Edhe një tjetër artikull që më erdhi me ePostë:
- - - - -
Tironasit e vjetër me shprehjet e "Honit të Dika Beut"
"Ktu qeka bo si te honi i Dika Beut, gjithë ditën laj e lidh Sulejmon"… Këto janë shprehje që përdoreshin e vazhdojnë të përdoren në Shqipërinë e Mesme, por veçanërisht në Tiranë. Të moçmit parapëlqenin shumë që një situatë të ndodhur në shtëpitë e tyre apo me të afërmit ta vishnin me një "vello" të dalë nga gurra e popullit, apo shprehje që janë po aq reale sa edhe jo. Ata merrnin si shëmbull personazhe të njohura, ngjarje të mbajtura në gojën e popullit për shumë vite radhazi,apo mençuri që ua mësonte jeta, për ta bërë sa më të plotë, sa më të kuptueshëm mendimin e tyre. Mes kësaj faqeje po mundohemi t'i rikujtojmë edhe një herë shprehjet e njohura tiranase dhe t'i ngacmojmë sadopak ata që janë bërë pjesë e tyre.
Honi i Dika Beut
"Ktu qeka bo si te Honi i Dika Beut". Kjo është një shprehje e përdorur shumë në Tiranë. Shprehja simbolizon rrëmujën e madhe që mund të shohë një njeri. Krahasimi i saj është bërë pikërisht me situatën që ka ndodhur në një Han, e në këtë rast me Honin e Dika Beut. Dika Beu është person real. E njëjta shprehje përdoret edhe duke përmendur një tjetër person. "Ktu qeka bo si te Honi i Selim Tabakut". Ky i fundit ka pasur një Han në Lagjen e Tabakëve praën Shkollës së Baletit.
Dushk me gogla
Kur një njeri rri kot, apo është në një situatë të pazgjidhshme, kur mendimet e dhëna nuk i vlejnë fare, tironsit e vjetër përdorin
shprehjen: "Ai osht bo si dushk me gogla" apo thjesht "Dushk me
gogla."
Sikur me llap me rosat
Kjo është shprehja që përdoret për fëmijet e vegjël, apo për burrat e pakujdesshëm që bëhen pis. Në dialektin tiranas thuhet: "Qeka bo sikur me llap me rosat".
Me nji li vesh…
"Me nji li vesh dhe buzën tuj qesh". Kjo është një shprehje që
përdoret për njerëzit e thjeshtë, që i karakterizon mirësia, edhe pse mund të mos jenë të pasur. "Me nji li vesh", do të thotë me një rrobë veshur (li është rroba), pra që nuk ka shumë për t'u ndërruar, por buza i ri vetëm e qeshur.
Laj e lidh Sulejmon
Të gjithëve u ka ndodhur që në ditë të caktuara të mos bëjnë asgjë tjetër vetëm të merren me vogëlsirat e tyre. Të hapin e mbyllin sirtarët, të lajnë makinën apo të lozin në kompjuter. Kur burri i shtëpisë shihte nuset e djemve apo bashkëshorten e tij duke ndenjur gjithë ditën kot, apo duke u marrë me punë pa duk, përdorte shprehjen "Mete gjith ditën laj e lidh Sulejmonin". Pra Sulejmani presupozon një foshnje që e ëma e vet rri gjithë ditën duke i veshur e zhveshur pelenat.
Qerosi
Kjo është një fjalë që përdoret thuajse në të gjitha krahinat e
vendit, por në forma të ndryshme. Njeriu i pazoti, por fjalëshumë e mburavec, emërtohet me shprehjen "Hem qeros e. hem fodull".
Roma me brez
"Je bo si Roma me brez t'bardhë". Ky vlerësim përdoret në rastet e manjakëve të pastërtisë apo vesveselinjve. Roma ka qenë një tiranas i vjetër i cili e mbante veten të veshur kreko.
Mos ha se po zbërthe boç'n e kërthizës
"Mos ha se po zbërthe boçn e kërthizës". Boç'n e kërthizës nënkupton nyjen e kërthizës dhe shprehja lidhet me ata njerëz që hanë shumë dhe janë nepsqarë.
- - - - -
Drini.
Krijoni Kontakt