Close
Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12
Duke shfaqur rezultatin 11 deri 20 prej 20
  1. #11
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585
    Dita e Verës, 14 Marsi, një zakon arbëresh

    Dita e Verës quhet e tillë sepse më 14 Mars bimësia zgjohet nga gjumi dimëror. Në këtë ditë bimësia fillon të thithë lëngjet nga toka dhe kështu të rritet. Ndonëse kjo datë vazhdon të festohet madhërishëm në qytetin Skampa (Elbasan), ajo i përket të gjithë arbërësve-arbanasve (arbëreshëve). Shenjat e festimit të këtij zakoni arbëresh janë:

    1) Marrja datën 13 Mars të një tufe të vogël bari të njomë bashkë me rrenjët dhe dheun, me qëllim që të gjendet mëngjezin e datës 14 Mars në shtëpi.

    2) Gatimi i ballakumeve, që gatuhen një ose dy ditë përpara datës 14 Mars, me qëllim që mëngjezi i datës 14 Mars t’i gjejë ballakumet në shtëpi.

    GATIMI I BALLAKUMEVE

    MASAT

    1 kg sheqer, 0.4 kg tëlyn (gjalp), 7-8 kokrra vezë, 1 kg miell misri i situr, një dorë miell gruri,

    1 fixhan kafeje qumësht; një enë e madhe bakri e pakallajisur ose përndryshe prej qelqi.

    GATIMI

    Tretet tëlyni dhe lihet te fundërrojnë kripërat e tij. Pastaj tëlyni i vakët dhe pa kripërat e rëna në fund rrihet me sheqerin deri sa të bëhet një masë e bardhë. E mira është që rrahja e masës të bëhet me dorë, sepse përfundimi i përzjerjes ndjehet kur të duket se prek fije me dorën që po përzien masën e krijuar. Ndërkohë vezët janë përzjerë me qumështin më parë dhe shtohen dalëngadalë tek sheqeri i rrahur, duke vazhduar përzjerjen e këtij të fundit.

    Pastaj hidhet mielli dalëngadalë duke vazhduar perzjerjen me dorë. Mielli i grurit hidhet nga fundi. Duhet patur kujdes me hedhjen e miellit, sepse mielli i tepërt i bën të forta ballakumet pas pjekjes. Prandaj, pasi është harxhuar sasia e paracaktuar e miellit, brumi lihet 15-30 minuta në qetësi pavarësisht se ai mund të duket i qullët. Kjo kohë mjafton që grimcat e miellit të thithin lagështirën e brumit të qullët. Nëse shihet se brumi ka mbetur përsëri si i qullët, atëhere atij mund t'i shtohet edhe një dorë miell. Kështu me këtë brume ballakumet nuk do të shtrihen gjatë pjekjes.

    PJEKJA

    Tepsiat lyhen me pak tëlyn dhe spërkaten me pak miell. Pastaj, nga brumi tashmë i gatuar, formohen me dorë gurabiet me madhësi jo të vogël dhe vendosen mbi tepsi të larguara nga njëra tjetra. Paraprakisht furra është nxehur në 170oC. Futet tepsia në furrë dhe lihet aty derisa ballkumet të formojnë pak kore (jo të skuqen). Nxirret pastaj tepsia nga furra dhe lihet të ftohet, me qëllim që ballakumet të shkëputen lehtësisht nga ajo.

    Gëzuar!

  2. #12
    Viti i Ri

    Naten, perpara se te vije viti i ri, ne Kosove te Permetit, grat’ e çdo familjeje gatuajne nje byreksheqer dhe perpara se te shtrohet darka, shkojne ne çdo vend te shtepise duke kenduar:

    Olek bolek plot me buk’ e bereqet
    Me hambare e me qilare
    Me nuse e djem gezuar


    Ne Paftal te Beratit mblidhen njerezit e familjes rreth vatres, hedhin ne zjarr flete perckash ose kokra gruri dhe kujtojne n’ate çast emrin e njerit psh per NN. Po te hidhet perpjete percka ose kokra e grurit e te kercase, tregon se do te gezoje shendet te plote gjithe ate vit; po nuk u hodh percka a gruri perpjete tregon te kunderten.

    Bejne edhe kulaç me brume te ardhur dhe vendosin nje para brenda. Darken e vitit te ri kete kulaç e presin ne aq pjese sa jane njerezit e familjes dhe te gjithe marrin nga nje cope. Kush gjen parane ai do te kete fat.

    Ne disa vise bejne byrek me trahana e kulaç me veze dhe diten e vitit te ri ne mengjes shkojne ne vreshte dhe rrukullisin femijet neper hardhite; pastaj presin tri dege hardhi, te cilat i marrin dhe bejne kurore duke u vene edhe nje llastar ulliri. Vendit te hardhise ku u pre dega i hedhin vere e i vene pak byrek me trahana.

    Kuroren e hardhise, qe e ruajne jashte shtepise, e hedhin diten e Ujit te Bekuar ne krua ose ndonje rreke me uje.

    mbledhur si material me 1955
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  3. #13
    i/e regjistruar Maska e EXODUS
    Anëtarësuar
    15-06-2003
    Vendndodhja
    Intravenous..
    Postime
    1,667
    Llazore

    Llazore, mi llazore,
    Ku ma ke llazorën?
    Te udhë e limonët.
    Të limoftë shpata,
    Shpatat tek i Zoti.
    Oj Zoti, Shëndelli!
    As na jep një kokër ve,
    Më t'ë rruashin tre pendë qè.
    Sa lesh mi tre deshë,
    Aqë bereqet të keshë.
    Sa lule mi Tomorr,
    Aqë dhen e dhi, 'oborr.
    Sa drrasa mi çardhak,
    Aqë nuse me duvak.
    Sa lule mi qershi,
    Aqë trima në shtëpi.

  4. #14
    Viti i ri mirë se na gjet

    Viti i ri mirë se na gjet*
    më mirë mot se sivjet
    me shendet e bereqet
    kush ka njerëz në kurbet
    i ardhçinë me shendet
    me një mijë lira në xhep!

    Mërtiraj - Vlorë, 1948

    *Diten e veres (keshtu quhej dita e pare e pranveres kur niste viti i ri bujqesor) gatuanin kuleçe duke u shtire brenda veze. Pastaj do te shkonin te bagetia ne kullote, duke sjelle aty veç kuleçeve, nje kungull, lakra e bar te njome dhe nje hosten. Kulaçin do ta rrokullisnin ne mes te bagetive. Ne qofte se kulaçi do te binte mbare, edhe bagetite do te kishin mbaresi ate vit; po te binte prape, ne bageti do te kishte dem. Qetë do t'i ferkonin me kungullin qe te shendosheshin porsi ai; pastaj me bar e me lakra te njoma, qe gjithe vitin te kishte njomishte te bollshme per qetë. Me ne fund merrnin hostenin dhe vetem sa i preknin qetë me te, duke thene keto vargje:

    Une u çpofsha
    Zagali mos u çpoftë
    Në brazdë mos gulçofshi
    Arat mirë i lërofshi...

    mbledhur nga F. Rrapaj
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  5. #15
    Dita e Veres, rrenjet e festes pagane

    I takon pikerisht qytetit te Elbasanit merita e festes se Dites se Veres, sepse ndryshe nga gjithe qytetet e tjere, Elbasani diti ta ruaje traditen edhe ne ato vite kur u duk se gjetiu ajo u zbeh. Prej vitesh tanime, Dita e Veres eshte nje feste zyrtare, gje qe ben qe Elbasani te shnderrohet ne nje vend pelegrinazhi nga mbare Shqiperia.

    Ne fakt, Dita e Veres eshte nje feste pagane me origjine te lashte. Ajo eshte feste arbereshe e trasheguar ne vecanti nga qytetaret e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtesise) dhe festohet me 14 mars. Festimi kryhet ne nderim te natyres se bukur shqiptare dhe bimesise qe rigjallerohet me ardhjen e stines se ngrohte. Data 14 mars çel festivalin 1-javor te pjellorise dhe rilindjes se natyres, duke e cuar drejt 21 marsit, qe eshte Dita kalendarike diellore e Veres. Sipas profesoreve te etonografise, ritet e dimrit qe "japin shpirt" me ardhjen e pranveres, jane te dokumentuara te pakten prej tre mije vjetesh. Ato jane pasqyruar ne mitologji, ne veprat e Homerit etj. Kemi te bejme, keshtu me nje tradite mesdhetare. Dita e Veres ishte dita e fillimit te vitit sipas kalendarit shume te lashte te shqiptareve, pra nje dite qe kremtohej shume shekuj para se te lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars te kalendarit Julian, diten e pare te vitit te ri ( sipas kalendarit Gregorian, "14 mars"). Ishte nje feste mbareshqiptare, qe kremtohej si ne Veri edhe ne Jug, por me nuanca te ndryshme, sipas krahinave.

    Pse dita quhet e Veres, kur ne fakt festivali eshte pranveror?
    Kjo ndodh sepse ne kalendarin diellor ilir/shqiptar (dhe te disa popujve te tjere), ka vetem dy stine, Vere dhe Dimer, dhe stinet nisin me barasnetet (ekuinokset) ne mars e shtator dhe arrijne mesin me solsticet ne qershor e dhjetor, atehere kur festohet perkatesisht Mesvera dhe Mesdimri. Nderkaq, nga pikepamja gjeografike, festa kremtohet nga mbare shqiptaret, ne qytete e ne fshatra, ne fusha e ne malesi, ne atdhe apo edhe ne mergim. Fakti qe kremtimi i Dites se Veres eshte bere edhe nga arbereshet (aq sa disa autore e kane quajtur "feste arbereshe"), eshte deshmi e perhapjes se saj te hershme nder shqiptaret. Keshtu pra, ndonese kjo dite vazhdon te ruhet dhe festohet madherishem ne qytetin e Elbasanit, ceremonite me kete rast nuk mungojne ne gjithe Shqiperine, ku njerezit ngjiten pergjithesisht ne maja te larta per te qene sa me afer Perendise se Diellit, jetedhenesit, para te cilit luteshin per begatine pergjate vitit te ri.

    Festimet per Diten e Veres

    Natyrisht qe kohet moderne i kane ndryshuar disi ritet dhe per rrjedhoje edhe menyren e festimit te Dites se Veres. Megjithate, baza e festimeve eshte ruajtur dhe mbetet e njejta. Ceremonite e festes pagane qe ka origjine dhe tradite shqiptare, i dedikohen sikurse shume shekuj me pare, stines se pranveres, gjate se ciles rigjallerohet gjithcka pas nje gjumi te lodhur dhe te gjate dimeror. 14 marsi e ka origjinen qe ne kohen kur njerezit i faleshin perendive. Tempulli ka qene ne zonen e Cermenikes, ne afersi te Librazhdit te sotem. Sipas kalendarit te vjeter, njerezit orientoheshin sipas diellit, henes dhe gjelberimit. Po ashtu, edhe sot, 14 marsi per shumicen e shqiptareve simbolizon fundin e dimrit te acarte dhe hyrjen e pranveres me celjen e luleve. Ne kohet antike, paraardhesit tane Iliret, udhetonin nga te katra anet per t'ju falur perendise se riperteritjes dhe gjithesise, Diana Candieviensis. Ritet jane trasheguar brez pas brezi ndoshta per me teper se 24 shekuj me radhe. Dikur dedikimet i kushtoheshin perendise Diane, ndersa sot ato praktikohen per nje jete me te mire, te mbushur me hare, gezim, dashuri dhe begati. Zakonisht, sikurse edhe ne kohet antike, njerezit me kete rast linin banesat e tyre per t'ju drejtuar zonave me gjelberim, si nje forme pikniku ku gezonin shoqerine e njeri-tjetrin me gatimet me te mira tradicionale. Edhe sot, ne piknikun klasik te Dites se Veres, sidomos elbasanasit lene qytetin per t'ju drejtuar pikave turistike ne Byshek, Gjinar, Gurren e Labinotit, Ullirit te Qefit, Kroit te Kalit, Cezmes se Lepurit, Ujit te Ftohte ne Labinot etj.

    Ballokumja, si pergatitet embelsira tipike elbasanase
    Eshte embelsire karakteristike elbasanase. Ka qene dhe mbetet sinonim i Dites se Veres. Ka nje formule te vecante gatimi, qe njihet vetem ne kete qytet, edhe pse ballokumja tani pergatitet thuajse kudo. Ne vija te pergjithshme, nje ballokume pergatitet keshtu:
    Ne nje ene te posacme prej bakri hedhim gjalpe te fresket, sheqer, veze, nje maje miell misri dhe pak finje zjarri. Te gjithe perberesit perzgjidhen ne kushte natyrale. Megjithate, pak persona e dine se nje kg miell ballokumesh del pas nje cikli sitjesh nga 7-8 kg miell misri. Edhe sheqeri ndryshon nga ai i zakonshmi, pasi eshte i imet, ndersa e njejta gje ndodh edhe me edhe gjalpin, i cili duhet te jete prodhuar ne fshat dhe te kete nje ngjyre te vecante. Gjalpi i fresket tretet dhe vendoset ne enen e ballokumes. Mbi gjalp hidhet pak e nga pak sheqeri dhe te dyja se bashku rrihen per nje kohe te gjate me nje luge druri. Me pas hidhen vezet nje e nga, nderkohe qe rrahja me luge vazhdon. Pastaj e ka radhen hedhja e majes se miellit te misrit. Maja e miellit hidhet me ngadale dhe perzihet vazhdimisht me lugen e drunjte. Ne masen e formuar hidhet pak finje zjarri. Rrahja duhet te behet me dore, jo me mjete te posacme elektrike. Brumi i formuar nga kjo perzierje merret me luge druri dhe vendoset ne topa ne tepsi dhe futet ne furren me dru zjarri. Piqet dhe sherbehet ne formen e kulaceve qe te gjithe i njohim dhe i shijojme.

    Traditat dhe zakonet, verorja
    Tradicionalisht, me 13 mars njerezit marrin nje tufe te vogel bari te njome, bashke me rrenjet dhe dheun, qe ta kene ne mengjesin e dates 14 mars ne shtepi. Ky zakon i lashte ruhet dhe festohet jo vetem ne Elbasan, por edhe ne Diber, Struge e Prespe, si nje shenje mbaresie dhe prosperiteti per familjet e tyre. Po keshtu, me kete rast femijeve dhe te rinjve beqare u lidhen ne dore veroret tradicionale, te bera me fill te kuq dhe te bardhe, thurur me njeri-tjetrin. Mendohet se termi verore ka ndoshta lidhje me emrin e stines se veres ne gjuhen shqipe. Pasi i heqin pas dy javesh nga dora ose qafa, vajzat i lene veroret ne dege pemesh ose ne shkurre. Ne qofte se zogjte i marrin veroret per te stolisur folete e tyre, atehere mendohet se vajza beqare do te martohet brenda vitit. Kjo tradite vijon te ruhet ne shume zona te vendit. Sic shkruan Konica, me verore rrethoheshin edhe deget e thanave, dellinjave, dafinave apo shelgjeve te nderura. Ne shume raste ne Diten e Veres thureshin kurora qe vareshin ne portat e shtepise, per te sjelle fat.

    Elbasani dhe Tirana
    Prej 6 vitesh, Dita e Veres kremtohet edhe ne Tirane. Kjo pasi festa e Veres qe kremtohet ne qytetin e njohur ndryshe si "qyteti ne kerthize te Shqiperise", nuk eshte vetem per elbasanasit. Pervec pjesemarrjes ne nivel shteteror, vizitore nga mbare vendi vizitojne ne kete dite Elbasanin, per te pare nga afer festimet e organizuara nga bashkia, si dhe per te shijuar ballokumen e famshme. Thuhet se kushdo qe kalon keto dite Uren e Zaranikes, per te hyre ne qytetin e Elbasanit, ka ndjere qe ne deren e ketij "oborri-qytet" aromen e ballokumeve, si simbol i festes se Dites se Veres. Por, prej disa vitesh, qe ne vigjilje te festes, aroma e festimeve nis te ndihet edhe ne kryeqytetin e Shqiperise, ku bashkia ofron nje fond te vecante per festen. Ne parqe e bulevarde programohen koncerte festive, lojera te ndryshme per te rinjte dhe te vegjlit, ndersa vizitore nga i gjithe vendi mesyjne ne Tirane.

    Si festohet dita e veres, nga veriu ne jug
    Ne Tropoje, nenat zgjohen heret kete dite, mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Keto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e femijeve dhe mbi jastek kur ata ende flene, duke u lagur edhe syte me disa pika uje. Ne skajin verior te Shqiperise, ashtu sikurse edhe ne Diber, femijet gjate gjithe dites kepusin dellinja dhe krijojne me to mullare, te cileve u vene flaken ne mbremje, duke kercyer rreth flakeve. Ne Tropoje, Dita e Veres kremtohet me 22 mars, ndoshta per shkak te klimes paksa me te ftohte krahasuar me Shqiperine e Mesme dhe ate te Jugut. Ne fshatin Luzhe te Tropojes, njerez supersticioze kerkojne ndihme dhe mbaresi nga varre dhe gure te kthyer tashme ne idhuj. Te medhenj dhe te vegjel udhetojne neper terrene malore per t'u sjelle rreth nje guri varri. Nderkaq, ne Diber, rreth ores kater te mengjesit njerezit zgjohen "per te mbyllur dyert". Ky term do te thote qe te zgjohesh heret dhe kycin e portes ta lidhesh me penj. Simbolika e ketij veprimi nuk dihet. Vezet e ziera dhe "beteja" e tyre, jane gjithashtu tregues i kesaj dite. Nderkohe, ne Lushnje bashke me vezet zihet edhe misri dhe u jepet femijeve qe vijne verdalle duke kenduar dhe duke perplasur dy gure me njeri-tjetrin. Ata kerkojne miser ose veze te ziera. Elementet e perbashket nga veriu ne jug i japin kesaj dite nje unitet qe tregon per karakterin pagan shqiptar.

    Edhe Kosova feston Diten e Verezes

    Dita e Verezes festohet edhe ne Kosove, sipas nje tradite te lashte, te ngjashme me Diten e Veres ne Elbasan. Pjese e festimeve jane daljet e te rinjve e te rejave ne sheshe fshatrash, ne bjeshke, mbledhja e luleve te para, vallezimi e kendimi, ndezja e zjarreve dhe gatimet speciale me miell misri e gruri, te cilat kane ngjashmeri, por nuk jane si ballokumet e Elbasanit. Ne keto ane me blegtori te zhvilluar, nder shume ushqime qe shtrohen ne sofer jane mishi i qengjit dhe flija. Kjo feste behet me besimin se Dita e Verezes sjell fat, shendet, mbaresi, perteritje e dashuri njerezore dhe ritet nderlidhen me zgjimin e bimesise, gjallimin dhe kalimin nga dimri ne pranvere.

    Dita e Veres, sipas Faik Konices
    "C'eshte Dita e Veres? Eshte dita ne te cilen stergjyshit tane, kur skish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashke me romaket dhe me greket e vjeter, perendite e lulevet, te shlegjevet. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzeqeshur, e holle dhe e gjate si ne pikture te Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga nje barre, shijon nje qetesi, nje lumteri te embel. Ne kete gezim, stergjysherit tane ndienin nje detyre t'u falen perendivet qe siellin keto miresira. Dhe ashtu leu festa hiroshe qe e quajne Dita e Veres. Ne pake dite ne Shqiperi, besniket e fundme te pagamizmit, besniket pa dashur dhe pa ditur, do te rrethojne me verore deget e thanave, te dellinjavet, te dafinavet, te gjitha shelgjevet te nderuara. Do te keputin dege te gjelbera dhe do t'i vene permbi kryet e shtepivet. Te mos i leme te humbasin keto festa te vjetra te races sone. Nuk i bejne dem njeriut. Sjellin nje gezim te kulluar ne shtepi. Nje vend ku jeta e te vegjelvet eshte aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kane nje rase te rrale per te defryer. Per te medhenjte, Dita e Veres ka nje shije poetike te holle e te rralle" Faik Konica, shkruante per Diten e Veres rreth 100 vjet me pare, ne kohen e sundimit osman

    Koha Jone
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  6. #16
    i/e regjistruar Maska e fattlumi
    Anëtarësuar
    03-01-2010
    Postime
    3,412

    Festa të vjetra shqiptare.

    Nuk me ra ne sy nje teme me festat e vjetra nga tradita e lashte shqiptare dhe ilire.Disa nga keto festa edhe sot e kesaj dite festohen,diku me shume e diku me pak sipas trevave te ndryshme shqiptare.
    Ju lutem forumisteve te sjellim diturine,pervojen ose edhe perjetimet ne lidhje me festat e vjetra shqiptare, per datat se kur festohen ato, variantet e ndryshme lokale te disa festave, emertimet e tyre etj. Posaqerisht eshte mire te sjellim te dhena per ato festa qe jane krejtesisht me karakter lokal, te panjohura per pjesen tjeter te kombit si dhe te kujtojme ato festa qe pothuajse jane zhdukur tani ne kohen 'moderne'. Tregoni aq s'a keni dijeni per keto dhe poashtu mundesisht sjellni edhe pervojat e juaja personale dhe familjare.
    Ne vazhdim do i sjelli tri festa qe ende ne shume treva shqiptare jane shume te fresketa dhe vazhdojne edhe sot e tutje te festohen.


    Darka e lames

    Ne kete dite, populli i falenderohet Zotit mbas korrjeve-fshirjeve dhe kjo dite festohet duke e shtruar ne lamë (ku eshte bere fshirja) nje darke me q'rast shtrohen gjithë te mirat ne sofer dhe thirren te afermit e miqte si shenje respekti per ta. Kjo ka qene pak a shume karakteri origjinal i kesaj feste.
    Tash kjo feste eshte edhe feste kombetare tradicionale ne Kosove.Eshte vendosur me ligj nen perkujdesjen e presidentit Rugova.Si date ka mbetur 24 tetori.


    Darka e pastermes

    Perveq darkes se lames, ne disa treva shqiptare, deri para disa viteve eshte festuar edhe darka e pastermes. Kjo darke asht ba zakonisht ne dimer, pra ne kohen kur prehen pastermat. Ate dite, prej mengjesit jane mbledhe disa burra (zanatli), kryesisht kusherinje e bashkefshatar edhe kane ndihmu ne prerjen dhe rjepjen e pastermes, dhe e kane pergadite mishin , e kane coptu dhe e kane kryposur.
    Per dreke zakonisht kane qendruar ata qe kane ndihmuar ne prerjen e postermes.
    E per darke perveq atyre te drekes, jane thirre edhe miq e dashamire. Kane shtru darke se e kane siguru mishin per dimer e me gjate, e darken e pare e kane ngrene me musafir.
    E si gjelle kryesore e darkes se pastermes thuhet se kane qene mishi me lakra.

    Dita e Verës

    Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM-it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet më 14 mars.

    Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tanimë kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.

    Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te (VALMIT) Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve. Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.


    Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shëkuj para se të lindte krishtërimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri ( sipas kalendarit Gregorian, "14 Mars") Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshmë, sipas krahinave.

    pamje nga festimi i "Dites se Veres"

  7. #17

    Gjendja bazë Këngë për ritualet kalendarike nga krahina e Labërisë

    Këngë për muajt, stinët, ditët e javës, kohën, festat popullore kalendarike etj.

    1
    JENARI - KËMBËMBARI

    Jenari,
    këmbëmbari.
    Në janar,
    me tagar.
    Në shkurt,
    hiq e mos këput!
    Marsi,
    pemët i mbarsi.
    Erdhi prilli,
    zë këngën birbili.
    Në maj,
    zure t'ia mbaj!
    Korriku,
    vjen rrotull shiniku.
    O korrik,
    as na jep ca fiq!
    Gusht e gunë,
    vjeshtë e punë.1)
    Që në gusht,
    nga një grusht!
    Kaloi vapa me gusht
    dhe vreshta me rrusht.
    Në shëndré
    ha e kurcé!

    Muzinë-Sarandë, 1948

    1) I thonë edhe: "vjeshtë e lugë".


    2
    NË JENAR - JEPU DHËNVE BAR!

    Në jenar,
    jepu dhënve bar!
    Ugari jenarit,
    vlaga e beharit,
    Në shkurt,
    mat dheun me kut!
    Në mars,
    bujku vë maras!
    Në prill,
    zë puna fill.
    Në maj,
    bën kosa vaj.1)
    Në qershor,
    merr drapërin e korr!
    Në korrik,
    ha e ngopu fiq!
    - Kur e ka bujku ajamnë?
    - Gushtin dhe vjeshtën e parë.
    Në vjeshtën e parë,
    hiq e hiq palcarë.2)
    Në vjeshtën e mesme,
    hambarin ngjeshe.
    Në vjeshtën e prasme,
    buzagaze.
    Dymbëdhjetë shënëndre,
    luan si zogu në vé.3)

    1) zhurmë e kosës kur korr.
    2) Misra të njomë.
    3) Në disa variante për këtë muaj thuhet edhe: "Keci i shëndreut" etj.

    Gumenicë-Vlorë, 1946

  8. #18
    3
    LISI DYMBËDHJETË DEGA

    Lisi dymbëdhjetë dega,1)
    sa të buta, aqë të egra,
    çdo degë katër folé,
    çdo folé me shtatë vê.

    Delvinë-Sarandë, 1946

    1) Gjëegjëzë për vitin, muajt, javët, ditët e javës.

    4
    E HËNA I THA TË MARTËS

    E hëna i tha të martës,
    t'i thosh të mërkurës,
    e mori vesh e ënjtja,
    dhe i tha të prëmtes,
    kjo i tha së shtunës:
    "të diel kemi të krëmte."

    Piqerras-Sarandë, 1946

    5
    SOT ËSHTË E SHTUNË

    Sot është e shtunë,
    kërcejnë dy majmunë,
    kërcejnë e këndojnë,
    Bardhin e martojnë.1)

    Gumenicë-Vlorë, 1967

    1) I thonë fëmijët ditën e shtunë për t'u zbavitur.

    6
    VITI I RI MIRË SE NA GJET

    Viti i ri, mirë se na gjet1)
    më mirë mot se sivjet,
    me shëndet e bereqet,
    kush ka njerëz në kurbet,
    i ardhçinë me shëndet,
    me një mijë lira në xhep!

    Mërtiraj-Vlorë, 1948

    1) Ditën e verës (kështu quhej dita e parë e pranverës kur niste viti i ri bujqësor) gatuanin kuleçë duke u shtirë brenda vezë. Pastaj do të shkonin te bagëtia në kullotë, duke sjellë aty veç kuleçëve, një kungull, lakra e bar të njomë dhe një hosten. Kulaçin do ta rrokullisnin në mes të bagëtive. Në qoftë se ky do të binte mbarë, edhe bagëtitë do të kishin mbarësi atë vit; po të binte prapë, në bagëti do të kishte dëm. Qétë do t'i fërkonin me kungullin që të shëndosheshin porsi ai; pastaj me bar e me lakra të njoma, që gjithë vitin të kishte njomishte të bollshme për qétë. Më në fund merrnin hostenin dhe vetëm sa i preknin qétë me të, recitonin vargje: Unë u çpofsha,/ zagali mos u çpoftë, në brazdë mos gulçofshi,/ arat mirë i lërofshi...

  9. #19
    7
    ÇIKË ÇIKË NË DËRRASË

    Çikë, çikë, në dërrasë,
    mos më diq se të kam vashë!
    Çikë, çikë, në thëngjill,
    mos më diq se të kam bir!
    Xhi, xhi, kokoshi,
    sa çika në çati,
    aqë dhën e aqë dhi,
    aqë pela në shtëpi!1)

    Zhulat-Gjirokastër, 1955

    1)Thuhen nga fëmijët ditën e vitit të ri, kur shkojnë nëpër familje "për të bërë këmbë" për mbarësi; njëkohësisht ata shkrepnin urët e zjarrit që të ngriheshin shkëndijat.

    8
    DOLLA NË MAJË TË MALIT

    Dolla në majë të malit,
    zheva në buzë të marsit;
    - Dërc, o dimër, se ta hodha!
    tha plaka buzës së marsit,
    edhe shtëllungat i torri,
    kopenë nga dimri e nxorri,
    Po marsi u zëmërua
    edhe shkurtit iu ankua;
    - More shkurt; more vëlla;
    më jep tri ditë huá
    ta bëj plakënë siç dua?!
    Shkurti tri ditë ja fali:
    plot me borë ç'u mbush mali,
    borë, breshër e furtunë...
    Stani e plaka u bënë gurë.1)

    Muzinë-Sarandë, 1980

    1)Siç thuhet, plakat e marsit janë: tri në fillim të muajit (në ditët 1-3 mars), tri në mes dhe tri në fund. Për plakat e para kur bënte dimër, thoshin:"Një plakë e madhe qënka grindur me nusen nuk do t'i ketë bërë kafe, apo s'i ka dhënë të hajë e të pijë mirë etj. Nga mesi i këtij muaji, mund të bëjë dimër, mund të bëjë edhe kohë e mirë. Po të bënte kohë e mirë, plaka ishte e ngrënë dhe e pirë mirë. Po kështu në fund të marsit gjëndja e kohës varej nga gjëndja e plakës. Meqë në mars koha ndryshon shpesh, populli thoshte se "marsi tri herë e ngorth, tri herë e qelb".

    9
    IKËNI GJARPËRINJ

    Ikëni, gjarpërinj,
    ikëni shtërpinj,
    erdh vangjelizmoi,
    u theri e u shoi,
    me kordhën të ngjeshur,
    me llërët përveshur.
    - Nemna, zonjë, venë,
    se s'ta kemi ngenë!
    Në mos na dhënç venë,
    ti rafsh më një ferrë:
    Të biftë një lis në vatër,
    dhe prefsh këmbën me spatë!

    Shëvasi-Sarandë, 1981

    Shëvasi - Shën Vasil, ose Shovasi në të folmen krahinore.(shënimi im)

    10
    E FORTË SI THANA

    E fortë si thana,
    e kuqe si molla,
    e urtë si qëngji,
    e majme si derri.1)

    Kodër-Tepelenë, 1950

    1)Ditën e verës në mëngjes herët, një djalë apo vajzë, godiste me një shufër thane me lule gjithë pjesëtarët e familjes që ishin ende duke fjetur. Të goditurat i shoqëronte me vargjet e mësipërme.

  10. #20
    11
    LAZORE - MILAZORE

    - Lazore, milazore
    ku më ke lazuar?
    - Te Udh' e Limuar,
    - Të limoftë shpata!
    - Shpata tek i zoti.
    - O i zoti Shëndëlli,
    toli, tomeli.
    Shkoi Çelua nëpër ne.
    - As më jep një koqevé
    a m'i paç tri pëndë qé.
    Sa lesh në tre desh,
    aqë bereqet të kesh!
    Sa lule në Tomorr,
    aq dhën e dhi në oborr!
    Sa lule në qershi,
    aq trima në shtëpi!
    Sa shkëndija në oxhak,
    aq nuse me duvak!
    Sa furka në kasolle,
    aq nuse farkëtore.

    Dukat-Vlorë, 1945


    13
    TY, TY, TY, TY DELEZA

    Ty, ty, ty, ty, delezá
    dhëmbë kuçumbelezà
    ku ku fjetur sonte?
    - Ndë arë të Vasilit,
    bithë trëndafilit.
    Trëndafili fletë-fletë,
    mori maletë përpjetë.
    - Pa del nuse ç'është ai?
    - Është një arap i zi,
    jo i madh po zogomi1)
    në një kal me uzengji,
    shkoi e vate në Dhërmi.
    Dhërmiu s'e priti dotë;
    po e prinë palasikotë.
    Palasikotë farë-farë,
    dimbëdhjetë pleq të parë,
    do rihnin Belul Aganë.
    Mo rihni Belul Aganë;
    po atë Belul Katinë,
    se na prishi varfërinë,
    varfërinë e Vlorës,
    dëng e dëng këmborës;
    dëng e dëng dhe ziles,
    në vesh të kopiles.
    - Kopile, o kopilaqe,
    kush t'i puthi buzë e faqe?
    - Ai djali pa mustaqe,
    i pavënë brisk në faqe.

    Palasë-Vlorë, 1955

    1)Cinxami, cërmëli.

Faqja 2 prej 2 FillimFillim 12

Tema të Ngjashme

  1. Tradita e Shenjtë: Rruga që të shpie në shtëpi
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 20-07-2005, 01:05
  2. Ritual i turpshëm kundër traditës
    Nga Veshtrusja në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 19-03-2005, 20:32
  3. Festivali Folklorik i Gjirokastrës 2004
    Nga dodoni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 05-10-2004, 06:47
  4. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 31-05-2003, 18:04
  5. Roli i Tradites ne Kishen e hershme
    Nga Seminarist në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 28-11-2002, 17:26

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •