TIRANE

As që e mban mend se si zuri fill profesioni i tij. Ka qenë fare i vogël. Vetëm 10 vjeç ishte kur e ka shtyrë për herë të parë karrocën e tejmbushur me banane. Dritan Ndoj, tashmë është i rritur. Shkollën tetëvjeçare e ka lënë në mes. Deri në klasën e katërt ka ecur mjaft mire, më pas ka lënë mësimin për të ndihmuar familjen. Karrocën me kuzhineta nuk e heq nga dora. "Janë shumë të mira. Shikojeni, është banane e mirë", mundohet t'ua mbush mendjen kalimtarëve 18-vjeçari me origjinë nga Rrësheni. I ka mbetur peng shkolla, por prap mundohet ta ngushëllojë veten teksa dërgon në darkë grushtin me para në shtëpi. "Nuk kam mundësi tjetër, por më ka mbetur peng që nuk di një gjuhë të huaj dhe derisa të vdes do e mësoj", shprehet 18-vjeçari me lot në sy. Nuk ka lënë rrugë të kryeqytetit pa e shkelur me karrocën e tij. Dita e shtunë është dita që fiton më shumë. "Të shtunën qëndroj më shumë në stacionet e urbanëve sepse ata blejnë më shumë. Vetëm për një ditë fitoj një mijë e pesëqind lekë", tregon adoleshenti. Nuk i lë pa treguar dhe incidentet me përfaqësuesit e Policisë Bashkiake. Tani është miqësuar me ta. Në territorin e përherëshëm ai nuk lë asnjë lëvozhgë bananeje. Qëndron për pak minuta dhe më pas ikën në stacionet e tjera.

Bananeshitësit
Të gjithë pjesëtarët e familjes Ndoi janë punësuar si bananeshitës. Babi dhe mami i Tanit shesin banane në stacionin e urbanëve të Kombinatit, ndërsa Tani lëviz me karrocë në të gjitha stacionet e tjera. Kanë më shumë se dy vjet që e ushtrojnë këtë lloj aktiviteti si familje. Në të shumtën e rasteve kanë dalë të fituar dhe nuk heqin dorë nga ky lloj aktiviteti. "Hajde banane, gjashtë copë 100 lekë, janë të mira", kjo është shprehja më e dëgjuar e bananeshitësve në stacionin e urbanëve të Kombinatit. Grumbulli i grave me qesen e bananeve në dorë nuk të lë të dalësh nga dera e urbanit. Pa zbardhur dita hapin arkat e bananeve në pikën e shitjes, i ndajnë nëpër qese dhe më pas fillojnë ritualin e ditës.

Konkurrenca
Me të dalë në treg gështenjat, bananeshitësit kanë pësuar ulje të madhe në fitimin e tyre ditor. Gështenjapjekësit janë ata që mbajnë rekord për këtë muaj. "Kam fituar vetëm për një ditë 3 mijë lekë me gështenja të pjekura", tregon Bajrami, shitës gështenjash tek ura e vogël pranë pallateve të Shallvares. Për shitësit e bananeve kjo është periudha më me pak fitim. Shkak për uljen e ndjeshme të fitimit, sidomos te bananeshitësit e kryeqytetit, janë bërë misrapjekësit e gështenjapjekësit. Me daljen e këtyre të fundit çmimi i bananeve është ulur. "Nuk shesim as 10 banane në ditë. Kanë dalë gështenjat dhe misrat e butë dhe kalimtarët i preferojnë më shumë ato. Tek-tuk ndonjë fëmijë i vogël blen te ne", ankohen tregtarët e bananeve. Por nuk e mohojnë se me lekët e bananeve po mbajnë fëmijët me bukë. Janë me qindra tregtarë bananesh nëpër rrugët e kryeqytetit të cilët janë vetëpunësuar vetëm e vetëm për të mbajtur familjen.


PIKAT E SHITJES

- Firma "Banana fruite"
- Stacioni i trenit, pak metra sipër godinës së Policisë Ndërtimore
- Stacioni i urbanëve të Kombinatit
- Sheshi pranë sahatit në qendër
- Trotuarët para Bibliotekës Kombëtare
- Fillimi i Rrugës së Elbasanit
- Kryqëzimi i "21 Dhjetorit"


Policia Bashkiake luftë me bananeshitësit

TIRANE - Nuk ka ditë që të mos shikosh përfaqësuesit e Policisë Bashkiake duke hequr nga rruga shitësit ambulantë dhe tregtarët e bananeve. Jo vetëm kaq, por me të parë një lëkurë bananeje të shpërndarë nëpër territorin ku bananeshitësit ushtrojnë aktivitetin e tyre ata ndëshkohen me gjoba. Këto janë dhe disa nga urdhrat e nxjerrë nga bashkiakët e kryeqytetit. "Nuk ka javë që përfaqësuesit e Policisë Bashkiake të mos na vijnë këtu. Na kanë përzënë disa herë por ne jemi kthyer prap. Mjafton të kesh territorin e pastër dhe të zbatosh urdhrat e nxjerra nga ana ana e tyre dhe çdo gjë do të shkojë në rregull", tregon Maria, njëra nga shitëset e bananeve në Rrugën e Kavajës. Ajo shton se ka pasur raste që nuk ka shitur asnjë copë banane vetëm për shkak të territorit të papastër. Ndërsa përfaqësuesit e Policisë Bashkiake shprehen të pakënaqur ndaj tregtarëve të bananeve. Ata nuk kanë ditë që të mos kontrollojnë territoret publike.