Nënë Kizja dhe Kënga e Krisantemës së bukur


-I-

Pikë, pi...
Por ajo nuk ra
Mbeti atje gjysma,
Nuk pati pikë të fundit
Në lyfytin e tullumbit.
“Paçka, paçka.”
Nënë Kizja
Mat me sy ujin në kanën e qelqtë
E si ngaherë flet me vete.
“As një gotë ujë nuk më dha,
Le të pres dhe ca,
Nata është larg, akoma ka ditë.”
Ajo pret dhe pret
Pastaj dorën e majtë në çapok
E me të djathtën i jep,
I jep e i jep,
Por nga tullumbi s’vjen më ujë,
Vetëm gërvima ngjiten në sulinë.
Nënë Kizja sot,
Ka pritur e përcjellë njerëz nga gjithë lagjia
Ujësjellsi nuk bën dy para,
Nga thatësira ujë më pak dhe më pak ka,
Dhe kushton më shumë se qumështi, është verë.
“Hej bela.”
Ajo e kthen ujin në gotë
Që e kalon gjysmën por nuk e bën plot
Dhe përsërit “hej bela”.
I duhet një gotë me kamomil
Se i kanë vrarë ata të flamosur dhëmbë të vënë,
Por i duhet dhe një kafe
Për nesër me natë, një kafe me pak.
Nga gota mbush filxhanin,
“Ooop, a.”
Dhe përsëri hedh sytë nga gota,
“Ka, akoma ka.”
Me duart e lodhura kthen në xhezve ç’mbeti,
Por prapë një gjysëm pikë uji
As brenda as jashtë në gotë.
“Ç’dreq botë.”
Largohet pa fjalë,
Një qese basme me kamomil hap ngadalë,
Hedh një lule, dhe një tjetër
Mat ujin me sy,
Dhe një ... dora i ka zënë një gjysëm lule.
“Ooo, o.
Mjafton dhe kjo.
Paçka, paçka,
Tre gllëngjka janë mja’.”


-II-

Kur lindi i vunë emrin Krisantemë,
Në vajzëri ajo ishte Krisantema e bukur
Që vdiste djemtë për një të puthur.
Kizi, nënë Kizja, e quajtën shumë vonë
Kur e pamartuar e moshuar dhe plakë,
Pothuaj ishte harruar ç’kishte ndodhur atë natë,
Aq e harruar sa kur në dasma e gëzime
Dëgjohej këngënata

“O moj lulja në mëngjes
Unë për ty kthehem në vesë,
O moj Krisantema e bukur
Pse më tret për një të puthur.”

Askush nuk kujtohej për të.
Ndërsa ajo hynte e vetme në qilar,
E atje në themelet e dhomës së saj,
Largonte pllakën e shtufit
Dhe lotonte në grykën e errët të pusit,
Aq, sa kur një gjysëmlot i mbetej as brenda as jashtë në sy
Ikte prej aty,
Duke prekur me dorë gjysëmputhjen e mbetur në faqe
Nga ai ditëshkurtër që i këndoi dikur

“Po shkoj në mal dhe të pres
Atje do kthehem në vesë,
Po nuk erdhe të premtoj
Nën këmbët tënde do të buroj.”

Nga ai ditëshkurtër që vërtet e kishte pritur,
Krisantemën e bukur.
Ajo nuk i shkoi,
Dhe ai nuk u gjet më që atë natë
Me shi, me mjegull me shtrëngatë,
E kërkuan burrat në pyll e në mal
Përmbys kthyen rrënjë e gur për atë djalë,
Por ai nuk u bë më i gjallë,
Derisa kur mbas dyzet ditësh
Në themelet e shtëpisë së saj
Nën dhomën e saj,
Nën këmbët e saj,
Një burim nisi të dalë
Dhe i madh e i vogël mbetën pa fjalë.
Ajo u vesh me të zeza,
“Baba” i tha “e desha”
dhe qaj e qaj,
“O bijë e babit, o të keqen babai.”
Dhe i ati e la burimin
S’ja trazoi damarin,
Pagoi ustallarë qemeri që mbyllën atë ndarje qilari
Dhe nga thellë nëntokë deri tek sofati
Zgjatën sulinarë ndërtuan postafin,
Dhe mbi të shtrënguan tullumbin.
Njerzit e quanin “pusi i burimit të lotit”,
Ishte ujë i lehtë
Porsi pika e vesës,
Nganjëherë i hidhur si loti i së vesë.
E pinin lehonat,
Ishte ujë me famë
Shija ju tregonte kishin vajzë a djalë,
Cilën hidhëronte
Vajzë do trashëgonte.
Prej atëhere ndryshuan shumë gjëra
U bënë dy luftra
U ndruan tre regjime
Njëlloj mbeti vetëm një
Uji që prej aty buronte gjithnjë
Deri më këtë ditë kur ujë s’doli më.


-III-

Nënë Kizja u ngrit menatë,
Nuk kishte fjetur
Por ndihej e qetë dhe e qartë.
U vesh me të reja,
Mori filxhanin me ujë dhe një kanë
Dhe u drejtua nga tullumbi,
Shoqëruar nga kënga e xinxrave
Dhe vështrimet e yjeve të fundit.
Filloi të prekë tullumbin duke thënë fjalën,
“Ujë”.
Ktheu ujin e filxhanit në grykën e tullumbit,
“Pije, do jesh zhuritur”
Boshoi duart e tha “Jam plakur”.
Pastaj nisi ti mëshojë me dorën e djathtë,
Me të dy duart,
Më fort,
U lodh ,
Më ngadalë,
U lodh,
E u ul duke marrë tullumbin në gjoks,
E duke ofsharë “Po vij,
Po vij, po dua që ujë përsëri këtu të dalë.”
Dhe u nis
Me një gjysëm puthje në faqe,
Me një gjysëm kënge
Me një gjysëm loti pa shkarë
Me një gjysëm krisanteme të tharë,
Në një gjysëm jete.
...
E gjetën atë mbasdite,
Pa rrobat e zeza,
Pa gërshetat e mbledhura,
E gjetën në mal,
Me një fustan me gajtanet me ar,
Flokët lëshuar e ngatruar nga era,
Me buzët në një degëz krisanteme të tharë.
E prej asaj dite e deri sa vdiq
Ajo nuk ishte më Krisantema e bukur
As nënë Kizja e pusit të burimit të lotit
Ajo ishte Kizja,
E marra.

Në shqip:
http://daedalus.math.uoi.gr/agrotica...l/kef/8/83.htm
Fotografi:
http://www.fondazioneminoprio.it/MIRT/crisantemo.htm