KESH: “Kemi energji për të përballuar dimrin”

Pjetri: “Tenderi për vitin 2004 u anulua për të siguruar energji me çmim më të ulët”

Bledjana Beqiri

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare premton drita për dimër. Drejtori i Divizionit të Prodhimit pranë Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), Luigj Pjetri, dje në një konferencë për shtyp ka qetësuar konsumatorët e energjisë se kufizimet e rënda të ditëve të fundit priten të reduktohen. “Lidhur me situatën aktuale hidroenergjitike, dua t’ju informoj se gjatë 24 orëve të fundit, në zonën verilindore të vendit, ku janë pellgjet kryesore ujëmbledhëse të kaskadës së Drinit dhe të Matit, ka patur reshje të mira. Prurjet anësore në hidrocentralin e Komanit, që vijnë nga Valbona dhe nga lumenjtë e tjerë, që e furnizojnë, kanë arritur në 1000-1200 metra kub ujë në sekondë dhe prurjet në hidrocentralin e Fierzës janë 300-350 metra kub ujë në sekondë”, -pohon Pjetri. Sipas tij, gjatë dy ditëve të fundit vihet re një përmirësim i situatës hidroenergjitike, e cila vazhdon të jetë e ngarkuar me reshje dhe prurje, të cilat KESH po i mban në nën kontroll të vazhdueshëm, me qëllim që të rrisë në maksimum prodhimin e energjisë elektrike nga hidrocentralet. “Situata hidrike vazhdon të jetë e përmirësuar; ne do ta mbajmë nën kontroll gjatë gjithë kohës. Do të rrisim gatishmërinë, do të vëmë në punë gjithë burimet gjeneruese, për të qenë sa më korrektë në drejtim të shfrytëzimit të sistemit energjitik”, -sqaron Pjetri.


Tenderi

Anulimi i tenderit ndërkombëtar për blerjen e energjisë elektrike për vitin 2004 kishte për qëllim që të shfrytëzohet situatat hidrike e momentit, sqaron Luigj Pjetri. Sipas tij, kjo nënkupton se vendimi është shumë i drejtë, i marrë në kohën e duhur, tepër korrekt e i studiuar, sepse fakti tregon që prurjet po rriten dhe ne kemi një përmirësim të situatës hidrike. “Anulimi i këtij tenderi është me efekte pozitive për KESH-in, sepse në të gjithë vendet e Evropës dhe sidomos të pellgut, të zonës që ne na rrethon, kemi një përmirësim të situatës hidrike, gjë që tregon se ka shpresa edhe për çmime më të ulëta të energjisë”, -pohon drejtori i Divizionit të Prodhimit. Pjetri sqaron më tej se vendimi që mori KESH-i për anulimin e tenderit të energjisë tregon se është mjaft i argumentuar dhe do të ketë ndikimet e tij pozitive në dy drejtime: për sigurimin e energjisë dhe për uljen e çmimit të energjisë.




22/10/2003
KATEGORIA: Ekonomi