SHKODËR - Reshjet e shumta të shirave që kanë rënë pa ndërprerje natën duke u gdhirë dita e djeshme kanë shkaktuar dëmtime rrugësh, urash dhe përmbytje banesash në rrethin e Shkodrës. Rreth 50 metër e aksit nacional Shkodër-Koman është shëmbur plotësisht, dhe uji ka vërshuar në të. Kështu është ndërprerë komunikimi dhe lidhja tokësore e Komanit me Shkodrën. Shembja e rrugës ka ndodhur në fshatin Gomsiqe, sapo kalon liqenin e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Çarja e pritës 100 metër, në të djathtë të rrugës që të çon në Koman ka bërë që uji i lumit Gomsiqe të vërshojë fuqimisht duke marrë me vete gurë, pemë dhe trungje të rrëzuara nga era. Uji i lumit ka arritur mbi nivelin e urës së Gomsiqes, ndërkohë që vërshimi i lumit, në të dy krahët e rrugës ka sjellë shëmbjen e saj në të gjithë gjerësinë. Udhëtarë të zonave që përmes Komanit komunikojnë me Shkodrën dhe që nuk kanë ditur atë që ka ndodhur i janë drejtuar varkave me motor për të kaluar përmes liqenit, në anën tjetër të rrugës automobilistike. Dhe punonjësit e hidrocentralit të Komanit kanë përdorur këtë lloj transporti për të shkuar apo ardhur nga puna. Reshjet e shiut kanë çarë pjesërisht dhe një segment të rrugës pranë urës së Vaut të Dejës. Shembja e rrugës ka ndodhur në krahun e djathtë, fare pranë urës që të çon në Laç të Vaut të Dejës dhe ka përfshirë gjysmën e gjerësisë së saj, duke bërë të mundur kalimin vetëm në një krah. Policia ka bllokuar rrugën dhe lejon kalimin vetëm të mjeteve të vogla në një anë të saj, pasi rruga është gërryer në të dy anët. Rreth orës 02.00 është shembur dhe ura e Gurrajve, në komunën e Hajmelit. Vërshimi i ujërave të lumit Gjadër e ka çarë urën e përforcuar në verën e këtij viti, duke e këputur në një gjatësi rreth 20 metër. Lumi Gjadër ka hyrë në banesat e lagjeve Kallagji, Markadori dhe ka përmbytur rreth 110 shtëpi në komunën Hajmel, ndërsa në komunën Mnel-Vig ka pasur dëmtime më të vogla. Banorët të ndihmuar dhe nga ushtria kanë mundur të shpëtojnë vetëm kokën, duke u ngjitur në malin pranë dhe duke u strehuar provizorisht në banesat e pakta aty. Për të parë nga afër dëmet dje ka qënë në këtë zonë, dhe zëvendësministrja e pushtetit vendor dhe decentralizimit Natasha Paço, bashkë me drejtues të prefekturës. Ajo është shprehur se dëmet janë të konsiderueshme dhe do të kërkohet ndihma e ushtrisë për të vënë në funksion sa më shpejt rrugën nacionale Shkodër-Koman, aty ku ajo është ndërprerë. Gjithashtu zv/ministrja Paço ka premtuar ndihma në ushqime dhe batanije për familjet e përmbytura. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës është hapur në orët e vona të dy ditëve më parë njëra nga portat e cila shkarkon 760 m3 ujë në sekond, nga 50 m3 ujë në sekondë që ishin të shtunën, kur nuk kishte reshje. Në rast se reshjet do të vazhdojnë situata mund të bëhet më e vështirë se vitin e kaluar, u shprehën për gazetën specialistët.
Banorë të komunës së Hajmel kanë rezultuar nga më të dëmtuarit nga reshjet e rëna gjatë 24 orëve të fundit. Ata tregojnë për gazetën se si uji u ka rrëmbyer gjënë e gjallë, bagëtitë, ushqimin për bagëtinë, si dhe orenditë shtëpiake. “Nuk kemi mundur të shpëtojmë asgjë nga gjëja e gjallë”,- thotë për “Shekullin” Ndoc Ndoka, i cili bashkë me gruan e tij dhe motrën janë strehuar tek një i njohur që e ka shtëpinë më lart. Ai tregon se reshjet e djeshme i kujtuan vitin e kaluar, kur ngrinte prita me gurë rreth banesës. Por kësaj herë tërbimi i lumit dhe shiu pa pushim nuk i ka lejuar të ngrejnë prita. Në orën 02.00 të natës, kur pamë se uji në banesë arriti rreth 50 cm, bashkë me familjarët, nëpër furtunë hipëm në rrugë dhe u ngjitëm në mal. U strehuam bashkë me persona të tjerë, 22 vetë gjithsej, në banesën e një miku”,- tregon ai. Kryefamiljari Ndoka kujton dhe momentin e shembjes së urës se Gurrajve, vetëm 2 minuta pasi e kaluan atë. “Ishim rreth 10 metër larg saj, kur dëgjuam gjëmimin e shembjes dhe vrapuam të trembur për të ikur sa më larg saj. Nuk kishim besim as tek pjesa e tokës ku ecnim derisa i jemi ngjitur malit. Një burrë që ka qënë duke ecur në urë në atë moment është rrezikuar seriozisht dhe kanë qënë të tjerë pas nesh që e kanë parë shëmbjen e urës pa arritur të kalonin, dhe i kanë bërë thirrje atij që të largohej me shpejtësi, tregon më tej Ndoka. Banorët tregojnë se ura u rikonstruktua në verën e këtij viti, por ndërtuesit nuk morën parasysh pretendimet tona. “U thamë se ngritja e pritës duhet të ishte më e largët dhe në një tjetër vend”,- thonë ata. Banorët tregojnë se e patën bërë publike rrezikun që u vinte nga prita e Naraçit , e cila ndonëse mbronte një lagje, rrezikonte fshatra të tëra. Projektuesit në Tiranë e bënë projektin pa e parë situatën konkretisht në vend, akuzojnë banorët. Një tjetër banor tregon se janë 20 familje që janë shpërngulur tek Mali i Rrëzuar dhe janë strehuar provizorisht tek disa shtëpi në lagjet Motoshaj e Bicaj, pasi uji u ka dëmtuar orenditë dhe pajisjet.
Situata
Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali, F.Arrëz-Qafë Benë, F. Arrëz-Qafë Qelë janë rivënë në funksionim vetëm në një drejtim
Dëmtime serioze ka patur në zonën e quajtur kthesat e Gomsiqes, ku janë shembur muret mbajtës përgjatë rrugës
Në rrugën Fushë Arrëz-Mirditë vazhdon puna për zhbllokimin e saj. Problem paraqesin rrugët rurale në këtë rreth, ku 209 km linearë të tyre janë të bllokuara. Në disa komuna mungon energjia elektrike si pasojë e rrëzimit të disa shtyllave të tensionit të lartë. Ka dëmtime në disa ujësjellës, por nuk ka ndërprerje të furnizimit me ujë. Komunikimi telefonik është ndërprerë në pjesën më të madhe të rrethit.
Situatë e vështirë paraqitet dhe në komunat Hajmel dhe Mnel-Vig në rrethin e Shkodrës. Në Hajmel banesat e rreth 110 familjeve rezultojnë të dëmtuara, ndërkohë që banesat e tre prej tyre janë plotësisht jashtë përdorimit dhe njerëzit janë sistemuar nëpër çadra. Ka gjithashtu një urë të shembur po në këtë vend.
Në fshatin Nënshat të komunës Hajmel rezultojnë të dëmtuara banesat e 32 familjeve, si edhe rreth 100 m linearë të linjës hekurudhore, gjë e cila ka sjellë bllokimin e kësaj të fundit.
Serioze paraqitet situata në komunën Mnel-Vig, ku banesat e 130 familjeve janë përmbytur nga ujërat e lumit Gjadër të dalë nga shtrati si rezultat i reshjeve të shiut. Kjo zonë gjendet e izoluar plotësisht, pasi rrugët janë praktikisht të përmbytura, ndërkohë që mungon gjithashtu edhe energjia elektrike.
Në rrethin e Kukësit nga rrëshqitja e dherave janë bllokuar rrugët në komunat Zapod, Shishtavec dhe Topojan. Për rihapjen e tyre po punojnë forcat e ushtrisë. Mjetet që disponon qarku po punojnë për hapjen e rrugës nacionale Kukës-Tiranë, e cila është bllokuar në zonën e Shëmrisë
Në komunën Fushë-Kuqe në kufi të rretheve Lezhë dhe Kurbin janë evakuuar 3 familje me banim fare pranë lumit dhe janë shpëtuar disa punëtorë të bllokuar nga ujërat
26-vjeçari Gjonaj që ruante një eskavator në Fushë- Milot, deri në mesditën e djeshme cilësohej i humbur
Të mbijetuarit: “Orët tona në lumin e Matit”
Aleksandër Gjonaj dhe Nikoll Tena shpëtojnë falë ndihmës së dhënë nga helikopterët e NATO-s
Kastriot Bushi
LEZHË - Helikopterët e forcave të NATO-s kanë mundur të shpëtojnë dje dy persona që ruanin eskavatorët në brigjet e lumit Mat, jeta e të cilëve ishte në rrezik serioz. Kanë qenë patrullimet e vazhdueshme me helikopter të forcave të NATO-s ato që kanë mundur të shpëtojnë dy jetë njerëzish, njëri prej të cilëve ka rezultuar i zhdukur, deri në orën 14:00 të ditës së djeshme. Aleksandër Gjonaj, 26 vjeç, nga fshati Shullazh, deri në mesditën e djeshme ka rezultuar i zhdukur dhe tani ai është gjallë falë ndërhyrjes së helikopterëve të NATO-s, por siç thotë vetë edhe falë “besimit që ka në zot”. Mjeti eskavator që 26-vjeçari ruante në brigjet e lumit Mata, (përkatësisht në Fushë- Milot) u mbulua i gjithë nga uji, ndërsa i riu ka mundur të dalë nga kabina ku ndodhej dhe të çajë me not kilometra të tëra. “Nuk e di se në çfarë ore ndodhi vërshimi i ujit. Di që ishte natë dhe kuptova se po më lageshin këmbët, aty në kabinën e eskavatorit. Ndërkohë uji filloi të gërryente zhavorin dhe mjeti që unë ruaja filloi të anohej”, -tregon 26-vjeçari që punonte si roje. Ai vazhdon se pas një breshëri të madh, me besimin tek Zoti, u hodha në ujë dhe kam notuar rreth 400 m, me qëllim që të dilja në breg të papërmbytur ende në Fushë- Milot. “Isha shumë i lodhur nga noti, kur fatmirësisht pashë një trup druri, drejt meje. Jam hedhur dhe e kapa atë. Sipër tij, kam përshkruar 2 km ujë”, -kujton 26-vjeçari. Pasi përshkova 2 km e lashë trupin e drurit dhe fillova të notoja vetë. “Notova sërish 400 metra dhe më pas qëndrova në një breg zhavori që kishte mbetur pa u përmbytur. Por aty ishte e pamundur të qëndroja gjatë, pasi uji po shtohej. Fillova të notoj derisa dola në një breg tjetër, në orët e para të mëngjesit”, -tregon orët e tmerrit i riu nga fshati Shullazh. Aty filloi të kishte ftohtë dhe nuk mundej më që të notonte. “Qëndrova derisa doli dielli që të ngrohesha, i bindur se do të hidhesha në lumë për të notuar”, -tregon më tej ai. Më pas ka parë helikopterët e NATO-s, të cilët patrullonin në qiell. “Helikopterit të parë i bëra shenjë, por ai nuk më ka parë. Kështu bëra dhe me të dytin që kaloi dhe personat që ndodheshin në të famirësisht më dalluan”, -shprehet 26-vjeçari duke falenderuar forcat e NATO-s për ndihmën e dhënë. Në rrezik mbytjeje ka qenë dhe 60-vjeçari Nikoll Tena, i cili kishte mbetur në majën e digës së eskavatorit që ai ruante. 60-vjeçari shprehet se kanë qenë çarjet e argjinaturës, sidomos përpara eskavatorit, ato që kanë sjellë vërshimin e menjëhershëm të ujërave. “Nuk dija not dhe nuk kisha asnjë lloj shprese për të shpëtuar. Nuk shikoja njeri. Ndërsa i ftohti më kishte hyrë në palcë. Më pas kam parë helikopterin e NATO-s, i cili ka ndërhyrë menjëherë, sapo forcat që ndodheshin në të më panë”, -rrëfen i moshuari. “Falë ndërhyrjes së tyre dhe policisë shqiptare sot jam gjallë”, -përfundon ai.
Krijoni Kontakt