Cilën luftë o jahu!? Sikur të bënte luftë qindravjeçare populli jonë, a popujt tjerë të Ballkanit që kanë shpifur mite grandioze për luftra qindravjeçare, ku do të venin otomanët gjer në Vienë!? A jeni në vete?
Po faji është i historianëve shqiptarë, që e shndërruar historinë e plotnisë 500 vjeçare të Shqipërisë në otomanët në histori të rebelëve malokë në bjeshkë të izoluara. Qytetet e fshatrat e Shqipërisë shtuan popullsinë dhjetërafish, portet shqiptare u bënë çelës të Adriatikut, për Kosovën as mos të folim; ku janë shenjat e "luftës qindvjeçare"!? Jo 500 vjet, po 5 vjet luftë u bënë në Kosovë tani së fundi, e mbi 1 mil morën arratinë; si u bë që mërgimet p.sh. në Itali etj morën fund përnjëherë, e shqiptarët u shtuan dhjetërafish, pas shek. XVI?
Para se të pushtohesh prej otomanëve (e jo turve - sulltanati otoman ishte perandori fetare që drejtohej nga një dinasti familjare, e jo shtet kombëtar i turqve - madje kryengritja e fundit që u shtyp prej osmanëve ishte mu e turqve etnikë!) Ballkani vuante prej grindjeve të pasosura të kryezotërve vendas, me stema e emra madhështorë po me horizont të ngushta sa domenet (që përbëheshin më së shpeshtu prej disa fshatrash); e Ballkani me tërë Evropën vuante prej zvetënimit qytetëror, sëmundjeve, taksatimit tekanjoz e luftërave të pasosura. Pushtimi u luftua prej kryezotërve e prijësve klanorë, por u prit me duar të hapura prej fshatarëve. Osmanët ia lanë pushtetin vendor kryezotërve vendas që konvertuan, ose që lidhën besë me Portën e Lartë (vasalët). E para punë që bëri administrata e re ishte ta regjistrojë popullsinë, e të vëjë një rend unik e të kuptueshëm në sistemin e taksave.
Asokohe, Porta e Lartë ishte si SHBA-të sot, superfuqia e vetme; dhe si SHBA-të sot, ky status nuk rridhte vetëm prej epërsisë ushtarake, por edhe prej asaj teknologjike, qytetërore, kulturore e ligjore. Andaj, s'është e rastit që dhjetëra mijëra perëndimorë, nga Italia, Spanja, Franca, Britania, deri edhe nga Skandinavia e largët venin pilgrimë gjer te osmanët për të mësuar prej tyre, e mijëra prej tyre konvertonin në islam. Në 700 vjet ekzistencë, perandoria osmane (e jo turke, pra) është drejtuar prej mendjeve më të ndritura e duarve më të afta të kohës, shumë prej tyre konvertitë evropianë; prej tyre 400 ministra, 15 kryeministra, e djalli e di sa shefa shtatmadhorie shqiptarë.
Konvertimi i shqiptarëve është i spjegueshëm - e është spjeguar - shkencorisht, por është errësuar nga historiografia e telekomanduar enveriane, që ndiqte udhëzimet për të kërkuar pika të puqjes me historiografitë e telekomanduara fqinje: luftën e përbashkët internacionaliste kundër pushtimeve të jashtme, etj etj mite tjera idiotësh. Gjersa e vërteta është se fisnikët shqiptarë konvertuan së pari për të ruajtur pronat, e pastaj për t'i zgjeruar ato; e se vegjëlia parapëlqeu konvertimin në fenë e kryezotërve vendas para këmbënguljes te kishat e kryezotërve fqinj, që i kishin rrjepur, djegur e prerë - shpesh herë edhe bukvalisht.
Kjo s'është kritikë ndaj kristianëve shqiptarë pse i qëndruan besnikë religjioneve të vjetra, as lavdërim i atyre që konvertuan në religjionin e ri, po vetëm konstatim i fakteve shkencore. Ti qortosh a lavdërosh sot shqiptarët e një religjioni apo të një tjetri për vendime të marra prej stërgjyshërisht para 500 e tëhu viteve, kur nocioni i kombit as që ekzistonte, është dashakeqësi: pas qortimeve e lavdërimeve të tilla fshehen zakonisht agjenda të fshehta politike të së sotmes, që synojnë ta shpiejnë Shqipërinë a shqiptarët drejt ujërave të turbullta.
Listës së historianëve të ndërgjegjshëm më lart, që duan të vërtetën shkencore para folklorit komunist, dua t'ia shtoj dr Pirrakun nga Prishtina. Ky zotëri, një ndër emrat më të respektuar të historiagrifsë shqiptare, ka shkruar ca këto punë. Rekomandoj lexim të menjëhershëm, si dozë urgjente kundër fantaksjes me rrena.
Krijoni Kontakt