Agrobiznesi, prodhimet shqiptare në panarin polak
Shqipëria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Agrobiznesit “Polagra-Food” në Poloni
Prof.as.dr. Ago NEZHA
Panairi
Është viti i dytë radhazi që Shqipëria merr pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Agrobiznesit “Polagra – Food”, që u organizua në Poznan të Polonisë. Stenda e Shqipërisë përfaqësohej nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe nga firma shqiptare prodhuese, si: “Kantina e Verës - Durrës”, “Aquila Liquori” dhe “Sejega”, “Rilindja” dhe “Joy Florina”, “Kondakçi”, “Enzy”, “Sydnei”, “Shpiragu” etj.
Kështu, në kullën e panairit u vendos edhe flamuri shqiptar krahas 31 të shteteve pjesëmarrëse. Stendat ishin shpërndarë në 25 godina, që ngjanin me një miniqytet. Prodhimet shqiptare tërhoqën shumë vizitorë, veçanërisht pijet tradicionale (konjaku, vera, likernat), kompostot, ushqimet e përpunuara dhe bimët medicinale. Interesim të madh shfaqën si përfaqësuesit e biznesit polak, edhe ata të vendeve të tjera evropiane, si kompani angleze, belge, italiane, turke etj. Një vëmendje e veçantë u tregua për verërat, mjaltin dhe bimët medicinale. Kjo eksperiencë tregoi se do të ishte shumë pozitive pjesëmarrja e kompanive private shqiptare që ekspozuan mallrat e tyre në këtë panair, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave dhe lidhjen e kontratave me bizneset e huaja.
Vlerësim të veçantë për stendën tonë tregoi edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Polonisë, Wojciech Olejnizak, i cili gjatë vizitës së tij u shpreh mjaft mirë për prodhimet tona, si dhe kërkoi më shumë bashkëpunim në të ardhmen. Rol të veçantë në këtë drejtim ka luajtur ambasadori shqiptar në Poloni, Sokol Gjoka, dhe konsulli i nderit për Shqipërinë, Jaroslav Rosochacki, të cilët kanë ndihmuar në realizimin e këtij aktiviteti. Gjatë ditëve të panairit kishte një fluks të madh vizitorësh jo vetëm polakë, por edhe nga vende të ndryshme të botës, që kërkonin informacion për firma dhe prodhime të ndryshme. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, për të njohur më shumë prodhimet shqiptare, ka pajisur vizitorët me katalogë, fletëpalosje, postera dhe kartëvizita sipas interesimit të shfaqur.
Poznani, djepi i Polonisë
Gjatë takimeve, konsulli shqiptar i nderit Rosochacki tregon për traditën e qytetit të vjetër. Poznani, i quajtur “Polonia e madhe”, ka qenë kryeqyteti i parë i vendit qysh në shekullin e 10-të, ndërsa në shekullin e 12-të rolin e kryeqytetit e mori Krakovi, që u quajt “Polonia e vogël”. Polonia ka qenë pagane dhe në 966 ajo u pagëzua si kristiane nga kisha çeke.
Poznani është qyteti i kishave pa mbarim, të vendosura në çdo lagje, i universiteteve me tradita qindravjeçare, i tramvajeve para 100 vjetëve, i komplekseve të kinemave, i supermarketeve dhe i parqeve pa fund. Polonia ka fusha pa mbarim. Pronarë të mëdhenj tokash mbi 2 mijë-3 mijë hektarë kishin ndërtuar në pronat e tyre vila-kështjella, biblioteka të pasura që ia dhuronin komunitetit të fshatit. Kopshti botanik i Poznanit ka 2500 lloje drurësh nga e gjithë bota, të klasifikuar sipas llojeve, moshës, origjinës dhe karakteristikave botanike që shkruheshin në një tabelë të vendosur në çdo familje, që ishin të renditur në dy rreshta. Edhe kopshti zoologjik me pasurinë e vetë nuk mbetej prapa.
E gjithë kjo pasuri në larminë e vet e bën Poznanin një vend të admirueshëm për vizitorët e huaj. Poznani është plot jetë. Ky qytet i vjetër dhe i bukur është vendi i panaireve tregtare ndërkombëtare dhe qendra më e madhe akademike e kulturore. Imazhi i tij është duke ndryshuar, megjithëse ruan karakteristika të distriktit me një histori 1000-vjeçare.
Poznani konsiderohet kryeqyteti tregtar i Polonisë. Eshtë qendër e rëndësishme financiare dhe rezidenca për një numër të madh bankash. Mbi të gjitha, rëndësia e tij si qendër shkencore është në rritje. Por ai ka 17 institucione të arsimit të lartë me pothuajse 100 mijë studentë. Jeta kulturore e Poznanit është shumë e pasur me Teatër të Operës dhe Baletit, kori i djemve dhe burrave të Filarmonisë Shtetërore të Poznanit, që i jep kënaqësi publikut në të gjithë botën. Orkestra e dhomës “Amadeus” luan në sallat koncertore më prestigjoze në të gjithë botën. Festivalet teatrore ndërkombëtare vjetore “Malta” dhe konkursi ndërkombëtar i violinës Henryk Wieniaëski, që zhvillohen çdo 5 vjet, janë shumë popullorë.
I gjithë ky sfond kulturor nuk është i rastit, është shprehje e vitalitetit të popullit polak, që ka nxjerrë personalitete me përmasa botërore, si: Shopen, Kopernik, Maria Kyri, Miskeviçi e shumë të tjerë. Poznani është një nga qendrat e panaireve tregtare më të mëdha në Evropë. Në vitin 1921 është hapur panairi i parë i Poznanit. Ekspozita e përgjithshme kombëtare e 1929, e cila paraqiti një panoramë impresionuese të Polonisë së re, ishte një ngjarje tjetër e madhe. Në vazhdën dhjetëravjeçare vazhdon të organizohet Panairi “Polagra – Food”, tepër i suksesshëm, me pjesëmarrjen e shumë vendeve të botës, ku për dy vjet rresht merr pjesë edhe Shqipëria me një paraqitje dinjitoze.
Konjaku, vera, likernat, kompostot, ushqimet e përpunuara dhe bimët medicinale janë prodhimet që tërhoqën vizitorë nga e gjithë bota në stendën e Shqipërisë në Panairin e Agrobiznesit në Poznan
20/10/2003
KATEGORIA: Ekonomi
Krijoni Kontakt