.....
Kush i rrij kundrejt Tyrqisë,
Veç burrat' e Shqipërisë,
As Sërbij' as Bullgaria,
As Elladha as Vllahia,
As Venetia qëndronte,
As tjatërë komp kuxonte.
Evropa ishte e shuar,
Njerëzit të mallëkuar,
Kishin vdekurë nga frika,
Nga Tyrqit' u binte pika,
U trëmpnë gjithë me radhë,
Dhe Vlladisla me Uniadhë,
Si gjithë këta të rinjtë,
Dhe papa e vyzandinjtë
Më një ditë Konstandinë
Tyrqit' e zunë dh'e pshinë,
Kostandinopoj' e ndjerë
S'u mbajt, po ra menjëherë.
Grekërit' ishin të vdekur,
S'hanin dot barut e hekur,
Le të mbahen me lëvdatë
Grekërëtë posi gratë,
Me fjal' e me thashetheme,
Janë të gjitha të rreme.
Kishte vdekur njerëzia,
Rronte vetëm Shqipëria,
Veç shqiptari lëftonte,
Njeri tjatërë s'kuxonte.
Kordhëtar tjatërë s'gjenë,
Tyrqitë, veç Skënderbenë.
Skënderbeu me të parët,
Me të gjithë shqipëtarët,
I qëndruanë Tyrqisë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Ata duall' e lëftuan,
Gjith' Evropën' e shpëtuan.
Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher' Evrop' e pabesë.
Rrëfe, o mal' i Sopotit!
Edhe ti, Tomor'i zotit!
Me oshëtimë tregoni,
E me vetëtimë thoni,
Dhe ti, fortes' e Beratit!
E ju, bregoret' e Matit!
Folë, fol' o Drin'i shkretë!
Q'i ke parë me sy vetë
Të tër' ato ligjërime
I mer vesh zëmëra ime.
Këto gjithë po i dimë,
Më tëhu tani të vimë.
Pas Skënderbeut Shqipëria
Nukë ra në të këqija,
Se në kurt' kurrë s'ka rënë,
Poshtë njeri s'e ka vënë,
Se shqipëtari ish burrë,
Nënë zgjedhë s'hyri kurrë
....
Krijoni Kontakt