Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Të vdesesh në Shqipëri, është vetëm humbje kohe

    "Shqipëria sot jeton - e pranon verbërisht të jetojë! - në pellgun e padrejtësisë. Si rrjedhim, Shqipëria nuk ka fuqi të mjaftueshme për hedhjen e bazave të një shoqërie civile, të qytetëruar, një shoqërie ku heshtja para krimit e shëtitja e lirë e kriminelit nuk lejohen nga kurajo civile e një popullsie të ndërgjegjësuar për rolin e saj qytetar, e qytetërues në botën tonë. Ndërkaq "shteti" i detyruar të mbrojë këtë shoqëri, nuk udhëheq, por ndjek udhën jofisnike, amaorale ose imorale, që imponojnë elementet më negativë të shoqërisë shqiptare. Shqipëria, sot ka nevojë urgjente për një spastrim ligjor të paligjshmërisë, që ushqehet nga mosekzistenca e përgjegjësisë, ose e frikës, në mendjet e fajtorëve. Duket qartë se botëkuptimi komunist, fryma dhe metoda e tij, nuk janë çrrenjosur dhe vazhdojnë të derdhin helm në shoqëri. Edhe sot, Shqipëria është një vend, ku trashëgimia bolshevike mbijeton në çdo burokrat, që vepron sikurse të ishte ligji vetë dhe ku qytetari dorëzohet para autoritetit arbitrat!"

    Sami Repishti, PhD.
    Ish i burgosur politikë (1946-1956)
    Aktivist për të Drejtat e Njeriut

    Nga Klajd Kapinova
    Manhattan New York

    Të ikim të gjithë është klithma e kohës së shqiptarëve!

    Historia nuk mund të shpjegohet në vështrimin historik, ashtu si njeriu mund të kuptohet nga njeriu. Eshtë abstraksion të mendosh, se shqiptarët si komb të vihen në një pozitë të ulët të nënnjeriut apo të nënnacionit e të nënkulturës, mbasi s'ka nevojë për vërtetim, se nuk është një komb biologjikisht i keq, inferior, pa shpresë; mbasi fatkeqësitë e tij, janë produkt historik (pasojë e kolonizimit 5 shekullor turk), në një plan më të gjërë; janë kontradiktat e përjetshme të zhvillimeve rajonale konfliktuoze të Ballkanit...
    Sikurse konstatohet në ditët që rrokullisen me shpejtësi, aktualisht Atdheu amë po përjeton një situatë tranzitore të tejzgjatur komuniste e paskomuniste, plot dukuri kontradiktore, me doza të mëdha të shkatërrimit të shtetit (të formuar efektivisht që nga koha e Naltmadhnisë së Tij A. Zogut), përçarje ku Veriu i vendit etiketohet si ngjyrë blu dhe reaksionare e antikomuniste e përjetshme nga banorët jugorët të privilegjuar në kohën e largkjoftit "xhaxhai", që dallohen dhe krenohen, se mbizotërojnë me ngjyren e kuqe (rozë) në pseudoparlamentin aktual të Shqipëri; prishje dhe krizë të institucionit të punës dhe luhatje, një vërshim me doza të mëdha të moralit politik demagogjik, të drejtuesve të partive politike (97 përqind janë të majta), ku krerët rreken mbas butaforisë së deklaratave dhe ëndërrës se një ditë do të gdhij ose dh... mbi kolltuk.
    Efektivisht, kjo është një gjendje e tepërt dhe e mangët, që reflekton negativisht kudo. Gjithsesi, kjo shpjegon mistifikimin e spekullimit në tërësi dhe kriminalitetin si fitim, apo prostitucionin e dhe trafikun e mafieve si një "industri fitimi" të përmasave të hatashme... Quo Vadis?!
    Mirëpo me të drejtë tek burimet e reja futuriste, mendohet se do të gjendet Ylli i humbur Polar i Shpreses dhe se Moraliteti është e ardhmja e Shqipërisë. Tërësia e moraliteteve të individit dhe të një shtrese njerëzish progresistë dhe luajalë do të mundohen të ngrejnë nga themeli ndërtesën e re të moralit pasdiktatorial dhe nuk mund të ketë moral të shqiptarëve jashtë moralitetit të drejtësisë dhe përparimit efektiv të njerëzimit në planetin tonë.
    Për të arritur deri këtu, duhet vepruar, sikurse shkruan kohët e fundit bashkëatdhetari ynë me banim në ShBA, përsonaliteti i njohur dhe aktivisti i flaktë i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut bashkëqytetari im shkodran prof. Sami Repishti, kur i shkruan letrën e hapur z. Alfred Mosiu me thirrjen: "Z. President Viktimat e krimeve të tiranisë komuniste, ju luten: dëgjoni zërin e tyre", dhe për më tepër nënvizon se: "Dokumentimi i krimeve komuniste në Shqipëri është hapi i parë në rrugën e duhur, sepse do të sjellë një gjendje shpirtërore më të qetë, një predispozicion më të qytetëruar, që do të preferonte faljen më shumë se ndëshkimin dhe do të orientohej drejt riparimit të dëmeve të shkaktuara më shumë se drejtë hakmarrjes". (Gazeta: "Shkodra")
    Komuniteti shqiptar në vendlindje, ka nevojë të operojë me ilaçin e kapjes fort pas konceptit të qytetarit, që e bën çdo pjesëtar të barabartë midis të barabartëve, pavarësisht nga pasuria apo pushteti.
    Si për ta mbyllur këtë hyrje teorike, mendoj se e ardhmja dhe shqiptarët, nuk janë pole të kundërta, që rrokullisen secila në llogari të vetvetës. Shqiptarët, janë posedues të së ardhmes, në atë masë që është shkalla e vetëdijës së tyre, në atë cilësi ideore, që bëhet çmitizimi dhe shmangia nga miti, në mënyrë që e vërteta të jetë e ardhshme dhe natyrshëm e ardhmja të jetë e vërtetë.

    Çudirat nuk kanë të sosur

    Vërtetë është e lehtë të gjykosh, se njerëzit në vendlindje po ikun, sikur i ka kapur ankthi i së nesërmes pa shpresë, por është mëse e vërtetë të përcaktosh fajtorët, që inkurajuan frymën e mosbesimit, që shqiptarët të mund të unifikohen me shprehjen dhe praktikën shqiptare. E kësisoj, rrjedhoja e psikozes së braktisjes, është kthyer në një ritëm konflikti, midis atyre që duan të gjejnë shtigjet e emigracionit dhe atyre që gjejnë formën e moralizimit bolshevik, mbasi janë bërë padrino të gjithçkaje sipërfaqësore dhe nëntokësore në Shqipëri dhe shqiptarët i shikojnë nga poshtë lart, njësoj si etërit e tyre të Perandorisë Otomane nga ku trashëguan veset më përvese. Kjo shpjegon, përse Shqipëria është akoma një vend, ku mbizotëron frika, jeton ankthin e një të ardhme kërcënuese që shqetëson, e vret shpresën premtuese të një jetë më të mirë për të gjithë. Disa janë mbushë me vrer, disa me pasuri përrallore, të tjerë largohen nga vatrat stërgjyshore si një popull i mallkuar. Vendi mbetet shkret, vatrat boshatisen, ndërsa krimineli i djeshëm dhe trashëguesit e tij, jetojnë jetën e rehatshme që nuk e meritojnë! Pikërisht në këto përfundime të drejta arrin prof. Sami Repishti, mbasi disa herë ka parë e shijuar nga afër varfërinë e qytetit të lashtë të Rozafës dhe të gjithë Arbërisë, që po sundohet nga padrinot e ishëve...

    Të ikim, kjo është klithma e kohës

    Ku..., si..., kur..., sot..., nesër..., mbasnesër..., brenda një jave apo muaji..., mjafton t'i lëmë hijen vendlindjes, ku varfëria është ulur këmbëkryq...; në Itali me skaf, në Gjermani me avion, në Greqi përmes udhës së malit, në Francë përmes Italisë, në Angli përmes Eurostar - eve të nëndheshme në La Manche. Dhe përsëri nga Gadishulli Apenin, si trampolin përmes Alpeve të Evropës si trampolin në Evropën Qendrore, si Zvicër, Austri, he më thellë drejt veriut të Vendeve të Ulëta si: Hollandë, Belgjikë, për të përfunduar në veri të vendeve të ftohta skandinave, si: Norvegji, Suedi dhe deri në vendet Balltike...
    Dhe pse jo, ëndërra e të gjithë shqiptarëve (sikurse autorit të shkruan këto rreshta), është që filmat amerikanë t'i shohim në jetën amerikane, duke zbritur si dikur lundërtari sykaltër Kolombi shkoi si "emigrant" i parë në "Tokën e premtueme". Por shqiptarët nuk do të thonë: "Tokë! Tokë!", sikurse ekuipazhi i gjenovezit të vendosur drejt udhës në Perëndim, por për një jetë të ndryshme dhe të lirë nga ajo që përjetuam deri më sot...
    Kjo është çështja, që jetohet me hap të shpejtë. Dhe riti i ikjes vijon duke pikuar çdo ditë gjak shqiptari. Të ikim, mbasi ata, që duan të jetojnë në vendlindje, s'ka pse na shesin moral dhe hartojnë e lexojnë hartime fëmijësh nga New York - u, Philadelphia, Los Angelos, Michigan - i, Boston - i, Virginia, Florida, Colorado, San Francisco, Las Vegas - i e gjetkë, por të ndërrojmë vendet se ne e shijuam pjesën tonë...
    E kështu vazhdon refreni me çdo çmim, qoftë duke e paguar edhe me jetën tonë. Të rinj, pleq, të sapomartuar, prindër të rinj, të vjetër, me radhë e pa radhë, të gjithë në një rrëmujë marramendëse, si të infektuar nga një patologji e re e padiagnostifikuar më parë. Po sjellim një shembull të freskët nga vendlindja, ku 1.000.000 shqiptarë aplikojnë çdo vit në Lotarinë Amerikane, ku çdo vit fitojnë të drejtën pak ëndrrimtar... Po sa lëvizin në mënyrë klandestine në të gjithë botën?! Sigurisht që çdo shifer që del, mbështet mbi rregullen e treshit X.
    Një termet i brendshëm shpirtëror, ka shkatërruar pothuajse gjithçka, të gjithë lidhejt dhe balancat. Universi shqiptar i ç'organizuar kërkon një hartë të re, një guidë të re, një frymëmarrje të re, një dhimbje e psherëtimë të re etj., etj., që me dy fjalë quhet hemoragjia e atdheut nga bijtë e bijat e saj ilirë.
    Gjithçka është vënë kokposhtë. Kjo edhe për fajin e ish-gazetarëve që i kanë shërbyer klasës komuniste, ndërsa sot drejtojnë të gjithë gazetat e majta dhe të djathta në Shqipëri, duke luajtur rolin e prostitutave të semaforëve përballë servilizmit si shërbestarë të padrinove, që shkatërrojnë Shqipërinë. Si në asnjë vend të botës gazetarët në Shqipëri, në vend të që të jenë opozitarë me hajdutet, tw korruptuarit, ndajnw fitimin me qeveritarwt, duke shkruar tema limonatë ose rozë të dinastisë së diktatorit komunist dhe rrymës e pasuesve të hoxhizmit, duke i shpërlarë e stërshpërlarë trurin e lodhur popullit që numëron lekun e fundit çdo dy ditë.
    Kriza e besimit e stërgjatur dhe alternuar me iluzionet dhe disiluzionet, dështimet pambarim të politikanëve, që paguhen për popullin dhe nga populli dhe merren me bisnes dhe populli që numëron kafshatën e fundit grindet, se kush do të gradohet pusht(e)tar, për t'i shtuar edhe një lak më shumë qytetit apo katundit që e ka zgjadh si bajraktar me çelësat e kashtës në dorë.
    Populli gjendet para grabitjeve të çdo lloj pasurie (kujtoni vjedhjen spektakolare të thesarit të shtetit, që mbrohet nga punonjësit apo policët e shtetit dhe se sa e sigurtë është jeta e shqiptarëve në shtetin amë), promovimi i vesit në politikën zyrtare, gradimi i të degjeneruarve në pushtet, çthurja morale deri në eksportim të femrës shqiptare në udhët e semaforëve të Evropës (ku sipas burimeve të mediave të pavarura italiane që janë në internet, del se shqiptarët zënë vendin e parë në Evropë me 40.000 prostituta të identifikuar nga interpoli i vendeve evropiane). Një baltinë e tërë e një mjegullnajë tymi, kanë bërë që një popull të monologojë: "Të rrosh a të mos rrosh", ku nga zyrat erotike të zyrtarëve qeveritarë neokomunistë kundërmon era e bacilit aktiv. E dhimbshme! Tragjedi kolektive!
    Parazitizmi i boss - ëve politikanë "made in boshlleku", artikulojnë konferenca me gjeste anastezie dhe premtime në erë, se do të bëjmë brenda një ore, dite, jave muaji dhe viti këtë e atë, që trupi i mpirë i shqiptarit nuk e bluan dot.
    E Shqipëria, e tejlodhur është kthyer në një çiflig të njerëzve të dehur me emër dhe pa emër, që artikulojnë fraza shterpe në gjendje anestezie dhe kurvnie: që flenë në dhoma gjumi të rehatshme me partnerë e parnere minorenë bashkëatdhetarë, nën efektin e dritave blu dhe kuq, që shfryjnë epshet si në play - boy; që udhëtojnë me makina luksoze 200 - 300.000 dolarrësh, me kënaqësinë që u dhuron ndezja e puros "Made in Cuba", përpara ushtrisë së të varfërve bashkëatdhetarë, që u shihen nga afër kockat nën këlurë; që alternojnë fluturimet me linja të ndryshme Evropë Perendimore - Lindore dhe anasjelltas, pranë fjordeve të Norvegjisë, dhe për verim në oazet ekzotike në kontinentin e zi të Afrikës (njësoj sikurse baballarët e tyre sulltanë, që kishin haremet në Perandorinë "civilizuese" Otomane). Për më tepër ata rrudhin fytyrat dhe ngrysin vetullat, kur nuk gjejnë bileta të klasit të parë me avion direkt drejt Las Vegas-it, Rio De Zhanieros, Porto Rico-s, ishujt Bahamas, Buones Aires, Colombi apo Mexico City-it në vendin e kulturës të Aztek-ëve, si më e lashta në të historinë e njerëzimit... Ata avionët i ndërrojnë si gratë. Kjo është jeta në "demokraci" - në e demonëve të kuq e rozë, të dhuruar nga ata që e dinin se ç'ishte liria dhe të Drejtat e Njeriut dhe na lanë me koshiencë në ideologjinë amorfe dhe kriminale të stepave të Siberisë dhe sot mbajnë leksione mode, boutique, si pihet puro-ja, campari, metaxa, ëiski, apo i Baçallekut (në hyrje të qytetit Shkodër), që u shitet shqiptarëve si "Coca-Cola", njësoj si sapuni për djath...
    Janë pikërisht ata, që sot kanë pushtetin, mbi të cilët rëndon krimet kundër njerëzimit dhe në veçanti kundër popullit të vet, që e rrejtën dhe e mashtruar se do të hante me "lugë ari" dhe nuk i dhanë as lugë druri. Refuzimi i shoqërisë dhe i "Shtetit" shqiptar për të hjedhë dritë mbi të kaluarën e errët e vdekjeprurëse - shkruan prof. Sami Repishti, - ka lehtësuar lulëzimin e krimit në të tashmen dhe mundësinë e veprimit kriminel pa frikë përgjegjësie. Pse të frikësohet nga ligji "keqbërësi", në një vend të mbushur me kriminelë, torturues, shtypës, çnjerëzues, mbeturina të tiranisë së kuqe, që nuk janë përgjigjur përpara drejtësisë - as para ndërgjegjës së tyre, në qoftëse akoma kanë një të këtillë - ata që kanë vrarë pa ligje, kanë thyer kockat e gjunjët me çekan, kanë shkatërruar orhanet gjenitale të burgosurve që të mos lindin më "fëmijë reaksionarë", kanë prerë mish me thikë e kanë fërguar plagët me kripë, kanë hjedhur të burgosurit nga dritaret, duke thënë se kanë tentuar arratisjen, ose kanë vrarë në kufinj qindra të rinj që tentuan arratisjen për t'i ikur torturës, kanë varë me litarë për pemë dhe hekura dritaresh të burgosurit ditë e natë pa ushqim, pa rroba në qeli të lagëta, shpesh herë nëntokësore? ...Vrasjet masive në fshatra, ekzekutimet në masë pa gjyq në malet e Veriut, shfarosja fizike e klerit katolik shqiptar, dërmimi me dru i tregtarëve dhe "kulakëve" për marrjen e pasurive të tyre, të fituar me djersë, dënimi i intelektualëve dhe studentëve gjimazistë e tjera krime për afro gjysëm shekulli pa ndërprerje janë krime me proporcione biblike. Cila ndërgjegje e pastër pranon heshtjen para një monstruoziteti të këtillë?".
    Përpara luksit të shfrenuar të neokomunistëve, qëndrojnë fëmijët ose lulët e vegjël, që u fusin ujin këpucët nga rrugët e kthyer në lumenj (që janë merzitur të flenë në shtratin e tyre natyral); pensionistët, që mallkojnë vetën për varfërinë që i ka pllakosur; të sëmurë e normalë, që hanë bukën e varfërisë në spitalet e antikapatëve, duke u zhdavaritur njësoj sikurse një herë e një kohë "Ushtari i mirë Zhvek"; të braktisur që rrënojnë plehrat; të rinj që drogohen në vend të coca-colës, që ndrysen e gdhihen pranë trotuareve dhe bordureve të kotësisë së jetës së "bollekut" që solli "demokracia" e boss-ëve të projektit të përpiktë të Katovicës, që veç kaosin kanë në shpirt; kriminelë që si superkiller rrëmbejnë jetë njerëzish, njësoj sikurse kanë dalë për gjah për të vrarë rosa; trafikantë me emër politikanë, që kanë nxjerrë gjithçka dhe ndajnë paratë e fëlliqura me gratë e boss-ave.
    Sido që ta vështron këtë peisazh mbytesh, duket sikur je në një mejhane, që kundërmon erë mishi mice e gomari të sëmurë, sikurse në mejhanet e sarajet otomane të mbushura nga smogu dhe adolishente nudo, ku shuhet uria seksuale pranë protituteve, që nga halli këtë profesion e kanë kthyer në "tregti të mishit të bardhë" me vetveten e kundër vetvetes...
    Dhe propaganda komuniste dhe paskomuniste, amplifikon shterpsi, permes mediave të kontrolluar pothuajse tërësisht nga qeveria mafioze në pushtet, se këtë e solli serbi, atë greku, këtë italiani, apo atë amerikani; se kontrabanda drejtohet nga milanezët etj., lojna fjalësh, që shumë mirë i kanë zënë vendin etradave të diktatorit gjirokastrit, të cilat me kohë kanë dalë boje e janë në akandet e muzeumeve.
    Kështu ofrohet garniturë humori, për të kjarë e për të qeshur. Hapësirat boshe njerëzore, janë fundi i tragjedisë sonë, që po shkurtohet nga ne dhe po luhet po nga ne...
    Vitet ikin shumë shpejt, por në kujtesën e brezave të popullit tonë, do të mbetet e shënuar edhe në librat e kujtimeve, ku një vend të veçantë do të ketë për aventurën e pragfundit të shekullit XX. Ikën në fillim rinia, më pas vajzëria, bashkë me to familjet, por ikën edhe ikonat kristiane autentike 2000 - vjeçare, pikturat bazorelievet, këmbanat, gurët e themeleve të identetit tonë, përsonazhet e veprave të Rilindjes Nacionale, inteligjenca dhe bashkë me to edhe truri i nacionit dhe përkushtimi i shekujve. Iku truri mbeti kafka, iku truri mbeti kashta.
    Të ikim të gjithë, njerëzit dhe historia (mundësisht Atdheut me rrota) dhe veprat e artit dhe pasuritë nën e mbitokësore. Po përse?! Për ty? Me kë janë armiqësuar shqiptarët? Kush i ka dëshpëruar deri në folenë ku tash mijëra vjet flitet shkruhet dhe mësohet shqip?
    Ja cila është akrobacia, që luhet në tymnajën e rrëmujës nga lart poshtë, sepse qafat e majmunëve, të mbajtur shtrembër nga gjaku e vjami i thithur popullit, deri në kockën e fundit, flasin për ç'fokusimin e plotë të shqiptarëve, klandestinëve, prostituteve, rryshfeteve, korrupsionit, a thua se populli gëzon miliona dollarë nën qiellin e lumturisë, ndërsa boss - ët gjenden nën këmbët e varfërisë së tejskajshme të popullit?! Pse gjithë kjo kurajo për anarki?! Pse gjithë ky investim, për shpërbërje të shqiptarëve, për ku të mundën dhe si të mundën!?
    Kur do të vijë ajo ditë, që në hyrje të filozofisë sonë politike, objektivi kryesor për shqiptarët të jetë prosperiteti ekonomik, klima sociale e të jetuarit normal, si shumica e evropianëve; që politikanët dhe qeveritarët të jenë shërbestarë të shtetit civil - juridik e shtetasve të vet dhe qytetarë të barabartë përpara ligjit; që shoqëria shqiptarë të mos jetë në gjendje të ankthit shpirtëror; që tensioni psikik të mos i qendrojë pezull si tension i lartë elektrik popullsisë së pafajshme: që hakmarrja absurde shqiptare, gjoja në emër të "Kanunit" të rrugës të mos përfillë as vdekjen; që psikologjia agresive e rrëmujës të mos bëhet zonë ku të gjuajnë gjahun e tyre batakçitë manjakë...
    Shkurt, substanca psiqike shqiptare, mundet dhe i ka të gjitha gjasat t'i largohet kësaj asfiksie turbulluese, duke purifikuar ndërgjegjën, me anë të bindjes dhe stratifikimit të objektivave individuale, kolektive, sociale dhe së bashku në unison të gjenerojnë vlera morale të qëndrueshme, për të mirën nacionale. Dalja nga udhëkryqi çorrsokak duhet të jetë ideali i jetës sonë brenda dhe jashtë trojeve etnike shqiptare.

    Emigracioni i 1.000.000 shqiptarëve ka përfshirë 50% të trurit të nacionit

    "Atje ku vdes shpresa, lind zbrazëtira"

    Leonardo Da Vinçi

    Emigrimi i shqiptarëve përbën një nga problemet më të mprehta të kësaj periudhe të tranzicionit të tejzgjatur dhe të qëllimshëm nga ata që morën pushtetin, përmes revolucionit bolshevik jevgjito - komunist të vitit të zi 1997...
    Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, në një shtet, kur ish-Kryeministri i saj z. Pandeli Majko, denklaronte publikisht se: "90% e gjyqtarëve është e inkriminuar dhe 70% e qytetarëve (shtetasve të vet, shenimi im K.K.) nuk i besojnë drejtësisë, që përbën "bazamentin" e shtetit sot në Shqipëri".
    Kjo është njësoj, sikur t'i thuash shqiptarëve, çfarë prisni, largohuni nga Shqipëria, se është e ngjyrës së kuqe dhe rozë dhe nuk ka shpresë për asgjë!!!? Por të vijojmë në trajtimin e temës në analizë.
    Në këtë veptrim mbi emigracionin, kanë ndikuar një sërë faktorësh, duke filluar pikësëpari me nevojën e lëvizjes së lirë të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendlindjes, ashtu dhe faktorë të tjerë, si: politikë, socialë, etkonomikë etj.
    Të gjithë këto faktorë, veçmas apo së bashku bëjnë që pas viteve '90, popullsia shqiptare, ndonëse e papërgatitur të përfshihej menjëherë në fuksin e madh të migrimit, qoftë ky emigracion i jashtëm, ashtu edhe lindja e fenomenit të madh të migrimit të brendshëm. Përballë kësaj dukurit, është e natyrshëm që studiuesit ekspertë në vendlindje dhe të huaj, në mënyrë analitike, të trajtojnë në media dhe buletine shkencore, se cilat janë kryesisht veçoritë, tiparat, problemet, që burojnë në këtë rast, që kanë shoqëruar emigracionin e jashtëm të shqiptarëve?

    * * *
    Dihet nga të gjithë, që emigracioni shqiptar përbën një emigracion shumë të hershëm (edhe më të hershëm se vetë evropianët, që zë fill në shekullin XV në drejtim të ShBA-së), kushtëzuar kjo nga një sërë rrethnash historike, politike, luftrat e ndryshme etj. Mjafton të përmendim faktin, se nga 10.000.000 shqiptarë, që mendohet se numërohen sot në botë, gati gjysma e më shumë e tyre ndodhen jashtë shtetit amë.
    Në historinë e popullit shqiptar, njihen disa flukse të emigrimit të shqiptarëve, përveç emigrimit masiv të vazhdueshëm. Kështu pas vdekjes së Heroit Nacional Gjergj Kastriotit, rreth 200.000 arbër lanë vendin dhe u vendosën më së shumti në Jug të Italisë. Ndërsa më vonë lëvizjet e tjera përfshinë vitet 1781, 1492, 1506 dhe vijoi në disa valë deri në vitin 1744,
    Emigrimi i fundit në vitin 1744 u shoqërua më vonë me themelimin e bashkësisë shqiptare të Via Badessa në Abruzzo të Italisë. Në ato rrethana historike të imponuara, shqiptarët qenë të detyruar të braktisin Arbërinë, në periudhën e dhunës së asgjësimit fizik e shpirtëror të ushtruar furishëm nga mizoria e egër e osmanllinjëve, që përmes shpatës u përpoqen të përhapnin "civilizimin", si një vlerë e Perandorisë më të "pathyeshme" asokohe...
    Valë e furishme vërshimesh, janë ato që përfshinë harkun kohor të viteve 1930 - 1944, ku rreth 150.000 shqiptarë ishin larguar nëpërmjet emigracionit të jashtëm. Këtu nuk po përfshijmë "emigracionin" e shqiptarëve nga Kosova drejt pllajës së Anadollit, si pasojë e marrëveshjeve të fshehura dhe të hapura midis ish-kolonizatorëve serbe dhe "vëllezërve" turq, që i dengledisen shqiptarët në tokat më të këqija dhe në kufi me kurdët, me të cilët qeveria turke ka pasur gjithnjë probleme të shtetformimit...

    Mirëpo, si u përjetua ky emigracion, në përiudhën e tmerrshme të komunizmit dhe pasdiktaturës?

    Me vendosjen dhunshëm të diktaturës komuniste me 28 nëntor 1944, emigracioni i jashtëm pushoi së ekzistuari, duke u paraqitur vetëm në formën e arratisjeve individuale, ose të minigrupeve në mënyrë sporadike të kundërshtarëve politikë të regjimit. Shumë të rinj dhe familje shqiptare, që morën udhën e arratisjes nga "lumturia" komuniste patën një fund tragjik, duke u pushkatuar në vend, u kapën të gjallë dhe dërguan në burg, u masakruan dhe kufomat e tyre u shëtitën ditën nëpër lagjet dhe rrugicat e Shkodrës e të fshatara dhe qyteteve të tjera të Shqipërisë, që ishin "çerdhe e reaksionit kundër pushtetit popullor"... Kjo faqe e historisë ngjason njësoj sikurse me zezakët e kontinentit të Afrikës në shek. XV, të cilët në përpjekje, për t'iu larguar e shpëtuar nga duart e padronëve që I kishin blerë si mall tregu patën një fund tragjik, ku u ndoqen nga karvani i qënjve, u vranë, torturuan, zhdukën me familje fizikisht deri sa një ditë ata fitojnë lirinë dhe të drejtat sikurse edhe të bardhët në Afrikë e ShBA...

    2 Korrik 1990 një shuplakë e madhe për diktaturën dhe shërbetorët e tij

    Duhet të vinte 2 Korriku i vitit 1990, ku shpërthei i pari fluks, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, tashmë i njohur si "Fenomeni i Ambasadave në Shqipëri". Në Ambasadat e huaja të akdredituar në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë u futën 4975 përsona, që ishin nga e gjithë vendi. Ata së bashku i dhanë kështu goditjen vdekjeprurëse sistemit shterpër komunist. Prej tyre 3554 u futën në Ambasadën Gjermane, 816 në Ambasadën Italiane, 549 në Ambasadën Franceze dhe në rezidenca të tjera diplomatike në Tiranë. 3 persona që u futën në Ambasadën Kubaneze u nxorën jashtë nga personeli i saj dhe për fat të mirë, ata u rifutën edhe një herë në Ambasadën Gjermane në Tiranë.
    Ndonëse, qe një futje spontane e njerëzve në këto Ambasada, ata nuk e meritonin fjalën fyese se "janë jashtëqitja e kombit", sikurse u shpreh në ato ditë beniamini i oborrit të diktatorit e diktaturës, shkrimtari i "shquar" Ismail Kadare, mes "varfërisë" së Parisit. Ai duhet t'i dilte zot bashkëkombasve të vet, që kishin nevojë për kurajo dhe jo për fyerje të denja vetëm për servilët e sistemit që perendoi një herë e përgjithmonë...
    Kështu këta emigrantë u quajtën legalë dhe u legalizuan nga vendet ku ata shkuan.
    Me keqësimin e gjendjes politike, ekonomike, kriza sociale dhe thellimi i kurbës së krizës së përgjithshme në shumë rrafshe, shpërtheu e para rrymë masive e refugjatëve, ku në mars të vitit 1991 rreth 100.000 përsona të dëshpëruar nga sistemi komunist braktisën vendin, kryesisht drejt Greqisë në masën 76% dhe Italisë 24%. Më pas emigrimi ilegal në vitet 1992-1993 e rriti numërin e emigrantëve jashtë Atdheut me 300.000 përsona. Në vitet '95, numërohet shifra 450.000 përsona, duke i shtuar këtu edhe numërin e atyre emigrantëve në vitet 1996, 1997 dhe 1998, çka bën që numëri i emigrantëve të rrumbullaksojë shifrën 600.000 ose 17% e popullsisë së Shqipërisë jetojnë e punojnë jashtë atdheut. Në vitin 2002-2003 mendohet nga burimet e pavarura në Tiranë, se numëri i përgjithshëm i emigrantëve shqiptarë ka arritur në 1.000.000 banorë të shpërndarë 90% në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut dhe Jugut.

    Struktura e emigrimit dhe rrjedhja e vijueshme e trurit

    Sipas burimeve të ekspertëve që kanë hulumtuar dhe analizuar me kujdes këtë fenomen me të gjithë pasojat që burojnë rezulton, se 80% e numërit të emigrantëve janë të elementit mashkull, gjini e cila ka tendencë të rritet në vitet në vijim. Dhe kjo me sa duket është e lidhur me vetë kushtet specifike, e tepër të vështira, në të cilat zhvillohet ky lloj emigracioni.
    Për më shumë rezulton se 70% e këtyre emigrantëve janë të moshës 20-30 vjeç. Pra, sikurse shihet, mosha më e re aktive e popullsisë sonë, është e përfshirë në këtë lloj emigracioni, çka përbën një problem shumë të madh për kushtet e vendlindjes, sepse Shqipërisë I nevoitet kjo moshë e re për rindërtimin e saj.
    Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm, është se mbi 50% e intelektualëve të vendit nga mosha 24-56 vjeç dhe mbi këto kufinj, janë përfshirë në këtë emigracion, që ka tendencë gjithnjë e më shumë të rritet, falë vështirësisë ekonomike, korrupsionit, pasigurisë në vend, mungesës së investimeve vendase dhe të huaja për punësimin e të rinjve dhe të shkolluar në universitetet shqiptare. Tashmë Shqipërisë po i humbet një herë e përgjithmonë kapitali human në përgjithësi, dhe mbi të gjitha po ikën përgjithmonë truri i kualifikuar, që kanë një ose dy grada shkencore të mbrojtura pas viteve 1990 në Shqipëri dhe vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore.
    Atëherë cilët janë këto faktorë kapriçozë, që e stimulojnë këtë fluks hemoragjie kaq të madh të shqiptarëve sidomos gjatë këtyve viteve të fundit (1997-2003)?
    Në fillim duhet theksuar, se strumbullari ose faktori më dominant, është ai politik, humbja e shpresës, krimi politik, korrupsioni, vrasjet ditën për diell, vjedhjet e grabitja e bisnesmeneve shqiptarë dhe të huaj dhe si kureshtje e shqiptarëve, pas një izolimi të gjatë për të njohur botën. Më tej, këto faktorë anuan në sensin ekonomik, si pasojë e gjendjes së rënduar dhe drastike ekonomike, që përjetuan dhe përjetojnë bashkëkombasit tanë në vendlindje në këtë periudhë abuzive të tranzicionit supër të zgjatur. Emigrantët tanë që u stabilizuan në ShBA, Kanada, Argjentinë, Europë, Australi, Afrikë (Afrika e Jugut) dhe Azi (Japoni, Korea e Jugut) i shtynin faktorët e bashkimit familjarë të emigrimit atje me familjet e tyre, që kishin lënë në Shqipëri. Faktorët e tjerë mendoj se janë edhe arsyet e arsimit, humbja e shpresës se Shqipëria do të bëhet një ditë nga vetë shqiptarët dhe shumë arsye të tjera e stimuluan dhe nxisin emigrimin në masë të shqiptarëve për ku të munden dhe si të munden. Mbi të gjitha mendoj se qendrojnë dy faktorë esencialë: politikë, pasojë e politikës kaprioze dhe destabilizuese që po ndjek qeveria e kuqe ne pushtet, që me papërgjeshmërinë e tyre irrisin varfërinë popullit të vet dhe e detyrojnë të gjejnë si udhë shpëtimi kurbetin plot kalvare...
    Së fundi, pa dhënë receta fikse, mendoj se emigracioni duhet të përfshihet në një strategji të caktuar shtetërore në vendlindje dhe jo ti lihet spontanitetit që jo rralë shoqërohet me fund tragjik për përsonat që marrin këtë udhë. Politika shqiptare duke u marrë më shumë me vetveten, po harron këtë pjesë të rëndësishme të nacionit, që po endet nëpër botë. Kështu sipas statistikave të publikuara nga mediat e pavarura të Bashkimit Evropian rezulton se nga puna e emigrantëve janë rritur të ardhurat e bujqësisë në Greqi në masën 18% dhe 15% të ardhurat e sektorit të ndertimit. Bujqit grekë, prej punëtorëve krahu janë kthyer në efendikoj. Nëse një ditë Greqia do të gdhihej pa emigrantë, ekonomia e saj do të përjetonte mungesën e tyre. Kësisoj kërkohet nga ana e "shtetit" shqiptar, që t'u sigurohet asistencë të gjithë emigrantëve që kanë nevojë për ndihmen e tyre nga ana juridike etj., sepse fundi fundit ky është roli primar i ambadorëve të vendlindjes, për të mbrojtur shtetasit e vet dhe jo për t'i shfrytëzuar e lodhur dhe detyruar shqiptarët, që ta kenë për turp që kanë një ambasadë të tillë, që mund të jetë e kujtdo, por jo e shqiptarëve...
    Është e domosdoshme të bisedohet me strukturën ndërkombëtare përkatëse, për zbatimin e Konventave që Mbrojnë të Drejtat e Emigrantëve. "Shteti" që mendon se është shtet, duhet t'i dalë zot bashkëkombasit të vet.
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  2. #2
    i thare
    Anëtarësuar
    23-06-2003
    Vendndodhja
    u.s.e
    Postime
    384
    Pershendetje Alba.
    Kam lexuar shkrime te shumta te persekutuarve te rregjimit me monstruoz ne bote atij hoxhist dhe ne te shumten e rasteve ata kane qene shkrime shterpe qe kerkonin meshirim ashtu sikur rregjimi me i djallezuar ne bote ai diktatorial hoxhist i kaluar kerkonte legjitimim ne absurditet.
    Sot me kete shkrim te zotit Sami Repishti verej se shterpesia dhe meshirimi ndaj klases se persekutuar duket se po largohet pergjmone dhe vendin e saj po e ze me te vertete mendimi kreativ aspak monoton i kesaj klase te persekutuar ne menyre radikale.
    Popullsia shqiptare ka vuajtur gjithmone nga atrofia konservatore e lashte dhe duke ndjekur vijezimet historike kam arritur te kuptoj se populli shqipetare eshte ndare ne grupime te fuqishme.
    Grupimi i pare eshte ai grupim qe kerkon ndertimin e shtetit ligjor, formimin e kultures shqiptare te vertete, ardhmerine, perparimin dhe njohjen e tij te legjitimuar si shtet qe i perket familjeve te emancipuara evropiane ose familjeve perparimtare te ketij kontinenti.
    Grupimi i dyte eshte ai grupim qe kane nevoje te perhershme per "ushqim" aktualisht realiteti provon nje gje te tille dhe atrofia eshte pjese e jetes se tyre te perditshme, duke na deshmuar me te vertete vazhdimin e atavizmave qe ne shekullin e kaluar u kamufluan rregullisht me metoda monstruoze por qe sot rilinden duke na deshmuar se me te vertete ky grupim popullate perben nje problem ose nje shkak madhor te mosformimit te nje kombi, shteti pra ne vend te diktatures sot kemi autokracine.
    Nuk mund te jete diletantatizem ajo permbledhje e mesiperme sepse vezhgimi i sakte i historise shqiptare tregon se ne ditet e sotshme kur populli shqiptar ndihet i lire, riciklimi i historise po ndodh ne menyre te turpshme duke i vene kazmen me shume te ardhmes se kombit shqipetar.
    Jo me kot autori titullon shkrimin "Te vdesesh ne Shqiperi eshte vetme humbje kohe"
    Nuk jane vetem boshleviket, burokratet, obskurantistet, obstruksionistet qe mbajne peng nje vend, ardhmerine e tij, zbulimin e historise se tij por kete vend e mbajne penge edhe dominionet e ideologjive te ndryshme te kolonizuesve te ndryshem, aq me shume kete e mbajne peng ata njerez qe ne vitin 91 deklaronin se "ne " duhet te ruajme vlerat e krijuara per keto 50 vite si dhe te lartesojme ne qiell ata "njerez qe luftuan" kunder pushtuesve te ndryshem ne luften e dyte boterore"
    Historine ketij vendi ja kane borxh vetem shqipetaret e "devotshem" qe kurre nuk e kane kursyer shemtimin, tradhetine, kthimin ne mesjete te shqipetareve.
    Uroj qe shqipetare te tille te mos kemi dhe historine e re te ketij kombi ta bejne ata qe luftojne, djersisin, ndodhen gjithnje prane tavolines se punes, perkushtohen ceshtjes shqipetare dhe historine e re ne vazhdim te ketij kombi ta bejne ata qe e meritojne me te vertete te quhen shqipetare.
    "Nene Shqiperi mos kij frike se ke djemte ne ha-merr-ike"

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e ALBA
    Anëtarësuar
    21-05-2002
    Vendndodhja
    Gjermani (Dortmund)
    Postime
    2,609

    Pershendetje!

    Pershendetje Lis!

    Kete shkrim qe e vura ketu,me pelqeu shume se eshte real,dhe jo se e ka shkruar nje i presekutuar apo nje shkrimtar apo ndonje politikan.Realiteti nuk eshte ndryshe ,por sic e shkruan autori.Ne mundohemi vertet ti vejm diellit shoshe,por rezet e tij dalin nga vrimat,keshtu autori kete shkrim na e dergon ne Shqiptareve qe pak a shume ,e dime sot si eshte realiteti ne Shqiperi,dhe nuk kemi pse ta fshehim.Une mendoj se nje shofer,sa do vese te mira te kete,po nuk di ti japi makines,nuk mundet ta zoteroj patenten.Keshtu dhe politikanet tane sot,kan ngaterru patentat,kan mare patenten e te kuruptuarrit me vule nga mafja.Me cito po deshe se ku ka gabuar autori,sepse kam 5 here qe e lexoje dhe pothuajse shkrimi i tij eshte me se real.Ti thua se Shqiptaret sot jane te lire,me shpjego si e kupton ti lirine,ckuptim i jep liris sot ne shqiperi,dhe cfare vlerash ka liria sot.?A nuk jane te verteta fjalet e autorit ku shkruan:

    "Shqipëria sot jeton - e pranon verbërisht të jetojë!E Shqipëria, e tejlodhur është kthyer në një çiflig të njerëzve të dehur me emër dhe pa emër, që artikulojnë fraza shterpe në gjendje anestezie dhe kurvnie: që flenë në dhoma gjumi të rehatshme me partnerë e parnere minorenë bashkëatdhetarë, nën efektin e dritave blu dhe kuq, që shfryjnë epshet si në play - boy; që udhëtojnë me makina luksoze 200 - 300.000 dolarrësh, me kënaqësinë që u dhuron ndezja e puros "Made in Cuba", përpara ushtrisë së të varfërve bashkëatdhetarë, që u shihen nga afër kockat nën lëkurë; që alternojnë fluturimet me linja të ndryshme Evropë Perendimore - Lindore dhe anasjelltas, pranë fjordeve të Norvegjisë, dhe për verim në oazet ekzotike në kontinentin e zi të Afrikës (njësoj sikurse baballarët e tyre sulltanë, që kishin haremet në Perandorinë "civilizuese" Otomane). Për më tepër ata rrudhin fytyrat dhe ngrysin vetullat, kur nuk gjejnë bileta të klasit të parë me avion direkt drejt Las Vegas-it, Rio De Zhanieros, Porto Rico-s, ishujt Bahamas, Buones Aires, Colombi apo Mexico City-it në vendin e kulturës të Aztek-ëve, si më e lashta në të historinë e njerëzimit... Ata avionët i ndërrojnë si gratë. Kjo është jeta në "demokraci" - në e demonëve të kuq e rozë, të dhuruar nga ata që e dinin se ç'ishte liria dhe të Drejtat e Njeriut dhe na lanë me koshiencë në ideologjinë amorfe dhe kriminale të stepave të Siberisë dhe sot mbajnë leksione mode, boutique, si pihet puro-ja, campari, metaxa, ëiski, apo i Baçallekut (në hyrje të qytetit Shkodër), që u shitet shqiptarëve si "Coca-Cola", njësoj si sapuni për djath...
    Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, në një shtet, kur ish-Kryeministri i saj z. Pandeli Majko, denklaronte publikisht se: "90% e gjyqtarëve është e inkriminuar dhe 70% e qytetarëve (shtetasve të vet, shenimi im K.K.) nuk i besojnë drejtësisë, që përbën "bazamentin" e shtetit sot në Shqipëri".
    Kjo është njësoj, sikur t'i thuash shqiptarëve, çfarë prisni, largohuni nga Shqipëria, se është e ngjyrës së kuqe dhe rozë dhe nuk ka shpresë për asgjë!!!? Por të vijojmë në trajtimin e temës në analizë. Pra i nderuari Lis shkrimi autorit me pelqen aq shume ,dhe eshte aq real,sa kam mbi 3 vite qe lexoj shkrime te ndryshme, por si ky shkrim kaq real nuk kam lexuar deri tani.

    Me respekt Alba
    "Jeten duhet ta paguash me cmimin e vuajtjes."
    .

  4. #4
    i thare
    Anëtarësuar
    23-06-2003
    Vendndodhja
    u.s.e
    Postime
    384
    Alba po te citoj nje pjese nga thenia e Xhon Djui-t
    "Kercenimi i vertete per demokracine tone, nuk eshte eksistenca e shteteve totalitare te huaj.Eshte prania ne qendrimet tona vetiake dhe ne institucionet tona e kushteve qe ne vendet e tjera bene qe te triumfoje autoriteti i jashtem, disiplina, uniformiteti dhe nenshtrimi ndaj kryetarit. Pra fusha e betejese eshte edhe ketu: ne veten tone dhe ne institucionet tona.
    Neqoftese duam te luftojme fashizmin(tek ne gjitha te keqijat qe kane sunduar vazhdimisht kete komb) duhet me pare te kuptojme ate: optimizmi nuk do te na ndihmonte".

    Pershendetje.
    Ndryshuar për herë të fundit nga lis : 29-09-2003 më 03:11
    "Nene Shqiperi mos kij frike se ke djemte ne ha-merr-ike"

  5. #5
    System ...!! HACKED DOWN
    Anëtarësuar
    11-07-2003
    Vendndodhja
    North York
    Postime
    16
    Shkrim shume i bukur. POR kush eshte zgjidhja...?
    A ka zgjidhje ose heqje te lidhjes nga "keta" sundues gjakpires??
    A mund te kete nje fije shprese dhe ku gjendet ajo.

    Per mendimin tim jemi ne, ky brez qe ndodhemi jashte dhe qe se kemi gjakun te mpiksur me korrupsion qe duhet ti veme bombat kesaj karrakatine.
    Po a ka ndonje te ri te edukuar jashte qe mendon te kthehet ne vendin e tij VETEM per hir te atdheut dhe sa jane te tille.
    BASHKIMI BEN FUQINE

  6. #6
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    30-09-2003
    Vendndodhja
    Shqipëri
    Postime
    56
    Mitat Mersinllari 47-vjeç goditet me makinë në mes të Selanikut

    Një aksident i dyshimtë i merr jetën ish-agjentit sekret shqiptar në qëndër të Selanikut. Ngjarja ka ndodhur në 2 tetor 2003 ku është vrarë aksidentalisht në Greqi ish-oficeri i SHIK-ut Mitat Mersinllari, 47 vjeç. Vrasja e tij është mbuluar me mister, ndërsa vëllai dhe shokët e tij, këmbëngulin për një vrasje shtetërore të projektuar mirë dhe jo për një aksident automobilistik të zakonshëm.

    Kjo nuk është hera e parë që ndodh kështu, tha vëllai i tij Mersin Mersinllari, pedagog në Universitetin e Tiranës. Sipas familjarëve dhe shokëve të tij, aksidenti mund të ketë lidhje me të shkuarën e tij si oficer i Shërbimit Sekret Shqiptar (SHIK), detyrë që ai e ushtroi deri në vitin 1997. Mitati, njëkohësisht njihej edhe si veprimtar politik në Greqi dhe merrte pjesë në aktivitete të tilla.

    Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por në emër të mbledhjes së provave dhe fakteve, e ka vonuar rreth dy orë dërgimin e Mitatit në spital, i cili ishte jo më larg se 200 metra. Sipas variantit të policisë, Mitati është goditur nga një makinë me targë NZN 2698 e drejtuar prej 18-vjeçares Theofili Zeropulos, e bija e çifutit Jakov. Policia thotë se makina e ka goditur Mitatin në rrethana të paqarta, por, ndërkohë, ajo nuk e ka kapur autorin e ngjarjes. Makina, menjëherë pas goditjes, ka ikur nga vendngjarja, duke e lënë viktimën të shtrirë përtokë. Pas ngjarjes tragjike, aty ka shkuar ekipi hetimor, i cili ka marrë me vete të gjitha provat e krimit, dhe si përfundim i ka lënë fajin viktimës. Ekspertët policorë nuk kanë deklaruar rrethanat e këtij krimi, duke u mjaftuar me mbrojtjen e autorit të krimit.

    Vëllai i viktimës, por edhe disa prej shokëve të Mitatit, këmbëngulin se krimi ishte i planifikuar dhe se në timonin e makinës nuk ishte 18-vjeçarja, por i babai i saj, i cili jashtë çdo mundësie ka goditur shqiptarin për vdekje dhe më pas është larguar qetë-qetë pa u ndjekur nga policia dhe nga askush.

    Mitati ka qëndruar i shtrirë në asfalt rreth dy orë, pra nga ora 21.30 deri në 22.45, kur ai u dërgua në spital. Pasi u dërgua në spital, ai mori ndihmën e parë, por vdiq në orën 22.30. Nëse policia do ta kishte marrë menjëherë në vendngjarje, sipas burimeve shqiptare, ai do të kishte shpëtuar, por miqtë e tij këmbëngulin se ai u la aty për të vdekur me çdo kusht. Një detaj tjetër, për të cilin këmbëngulet, është fakti se policia e Selanikut nuk e lajmëroi konsullatën shqiptare, derisa për këtë u kujtuan shokët e Mitatit. Konsullata, pasi i bëri telefon policisë dy ditë më pas konfirmoi vdekjen e Mitat Mersinllarit. Kur shefi i konsullatës kërkoi shpjegime për mosinformimin, zyrtari i policisë tha se ne nuk e dinim numrin e telefonit. Shokët e Mitatit thanë se kur e kërkuan kufomën e shokut të tyre, polica e fshihte. Bashkë me kufomën policia, sipas tyre, ka zhdukur edhe provat e krimit, duke krijuar pseudoprova të tjera. Policia i dha të shoqes së Mitatit rroba pa gjak, një portofol me 40 euro dhe lejën e vjetër të qëndrimit. Gruaja e tij nuk di greqisht, kështu që ajo firmosi për marrjen e këtyre gjërave, pa ditur se policia po përdorte një mekanizëm për fshehjen e provave të së vërtetës. Ne kërkojmë drejtësi. Po ata që thanë se djali nga Hasi u vra nga plumbi që bëri rikoshetë në ajër, thanë se vëllai im u vra aksidentalisht. Por hetimet për djalin nga Hasi treguan se ai u vra me qëllim, ashtu siç gjurmët e krimit për vëllanë tim u fshehën për të bërë fajtor viktimën, shprehet i revoltuar Mersini.

    Dy emigrantë korçarë kanë nderruar jete gjithshtu dje pas një aksidenti në kryeqytetin grek, Athinë. Burimet nga qyteti i Korçës bëjnë të ditur dje se, dy viktimat, Vaskë Ceci dhe Romeo Treni, banues në qytetin e Korçës, pësuan fundin tragjik gjatë një përplasjeje mes automjetesh në një autostradë në dalje të Athinës.

    Në morgun e Selanikut, që prej dy muajsh vazhdon të dergjet trupi i pajetë i një shqiptari nga Gjirokastra. Quhet Jorgo Vasili. Këtë e dëshmon për gazetën prof. Mersin Mersnillari. Kur unë shkova të merrja trupin e vëllait, shefi i morgut m'u lut të bëja publik faktin që në këtë morg dergjej edhe një shqiptar tjetër, për të cilin nuk kujdesej askush. Ne i kemi kërkuar ndihmë konsullatës shqiptare, por ajo na ka thënë se po interesohemi, por në fakt askush nuk ka ardhur të marrë trupin e tij. Më thanë se në disa qytete të tjera, ka edhe shqiptarë të tjerë, që dergjen në morg pa ditur se kush janë dhe që nuk kujdeset askush për ta, saktëson Mersini.


    Gazeta Panorama
    11 Tetor 2003

Tema të Ngjashme

  1. Kështu foli Tahir Zemaj
    Nga Nice_Boy në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 123
    Postimi i Fundit: 01-01-2014, 18:52
  2. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  3. 200 të shumëkërkuarit shqiptarë në të gjithë Botën
    Nga Albo në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 04-02-2011, 10:52
  4. Përgjigje: 15
    Postimi i Fundit: 06-12-2008, 14:08
  5. Ervin Hatibi
    Nga erzeni në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 9
    Postimi i Fundit: 18-11-2006, 00:39

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •