Në Shqipëri, të ardhurat nga sigurimet janë më të ulëtat në rajon. Në 2003 parashikohen 32 milionë $

Sigurimet e detyrueshme, çelësi për rritjen e tregut

Islami: “Ministria e Financave është e gatshme për të kontribuar në rritjen e sigurimeve të detyrueshme”

Bledjana Beqiri

Tregu i sigurimeve është ende shumë i vogël, edhe pse gjatë këtij viti ai ka pësuar një rritje prej 30 për qind. Të ardhurat e ulëta të popullsisë dhe mungesa e një “edukate” për t’u siguruar, janë faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e tregut të sigurimeve. Kështu pohon për gazetën “Shekulli” kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Qirjako Theodhori, në 1 -vjetorin e krijimit të shoqatës së siguruesve të Shqipërisë, sipas të cilit tregu shqiptar i sigurimeve është mjaft i ulët. “Pavarësisht se ka një rritje dhe një nivel të pritshëm të ardhurash prej 32 milionë dollarë”, -shprehet Theodhori, sipas tij, ky treg është jashtëzakonisht i ulët, po të krahasohet me vendet fqinje, si: Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina. Sipas Theodhorit, që tregu i sigurimeve të ecte përpara, duhet që shoqëritë e sigurimit të fusin në treg produkte të reja, duke zhvilluar më shumë këtë treg. Ndërsa kryetari i shoqatës së siguruesve të Shqipërisë dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë së sigurimeve “Atlantik”, Dritan Çelaj shprehet se: “rruga për të zgjeruar më tej tregun e sigurimeve është kthimi i disa sigurimeve vullnetare në të detyrueshme”. Sipas tij, vendosja e disa sigurimeve të detyrueshme, do të ishte një masë e mirë mbrojtëse ndaj publikut dhe do të ndikonte në fuqizimin e tregut të sigurimeve. “Ministria e Financave është e gatshme për të dhënë kontributin e saj jo vetëm në rritjen e sigurimeve të detyrueshme, por edhe për të krijuar një klimë më të favorshme për të gjitha llojet e sigurimeve”, -është shprehur ministri i Financave, Kastriot Islami, i cili ishte i pranishëm në 1 -vjetorin e shoqatës së siguruesve. Sipas tij, gjatë këtij viti është bërë një progres i konsiderueshëm në fushën e sigurimeve, ky treg është rritur me rreth 30 për qind, kompanitë e sigurimeve janë bërë më serioze, tregu i sigurimeve është bërë me më shumë rregulla loje dhe kompanitë respektojnë më shumë legjislacionin. “Së shpejti do të ketë një ligj të ri për sigurimet më modern dhe më i përafruar me standardet e Bashkimit Europian, po kështu do të ketë edhe një ligj për organizimin dhe funksionimin e komisionit të mbikëqyrjeve”, -pohon ministri. Ndërkohë Banka Botërore, kohët e fundit ka sugjeruar disa herë ministrin e Financave për të zgjeruar tregun e sigurimeve, me qëllim që të ardhurat nga ky treg të rriten. Kjo, sepse sipas statistikave, vendi ynë renditet si vendi me të ardhurat më të ulëta nga tregu i sigurimeve, në krahasim me të gjitha vendet e rajonit. Për këtë arsye ministri Islami shprehet se: “së shpejti do të ketë një ligj të ri për sigurimet, më modern dhe më i përafruar me standardet e Bashkimit Europian, po kështu do të ketë edhe një ligj për organizimin dhe funksionimin e komisionit të mbikëqyrjeve, gjë që do ndikojë në zhvillimin e këtij tregu”.


Licencimi
“Janë dy kompani të reja që ne jemi duke studiuar dhe po plotësohet i gjithë dokumentacioni”, -pohon kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve, Qirjako Theodhori. Kështu, në ndihmë të zgjerimit dhe të rritjes së konkurrencës së shpejti në tregun shqiptar të sigurimeve mund të hyjnë edhe dy kompani të reja, emrat e të cilave akoma nuk bëhen të ditur. Sipas ligjit, nga periudha e aplikimit e deri në licencim mund të kalojnë deri në 6 muaj. Kështu që, brenda vitit nëse kompanitë që kanë aplikuar plotësojnë dokumentet, tregu i sigurimeve do të ketë 7 kompani.


INSIG një hap mbrapa
“Konkurrenca e pandershme ka të bëjë me sigurimin e detyrueshëm, i cili është 11 mijë e 700 lekë”, -shprehet Qirjako për gazetarët. Sipas tij, sektori privat ka një menaxhim të mirë dhe është një hap para atij shtetëror, që nga vendimmarrja dhe nga elementë të tjerë. Ai sqaron se ecuria e INSIG-ut gjatë viteve dhe rritja e kompanive private ka një ndryshim të madh. “Ne kërkojmë të arrijmë një treg të konsoliduar, që mbulimi i përgjegjësive të jetë themeli i ndërtimit të shoqërive të sigurimit”, -sqaron ai. Kështu nëse vitin e kaluar pretendohej për një rënie drastike të INSIG-ut, këtë vit po arrihet drejt një stabilizimi.


ÇELAJ:
Zgjerimi i tregut, problemi i kompanive të sigurimit
Rrugët për të shtuar tregun e sigurimeve, nisur edhe nga një traditë jo shumë favorizuese janë që disa nga kategoritë e sigurimeve të bëhen të detyrueshme. “Unë mendoj se vendosja e disa sigurimeve të detyrueshme do të ishte një masë e mirë mbrojtëse ndaj publikut dhe do të ndikonte në fuqizimin e tregut të sigurimeve”,-pohon Çela. Sipas tij, problemet e kompanive të sigurimit janë probleme të zgjerimit të tregut. “Ajo që na shqetëson është rritja e kapaciteteve përballuese të industrisë shqiptare ku pjesë të caktuara të ekonomisë preken nga rreziku”, -sqaron Dritan Çela. Ai shprehet se për këtë duhet një punë e koordinuar midis shoqatës së siguruesve të Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe organizmave të tjera.