Shoqata "Gjenerata e Re Shqiptare" Përhap arsimin shqip në Nju Jork.
Shkollë fillore e gjuhës shqipe në Bronx - Nju Jork
BRONKS, Nju Jork. Që prej disa javësh ne mjediset e Federatës Pan-Shqiptare VATRA në Nju Jork, një grup të rinjsh shqiptaro-amerikanë kane filluar të japin mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë të moshave të vogla. Të rinj shqiptarë që japin mësim janë djem e vajza nga Shqipëria e Kosova, studentë të Universiteteve me të njohur të Metropolit të Nju Jorkut siç janë, Universiteti Rutgers, ai i Nju Jorkut, Shkolla e Larte Parsons, Kolegji Xhon Lei dhe ai i Baruçit.
Këta të rinj janë gjithashtu themeluesit e një shoqate të quajtur Gjenerata e Re Shqiptare, e cila mbledh në gjirin e saj më së shumti universitarë shqiptarë pa dallim moshe, me banim në ShBA-të dhe vende të tjera Perëndimore. Që nga emri i shoqatës kuptohet se ata janë të rinj të cilët duan që të përtërijnë traditën e mrekullueshme të shoqatave patriotike shqiptare në mërgim e veçanërisht të atyre siç janë VATRA, Liga Qyetetare Shqiptare-Amerikane, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Shoqata 'Motrat Qiriazi' etj. Për këtë arsye ata kane zgjedhur që ti japin mësimet e gjuhës shqipe në mjediset e Vatrës. Për këtë ata i janë mirënjohës më së pari Kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare VATRA, z. Agim Karagjozi.
Ishin pikërisht veprat e mrekullueshme në dobi të çështjes kombëtare - shqiptare që bënë që këta të rinj të zgjidhnin VATRËN, si vendin ku filizat e njomë, fëmijët e shqiptarëve të Nju Jorkut të mësonin gjuhën e tyre amtare dhe jo vetëm atë por edhe traditën e mrekullueshme të shqiptarëve të Amerikës, të cilët në çastet më të vështira që kaloi vendi ynë, i'a zbardhën faqen atij. Qëllimi ka qenë që të mësojnë nga përvoja e mrekullueshme e kollosëve të kulturës tonë kombëtare, Fan Nolit e Faik Konicës si dhe korifejve të tjerë pasardhës.
Ideja për një shkollë të tillë lindi nga nevoja që breznitë shqiptare të Amerikës të vijojnë të ruajnë lidhjet shpirtërore me atdheun e tyre. Një ndër veprimtaritë më me efekt në këtë drejtim ishte mësimi i gjuhës shqipe. Të rinjtë shqiptarë, studentë, e kuptojnë fare mirë se edhe pse janë me trup larg vendlindjes së tyre apo vendlindjes së prindërve të tyre, detyrimet për atdheun nuk sosen kurrë. Prandaj edhe iu dhanë me mish e me shpirt kësaj detyre që i vunë vetes.
Më së pari ata porositën dhe blenë Abetaret e Gjuhës Shqipe nga Shqipëria. Pastaj i njoftuan bashkëatdhetarëtt se do të organizonin orë mësimi të lira dhe pa asnjë shpërblim për fëmijët e shqiptarëve. Po kështu blenë mjetet mësimore që i duhen një klase të tillë. Shumë shpejt fëmijët filluan të vijnë dhe procesi i ardhjes së fëmijëve sa vjen e shtohet. Numri i tyre ende është i vogël, por duket se ai do të rritet hap pas hapi.
Orët e mësimit më fëmijët e shqiptarëve në Bronx janë vërtetë shumë të bukura. Ata interesohen për çdo gjë që lidhet me atdheun. Përveç orëve të mësimit të gjuhës, "metodistët" e Shoqatës 'Gjenerata e Re Shqiptare' i'u tregojnë fëmijëve për bukuritë e atdheut. Ata i'u tregojnë atyre legjenda e tregime të bukura, të cilat ata vetë i kanë mësuar në atdhe ose në familjet e tyre. Është si një lloj stafete që gjeneratat e shqiptarëve të Amerikës ia pasojnë njëri-tjetrit. Dikur, shqiptarët e Amerikës, duke shfrytëzuar hapësirën demokratike amerikane, organizoheshin në baza partish apo shoqatash, të cilat qenë formuar në atdhe. Më vonë ata krijuan shoqatat e tyre dhe tani kjo vjen duke marë një pamje ose dukuri të re. Meqë atdheu në të dy anët e kufirit ka nisur rrugën e demokracisë, pluralizimit, dhe tregut të lirë sipas modelit amerikan, atyre nuk i'u pelqen që të përzihen në politikë. Për ta është me rëndësi të mbahen marrdhënie sa më të forta me shtetin më mik të shqiptarëve, ShBA-në, si dhe të ruajnë traditën e tyre në vendin më të zhvilluar dhe demokratik të botës ku jetojnë.
Një ndër synimet kryesore të tyre është që duke u përgatitur vetë, të përgatisin edhe gjenerata të tjera më të reja për të qenë të aftë që t'i mbajnë të gjalla dhe t'i shtyjnë përpara lidhjet e mrekullueshme, që ekzistojnë midis popullit shqiptar dhe atij amerikan.
Në këtë vështrim, ata duan që të rinjtë shqiptaro-amerikanë të çdo moshe të jenë të përgatitur për të dhënë përvojën dhe kontributin e tyre në trojet shqiptare dukë përcjellë dijenitë e marra në Amerikë nëpërmjet gjuhës së bukur shqipe. Këto dijeni mund të jenë të lidhura me biznesin, bankat, ushtrinë, arsimimin, kulturën, shkencën, teknologjinë etj. Kush më mirë se ata do t'a bëntë një gjë të tillë. Mjafton që të kenë dëshirën dhe pasionin për këtë.
Shkolla "Dituria" nëse mund të quhet kështu nuk është një shkollë që është organizuar, bazuar në ndonjë lloj detyrimi. Madje nuk ka as provime pasi askush nuk vjen me detyrim. Megjithatë, femijëve iu krijohet një atmosfere ku ata te kenaqen me njeri tjetrin, zhvillojnë lojra të tilla ne gjuhën shqipe qe i'u nxit atyre interesin për të vijuar dhe mësuar edhe më shumë edhe më me passion. Deri tani, ndonëse është në hapat e para, ajo mund të konsiderohet e suksesshme. Mësimi jepet me radhë. Në fillim Blerta Alikaj dhe Laureta Ismailaj iu krijojnë fëmijëve një mjedis tejet të kendshëm, gazmor dhe interesant. Ato zotërojnë aftësi të veçanta komunikimi me fëmijët. Pastaj ato ndërrohen me Alma Uldedaj dhe Ketin Spahiun. Më pas vjen Kreuza Leka dhe Erioni Berisha e kështu me radhë.
Fëmijët, ketu duke i përmendur të gjithë, Besar, Blerita, Blerind Mulliqi, Ingrid, Greta, Monika Mici, Daniel, Ronald Vuthaj, Ertiola, Frasher, Leart Ulaj e Xhulia Gjokaj të shohin drejt e në sy për të përfituar sa më shumë dije. Për ata që nuk kanë lindur në NYC ato që tregojnë 'mësuesit' e tyre shkrihen me kujtimet që kanë sjellë nga atdheu. Për të tjerë të cilët kanë lindur në NYC, tregimet e tyre për historinë, gjeografinë, jetën, kulturën shqiptare përzihen me imazhet e tyre të thithura gjatë vizitave të tyre në atdhe ose me tregimet e përmallshme e të përditshme të prindërve të tyre.
Shkolla e Gjuhës Shqipe në NYC tregon më së miri se sa të thella janë lidhjet e rinisë shqiptare në Amerikë me atdheun, se sa demokratik është sistemi që u'a mundëson atyre këtë dhe më së fundi, se sa mund të bëjë për të mirën e atdheut dhe të komuniteteve shqiptare në mërgim çdo shqiptar që ka pasion, dashuri dhe ndjenjë të zjarrtë për dheun meme.
Pertatitur nga Mal Berisha
BOTA SOT
Tetor 1/2003
Krijoni Kontakt