Premton se do të kthehet sërish, jo më si prezantuese, por si bamirëse. E dashuruar pas Shqipërisë dhe shqiptarëve, kërkon të bëjë diçka për njerëzit në nevojë. Brigitte Nielsen rrëfen “aventurën” e prezantimit përkrah Ardit Gjebresë, natën finale të “Këngës Magjike”

Nielsen, rikthimi i dytë si bamirëse


Bruna Prifti

Ajo hyn në hollin e “Sheraton Hotel” më e thjeshtë se ç’mund të imagjinohet. E veshur me kostum të zi, me flokët bjond ngritur përpjetë, dhuron buzëqeshje gjithandej. Nuk bezdiset fare nga sytë kureshtarë që e ndjekin pas dhe ka një mënyrë afrimi të adhurueshme. Kush nuk ka shkëmbyer qoftë edhe një përshëndetje rastësore me Brigitte Nielsen, nuk mund ta mendojë se pas atij fiziku dhe filmave aksion të interpretuar, mund të fshihet një femër shumë miqësore dhe e qeshur. Nata e gjatë e ndarjes së çmimeve në Festivalin “Kënga Magjike” 2003 duket se vetëm i ka marrë ca orë nga koha e saj, por i ka dhënë shumë. I ka dhënë mundësinë të njohë e të përjetojë emocione që do ta “detyrojnë” të kthehet sërish. Por, jo më në rolin e prezantueses. Këtë herë plane të tjera ka në mendje, që ashtu si thotë edhe vetë, do t’i përmbushë patjetër.
Mbresa nga njerëz të vërtetë
Mëngjesi për të është vetëm një çaj menteje, i shoqëruar padyshim me një cigare, të cilën e pasojnë edhe të tjera. Brigitte Nielsen një natë pas festivalit, ruan kujtime të mrekullueshme, që nuk do t’i harrojë lehtë. Biseda me të rrjedh lehtë, natyrshëm e larg komplekseve që të bëjnë të ndihesh ligsht se ke pranë jo pak po një divë me famë. Shqipëria për të nuk ka qenë fare e panjohur, por tani ajo mund të dëshmojë se nga ky vend ka mundur të marrë më të mirën.
“Kjo është hera e parë që unë vizitoj Shqipërinë dhe impresioni që më mbeti është i pashlyeshëm. Njerëzit që janë kaq të bukur e kaq të thjeshtë janë të mirë, megjithëse nuk kanë asgjë. Këta njerëz, që i gjeta këtu, që të përshëndesin përzemërsisht, të buzëqeshin, nuk i gjen në asnjë nga ato vende që pretendojnë se i kanë të gjitha e nuk kanë asgjë. Pasi nuk kanë humanizmin dhe një zemër të vërtetë”. Kjo është ajo që Brigitte nuk do ta harrojë kurrë dhe për të cilën ka ç’të flasë në vendin e vet. Ajo nuk ngurron që përkundruall imazhit që rëndom është ngritur për Shqipërinë e shqiptarët të nxjerrë në pah një nga ato gjërat e vlera që mirësisht ka mbetur tek ne. “Ju jeni shumë të pasur e keni një cilësi që u mungon shumë vendeve”,- thotë ajo dhe shton se krenaria dhe dëshira për të mbajtur një familje janë ato që i kanë bërë përshtypje të madhe. Njerëzit ndonëse i janë dukur skeptikë, rrezatojnë një buzëqeshje që sipas saj vjen së brendshmi, e kjo është padyshim e mirë. “Ju duhet të na ndihmoni ne për të vënë paqen mes mendjes dhe zemrës që ne e kemi të disekuilibruar, ndërkohë që ju këtë e keni. Tek ju unë shoh optimizëm, që është ca i komplikuar për t’u kuptuar, por që unë këtë e adhuroj”,- thotë Brigitte.
Festivali
Teksa e pyet për festivalin, sytë i drejton te Ardit Gjebrea, që tashmë e ka bërë mik për kokë. Ajo që mijëra shqiptarë panë e dëgjuan mbrëmjen e së dielës në ekranin e televizorit ka një të vërtetë të madhe. Brigitte Nielsen, gruaja e famshme 40- vjeçare, është tejet e sinqertë kur rithotë se Arditin e do vërtetë shumë. “Ai është një personalitet i madh në të gjitha këndvështrimet”,- thotë ajo duke shtuar se ka qenë pikërisht ai që e ka ndihmuar shumë. Ajo e pranon se drejtimi i një festivali, qoftë edhe përkrah një shoumeni si Ardit Gjebrea ishte një përgjegjësi shumë e madhe. “Për mua, të them të drejtën ka qenë shumë e vështirë”,- thotë ajo dhe kujton se mësimi i 32 faqeve në gjuhën shqipe praktikisht ishte i pamundur. Brigitte Nielsen e pranon se gjithë sa bëri atë natë e bëri me zemër. Ajo as vetë nuk di të thotë se si e pse, por është gjendur papritur e dashuruar me këtë vend. “Unë e dua shumë këtë vend. Nuk mund të flas me emra, por kam shumë miq që vijnë këtu dhe e duan këtë vend. Më vjen shumë keq për dhimbjen tuaj, por shpresoj që mbrëmjen e festivalit, për secilin të kem dhuruar pak dritë apo argëtim”,- thotë ajo dhe shton më tej se hap pas hapi gjatë detyrës për prezantimin e festivalit ka gabuar shumë. Në këtë pikë falenderon edhe një herë Arditin që e ka ndihmuar dhe shumë më shumë publikun, që arriti të kuptonte humorin e saj.
Nuk di të thotë shumë për këngët apo interpretuesit, por ama e mban një peng të vogël. “Ndershmërisht, kur shkon lart e poshtë, dëgjon por nuk mund të vlerësosh këngëtarët 100% dhe nuk dua të them asgjë për këtë”,- thotë Nielsen dhe shpreh keqardhjen e saj për atë djalin bjond me tatuazh pas qafe që iu duk shumë simpatik. Fjala është për Sonin e grupit “The Dreams”, të cilit i dha një goxha të puthur te tatuazhi teksa prezantonte. Ngacmimin e Gjebresë e kap në çast dhe përgjigjet lehtësisht se ky Soni nuk ka kurrfarë ngjashmërie me Silvesterin e saj. “Nuk i ngjante aspak Silvestres, ai ishte kaq i vogël, por ishte kaq i këndshëm dhe shumë i shkathët”,- tregon ajo arsyen se pse pikërisht ky i tërhoqi vëmendjen. Pastaj kthehet sërish te Arditi dhe faqe të gjithëve në tryezë i thotë ca fjalë që do të bënin të ndihej mirë këdo. “Je shumë i ndjeshëm dhe di të dëgjosh me zemër”,- thotë ajo, madje shton edhe një tjetër cilësi për të fantastike. “Kur ai këndon bëhet i vërtetë, është një tjetër njeri, shumë i bukur. Kur këndon jep një mesazh të madh, të jep forcë dhe dëshirë për të jetuar”.
Një projekt për të ardhmen
Brigitte Nielsen shoqërohej në këtë vizitë nga një mikja e saj e zemrës, Tania Misoni, e njohur në Itali si “alta moda”. Të dyja bashkë janë mjaftuar me një shikim të shpejtë të Tiranës, për të vendosur se do të kthehen sërish. Por këtë radhë për të dhënë një ndihmë konkrete. “Dua shumë të vij, por jo në këtë mënyrë”,- thotë Brigitte. Nuk do të duket modeste më shumë se ç’duhet kur i bën vetes atë pyetje që shumëkush mund ta ketë dialoguar së brendshmi. “Unë dua të dal në rrugë, të përshëndetem me ato gra që nuk kanë asgjë, që shesin rroba të përdorura”,- thotë ajo dhe shton se ndërsa ajo rri në hotelin me 5 yje ata njerëz jashtë nuk kanë asgjë. “Unë jam shumë e vogël në të gjitha kuptimet (përjashto gjatësinë) për të ndryshuar gjërat, por dua të bëj diçka, çfarë të mundem. Vendi juaj më ka dhuruar një energji pozitive. Kam qeshur si kurrë më parë, aq sa mikja ime Tania më shkundtte që të pushoja, por unë qeshja vazhdimisht”,- rrëfen Brigitte. Ajo dhe Tania, premtojnë se do të kthehen sërish për të ndihmuar njerëzit në nevojë, jo vetëm për të dhuruar dashuri e ngrohtësi, por edhe ndihmë financiare. “Bashkë me burrin tim kemi një projekt për të ndihmuar vendet nevojtare të botës së tretë. Edhe pse ju nuk renditeni këtu, jeni një vend që keni nevojë për ndihmë, jo vetëm financiare, por në të gjithë kuptimin e fjalës ndihmë”,- përfundon Brigitte.

25/11/2003