TIPET E LIDERËVE DHE PROFESIONALIZMI POLITIK
Në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet e dyta të lira për Parlamentin e Kosovës. Përmes tyre do të legjitimohen përfaqësuesit legal të qytetarëve të Kosovës. Zgjedhjet janë për politikanët momente të riprovimit. Ata detyrohen të japin llogari për të bërat dhe të arsyetohen për të pabërat. Në kushtet e ekzistimit të një opozite të fortë, lufta politike mund të jetë mjaft interesante. Në zgjedhje politikanët detyrohen t'i paraqesin pikëpamjet e tyre përmes fjalimeve politike, intervistave, deklaratave, takimeve me qytetarë etj.
Shkruan: Mr. Sabri Kiçmari
------------------------------------------------------------------------------
Biografi
Mr Sabri Kiçmari lindi më 14 shtator 1967 në Gurash (Lladofc) të Besianës (ish Podjevës). Shkollën fillore e mbaroi në Besianë, kurse atë të mesme në Qendrën Mjekësore “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Pak pas regjistrimit të studimeve, në vitin 1989, qe i shtrënguar të largohet në Gjermani. Atje regjistroi dhe kreu me sukses studimet për filozofi, sociologji dhe politologji në Universitetet e Bochumit dhe të Bonit.
Më 12 dhjetor 2001, mbrojti me sukses temën e magjistraturës në degën e filozofisë politike, në Universitetin e Bonit, me titull Ideja e komunitarizmit. Argumentimi, qëllimi dhe zbatimi praktik i idesë së komunitarizmit tek Amitai Etzioni dhe fitoi gradën shkencore magjistër.
Punon në Institutin për Analizimin e Mediave në Bon në cilësinë e analistit të gazetave gjermane tejrajonale. Jeton së bashku me gruan dhe dy fëmijët në Königswinter afër Bonit (RFGJ). Ka publikuar një numër artikujsh, punimesh e analizash në revistat “Zëri i Kosovës”, “Interesi nacional” dhe në të përjavshmen “Zëri”. Në tetor të vitit 2002 është pranuar anëtar i Shoqatës Gjermane për Filozofi.
---------------------------------------------------------------------------------
Në të gjitha rastet, medium themelor i komunikimit me opinionin është fjala. Fjala e tyre përcillet me kujdes nga zgjedhësit, nga analistët, nga vëzhguesit dhe veqanërisht nga kundërshtarët politikë. Zgjedhjet e ardhshme në Kosovë kanë rëndësi të dorës së parë, sepse përfaqësuesit e zgjedhur në këtë mandat, sipas gjasave, do të jenë bartësit e vendimmarrjes për statusin e Kosovës. Subjektet politike janë të preokupuara aktualisht rreth ndryshimeve në sistemin zgjedhor. Pavarësisht ndryshimeve eventuale në sistemin zgjedhor, në zgjedhjet e këtij viti, qytetarët e Kosovës do të kenë rastin të përzgjedhin tipe të ndryshme udhëheqësish. Cilat janë tipet e pushtetit? Sa tipe liderësh mund të evidentohen në Kosovë? Cilat janë karakteristikat e politikanit profesionist?
TIPET E LIDERËVE
Max Weberi në ligjëratën e tij „Politika si profesion“ dallon tri tipe të pushtetit: pushtetin tradicional, pushtetin karizmatik dhe pushtetin racional. Pushteti tradicional bazohet në legjitimitetin e pushtetarit përmes respektimit të rregullave tradicionale. Pushteti karizmatik bazohet në cilësi të jashtëzakonshme personale të udhëheqësit, me ç'rast, në shumicën e rasteve, lideri misitifikohet dhe idealizohet. Pushteti racional bazohet në respektimin me përpikmëri të rregullave legale e legjitime dhe procedurave demokratike.
Bazuar në teorinë e Weberit mbi tipet e pushtetit mund të analizohen edhe tipet e drejtuesve kryesor politik në Kosovë. Varësisht nga mënyra e drejtimit të partisë, raportet me anëtarët dhe organet partiake, sjellja me opinionin publik si dhe varësisht nga veprimi efektiv, transparent dhe participues, në praktikën politike kosovare dominojnë tipi karizmatik dhe ai racional.
LIDERI KARIZMATIK
Udhëheqësi karizmatik preferon raporte të zhdrejta në mes tij, organeve dhe anëtarësisë së partisë. Ai përceptohet nga anëtarësia si një fuqi e paarritshme mbinatyrore dhe mbinjerëzore dhe idealizohet deri në maksimum. Në rast të kthjelljes politike të ndonjërit nga vartësit e udhëheqësit karizmatik dhe tentimit për të ndërtuar raporte demokratike brenda partisë, pason vala e sulmeve të paskrupullta nga përkrahësit fanatik të udhëheqësit dhe mënjanimi politik i tij përmes fjalës vendimtare të liderit. Udhëheqësit e tillë, me stil karizmatik, synojnë të fusin nën kontroll të gjitha organet e partisë dhe, mundësisht, të gjitha segmentet e shtetit. Tipin eksluzivisht karizmatik qytetari kosovar e ndesh tek drejtuesi aktual i LDK dhe kryetari i Kosovës Rugova. Përparësi evidente e këtij stili politik është aftësia e shpejt e mobilizimit të anëtarësisë përmes thirrjes nga udhëheqësi. Por në rast të mungesës ose bllokimit të liderit, subjekti i tillë politik përfshihet nga anemia dhe shkapërderdhja. (Shembull: Me rastin e bllokimit të Rugovës në marsin e vitit 1999 e gjithë partia e tij, LDK, u përfshi nga një inaktivitet i përgjithshëm dhe shkapërderdhje masive). Mungesa e diskutimeve të rregullta të temave të rëndësishme nga KP i LDK, mënjanimi i vazhdueshëm i kuadrit racional nga udhëheqja e Partisë, insistimi për të futur nën kontroll të gjitha segmentet e shtetit dhe mosheqja dorë nga funksioni partiak i Ibrahim Rugovës dëshmon për stilin jodemokratik të veprimit politik të kryetarit të LDK dhe koncentrimin ekskluziv në karizmën e kryetarit të kësaj partie. Lideri racional – Udhëheqësi racional krijon raporte legale demokratike në mes tij, organeve dhe anëtarësisë së partisë. Lideri është i obliguar të respektojë rregullat dhe normat e aprovuara nga organet e partisë. Në partitë që drejtohen nga udhëheqës me stil racional ka liri më të madhe të brendshme partiake, kritikë dhe autokritikë, lejohet opozita brenda partisë, legalizohet kompromisi në vendimmarrje dhe synohet bashkëqeverisja. E metë e këtij stili është zhagitja e vendimmarrjes. Hapa të rëndësishëm drejt profilizimit në udhëheqës me stil racional kanë bërë kryetari i PDK Thaçi dhe ai i AAK Haradinaj.
Thaci është treguar tejet i sukseshëm në ndërtimin demokratik të partisë. Ai ka sjellur si model të ri në kulturën politike kosovare mekanizmin e kundërkandidatit për kryetar, respektimin e organeve të partisë, dhe ndarjen e qartë në mes të funksioneve shtetërore dhe partiake (madje duke hequr dorë nga zgjedhja për Kryeministër). Haradinaj ka preferuar metodën e bashkëpunimit, afrimit dhe mbledhjes së kuadrit duke angazhuar në bashkëorganizim një numër subjektesh dhe përfaqësuesish me orientime të ndryshme politike. Ta zëmë në organet drejtuese të AAK bashkëveprojnë ish-lideri LKJ-ist Bakalli dhe ish -udhëheqësi i Lëvizjes Studentore '81 Kosumi.
KARAKTERISTIKA TË POLITIKANI PROFESIONIST
Kosova ka nevojë për politikanë profesionist, të cilët nuk mbështeten vetëm në bindjet e tyre politike e ideologjike, por edhe në etikën e përgjegjësisë, përmes kalkulimit të pasojave nga veprimet praktike politike. Politikani kosovar nuk duhet vetëm të mendojë të jetojë „nga politika“, por edhe të jetojë „për politikën“. Pra jo vetëm të shfrytëzohen të mirat që krijon pushteti dhe veprimi politik (autoriteti, të mirat materiale, reputacioni), por edhe të jepet llogari për veprimet. Disa nga karakteristikat themelore që do të duhej ta shquajnë politikanin profesionist kosovar janë:
Peshimi i fjalës - Varësisht nga qëllimi që dëshirohet të arrihet, përmes artit të deklarimit, politikanët profesionistë e matin me kujdes secilën fjalë e fjali që dëshirojnë ta thonë publikisht. Ata e paramendojnë efektin e fjalës, si medium i luftës politike. Nëse duhet mbuluar e vërteta, për hir të sigurisë dhe lirisë kombëtare, kjo gjë duhet bërë me mjeshtëri: jo duke gënjyer, por duke mënjanuar përgjigjien direkte. Rikthimi drejt përmbajtjes - Në ndeshjet politike në parlament, në tubime politike dhe në media aktor të caktuar politik i shfrytëzojnë edhe temat private, personale e familjare për të shkaktuar destabilizimin e kundërshtarit politik. Këto tema janë shpesh më tërheqëse për qytetarin e rëndomtë, se sa ato që kanë të bëjnë me bugjetin, politikën ekonomike dhe strategjinë zhvillimore. Ikja nga pyetjet dytësore dhe rikthimi në çështjet përmbajtësore është karakteristikë e rëndësishme e stilit politik të politikanit profesionist.
Respektimi i vlerave politike – Vlerat politike paraqesin bazën e sistemit politik të lirisë dhe demokracisë. Meqenëse në Kosovë nuk është e fortë ndjenja e patriotizmit kushtetues, meqë kushtetuta aktuale në fuqi ka legjitimitet të përkohshëm, aktorët politik do të duhej që këtë gjë ta zëvendësojnë me respektimin (jo vetëm deklarativ) e vlerave dhe normave të lirisë dhe demokracisë.
Fusha e alternativave – Politikanët joprofesionist kur duan të argumentojnë vendimet dhe pikëpamjet e tyre për një problem të caktuar përdorin sentencën „Nuk ka alternativë tjetër nga zgjidhja që kemi vendosur ne!“ Ky konstatim nuk është i saktë. Çdo politikë ka alternativë. E diskutueshme është vetëm çështja, sa korrespondon zgjidhja alternative me interesat dhe vullnetin e qytetarëve.
Pranimi i gabimit – Aktorët politik joprofesionist i pranojnë me vështirësi gabimet e tyre. Duke i paraqitur vendimet dhe pikëpamjet e tyre si e vetmja alternativë, ata ia ngushtojnë hapësirën vetes për të pranuar gabimet e bëra. Eshtë e njohur se në fushën e komplikuar të veprimit politik gabimet janë të pashmangshme. Pranimi i gabimeve të bëra dhe kërkimi i faljes para qytetarëve nuk kanë gjetur shprehje në praktikën politike kosovare edhe pse ka pasur nevojë në memente të caktuara për këtë gjë.
MEDIAT DHE POLITIKANËT
Mediat janë mekanizma transmetues dhe krijues të mendimit politik. Gazetarët luajnë rol të rëndësishëm në pasqyrimin dhe vlerësimin politik të sjelljes, veprimit dhe stilit të politikanit. Përmes këndvështrimeve të ndryshme si personalizimi, dramatizimi, moralizimi dhe dyshimi, ata arrijnë ta ndikojnë sjelljen politike të aktorëve politikë në njërën anë, dhe preferencën e qytetarëve, në anën tjetër. Në Kosovë, për fat, përmes një numri të konsiderueshëm të mediumeve të pavarura, lexuesit dhe shikuesit i ofrohen informacione, analiza dhe vlerësime të paanshme. Kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen në korrigjimin e sjelljes dhe veprimit të aktorëve politik.
Besiana-Info
Krijoni Kontakt