë e tij. Mjafton një i huaj ose emigrant shqiptar të shohë këtë ambasadë dhe do të krijojë një ide të qartë për shtetin dhe Qeverinë e Shqipërisë. Edhe kemi, edhe s’kemi. Kemi ambasador për shkak se kemi Ambasadë dhe e kërkon punë proceduriale. Kemi ambasador, vetëm të ambienteve të brendshme të godinës - ambasadë. Në fakt nuk kemi ambasador. Po të kishim të tillë, do të kishim një njeri tek i cili do të gjenim zgjidhje. I pyetur për sa ndodhin rreth tij dhe ambasadës së tij, ai “nuk” di gjë, ai “nuk” di se shqiptarët përpara godinës së tij vidhen, rrihen, ofendohen dhe denigrohen për shkak të zyrës së tij. Ai nuk ka lidhje fare me 500 - 700.000 shqiptarët e përditshëm para syve të tij për çdo ditë. Ai kalon hijerëndë përbri tyre, por kurrënjëherë nuk merr mundimin t’i pyesë nëse kanë ndonjë vështirësi, përse vijnë në ambasadë. Ai si ambasador i “shkëlqyer”, as që denjon t’u hedhë sytë bashkëatdhetarëve të tij. Dhe është ky zotëri, i cili nuk u emërua në këtë post që gëzon sot, deklaroi në shtyp se do t’u dalë zot emigrantëve shqiptarë. Dhe e mbajti fjalën duke u shpallur si një zot i keq për ta. Do të ishte banale të thoshim se z. Zeneli, nuk di se ç’bëhet brenda dhe jashtë selisë së tij. Zor se tek ky njeri, i cili ulet në një karrige të nderuar, mund të dallosh vlera të një ambasadori. Ai është një njeri, të cilin PS e ka vënë atje ku i duhej një militantit të saj. Por shqiptarëve u duhej një diplomat. Siç duket ai ndjen kënaqësi, kur sheh mijëra njerëz poshtë hundës së tij që rropatën për shkak të tij. Por mund të jetë edhe ndryshe. Ai mund të jetë njeri me shpirt të mirë, por s’ka fuqi, pra është një kukëll. Në ambasadë është sistemuar një familje e tërë, ajo e konsullit Simaku dhe pikërisht në ato vende në të cilat janë problemet. Ky i fundit ndjehet të jetë nr. 1 i ambasadës. Pothuajse të gjitha gjërat kalojnë në duart e familjes së tij. Një emigranti i duhet të paktën 300 euro të shpresojë për pasaportë. I llogaritur në naftë, një shqiptar me hallet e tij përpara ambasadës, është i barazvlefshëm me 10 fuçi nafte. Pra 10 fuqi shumëzuar me 30 euro del 300 euro. Përjashtim nga ky ekuacion mund të bëjnë shumë pak persona. Shqiptarët që kanë nevojë për pasaporta janë me qindra dhe mijëra. Kjo shumë e shumëzuar me 300 euro del një shifër shumëmilionëshe në euro. Kuptohet se sa i madh është prodhimi bruto dhe neto dhe se sa janë fitimet e sheikëve të Ambasadës. Kryesheiku i ambasadës (ai nuk mban çallmë) padyshim është Abu Al Ualid Ibn Gaqo Simaku. Ai ka të tërë familjen e vet në fushën e prodhimit të pasaportave. Aty ai drejton vetë, ka gruan, motrën e gruas dhe... Ky njeri duke e ditur fuqinë e vet ekonomike dhe politike, nuk do t’ia dijë për asnjë njeri. Në qoftëse një njeri dallohet nga gjallesat e tjera, padyshim që sheiku z. Gaqo Simaku hyn tek gjallesat e tjera. Këta përshtypje ai ta krijon sapo ta shohësh, se si sillet me emigrantët tanë. Ulërimat e tij dhe sharjet që ai u drejton njerëzve, kur ato janë në pikë të hallit, të bën të kërkosh nëpër fjalorë termin që do të përshtatej më mirë: kafshë diplomatike. Dhe sa ka të tillë në shtetet e tjera të Europës ku kemi për fat të keq një kopsht zoologjik si pjellë e PS rozë në pushtet, që lajkatohet edhe nga shumë gazeta emigrantësh në SHBA dhe Evropë. Mirëpo populli e dha provimin me zgjdhjet e fundit në vendlindje dhe pas zgjedhjeve të përgjigjshme do të zhduken “kafshët e egra diplomatike” një herë e përgjithmonë dhe shqiptarët do të jenë të lirë nga kjo lukuni e e babëzitur që vegjeton ende në pushtet...
Nexhat Kita
Krijoni Kontakt