Ishin nisur për të prezantuar botimet në panairin e Tetovës, i nënshtrohen dhunës verbale dhe kërcënimeve
Incident në doganën e Qafë-Thanës
Rreth 20 përfaqësues të shtëpive botuese të Tiranës mbahen 11 orë nga kufitarët maqedonas
Ylber Lili
Duket se ende në doganat maqedonase, libri shqip konsiderohet “minë me sahat”. Plot 11 orë, janë mbajtur në kufirin shqiptaro-maqedon 30 përfaqësues të shtëpive botuese nga Tirana që kërkonin të kalonin kufirin për të marrë pjesë në Panairin e Librit në Tetovë. Incidenti ka ndodhur në pjesën maqedonase të doganës së Qafë-Thanës. Askush nuk ka mundur që të ndryshojë diçka në sjelljen e autoriteteve maqedone të kufirit, madje as ndërhyrjet e shoqatës së botuesve shqiptarë në Maqedoni, as edhe ndonjë zyrtar i lartë i partisë shqiptare në pushtetin maqedonas. Incidenti ka lindur pas pyetjeve pse kanë preferuar të udhëtojnë natën dhe pas refuzimit të kërkesës për të shkarkuar librat shqip përpara këmbëve të doganierit dhe policit maqedonas.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së mërkurës duke u gdhirë e enjte. Memet Gëzhilli, Arben Kondi, Sokol Neziri, Xhevair Lleshi dhe përfaqësues të tjerë të shtëpive botuese në Tiranë janë mbajtur në doganë deri në mesditën e së enjtes.
“Nuk kam parë as në filmat me nazistë, sjellje më bastarde se ato të policit dhe doganierit maqedonas”, -u shpreh i revoltuar për “Shekullin” Memet Gëzhilli përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Argeta” në Tiranë. Ai shton se beson që strategjia është e qartë “për të penguar depërtimin e librit shqip në Panairin e Tetovës”.
Përfaqësuesit e 7 shtëpive botuese të Tiranës, ishin ftuar në panair nga shoqatat e botuesve shqiptarë të librit të Maqedonisë. Panairi organizohej në Tetovë. Të pajisur me të gjitha dokumentet e nevojshme, me listën, sasinë e librave, përfaqësuesit e shtëpive botuese “Uegen”, “Horizonti”, “Arbëri” “Argeta LMK” etj. kanë udhëtuar me linjën e rregullt urbane Tiranë- Tetovë e anasjelltas. Në autobus krahas 20 përfaqësuesve të librit janë ndodhur dhe studentë nga Shqipëria, të cilët ditën e nesërme i priste provimi në universitetet shqiptare në Tetovë. Të padëshiruar për tokën maqedonase bartësit e librit shqiptar dhe studentët janë mbajtur 11 orë të izoluar në doganë.
Ndalimi ka ndodhur rreth orës 1 të natës. “Pasi mbaruam procedurat në doganën shqiptare duhej të kalonim doganën e maqedonasve. Nuk mendonim se do të hasnin në probleme, sepse të gjithë ishin të pajisur me dokumentacion të rregullt”, - i tha “Shekullit” përfaqësuesi i shtëpisë botuese “Uegen” Xhevair Lleshi. Pasaportat të pajisura me viza, kontrata doganore, faturat, ftesa e autoriteteve të shoqatës së botuesve të Maqedonisë janë vërtitur në duart e doganierit, të cilit nuk ia kanë mbushur syrin. Ai ka kërkuar që të gjitha librat të shkarkohen dhe të kontrollohen një nga një, kërkesë kjo e cila i ka habitur 20 personat që prisnin në autobus. Ka mjaftuar një hezitim i parë për të zbatuar urdhrin dhe dialogu ka marrë një rrugë pa kthim.
Përfaqësuesi tjetër shqiptar z.Gëzhilli thotë: “Jemi nisur me autobusin e linjës dhe kemi mbërritur në kufi në Qafë -Thanë rreth orës 1 të mesnatës. Pasi përfunduam procedurat në doganën shqiptare mbërritëm te ajo maqedonase. Qëndruam në autobus sepse vizat i kishin marrë në ambasadën maqedone në Tiranë dhe prisnin që të kontrollonin dokumentet, përfshirë dhe faturat dhe doganierët të jepnin dritën jeshile për të udhëtuar në drejtim të Tetovës, por ndodhi e kundërta. Kontakti i parë, rrëfejnë përfaqësuesit e librit, ishte me një doganier shqiptar ,i cili edhe pse e kishte të qartë se ne jemi konform rregullave nuk mund të jepte sinjal për nisje, pa u konsultuar me shefin e tij maqedonas. “Shkarkoni librat”, -kjo ishte fjalia e parë e shefit të doganës. Të çuditur nga një qëndrim i tillë ne nuk pranuam të zbatojmë një urdhër të tillë ,i cili na u duk alogjik. Kërkuam shpjegime. “Pse keni kaq shumë libra për panair, as mos t’iu shkojë në mendje se tërë këto libra do të mbërrijnë në Tetovë, - ishin fjalët e kryedoganierit maqedonas. Të gjendur në një situatë të tillë, udhëtarët nga Tirana kanë kontaktuar në telefon me kryetarin e shoqatës së botuesve shqiptarë të Maqedonisë Azam Dauti, por dhe tentativat e tij me doganierët ishin të kota.
“I thamë doganierit se ne në Tetovë do të shkojmë bashkë me librat”, - shton Gëzhilli. “Pikërisht në këtë moment ai u revoltua akoma më shumë dhe thirri në përforcim policët. Sapo mbërritën, policët formuan një gardh a thua se ishin bërë gati për ndonjë sulm. “Pse udhëtoni natën ?; Shkarkoni librat ?; Çfarë misioni keni në Maqedoni ?”, -kanë qenë pyetjet e policit dhe doganierit. Ne u orvatëm të bindnim si doganierin po ashtu edhe policin. Ky i fundit nuk la fjalë fyese pa thënë. Përpiqeshim t’i shpjegonim se jemi intelektualë dhe në Maqedoni shkojmë me punë, e cila është publike dhe e njohur dhe për autoritetet e shtetit maqedonas. Por fatkeqësisht në vend që ata të na kuptonin, kaluan në ekstrem: “Ju jeni të padëshiruar të qëndroni edhe më tej në tokën maqedonase, prandaj kthehuni andej nga keni ardhur”.
Arben Kondi tregon se pas këtij ultimatumi u ka thënë përfaqësuesve të doganës maqedone: “Ne nuk kemi topa, as tanke, por libra zotërinj, prandaj një sjellje e tillë është antiligjore”. Dhe nuk vonoi përgjigja: “Keni afat vetëm 3 minuta të zgjidhni. Ose shkarkoni librat, ose do të keni probleme”.
“Duke parë se dialogu po kalonte në konfrontim, ne preferuam të kthehemi sërish në doganën tonë edhe pse kishim bërë të gjitha pagesat, - përfundon rrëfimi. Përfaqësuesit nga Tirana kanë qëndruar deri në orën 11:00 të ditës së nesërme në pritje të dritës jeshile për të udhëtuar drejt Tetovës. Vetëm pasi është bërë ndërrimi i doganierëve dhe policëve, botuesit kanë mundur të udhëtojnë drejt destinacionit të parashikuar, por këtë radhë jo me autobus por me një furgon të rastit.
Dy viza brenda 13 orësh dhe pasaporta të shkarravitura
Konfrontimi i grupit të botuesve të librit me autoritetet maqedonase nuk ka marrë fund aty. “U kthyem në doganën tonë, aty policët dhe doganierët na ndihmuan të sistemojmë librat. Nuk kishim ç’të bënim veçse të prisnim. Aty rreth orës 6 të mëngjesit, përfaqësuesit e shtëpive botuese, janë rinisur drejt doganës maqedonase, duke shpresuar se ndërrimi i turneve do të kishte sjellë njerëz me nerva më të qeta. “Kishim porositur një furgon nga qyteti i Strugës me qëllim të transportimit të librave deri në Panairin e Tetovës, mirëpo, - tregon Gëzhilli, - sërish hasëm në veprime dashakeqe të policëve dhe doganierëve maqedonas. Ndalesa e parë na u bë në policinë kufitare, e cila na kërkoi që të pajiseshim me viza. Ky ishte dhe absurdi më i madh sepse ne kishim marrë viza në ambasadën e tyre në Tiranë vetëm 12 orë më parë. Pretendimi i tyre ishte se ne “e kishim kaluar njëherë kufirin”.
Të motivuar për të marrë pjesë në Panairin e Librit në Tetovë, botuesit nga Tirana kanë bërë siç ka thënë polici i radhës. Kanë prerë viza të tjera në kufi. Gjatë marrjes dhe pagesës së vizës tjetër, ndodhi dhe incidenti i radhës. “Në pasaportat tona polici hodhi disa fjalë: Të gjitha librat duhet sërish të kthehen andej nga kanë ardhur, në të kundërt ndalohet përgjithmonë hyrja në Maqedoni. Në pasaportën time unë kam shumë viza, por nuk kam dëgjuar ndonjëherë që një polic i kujtdo shteti të shkarravisë dokumentin e një shteti tjetër”, - thotë Memet Gëzhilla. Vetëm në ora 11:00 të ditës së mërkurë pasi paguam për së dyti vizat dhe pasi provuan breshër sharjesh e ofendimesh ne arritëm që të udhëtojmë në drejtim të Tetovës. Mirëpo, shton ai, “avari të tjera na presin në kthim nëse marrim në konsideratë shënimin e policit maqedeonas në pasaportat tona”.
Panairi i pestë i Librit në Tetovë
Në Pallatin e Kulturës në Tetovë të mërkurën në mbrëmje u hap Panairi i Librit, i pesti me radhë që është mbajtur deri tani. Panairin e ka shpallur të hapur shkrimtari Thoma Kacori, ndërsa fjalë të rastit mbajti edhe ish-presidenti i Shqipërisë z. Rexhep Meidani. Kjo festë kulturore në Tetovë që ka krijuar një atmosferë të veçantë ka mbledhur shumë shtëpi botuese nga të gjitha viset shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi të cilat do të prezantojnë gjatë pesë ditëve sa do të jetë i hapur panairi, botimet e tyre si dhe do të mbahen promovime të shumta. Vlerësimi i përbashkët ka qenë se një organizim i tillë, ka dëshmuar edhe njëherë se fjala e shkruar e ka peshën e vet kudo që ajo shfaqet, në Shkup, në Tiranë apo Prishtinë dhe se gjetja e burimeve alternative për botimin e librit shqip jo vetëm që është e domosdoshme, por edhe e patjetërsueshme për begatimin e kulturës shqiptare. Shoqata e Botuesve Shqiptarë me Panairin e Librit ka dëshmuar edhe njëherë se mund ta afirmojë botimin e librave që dëshmojnë për vlerat letrare të viteve të fundit. Në ditën e dytë të panairit, ish-presidenti shqiptar Rexhep Meidani mori pjesë në promovimin e librit të tij “Politika, morali dhe shteti” ku pati dhe një sërë takimesh me personalitete të njohura shqiptare.
05/10/2003
Ja edhe një incident i terroristave sllavomaqedonas kundër artit dhe kulturës pas atij të shkollave në Manastir dhe Shkup.
Partitë Shqiptaromaqedonse, Tirana por edhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagoj ndaj këtyre terrorizmave primitiv sllavomaqedonas kundër artit, kulturës dhe këto të mos përsëriten në të ardhmen.
Si dhe shkollat shqipe në Manastir dhe Shkup të fillojnë punën menjëherë.
Tung
Krijoni Kontakt