Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 9
  1. #1
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393

    Arbër Xhaferri për Himarën, zgjedhjet, bisedimet e Vjenës

    Xhaferri: Himara, jo reagime nervoze por projekte


    Intervistoi: Ylber LILI

    KUVAGA HIMARIOTE


    Fushata parazgjedhore, zgjedhjet lokale në Shqipëri, fenomeni irritues i Himarës, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, shqiptarët në raport me standardet dhe vlerat demokratike evropiane janë disa nga pikat kryesore që kryetari i PDSH-së në Maqedoni dhe një nga politikanët më me autoritet në hapësirën shqiptare, Arbën Xhaferi, prek në këtë intervistë ekskluzive për “Shekullin”.
    Z. Xhaferi, si i vlerësoni zgjedhjet lokale në Shqipëri në krahasim me zgjedhjet e viteve të kaluara? Cilat, sipas jush, ishin karakteristikat që dolën në pah gjatë këtyre zgjedhjeve nga partitë politike? Si e vlerësoni qasjen e mediave?
    Marrë në tërësi, zgjedhjet në Shqipëri shënuan një përmirësim jo vetëm të organizimin administrativ, por edhe të paraqitjes së ofertave politike. Shikuar ashtu nga distanca, veçohen disa karakteristika që ndoshta nuk mund të vërehen po qe se nuk ndodhesh brenda vlugut, atmosferës së animit. Karakteristika e parë ishte estetizimi. Partitë politike angazhuan regjisorë dhe dizenjues të ndryshëm për të prezantuar ofertën e tyre në një paketim sa më të pëlqyeshëm. Në fillim të fushatës, përmes sugjestivitetit tipik të regjisorëve u krijua përshtypja se elektorati duhet të zgjedhë pakot e estetizuara dhe jo përmbajtjen. Bëhej një zëvendësim i pahetueshëm i përmbajtjes politike me ofertën estetike, kështu, pak nga pak, skenat politike u shndërruan në një teatër, që ndikoi që këto zgjedhje të duken më atraktive. Edhe me këtë rast u vërtetua se politika ka fuqi magjepsëse dhe vë në veprim të gjithë faktorët shoqërorë. Karakteristika e dytë e këtyre zgjedhjeve ishte oferta politike. Nuk duhen analiza të thelluara për të konstatuar se kjo ofertë zhvillohej në relacionin "mik-armik". Natyrisht se ka pasur edhe përjashtime që meritojnë çdo respekt. Ky relacion mik-armik është fondamental në politikë, ngase në mënyrë më efikase e mobilizon popullatën duke polarizuar shoqërinë. Njërëzit kanë nevojë të thellë të jenë mik më dikë dhe armik me dikë tjetër. Tifozeria është thellë e ngulitur në shpirtin e njeriut. Ai që është me ty, pra që i takon grupit tënd, trajtohet si mik dhe atij i tolerohen të gjitha gjynahet, ndërsa ai që i takon grupit tjetër trajtohet si armik dhe nuk i tolerohet asgjë. Neutralët trajtohen si njerëz impotentë, dinakë apo të dyshimtë. Ky polarizim në shoqëritë në fazën fillestare të demokracisë është absolut, ndërkaq në shoqëritë demokratike është i sofistikuar. Polarizimi absolut në politikë, ashtu si dhe ai në marrëdhëniet ndëretnike, prodhon në fakt destruksionin e parimeve universale morale. Virtytet u atribohen vetëm pjesëtarëve të grupit miqësor, ndërkaq të metat pa përjashtim grupit të shpallur si armiqësor. Politika e mbështetur në këtë dimension "mik-armik" rrënon ofertën racionale dhe ofron vetëm etiketime të paskrupullta, negative apo pozitive varësisht se cilit grup i takon. Kjo formë e politikës që prodhon miqësi dhe armiqësi të rrejshme krijon aleanca të çuditshme: armiqtë e deridjeshëm bëhen miq nëse janë në koalicion të përbashkët dhe anasjelltas. Shikuar nga ky aspekt, marrë në tërësi krijohet përshtypja se oferta politike e zgjedhjeve lokale në Shqipëri u shpalos në këtë dimension që në vazhdimësi e rrënon imazhin pozitiv të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërësi.
    Pjesëmarrja e ulët e elektoratit shqiptar, 52 për qind nëse nuk gaboj, jep një mesazh të fuqishëm se elektorati shqiptar është i ngopur nga kjo ofertë dhe se në zgjedhjet e ardhshme partitë politike duhet të dalin me oferta më të konkretizuara. Karakteristikë e tretë e këtyre zgjedhjeve ishte humbja e orientimit. Krijohej përshtypja sikurse bëhej fjale për zgjedhje parlamentare dhe jo vendore. Hidheshin argumente në favor të kërkesës për ndërrim të qeverisë qendrore dhe jo të asaj lokale. Karakteristikë e katërt ishte informimi shumë më cilësor mediatik, që sillte në mënyrë kredibile dhe direkte informacionet nga fushë "beteja" zgjedhore anekënd Shqipërisë. Mendoj se, jo për faj të mediave, por të vetë partive politike, munguan debatet në sasinë e duhur. Vetëm debatet janë forma dhe mënyrë që ndikojnë efektivisht në ngritjen ose në uljen e popullaritetit të një kandidati.
    Në Himarë kanë ndodhur disa ngjarje shumë brengosëse, flamuj grekë, ulerima dhe thirrje antishqiptare, ndërkohë, edhe pse jo e saktësuar zyrtarisht, atje ka fituar kandidati i PBDNJ-së falë një aleance me Partinë Demokratike në opozitë. Cila do të ishte pikëpamja juaj analitike?
    Kur isha student, në leksionet e sociologjisë u njoha me një nocion, me një fenomen që më dukej absurd. Bëhej fjalë për KUVAGËN. Ky nocion shpjegon paraqitjen e shtërzimeve, të dhimbjeve të burrit në kohën kur i lind gruaja.
    Sociologët shpjegojnë këtë dukuri si karakteristike për periudhën e zëvendësimit të sistemit të matriarkatit me atë të patriarkatit. Pra, burri në këtë periudhë të tranzicionit të lashtë duhej t'i kishte edhe karakteristikat dalluese të gruas, plleshmërinë.
    Shtërzimet etnike ndodhën gjithandej në shtetet federative të lindjes. Implozioni, kolapsi i këtyre sistemeve me automatizëm hapi çështjet etnike. Këto lindje të kauzave etnike ishin objektive, meqë kontratat paraprake mbi të cilat ishin mëkëmbur ato, u anuluan arbitrarisht.
    Shterzimet dhe lindjet e tilla ishin të natyrshme kryesisht për shkak të dy faktorëve:
    1- Shtetet federative nuk e përballuan dot sfidën demokratike dhe pluraliste. Në këto hapësira pluralizmi u shfaq në trajtën etnike. Në kohën kur anulohej kontrata e federatave, u formuan partitë etnike për të artikuluar këto interesa, njëlloj si në shoqëritë aksionare.
    Shqipëria nuk është shtet federativ, por është shtet unitar që nga fillimi. Përmbajtja e popullatës në përmasa absolute është monoetnike me një përqindje të vogël të minoritetit. Së këndejmi shterzimet etnike këtu dhe ne vende të ngjashme janë artificiale dhe pa asnjë perspektivë. Kauza etnike shqiptare në hapësira të ndryshme ka ekzistuar që në fillim të themelimit të federatës, prandaj ajo është reale dhe e natyrshme. Atë nuk e kanë krijuar segmente të ndryshme të qeverisë shqiptare, por vetë realiteti dhe procesi historik.
    2- Shqiptarët në ish-Jugosllavi gjatë gjithë procesit historik kanë qenë të cilësuar si shqiptarë. Identiteti i tyre etnik asnjëherë nuk është kontestuar, ngaqë ata realisht ishin dhe mbeten shqiptarë. Nëse i shohim nga ky kënd manifestimet nacionaliste gjatë zgjedhjeve në Himarë, do të konstatojmë se aty ndodhi një fenomen tipik i kuvagës, ngaqë ishte një simulim i rrejshëm. Nga këto shterzime të rrejshme kauza greke nuk do të lindë në Shqipëri, jo vetëm se Shqipëria nuk është shtet federativ në shthurje e sipër, por sidomos për të vërtetën historike, që pa dyshim dëshmon se himariotët nuk janë grekë, por shqiptarë, ndoshta dhe më të mirë se të tjerët. Fenomeni bilingual himariot është absolutisht i ngjashëm me fenomenin bilingual në Kosovë dhe në vise të tjera të banuara me shqiptarë. Periudha e gjatë e sundimit osman, mes të tjerash, prodhoi të folurën greqisht tek disa zona të pastra shqiptare, por të izoluara nga sundimi osman dhe të folurën e turqishtes në zonat urbane të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare. Po të kishin sunduar osmanët Himarën, edhe aty do të kishte turqishtfolës, ashtu si në zona të tjera. Për hir të së vërtetës duhet thënë se turqishtfolësit e Kosovës kanë qenë patriotë të mëdhenj, në mos më tepër se vetë shqipfolësit, ashtu si edhe himariotët, që kanë dhënë kontribut të madh luftës së shqiptarëve për pavarësi. Me këtë rast lë anash familje shqiptare serbishtfolëse rreth Plavës, Gucisë, Sanxhakut etj. Këto fenomene kanë ndodhur për shkak të sundimeve të huaja, imponimit të gjuhës përmes administratës sunduese, projekteve konkrete përçarëse. Askush nuk ka të drejtë as politike, as shkencore t'i veçojë himariotët nga prizrenasit, nga tetovarët, nga prishtinasit, pejanët e kështu me radhë.
    Sërish duke u fokusuar te Himara, çfarë duhet bërë, sipas jush, që atje të mos ndodhin më ngjarje të tilla?
    Eksesi në Himarë, i kurdisur nga disa agjentë, nuk guxon të na turbullojë gjakun dhe mendjen, të na imponojë një këndvështrim thellësisht dhe strategjikisht të gabueshëm: të fillojmë t'i perceptojmë të gjithë himariotët si armiq. Por, përkundrazi, asnjëherë të mos heqim dorë nga trajtimi si vëllezër, si pjesëtarë të një komuniteti identik. Ata kanë qenë të tillë dhe do të mbeten të tillë. Çdo dyshim paranoik, çdo ndjenjë armiqësore, çdo ndërhyrje rigjide e qeverisë, çdo armiqësi e shfaqur kundër himariotëve mund të rezultojnë me kundërefekte: me krijim artificial të kauzës himariote. Reagimet nervoze, militante duhet të zëvendësohen me projekte dhe hapje të përgjegjësisë brenda subjektit politik shqiptar dhe shtetit dhe jo brenda Himarës. Dikush duhet të japë llogari dhe të mbajë përgjegjësi përse në këtë zonë nuk shihen programet e televizoneve shqiptare, por ato greke, përse telefonia celulare shqiptare nuk funksionin si ajo greke, ose përse në zyrat e ministrave të shtetit të shtetit shqiptar gjenden flamuj të shteteve te huaja, qofshin ata edhe miqtë tanë.
    Politika shqiptare, shkencëtarët shqiptarë, mediat shqiptare duhet të heqin nga mendja idenë e ndëshkimit, por të japin kontributin e tyre në shpjegimin e shtërzimeve artificiale, në zbërthimin e fenomeneve të kuvagës në këto manifestime irrituese politike.
    Është fakt i pamohueshëm historik se grekët shfaqin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Këto pretendime shfaqen si episode të shëmtuara herë pas here. Në Greqi ekziston një frymë primitive nacionaliste që mëton t'i greqizojë ortodoksët shqiptarë, ashtu si politika e dikurshme aziatike turke, e cila synonte t'i turqizonte shqiptarët myslimanë. Sfida e këtyre qarqeve primitive greke duket më e rrezikshme për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta gjeografike. Politika e deritanishme postkomuniste shqiptare ka toleruar këto ekspandime primitive të nacionalizmit grek për shkak të dobësisë ekonomike. E gjithë kjo zallahi e shëmtuar nacionaliste greke do të përfundojë me ngjallje të nacionalizmit shqiptar dhe me dështimin e helenizimit të shqiptarëve. Shumë më lehtë ngjallet nacionalizmi shqiptar te vetë shqiptarët, sesa helenizmi te shqiptarët. Ata që nuk e shohin këtë, mund të jenë shkaktarë të shfaqjes reale të çështjes shqiptare në Greqi, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për arvanitasit, çamët apo migrantët aktuale shqiptarë. Është i pashpjegueshëm antishqiptarzmi tradicional i grekëve që kanë lidhje shumë më të afërta me shqiptarët, sesa me miqtë e tyre sllavë. Prosllavizmi i tyre më në fund do të hapë udhën drejt Senanikut, pretendimin e kahmotshëm dhe të vazhdueshëm të sllavomaqedonasve, bullgarëve dhe serbëve. Disa qarqe politike në Greqi, nga miopia e tyre, nuk shohin se merren me beteja të vogla me shqiptarët, ndërkaq harrojnë kështu luftën e madhe dhe pretendimet reale që u kanosen.
    Z. Xhaferi, të kalojmë te një tematike e cila pa dyshim që është e ndjeshme, pse nuk shkoi i plotë delegacioni kosovar në Vjenë dhe si do ta trajtonit dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit?
    Shkuarja ose mosshkruarja nuk është vetëm një gjest i mirë, i dobishëm apo i gabuar. Ky problem duhet vendosur dhe analizuar në kontekstin real, pra në kontekstin e shthurjes së Jugosllavisë. Deri më tani ky proces, përmes luftërave të përgjakshme, arbitrimeve të çuditshme ndërkombëtare ka përfunduar me afirmimin e kauzave kombëtare dhe shtetërore të sllavëve të Jugut dhe minimizim të kauzave të tjera. Të gjithë sllavët e Jugut fituan të drejtën për shtet dhe të drejtat minoritare maksimale në shtetet e sapoformuara. Shqiptarët ishin populli i tretë në ish-Jugosllavi dhe gjuha e dytë pas asaj serbokroate. Ata ende nuk kanë fituar të drejtën për shtet dhe atë cilësi të të drejtave, ashtu si popujt e tjerë të mbetur jashtë shtetit amë. Pra, Kosova si njësi konstituive e federatës nuk e fitoi të drejtën automatike për pavarësi, ashtu si shqiptarët jashtë Kosovës në Maqedoni, Mal të Zi apo në Luginë të Preshevës nuk i fituan ato të drejta, siç bie fjala, kroatët në Bosnje, serbët në Sllavoninë Lindore apo në Kosovë. Në konferenca të ndryshme ndërkombëtare sllavët e Jugut fituan menjëhërë, aty për aty, të drejtat për formimim të shteteve të tyre nacionale dhe të drejta maksimale për minoritet e tyre në shtete të tjera. Nga ana tjetër, këto të drejta shqiptarëve nuk u jepen menjëherë, por me kushtëzime të ndryshme, ose në kuadër të një procesi krejtësisht të paqartë. Në këtë fazë shqiptarët e Kosovës kanë lirinë kombëtare, por jo dhe të qeverisjes së pavarur. Meqë nuk kanë garanca nga asnjëra anë, ata nuk dinë se si do të përfundojë ky proces. Kanë huti reale, mossiguri dhe drojë se mos edhe njëherë do të hyjnë në kthetrat serbe. Këtë drojë apo hamendje askush nuk ua heq, por më tepër ia shtojnë. Faktori ndërkombëtar shpeshherë përdor argumente shqetësuese. Tashmë është bërë lajtmotiv kërcënimi se ngjarjet devijante, vrasjet, plaçkitjet, rrëmbimet, kontrabanda mund të ndikojnë negativisht në përcaktimin e statusit final të Kosovës. Të gjithë e dinë se këto fenomene në përqindje shumë më të madhe shfaqen në shtete të tjera, por që nuk shoqërohen me kërcënime për statusin e shteteve të tyre. Në Serbi, bie fjala, krininaliteti dhe proceset e tjera devijante janë shumëfish më të rrezikshme sesa në Kosovë, por faktori ndërkombëtar nuk u kërcënohet me çështje statusesh. Politika e dikurshme serbe që planifikoi dhe realizoi një politikë gjenocidale kundër shqiptarëve, si dhe ndërthurja e kësaj të sotmes në rrjetin e krimit të organizuar që prodhon atentate mbi kryeministrin, kriza të shumta që shfaqen në qeverisje dhe në raport me Malin e Zi etj. megjithatë nuk ndikojnë te faktori ndërkombëtar që të vë në dyshim statuset shtetërore të serbëve. Përkundrazi, ata stimuluan që të inkuadrohen në strukturat evropiane, në NATO si dhe në institucione të tjera ndërkombëtare. Nuk mungojnë as tentativat që hapin shtegun për rikthim të Kosovës në ombrellën e Serbisë, që në të kaluarën dëshmoi se nuk është në gjendje të gjejë formulën e bashkëjetesës.
    Faktori shqiptar që duhej të shkonte të merrte pjesë në Vjenë gjatë tërë periudhës së pasluftës është bombarduar me kërkesat serbe për rikthimin e Kosovës në tutelën e tyre. Ata prodhojnë broshura, libra dhe projekte të tjera për të dëshmuar se Kosova është e tyre, se shqiptarët janë po aq kriminelë sa ata etj. Delegacioni serb që duhet të merrte pjesë në Vjenë për t'i zgjidhur disa "çështje teknike", bekimin e morën prej vetë patriarkut të kishës ortodokse serbe. Këto dukuri ndiqen me kujdes nga faktori shqiptar dhe ndikojnë dukshëm në pasigurinë e tyre.
    E gjitha kjo që thashë më lart krijon bindjen te faktori shqiptar se përmes këtij dialogu do të fillojë në mënyrë të pahetueshme rikthimi i politikës serbe në Kosovë. Z. Holker thotë se do të bisedohet për çështje teknike, por vetvetiu imponohet pyetja: për se të bisedohet për interesat e serbëve të Kosovës me serbët e Beogradit? Kjo pyetje fiton në peshë duke zbuluar kështu absurdin kur analizohet fakti se të drejtat maksimale u jepen serbëve në Kosovë nga faktori ndërkombëtar. Shqiptarët as që konsultohen për këto çështje, ashtu si bie fjala maqedonasit nuk duhej të përcaktoheshin të drejtat e shqiptarëve. Involvimi i Serbisë në çështjet e Kosovës sërish shkakton frika dhe dyshime te shqiptarët. Mendoj se ata nuk janë kundër dialogut dhe nuk e refuzojnë atë, por thjesht shfaqin rezervë për implikimin e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës. Me këtë rast nuk duhet harruar edhe fakti se gjuha e diplomacisë ndërkombëtare është me ekuivoke dhe nuk përpiqet t'i eliminojë dyshimet e kosovarëve. Pra, hezitimi për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje vetvetiu nuk është një gjest i mirë apo i keq, por është pasojë e përvojës së hidhur.
    Së fundi, ku është pozita e shqiptarëve në tërësi në raport me strandardet dhe vlerat evropiane?
    Shqiptarët në mijëvjeçarin e ri hynë me shpresa të mëdha dhe me realitete të hidhura. Çështja e Kosovës nuk është zgjidhur ende, implementimi i marrëveshjeve politike në Maqedoni dhe në Luginë të Preshevës ngecin në forma të ndryshme brengosëse, transformimi ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri nuk po zhvillohet me një temp inkurajues, imazhi ynë në botë është i rrënuar, aty-këtu shfaqen kafshime të ndryshme të identitetit tonë kombëtar, armiqësitë e disa shteteve fqinje gjithnjë e më shumë po sistemohen në shumë drejtime, kështu që para nesh dalin detyra të mëdha. Disa nga këto detyra varen nga ne, siç bie fjala krijimi i imazhit pozitiv, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, avancimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe i standardeve të tjera demokratike etj. Ndërkaq disa detyra të tjera varen nga faktori ndërkombëtar, si bie fjala, çështja e Kosovës. Por duhet kuptuar që kjo e dyta varet drejtpërdrejt nga ajo e para. Sa më shumë ta reduktojmë krimin, korrupsionin dhe devijimet e tjera që ngjallin frikë te faktori ndërkombëtar, aq më shumë do të shtohet përkrahja për pavarësi të Kosovës. Shqiptarët në përgjithësi, të ballafaquar me probleme të prekshme, të dhembshme elementare as që shohin rëndësinë e ndërtimit të imazhit pozitiv. Nëse ka arsyetime për ngecje teknologjike, nuk mund të gjendet asnjë arsye për tolerim të vandalëve që e rrënojnë imazhin tonë pozitiv.
    Faktori ndërkombëtar aktualisht i jep rëndësi të madhe luftës kundër terrorizmit, korrupsionit, krimit të organizuar, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të standardeve të tjera evropiane. Mbajtja pezull e çështjes së Kosovës është pasojë e dyshimit ndaj seriozitetit dhe kapacitetit të politikës shqiptare që të përballet me këto sfida. Politika shqiptare në përgjithësi nuk vepron sa dhe si duhet për përmirësim të imazhit të saj në atë masë sa faktori antishqiptar përhap propagandën e saj të egër, duke ia mveshur politikës dhe popullit shqiptar këto atribute që e brengosin botën e qyteteruar.




    20/10/2003
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e zeus
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Këtu
    Postime
    944
    --------------------------------------------------------------

    FAJI TIRANAS I HIMARES


    --------------------------------------------------------------------------------

    AUREL PLASARI

    Incidenti i Himarës", që ka gjallëruar pasionet ditëve të fundit, përfshihet në situatën e ndezur të rivalitetit dhe konkurrencës politike: zgjedhjet vendore 2003. Në një situatë të tillë është e pritshme që një incident si ai të rrethohet nga një sërë dyshimesh, të cilat mund t'i hedhësh si mbi forcat politike në fitore e sipër, ashtu edhe mbi ato në humbje e poshtë. Projektimi i fajit mbi "tjetrin" funksionon në kësi rastesh si më e lehta zgjidhje, posaçërisht kur "tjetrin" mund ta gjesh kollaj edhe përtej kufijve të shtetit shqiptar.
    Por këtu, brenda kufijve të shtetit tonë, krahina gjeografike-etnografike e Himarës, që përbën edhe një njësi më vete politike, shfaq sheshit shenjat e një krize shtetërore sa i përket mbarështimit dhe miradministrimit të saj. Në dokumentet tona shtetërore të dhjetë viteve të fundit duhet të jenë bërë tanimë pirg kërkesat dhe peticionet e familjeve apo grupfamiljeve të Himarës drejtuar qeveritarëve për të ndërhyrë në të mirë të zgjidhjes së problemeve të tyre jetike, ndër të cilët i pari është ai i pronësisë mbi tokën. Rasti më i fundit, me sa mbaj mend, ka qenë ai i vitit 2002, kur përfaqësues të familjeve himarjote (Dhërmi, Palasë, Gjilekë, Vuno, Ilias, Pilur, Kudhës, Qeparo etj.) i shkruanin kryeministrit të atëhershëm z. Ilir Meta pikërisht për çështjen e pronave mbi tokën. Ata i shpjegonin kryeministrit shqiptar që tradicionalisht Himara nuk ka pasur "toka shtetërore", por toka pronë private, pronë bashkësie dhe pronë institucionesh fetare. Kështu deri më 1946-n, kur nisi shtetëzimi me dhunë dhe, mandej, edhe koletivizimi i përdhunshëm. I kujtonin gjithashtu se ligjet e dala në vitet '90 rezultonin të papërshtatshme për specifikat e pronësisë në krahinën e tyre dhe se atëherë himarjotët u patën mbledhur "burrë për familje" dhe kishin vendosur në një kuvend të tyrin (hmmm) rindarjen e pronave duke u kthyer te gjendja para 1946-s, pra para dhunimit shtetëror të pronave të tyre. Ndaj një zgjidhjeje të këtillë shteti shqiptar mbajti një qëndrim së paku ambig: herë duke e pranuar këtë marrëveshje si "fakt të kryer", herë duke e cenuar atë si pa gjë të keq dhe duke lejuar shpërdorime të mëdha, madje përdhunime të reja, me pronat e himarjotëve në Himarë, me viset aq të lakmuara të "Bregut".
    E kujtova shkurt këtë parashtrim të tyrin, sepse në media ai pati gjetur fort pak zë: u botua vetëm prej ndonjë "gazete të opozitës" dhe thuajse nuk iu vu veshi. Ekzistonte ndonjë interes për të mos iu vënë veshi një shqetësimi të tillë? Qeveritarët shqiptarë ndoshta kishin atëherë, si dhe më parë, punë më të rëndësishme: halli i himarjotëve të cenuar në të drejtën e tyre të pronësisë mund të qe për ta diçka anësore: aty në periferi të shtetit…dikush… diçka… Porse për vetë himarjotët ai ishte një hall jetik: kishte të bënte sa me trashëgiminë e tyre stërgjyshërore, aq dhe me të ardhmen e bijve të tyre, të nipërve të tyre. Dhe për ta ai vijon të jetë ende një hall gjithaq jetik.
    Përkundrejt këtij shqetësimi, incidenti i ditës së votimeve në qytetin e Himarës afërmendsh që vjen më tërheqës mediatikisht, mbasi përmban si në një monadë thuajse të gjitha elementet e duhura të një spektakli: grupin 10-15 vetësh, agjitimin, shfaqjen e flamujve të shtetit fqinj, britmat dhe klithimat, sharjet ndaj shtetit shqiptar, një figurë e dyshimtë lyer paksa në gjak ose në ngjyrë të kuqe, konfliktualitet të drejtpërdrejtë me kamerat televizive etj. Dhjetëfish, për të mos thënë njëzetfish më i madh qe interesi i konsumatorëve të mediave për këtë incident nga sa pati qenë për protestat demokratike të familjeve himariote, për përçapjet e tyre legale pranë drejtuesve të shtetit shqiptar, pranë ligjvënësve të Kuvendit të Shqipërisë. Ta pranojmë që për konsumatorët e mediave një incident i tillë paraqitet fort më i receptueshëm: ngjall më shumë pasione se përçapjet që i kujtova sipër.
    Që krahina e Himarës përbën brenda shtetit shqiptar një njësi gjeografike-etnografike me specifika sa të përbashkëta me pjesën tjetër të vendit, po aq edhe të ndryshme prej saj, ky është një realitet faktesh. Si krahinë e tillë, historikisht Himara ka kaluar nëpër rrethana nga më të larmishmet politike: në shekullin IX-X u përfshi në shtetin e car Simeonit, në shek. XII kaloi për pak kohë nën zotërim venedikas, në fund të shk. XIII u bë pjesë e "Mbretërisë së Arbërisë" të Karlit angjevin, kaloi mandej nën sundimin e despotit Mikail VIII Paleologu, derisa ra nën pushtimin osman. Por: duke mbetur gjithnjë Himarë. Edhe në sundimin osman himarjotët ruajtën një varg venomesh të rëndësishme politike dhe ekonomike: të drejtën e qeverisjes së krahinës në bazë kanunesh tradicionale, të drejtën për të pasur nëpunës vendës në gjyqet e tyre, të drejtën për të mbajtur flamurët e tyre dhe armët e tyre etj. Të kujtuarit e këtyre specifikave nuk përbën ndonjë thirrje për kthim në ato venome të njëherë e një kohe: sepse kjo do të ishte e pamundur si vërtitja mbrapsht e rrotës së historisë, në kohën që si Perandoria bizantine ashtu edhe ajo Osmane i përkasin muzeut të armëve. Por specifika të tilla ndihmojnë të dallohet se tradita e venomeve të një krahine të tillë, pozicioni i saj i veçantë gjeopolitik, si dhe rrjedhimet e një situate të tillë kulturhistorike janë edhe ato një realitet historik që do mbajtur shënim kur bëhet fjalë për zgjidhjen e problemeve të kësaj njësie politike të shtetit shqiptar. Në vend që të cenojnë "njëjtësinë" e Shqipërisë politike, specifika të këtilla, të cilësdo krahinë qofshin, përbëjnë përkundrazi vlera që e pasurojnë realitetin tonë bashkëkohor. Parimet e qytetërimit të cilit i përkasim dhe me të cilin jetojmë na nxisin t'i ruajmë vlera të tilla, në mos qofshim të zot t'i pasurojmë. Shqipëria e kaluar tanimë në një periudhë gati gjysmëshekullore varfërimi kulturhistorik nuk mund t'ia falë vetes luksin e varfërimeve të mëtejshme.
    Ndër themeluesit e mendimit demokratik Benjamin Constant-i qe shumë i rreptë me kriteret e bashkëfunksionimit të qytetarëve në shtet: ai nuk pranonte për qytetar të mirëfilltë (në kuptimin frëng citoyen) individin që nuk kishte pronën e vet: qoftë të trashëguarën, qoftë të krijuarën nga puna e tij. As të drejtën e votës ai nuk pranonte ta kishte "i paproni"! Nëse ndokush shpreson ta administrojë Himarën me "himarjotë të papronë" apo, edhe më keq, "himarjotë të shpronësuar", gabohet edhe do të shkojë drejt dështimesh edhe më të mëdha sa i parket jo vetëm Himarës. Drejtues të shtetit shqiptar, qeverisës të Republikës së Shqipërisë dhe ligjvënës të shtetit tonë nuk mund të fshihen mbas incidentit të ditës së votimeve, sado spektakolar ai qoftë. Funksion i pushtetit të tyre të mandatuar - d.m.th. të mandatuar - është t'u ikin kureshtive të tilla, t'u skajohen efuzioneve plot afsh e zjarr të konsumatorëve mediatikë, për t'iu kthyer detyrave demokratike: mes shumë të tjerave, edhe detyrës për mbarështimin dhe miradministrimin e pasurisë që e quajmë "Himarë".

    --------------------------------------------------------------------------------
    Në botë ka 10 lloje njerëzish: ata që kuptojnë sistemin binar, dhe ata që nuk e kuptojnë!

  3. #3
    Gezuar Kosoven e Pavarur Maska e dodoni
    Anëtarësuar
    07-11-2002
    Postime
    3,393
    Edhe pse të gjitha këto probleme të cekura më lartë si:
    -mediat shqipe në Himarë
    -telefonia shqipe në Himarë
    -problemi i pronave
    duke u bazuar në shtypin shqiptar të këtyre ditëve qëndrojnë dhe kërkojnë zgjidhje të menjëhershme nga qeveria shqiptare, prapë problemi kryesor qëndron te PBDNJ dhe Bollano.
    Bollano i ashtuquajturi udhëheqës i helenizimit nga vet gazeta e Himarës e financuar nga qarqet shoviniste greke, ka kërkuar votat e himarasve për të bërë helenizimin e himarasve dhe Himarës, pra ky nuk e diskuton shqiptarsinë e Himarës por kërkon helenizimin e saj.
    Në zgjedhjet e fundit vendore në Himarë në një faqe interneti të hapur për qytetin e Himarës e që ishte më shumë se grekofile, shkruante edhe një që quhej Kleanthi Dede. Ky thoshte se Himara do të votoj atë që jep më shumë, pra shqiptarët apo grekët, dhe Himara do të shkoj me ata që japin më shumë pra me shqiptarët apo me grekët.
    Pasi socialistët morrën votat dhe bashkinë e qytetit në zgjedhjet e fundit i dha Himarës buxhet katër herë më të madh se Shkodrës me dhjetë herë më shumë popull, dhe rezultati pas tre viteve edhe më negativ.
    Sipas Kleanthi Dedes, Himara e ka vënë identitetin kombëtar në shitje, kush jep më shumë para e merr Himarën e himarasit.
    Identiteti kombëtar duke u nisur nga përvojat e shteteve dhe kombeve tjera por edhe të kombit tonë deri tani është e vetmja gjë që nuk shitet në asnjë mënyrë dhe nuk është shitur deri tani, por përkundrazi ai është mbrojtur me të gjitha mënyrat e shumë herë edhe me gjak pa marrë parasysh gjendjen ekonomike.
    Prandaj, mendoj se këtu është gjithë problemi himaras që padyshim rol të madh në sjelljen e qytezës në këtë gjendje kanë sjell edhe problemet e cekura më lartë por pamvarësisht atyre problemeve kjo nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë.
    Do të sillja si shembull dardansat në vitin 1989 dhe grevën e tyre kur edhe pse e dinin se që të gjithë do të largoheshin nga puna e do të torturoheshin, masakroheshin dhe këtu ishte fjala për qindra mijëra jo për disa persona dhe për një periudhë kohore jo disa ditëshe e muajshe por 10 vjeçare deri më 1999, dhe nuk cenohej identiteti i tyre kombëtar aspak por vetëm të drejtat e tyre kombëtare mbi pronësinë e Dardanisë, dhe prapë e bënë këtë gjë. Kemi me mijëra raste kur jo vetëm shqiptarët e tjerë por edhe kombet tjera (pamvarësisht gjendjes së tyre ekonomike) por edhe vet himarsat në të kaluarën kanë derdhur edhe gjak në mbrojtje të identitetit të tyre kombëtar se vënia e identitetit të tyre kombëtar as që është diskutuar ndonjëherë.
    Për fund me përsëritjen e zgjedhjeve në Himarë tani edhe himarasit do të kthjellohen dhe do ti japin shkelmin PBDNJ-së dhe udhëheqësit të helenizimit Bollano, dhe do të ndalojnë shitjen e identitetit të tyre kombëtar për 175 euro.
    Kurse qeveria nga ana tjetër do të ndaloj mediat televizive greke në Himarë e do ti coj prapë mediat shqipe atje si dhe do të zgjidh problemin e pronave ashtu siç është më së miri, duke punuar së bashku me gjithë shqiptarët tjerë për zhvillimin sa më të madh ekonomik të të gjithë Shqipërisë e edhe Himarës e veçmas turizmin në Himarë.

    Tung
    Leje mos m'trano, pashe zotin!!!!

    Rrofte Shqiperia Etnike

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-03-2003
    Vendndodhja
    Oakland, CA
    Postime
    738
    Nuk e di po ky A. Xhaferri eshte politikani me brilant i gjithe trojeve shqiptare. Sidomos ne aspektin konceptual dhe teorik ai nuk njeh rival. Do te doja te besoja se do ishte po aq efektiv ne administrimin praktik te pushtetit nese zgjidhej ndonjehere kryeminister. Gjithsesi konstatimet e tija duhet te pebejne shtratin aktual nga ku ngjizet politika shqiptare.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e troptit
    Anëtarësuar
    04-07-2002
    Vendndodhja
    Ne ate pjese te tokes qe me takon
    Postime
    109
    Tung!
    O dodon, se pari te uroj te gjithe te mirat! Se dyti ma dergo adresen e re te AKSh-se se te ajo e vjetra nuk arrij te hy ma se me duket se e kane mbyllur!Faleminderit!
    Troptit!
    JO NEGOCIATA! VETËVENDOSJE! WE SHALL NEVER FORGET!

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Arber Xhaferrri mes tjerash ne kete interviste kritikon nje fenomen qe ai e pershkruan keshtu:


    "" Ai që është me ty, pra që i takon grupit tënd, trajtohet si mik dhe atij i tolerohen të gjitha gjynahet, ndërsa ai që i takon grupit tjetër trajtohet si armik dhe nuk i tolerohet asgjë. """


    Nuk di a e ka ngritur ndonjehere zerin kunder vrasjeve ne Kosove zoti Arber ?

    Sikur sma ka zene veshi..e mundet te jete tamam sic thote ai qe dhe Ai vete toleron Gjynahet e atyre qe i ka miq dhe nuk le rast pa kakaritur kunder "armiqve".

    Vrasjet ne Kosove qe nuk jane legjenda por Fenomen Real, sepse te vraret nuk jane personazhe mitologjike por Persona qe jetuan ne Kosove e qe populli i njohu sa ishin gjalle, jane nje OBJEKT DEBATI qe i kan ndare Shqiptaret ne dy fronte.

    Fronti qe i denon dhe fronti qe i perkrah.

    Ata qe nuk ndihen jane me palen qe i perkrah vrasjet e Arberi i cili hyn tek njerzit qe per cdo ngjarje i shkojne ne sekond Mikrofonat e Mediave, kurre nuk eshte prononcuar.

    E kane bere sholle ftyren kta Nanoistat e Tetov Prishtines.

    Nje Shembull tjeter...i ftyr-sholle izmit.

    Keto dite Shiku dhe Prokuroria e Tiranes po ndjekin Gafurr AKSH-ne dhe po bejne sikur ndjekin dhe Idajet AKSH-ne.

    Idajeti ose Alban Vjosa e di mire (sepse i njef rrenj e dhemballe organizimin e Sigurimit PPSH-eist e PS-ist sepse agjent i tyre ka qene qe pionier ne Frakull a Levan ..nga ka qene) se Shiku dhe Prokuroria e Tiranes nuk bejne asnje ciu miu pa urdher te kryetarit te PS-se Fatos Nanos e megjithate Alban Vjosa, kryetrimi nuk krruhet me Nanon po nxjerr pallen kunder Moisiut neper intervista.

    Edhe Qosja..ideatori i "Teresise e bashkimit te Trojeve" qe eshte mik e bashk kopuk me Idajet Beqirin kur vjen puna asnje ciu miu nuk ben ne opinion mbi fatin e Gjeneraleve Gafurr e Alban Vjos Idajetit.

    Sic duket per Qosen trojet dhe lufta per trojet eshte karte qe nxirret kur eshte Berisha ne Pushtet e kur jane miqte e tije ai fshin b.ithen me Teresine e Trojeve...e knaqet me tollumba te Rognerit e Viles se Enverit.

    As Albani i Vjoses nuk ndihet te thote..Po ku je o Akademiku yne..pse nuku llafos pak me Nanon tend per te lene te lire ate te mjerin tarallak Gafurr Katunarin..

    Hipokrizi ..only hipokrizi..ne radhet e mjekrroshave Nanoiste te Tetov-Prishtines..
    Ndryshuar për herë të fundit nga Brari : 21-10-2003 më 13:19

  7. #7
    i thare
    Anëtarësuar
    23-06-2003
    Vendndodhja
    u.s.e
    Postime
    384
    Brari
    Mos u bej subjektiv ne analitiken tende.
    Jo gjithshka duhet pare zi dhe bardhe e zi. Per mendimin tim zoti Xhaferri eshte shume real dhe zberthen me imtesi problemet aktuale si ne Shqiperi, ne Kosove dhe Maqedoni.
    E kam lexuar dy here analitiken e tij dhe per mua analitika e tij merr nje vleresim te sinqerte dhe pozitiv.
    Neser mund te shtoj dicka me shume ne lidhje me aktualitetin e analitikes se tij.
    Lis
    "Nene Shqiperi mos kij frike se ke djemte ne ha-merr-ike"

  8. #8
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869

    KQZ zgjedh sot fituesin e Himarës.

    Parregullsitë e procesit zgjedhor në Himarë, por dhe tensioni e incidentet në këtë zonë, mund të detyrojnë sot KQZ-në të anulojë rezultatin e zgjedhjeve në disa zona të Himarës dhe të kërkojë ribërjen e tyre. Kjo kërkesë u bë nga komisionerët e PS-së në KZQV-në e Himarës.

    LAJMI

    Sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendos mbi zgjedhjet e Himarës. Pas kërkesës së bërë nga komisionerët socialistë, pritet që KQZ-ja të anulojë rezultatin e zgjedhjeve në disa zona dhe të kërkojë ribërjen e zgjedhjeve në to. Mbrëmë KQZ-ja ka thirrur komisionerët e KZQV-së së Himarës për t'i pyetur rreth parregullsive të konstatuara në zonat e Himarës. Ky tension solli dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor. Sipas kryetarit të KZQV-së Himarë, Elia Rrapo, nënkryetares Lefteri Prifti dhe sekretarit Artan Azaj, procesi i votimit ka qenë pa probleme deri në mesditë, kur dhe u vodh vula e komisionit të qendrës së votimit në Pilur. Kjo bëri që votimi në këtë qendër të ndërpritej deri në orën 19 të mbrëmjes, duke shtyrë votimin. Vula, e cila u kthye nga forcat e Rendit, ishte e padëmtuar. Ata vlerësojnë flagrant rastin e vjedhjes së kutisë së votimit në Qeparo, e cila, pasi u gjet, u skualifikua dhe është sjellë në KQZ. Incidenti me lëndën plasëse në Himarë Fshat, ku ishte dhe numri më i madh i votuesve, acaroi më tej situatën e tensionuar. Anëtarët e KZQV-së së Himarës kanë dëshmuar se atyre dhe votuesve jashtë Qendrave të Votimit u janë bërë mjaft presione që të votonin për kandidatin e PBDNJ-së. Komisionerët që vinin nga Qeparoi dhe Himara Fshat, sipas tyre, janë keqtrajtuar dhe rrahur nga persona të paidentifikuar. Ndërsa, sipas Rrapos, nga 15 qendra votimi që ka Himara, 3 kuti votimi bashkë me procesverbalet dhe tabelat nuk janë dorëzuar në KZQV natën e 12 tetorit. Ato janë dorëzuar të nesërmen, prandaj KZQV-ja ka vendosur që ato të numërohen nga KQZ. Sipas komisionerëve, atyre u është bërë presion dhe gjatë numërimit të votave, ku u kanë kërkuar atyre që ata të vazhdonin numërimin e të gjitha kutive deri në mëngjes dhe kanë shpjeguar firmosjen e procesverbaleve që, dhe pse kanë firmën e tyre, kjo firmë është hedhur nën trysninë e presioneve. Ata thanë se kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, është parë në ambientete e KQZV-së së Himarës. Pas votimit në KQZ, u vendos që sot të numërohen votat e tri kutive të votimit dhe të jepet vendimi për rezultatin e Himarës.


    Parregullsite e zgjedhjeve te Himares

    - Himarë Fshat, Pilur, Qeparo
    - Vjedhja e vulës në Pilur
    - Hedhja e lëndës plasëse në Himarë Fshat
    - Vjedhja e kutisë së votimit në Qeparo
    - Presion ndaj votuesve, që të votonin Bollanon
    - Mosdorëzimi i procesverbaleve dhe tabelave
    - Vonesa e dorëzimit të tri kutive të votimit, që nuk u numëruan
    - Presion komisionerëve që të firmosnin procesverbalet.

  9. #9
    Perjashtuar Maska e Komisari
    Anëtarësuar
    16-10-2003
    Vendndodhja
    Rain forest
    Postime
    29

    BERISHA MË ANTIKOMBËTAR SE SA ENVERI

    BERISHA MË ANTIKOMBËTAR SE SA ENVERI


    Nuk dua të bëj ndonjë lavdërim për Enver Hoxhën e as të bëj avokatin për mënyrën se si e trajtoi ai çështjen kombëtare, por i jap të drejtë vetës që duke iu referuar tradhëtisë së tij, të vërtetoj se të tjerë në kushte më të favorshme se sa ai për të mos shkarë në të (tradhëti) janë zhytur më thellë se ai (Enveri) në llumin e saj (tradhëtisë).

    Në vitin 1997, në pragun e trazirave shpërthyer , gjoja për shkak të firmave piramidale, me një shkrim në xhep dhe me mëdyshje në ndërgjegje hyra në redaksinë e gazetës “Rimëkëmbja”. Duke ia dorëzuar shkrimin zotit Abdi Baleta i thashë “Shiheni një herë, megjithëse mendoj se nuk është momenti për ta botuar”.

    Zoti Baleta mbasi e mbaroi së lexuari m’u përgjigj: “Nuk është momenti, por lere këtu se do të vijë koha edhe për këtë”. Në atë shkrim, sipas vëzhgimeve dhe analizave të mia, në disa aspekte Sali Berisha ia kalon Enver Hoxhës në prapësi. Pas kësaj, punët rrodhën në mënyrë të atillë që, ne, kundërshtarët nacionalistë të Berishës, jo vetëm ndërpremëkritikat ndaj tij, por iu bëmë mbështetës dhe mbetëm të tillë edhe kur shumë bashkëpunëtorë të ngushtë dhe partizanë të zjarrtë të tij e braktisën. Kjo gjendje zgjati dhe, shkrimi im në sirtarët e redaksisë u harrua.

    U vumë dhe qëndruam në krah të Berishës (por pa ia harruar bëmat e gjëmat e duke ia kujtuar sipas rastit), të paktën për dy arsye:

    a) E para pse retë e zeza që po grumbulloheshin në qiellin shqiptar me intesitetin, dëndësinë e ngarkesën e tyre antikombëtare paralajmëronin një katastrofë më të madhe e më të menjëhershme se sa rreziku që vinte nga qeverisja e Berisha-Meksi.

    Pra në kuadër të fatalitetit shqiptar kur shumica dërrmuese e shqiptarëve ishin të ndarë ndërmjet PS-së e PD-së, politikën Berishiane e shihnin si të keqen më të vogël.

    b) E dyta ishte bindja llogjike se ngjarjet e 1997-ës dhe ato që ndodhën më pas do ta kishin bërë Berishën të kishte kuptuar se ku i kishte çuar Shqipërinë dhe shqiptarët me mushkën e tij kokëforte dhe, kështu do të kthehej në rrugë të mbarë. Por....

    Zhvillimet e mëtejshme treguan se s’kishin të bënim me një Sali të gabuar për mungesë eksperience, siç mundohen ta justifikojnë akoma nostalgjikët e tij, por me një Sali fajtor, për shkak të bindjeve të pandryshueshme.

    Berisha, mbeti ai që ishte, demagog i pakontrolluar nga arsyeja, duke synuar titullin kampion në fushën e demokracisë, sipërfaqësor dhe oshilativ në fushën e çështjes kombëtare, në thelb antikombëtar, jo vetëm për arsye të bindjeve të tij komuniste, të ndryshuara në kozmopilite (të vetmet që i japin shans karierës së tij); e së fundi euforik i ekzaltuar, pa parime dhe strategji në luftën për fitore.

    Siç është Saliu, na detyron që, në marrëdhënie me të, të mos ruajmë më asnjë rezervë. Ai tashmë nuk është e keqja më e vogël, por një e keqe e madhe në garë me më të madhen, PS-në të cilën shpesh e kalon në prapësi.

    Kështu, p.sh., ndodhi në fushatën e fundit elektorale, për pushtetin qëndror, kur Berisha, në emër të demokracisë, akuzoi qeverinë socialiste pse në rregjistrimin e fundit të popullsisë, nuk lejoi zbatimin e kërkesës greke, “përcaktimin vullnetar të shqiptarëve për fe e kombësi”.

    Berisha e di rrezikun e madh që i sjell kombit ky lloj përcaktimi, sidomos në situatën aktuale. Por, në emër të demokracisë së kulluar i qëndron konseguent këtij opsioni që nga viti 1991 pa marrë parasysh, as pasojat, e as kritikat demaskuese që i janë bërë pandërprerë.

    Qëndrime të tilla, neve, që, e kemi parë Berishën si një fenomen të dërguar nga Zoti për t’i shërbyer kombit, na shkaktojnë dhembje. Arsyeja që më shtyu, në këtë moment, për të bërë publikisht një krahasim ndërmjet Saliut dhe Enverit nuk është vetëm fakti që, pikërisht në këtë moment, Saliu ka injoruar në mënyrë të paturpshme “çështjen çame”, gjë për të cilën jam duke përgatitur diçka tjetër, por edhe pse ndërkohë u njoha me librin “Letër e panjohur e Enver Hoxhës për Kosovën”, përgatitur për botim nga Ymer Minxhozi.

    Ndryshimi ndërmjet Enverit dhe Berishës, për keq, në adresë të të dytit, theksohet më shumë kur, si për njërin dhe për tjetrin, situatat ndryshojnë në favor të çështjes kombëtare shqiptare. Siç po ndodh në ditët e sotme me çështjen çame dhe siç ka ndodhur në kohën kur bëhet fjalë në librin e botuar nga Ymer Minxhozi.

    Jetojmë ditët më të mira të trajtimit të çështjes çame. E kjo falë ndërkombëtarizimit të saj nga qeveria turke, e cila duke e trajtuar, dy herë, si një çështje që është krijuar nga dy padrejtësi të mëdha, siç është ajo e copëtimit të trojeve shqiptare në 1913 dhe lënia e Çamërisë nën robërinë greke, e më pas, nga përpjekjet e Greqisë për t’i tjetërsuar këto troje, nëpërmjet helenizimit të një pjese të banorëve të tyre (elementin ortodoks) dhe dëbimit të një pjese tjetër (të përkatësisë islame) nëpërmjet mohimit të çdo të drejte njerëzore e kombëtare si dhe të ushtrimit të masakrave çnjerëzore, nga më të ndryshmet, që arritën kulmin e tyre me genocidin që qeveria greke ushtroi ndaj myslimanëve të Çamërisë në 1944-1945.

    Qëllimi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, për ndërkombëtarizimin e çështjes çame nuk ishte thjesht për njohjen e kësaj historie të dhimbshme nga bota, por më tepër sensibilizimin e saj (botës) për t’iu përgjigjur kërkesës së saj (Ministrisë së Jashtme të Turqisë) për ta vënë këtë çështje në rrugën e zgjidhjes.

    Ndërkohë që, pas kësaj inisiative (të Turqisë mike të shqiptarëve) në Europë shihen lëvizje negative nga pala greke për ta neutralizuar atë (inisiativën turke) dhe kundërshtime gjysmake në forumet e B.E-së, siç janë ato që u bëhen eurodeputetëve grekë, në SHBA çështja çame merret seriozisht. Ajo ishte bërë jo vetëm çështje individësh kongresmenë e senatorë por edhe të vet Kongresit dhe Senatit Amerikan.

    Interesimi dhe impenjimi i dy forumeve më të larta të superfuqisë së vetme në botë, Amerikës, duhet të shkaktonte besim dhe entuziazëm në qarqet shqiptare. Besim se, për ndërhyrjen e faktorit shqiptar, çështja çame ka hyrë në rrugën e zgjidhjes dhe, entuziazëm për të braktisur idenë se “ç’ka është bërë keq për Shqipërinë nuk ç’bëhet më se, kështu do bota”. Ja pra, jo e gjithë bota dashka kështu!

    Por nuk ndodh kështu, forcat politike në Shqipëri, si ato që janë në pushtet edhe ato që presin të vinë në të, bëjnë sikur nuk kuptojnë që koha punon për kombin e tyre, por edhe për ato, nëse do të donin ta qeverisin atë (kombin) me faqe të bardhë. Ato dhe ata që i drejtojnë ato (forcat politike) nuk i ha malli për të mirën e kombit as për faqen e tyre të bardhë, ndërsa të mirën e tyre e shofin atje ku e kanë parë deri më sot, të pandarë nga faqja e zezë, te interesat e armiqve të kombit të tyre.

    Në kategorinë e sapopërmendur bën pjesë edhe Berisha, brenda të cilës garon, e shpesh ia del t’i lerë pas të tjerët, siç ndodhi edhe me Kuvendin e VII (shtatë) të SH.P.A. “Çamëria” më 27.9.2002, ku pas dymbëdhjetë vitesh të jetës së saj, u dëgjua edhe zëri i PS-së por jo ai demokrat, i të dërguarit të Berishës. Ai mungonte!

    Kjo mungesë e qëllimshme me plot gojën mund të quhet injorim ndaj çështjes çame. Injorim i cili është i dyti i bërë brenda pesëmbëdhjetë ditëve. I pari është shprehur në TV Shijak në datën 12 shtator 2002, me rastin e përkushtimit të katërvjetorit të vrasjes së Azem Hajdarit, nëpërmjet përgjigjes që Berisha i dha njerës prej pyetjeve që i drejtoi gazetari Alfons Zeneli.

    Mjaftojnë këto dy qëndrime injoruese nga ana e zotit Berisha ndaj çështjes çame, të mbajtura në një periudhë kur ndërkombëtarizimi i saj ka marrë përmasa të admirueshme shprese e besimdhënëse në rrugën e zgjidhjes së saj dhe, që, pret zërin shqiptar për nxitje të mëtejshme në drejtimin e duhur, për t’i krahasuar me qëndrimin e Enverit ndaj çështjes së Kosovës mbajtur më 2 shtator 1949 kur i drejtoi letrën e tij KQ të PK (b) të BS me anë të së cilës pa ekuivok është shprehur për shkëputjen e viseve shqiptare nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, si varianti më i mirë (i kërkuar nga shqiptarët e atyre viseve) nga tërë të mundshmit.

    Përveç kësaj Enveri në këtë letër shpreh edhe gadishmërinë e shtetit shqiptar për të marrë përsipër barrën e vet në zgjidhjen e kësaj çështjeje. E ky krahasim flet shqip që, Berisha është më antikombëtar nga ç’ka qënë Enveri.

    Nostalgjikët e tij (të Berishës) le të na kundërshtojnë.



    Eqerem Beqo Plaku

Tema të Ngjashme

  1. Historiku i shkurtër i LDK-së, 1989-2004
    Nga Arb në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 20-07-2012, 08:58
  2. PS pergatit skenarin e bojkotimit te zgjedhjeve te vitit 2009!
    Nga DYDRINAS në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 124
    Postimi i Fundit: 07-03-2010, 09:37
  3. Fatos Nano: PS ka per ti humbur zgjedhjet e qershorit
    Nga juanito02 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 100
    Postimi i Fundit: 21-06-2009, 07:02
  4. Kërcënime me armë në qëndrat e votimit në zgjedhjet e 1921
    Nga Xhuxhumaku në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 28-07-2005, 20:27
  5. Strategjia e opozitës në zgjedhjet lokale
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 08-08-2003, 11:12

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •